- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
XHAFER DEVA
Nga Lekë Tasi

Xhafer Deva
I
Para dy muajsh u përkujtua 70vjetori i mbarimit të LDB në Shqipëri dhe mbas katër muajsh priten ceremonira për fundin e saj edhe në Europë e kudo. Fitimtarët dhe humbësit nominalisht janë shumë, por fitimi i secilit vend në dy anët, del thellësisht i ndryshëm qysh ditët e para e në vazhdim; për këtë kronikat dhe kujtimet personale që u japin brendi reale, edhe emocionale, datave historike janë më të besueshme se librat e historisë, veçanërisht kur këta i shkruajnë institucionet. Dëshmitë e personave, rrallë janë të njëzëshme, por kur kjo ndodh me një përqëndrim njëqind për qind, ky unanimitet duhet konsideruar si një e vërtetë e padiskutueshme; ajo është shënjë se dishka tepër të rëndë kanë përjetuar autorët. Historianët zyrtarë nga ana tjetër i druhen asaj tabloje tmeruese ngaqë nuk pajtohet me një tjetër personale të tyre të shprehur në kushte shtrëngimi apo shërbimi të vullnetshëm, dhe duan në një farë mënyre ta shpëtojnë atë version. Ta paraqesësh ditën e fitores mbi nazizmin si një ringjallje mbarëeuropiane padallim, kur popujt iknin të tmerruar drejt Perëndimit, është si të këmbëngulësh edhe sot, 25 vjet mbas shembjes së Murit të Berlinit të injorosh tragjedinë që errësoi sakaq atë fitore për gjysmën e popujve, të minimizosh kontrastin bërtitës mes skllavërisë që zinte vend në Lindje dhe ngazëllimit që shpërthente në Perëndim, pra është dëshirë për të mos goditur, bile për të riabilituar, një epokë të zezë në vendin më tipik të saj, në Shqipëri. A mund të pritet për dokumenta të tjera, kur bash dokumentimi shmangej nga ai që i komandonte masakrat? Dokumentat duhen, por për t`i zbuluar e publikuar ato në shtrirjen e tyre të vërtetë. E dikton respekti për njerzit e pafajshëm që u bënë viktima të lakmisë paranoiake për pushtet. Mirëpo shpresa për një verifikim dhe rishkrim të tillë të historisë, bie poshtë qysh në çastin që në komision insistohet që 29 Nëntori 1944 të quhet çlirim. Jo vetëm shumica dërmuese e popullit, por sikur edhe një pjese e vogël e tij të ish trajtuar në mënyrë kaq konstante me barbarinë e luftës së klasave, që impononte taksë gjaku or` e çast, do të mjaftonte kjo, që vëmendja të përqëndrohej tek ky anormalitet flagrant. Dhe arsyet e tij gjenden në vet fillimet e asaj kurdisjeje të fshehur brënda lëvizjes partizane, me qëllime që nuk vonuan të shfaqeshin posa u konsolidua klika konspiruese dhe mori fuqi komanduese absolute. Ajo luftoi pa mëshirë këdo që rrezikonte synimet e saj antishqiptare, kundërshtar qoftë apo partizan. (listat e vrasjeve të papritura kanë dalë tashmë.U bë e dukshme pra qysh herët se lufta po shndrrohej vetëm për pushtet, dhe maskohej për ushtrinë dhe opinionin si luftë çlirimtare. Këtë e gjejmë tek librat e oficerëve të huaj, e gjejmë edhe te deklaratat e pjesëmarrësve ( “e kemi harruar gjermanin, po merremi vetëm me Ballin” i shkruante Liri Gega të dërguarit të PKJ, kurse Sh. Musaraj ankohej për vrasje tërësisht të pajustifikueshme. Fati i dy personazheve më vonë dëshmon se si u trajtua guximi dhe nënshtrimi). Kjo është dhe baza mbi të cilën mund dhe duhet të shqyrtohet realisht lufta partizane. Vetë pjesëmarrësit e atëhershëm kanë kaluar më vonë nga një hamendje e mjegullt, në ndërgjegjësim, por sa e shprehin, kjo varet nga sedra e sëmurë ose mosnjohja plotsisht e fakteve (dhe shpjegimin e mëdyshjeve të tyre, ata do ta gjejë te historia e rishkruar), kurse inteligjentët që e kuptuan herët mashtrimin ndahen dysh, disa që reaguan dhe u eliminuan, disa që heshtën dhe duruan.
Depersonalizimi i njerzve pra ishte kushti themelor për të realizuar planin e tyre grupi Dushan-Miladin-Enver. Ndaj synimi i atyre që mbështesin tezën se ka qënë Luftë NCl. dhe jo Luftë Civile, është që komisioni të bazohet vetëm në dokumente. Mirëpo në këtë kategori hyjnë dhe kushtetutat, ligjet, që s`u zbatuan asnjëherë, por u shkelën pa ndërprerje, korrespondencat diplomatike, të paqme dhe mashtruese; dhe vetiu lihen pa hyrë porositë me gojë për vrasje, vëzhgime të shokëve, që kanë humbur me bartësit, djegia e shkresave më komprometuese etj. Prandaj kush shkruan historinë mes kaq kurthesh, duhet të hedhë një sy të veçantë përjetuesve të realitetit të imte, dhe të vlerësojë si indikative me rëndësi atë që jep dëshmia e gjallë tyre, që lidhet edhe me mungesën gati totale të dokumentacionit shtetnor në kohë paqeje, ndër të tjera për kampet, për ekzekutimet pa gjyq etj. Duke u bazuar vetëm në dokumentacion, ajo pjesë e historianëve mund ta kalojë atë periudhë krimesh të rënda ,(si në luftë dhe në paqe), me kritika të moderuara, për faj organesh ende të paformuara, pra me një farë tolerance ndaj regjimit vetë, si prej kohërash emergjente, kjo është formula, dhe jo si veprime me një qëllim të vetëm, ruajtjen e pushtetit, që ta përdornin me mjete ekstreme (Sigurimi “arma e dashur e partisë” për zhdukjen e personave dhe vlerave që e rrezikonin.
II
Aspektet e dizinformimit që ka sunduar, dhe të përgjegjësive që duhen nxjerrë prej atij lëmshi informativ që trashëgojmë janë të shumta, por këtu duam të merremi kryesisht me depersonalizimin që sjellin kohërat e terrorit, si ato që kaluam, dhe për kontrast, të theksojmë personalitetin që afirmohet tek disa të rrallë, në çdo rrethanë, si një imperativ i forcës së tyre morale. Kjo sepse me një akuzë fare të parëndësishme (kollaboracionizëm) historishkruesit priren të lënë mënjanë bile të denigrojnë esencialen, dashurinë për atdhe të shoqëruar me vullnet për veprim. Disa konsiderata që komisioni i Historisë mendojmë duhet të ketë parasysh nëse don ta digjojë jehonën atyre ditëve tragjike, ende të gjallë në ndërgjegjen e njerzve:
1)Shqipëria ka anuar historikisht nga fuqitë qendrore, sepse ato, si kundërshtare të hershme të fuqive Lindore dhe atyre të Perëndimit, e kanë përkrahur, madje e kanë sjellë në jetë. Ka ekzistuar për pasojë edhe një simpati dhe shpresë në to.
2) Brënda Aleancës-Rusi–Britani, e para kishte prioritet shtrirjen e miqve të saj mbi tokat tona,e dyta një farë shpërfilljeje ( të kujtojmë veçanërisht qeverinë Churchill-Eden). ShBA hyri më vonë në luftë, dhe nuk ishte e garantuar se do të përsëritej në kushtet e reja mrekullia e 1920ës në mbarim të saj.
3) Qysh herët u kuptua që Boshti po e humbte luftën; por Shqipëria ashtu si Bullgaria, Hungaria, dhe Rumania kishte arsye t`i trëmbej fitores aleate për shkaqe të ngjashme me to, por ajo vetë shumë më e rrezikuar se ato, prej raportit tërësisht negativ që kishte me fqinjin e saj verior, me barrë të madhe në atë luftë, pra edhe me mundësi më të mëdha shpërblimi mbas. A do të veprohej me nënshtrim absolut kërkesave urgjente luftarake të aleancës si një e tërë, pa pasur garanci të besueshme se do të mbroheshin të drejtat tona (ishte rasti për të rihumbur Kosovën, ndërsa kërkesat greke po fitonin terren në Foreign Office), apo duke shikuar në maksimum unitetin e brëndshëm, që me anë të tij të manovrohej energjikisht me të dyja rreshtimet dhe të ngrihej ashtu piaca e pjesëmarrjes së vet me fituesit? Me fjalë të tjera parimisht a është e “shenjtë” dhe duhet pranuar pa asnjë kusht, rreshtimi me palën fituese, apo, duhet “detyruar” ajo që ta pranojë kërkesën tonë të drejtë? `Detyruar’ do të thotë duke i krijuar një problem rajonal-lokal, një forcë të armatosur që do vinte në dyshim rizaptimin e Kosovës ,o sëpaku do ta bënte pjesë të çështjeve të hapura (pra e kundërta e Jaltës ku Shqipëria s`paraqiste asnjë rëndësi dhe u përbuz si e “gëlltitur” nga Lindja, ndaj dhe e “parëndësishme” për Perëndimin). Një Shqipëri e drejtuar nga nacionalistët, qoftë me partizanët pjesëmarrës por në pakicë si peshë specifike, me një fjalë Marrëveshja e Mukjes e zbatuar, (ku të dy delegacionet kishin qënë dakord, gjë që tregon frymën e atëhershme edhe tek partizanët) do të krijonte një kryeurë perëndimore qysh herët, me zbarkime të bollshme, dhe do shfrytzonte kështu në dobi të vet dhe forcërisht marzhin e mëdyshjejes, që Jalta linte zbehtas hapur, gjë që të dërguarit Anglezë e kërkuan deri në fund me insistim).
4) Kriteri që udhëheq konferencat e paqes në pranimin ose jo të të drejtave jetike të një vendi të vogël, (vetvendosja për ato aktualisht të varura, dhe integriteti territorial për kombet e ndara) ka ndryshuar mbas precedentit Wilson, dhe mbas LDB me të tjera risi,si Lufta e Ftohtë, rimëkëmbja e Gjermanisë etj. Prandaj politika më dinjitoze, madje më e leverdisshme, ishte tu paraqiteshe të fortëve të botës me një platformë të drejtë kombëtare, dhe kryesorja, me vendosmëri për ta mbrojtur me forcë ushtarake kompakte përballë kujtdo e deri në fund. Konfliktet e mëdha janë rast për këtë manovrim të të vegjëlve. Ky kriter, pra zëri unik i një populli, që e bën sadopak forcërisht kërkesën e tij për tu bërë pjesë të axhendës së Konferencës së Paqes, ishte detyrë edhe morale në atë moment, për të shlyer figurën e zbehtë të 1939ës me një më dinjitoze. Me këtë kuptim është përdorur fjala personalitet, dhe përfshin liderë dhe komb. Kushdo që zotohej me këtë detyrë, figurë zyrtare apo politikan, duhet të shqyrtohet nga komisioni në fjalë kryesisht me këtë kriter , nëse duam të rimëkëmbet vendi moralisht, me një histori të vërtetë, bazë kjo e çdo përspektive tjetër që shtrohet.
5) Realiteti sigurisht është krejt tjetër. Triumfi i PKJ qe i plotë, i habitshëm madje, posi një këmbim letrash në tavolinë mu para syve tanë. U realizua varianti më tragjik për Shqipërinë, dhe kjo demonstrohet nga teposhta e vendit mbas fitores, një rënie e nisur qysh në luftë me veprime përçarëse e terroriste ( të anës partizane, që iu imponua prej një klike të dalë papritmas). E habitshme si nuk ka as sot një qëndrim të vetë partizanëve mbijetues, për ta riabilituar lëvizjen e tyre si kombëtare në këtë drejtim, duke e shkëputur nga kurdisjet në Kafe Flora dhe në vizitat çdo mëngjez “për një dobardan” e kreut të tyre tek dyshja serbe në Hotovë, dhe për të ngritur emrin e atyre që kundërshtuan tradhtinë dhe u eliminuan; do t`ishte nder për ta, ta bënin këtë operacion mendor sëpari, dhe pastaj moral. Mos sepse janë thjesht mbijetues nuk e bëjnë? Por disfata erdhi edhe nga hezitimi e butësia e palejueshme nacionaliste, kryesisht e Ballit, sidhe nga mungeësa e koordinimit me krerët veriorë (A.Kupi,M.Bajraktari, M.Gjon Markaj, krerët Dibranë dhe vëllezërit Kryeziu), që po të ish arritur në kohë, do ta bënte të pamundur kalimin e brigadave në Veri, me pasojë ndofta një zbutje të terrorit edhe në Jug, për të mos arritur në luftë civile.
6) Figura më e vendosur për rezistencë dhe kompaktësi nacionaliste, përballë rrezikut të dominimit jugosllav qe Xhafer Deva. Qe i vetmi zyrtar që reagoi me organizim të armatosur, jo me apele, dhe njëherazi bëri ç`qe e mundur për të ndalur shthurjen fataliste që përfshiu Regjencën e Qeverinë. Veproi me aq energji, sa nuk vonoi shumë dhe i mungoi mbështetja nga vetë rrethi zyrtar ku bënte pjesë. Ky ishte momenti kyç. Prej pavendosmërisë dhe humbjes së unitetit përfitoi treshja Dushan-Miladin-Enver e ndodhur në vështirësi të madhe falë veprimit të armatosur kundra tyre (Halil Alia e kishte çuar në minimum lëvizjen e tyre) ; kështu fati u buzëqeshi pa pritmas; me shpejtësi u riorganizuan dhe rimorën insiativën. Krerët zyrtarë dhe Balli Kombëtar u larguan prej ministrit të tyre energjik, të impresionuar ndofta në drejtim moderues nga afërsia e fitores aleate, dhe shpresuan tek një zbarkim i shpejtë. Këtë priste dhe populli, por ndryshimi mes tyre është themelor; politikani e ka të ndaluar të presë në raste rreziku kaq të dukshëm. Kësisoj kemi një rast shëmbullor për të bërë dallimin mes politikanit që e njeh çastin e duhur dhe vepron, që sigurimin e avantazhit e ka përparësi absolute dhe në çdo rast, dhe atij që vë në llogari edhe kushte të tjera, pra një strategji “prit si do të zhvillohen punët”. U llogarit shpresa si faktor, në momentin kur profilohej e kobshme një epokë e errët dëshpërimi. Shenjat ishin të gjalla: Me terrorin e egër që ushtrohej nëpër fshatra , (për të cilin duhej të ishin informuar kryesisht zyrtarët), goditja në kokë e së keqes ishte detyra e tyre e vetme historike. Ndofta edhe preokupimi për të ardhmen e tyre personale politike mund t`i ketë ndaluar sëbashku me butësinë e tyre qytetëruese (!) që fundja t`ia linin atij, të riut energjik kosovar, t`i bënte ballë siç dinte vetë rrezikut “te dera”. Nëse do t`i lihej atij komanda e operacioneve, do të ishte shprehur edhe vullneti i përbashkët për unitet kombëtar, në një moment kur parashihej edhe rindarja e kufive në Evropën e mbasluftës. Ato ndryshime sigurohen me veprim, kurrë me lutje, dhe duhen ndërmarrë edhe sikur efektin ta kenë mbas dekadash. Pse duhej të hiqej dorë vullnetarisht, apo t`i lihej shpresës ndreqja e gabimit të Versajës, kur pak më vonë, korrigjime të tilla ndodhën, dhe shkollat tona brohoritnin që Istria t`i jepej Jugosllavisë?. Një strategji mbarëshqiptare,e drejtuar nga Xhafer Deva do të nënvizonte prezencën tonë forcërisht siç thamë si faktor me një farë peshe në axhendën e Jaltës dhe më vonë të Konferencës së Paqes. Pavarësia e Kosovës, vërtet nuk fitohej në atë moment, por ndërkombëtarizohej qysh atëhere çështja e saj, deri me mocione në OKB. Kryesorja, do të qe shmangur gjysëm shekulli diktaturë, me të gjitha favoret e mëdha që kjo liri nënkupton. Praktikisht Xhafer Deva në drejtim mund të lozte rolin e garantuesit pranë gjermanëve, në mënyrë që pakti me ta të respektohej aq sa e lejonte ekuilibri strategjik me aleatët, siç u detyruan aleatët ta loznin me partizanët, të cilët në momentin më të parë ruajtën forcat vetëm në ndjekje të kundërshtarëve të brëndshëm. Për këtë qëndrim të tij negociues me forcat antigjermane nacionaliste, ekziston një deklaratë e tij (“unë besoj te Gjermania, ju bëni sipas bindjeve tuaja” që do të thotë nuk e përjashtoj një bashkëpunim të nëndheshëm.
7) Xh. Deva grumbullon që prej 70 vjetësh akuzat më të rënda, bile i pambrojtur edhe nga nacionalistët, të cilët i nënshtrohen në mënyrë fëminore propagandës komuniste . Strategjia e Devës, mund të çonte nëse do të pranohej, në një rreshtim kombëtar, nëmos unik, i ngjashëm me vende të tjera ku të dy krahët, edhe pse me grindje rivalizuese, e pranonin si normale sfidën e zgjidhjeve parlamentare mbas luftës. Pra me objektiv, të mirën e vendit. Komisioni duhet ta ketë parasysh këtë aspekt përsa i përket dallimit të prerë edhe mes nacionalistëve negociues (Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra) dhe delegacionit nçl. -Y.Dishnica, J.Caci, A.Kupi,M.Peza që u treguan bashkëpunues me nacionalistët Mit`hat Frashëri, H. Dosti, Th. Orolloga, S.Muço), dhe Enver Hoxhës, i vetmi nga krahu tjetër, tërësisht sektar e minues i çdo uniteti).
Historia sigurisht nuk merret me hipoteza, por merret me interpretime dhe me shqyrtim të plotë dhe të padiferencuar të dokumentave. A do të bëhet i tillë? Vetëm ashtu lidhet e kaluara me të tashmen për të kuptuar të kaluarën. Nënkuptojmë e kaluar dhe e sotme edhe individuale, moralo-qytetare, intelektuale, pasunore etj, prej nga vjen edhe shpjegimi i asaj që ndodhi për 50 vjet dhe sot, dmth shthurja e pjesës më të madhe të klasës politike, dhe evidenton ku i ka rrënjët ajo: bash te depersonalizimi. Vetëm ashtu, dmth me një bilanc edhe moral të asaj që ndodhi, mund ta humbë kuptimin formal fjala fitore mbi fashizmin,dhe të marrë rëndësi ajo që sjell me vete ajo fitore; pra duhet parë çdokush në funksion të kontributit të tij për emancipimin e shoqërisë, kush prej tyre e deshi, dhe kush e dëmtoi ose e rroposi, pra jo të ndahen thatë periudhat ,deri këtu pozitiv, pastaj negativ, e duke ia lënë meritat e ngjitura me dekrete. Në këtë thellim ndihmon studimi i personalitetit, në sfondin e ngjarjeve, sa shquhet ai në vështirësitë e ndeshura.
9) Dy figurat që mbeten përballë njera-tjetrës, me zgjidhjet e tyre diametralisht të kundërta, janë Xhafer Deva dhe Enver Hoxha. Për të dytin s`ka nevojë të flitet më, duhet vetëm të pritet ç` tipare të tjera do t`i nxjerrë në dukje dokumentacioni i plotë, sot i fshehur, nëse një shqyrtim i tillë do të bëhet realisht. Çështja qëndron tek i pari, të cilin shoqëria jonë, me sa dihet deri tash, e konsideron si të përjashtuarin nr 1,e trajton si ekstremist e terrorist , sepse, insitojmë, mosvënia vesh e asaj që pjesa e vuajtur ka përjetuar, meqë deri sot i është mohuar ngultazi edhe përfaqësimi, vazhdon. Kjo lë shumë pak vend për shpresë që të vërtetat themelore të dalin në dritë. Çfarë fshihet mbrapa këmbënguljes që të vërtetat të jepen me doza të vogla edhe në këto 25 vjet ? Xhaferr Deva, nje inxhinjer kosovar, prej familjeje te respektuar e me kulture solide, mbas izolimit nga koleget, terhiqet dhe organizon mbrojtjen in extremis te Kosoves , ku riaktivizon Lidhjen e Prizrenit, me koleget Rexhep Krasniqi,Xhelal Mitrovica etj. Arratiset ne Nentor 1944 ne kushte te veshtira drejt Austris, ku nuk peson asnje kufizim nga trupat aleate, perkundrazi lejohet te veproje pa pushim per kauzen e rezistences antikomuniste; me mbeshtetjen amerikane dergon parashutiste permes Shqiperis, ne Kosove, me minimumin e humbjeve krahasimisht me dergimet e tjera te asaj periudhe, dhe i paprere eshte kujdesi dhe kurajo e tij ne solidaritet me ata qe ka komanduar. Ky angazhim i pa kushte, mbahet edhe kundrejt miqve amerikane ( “nuk jam agjent i juaj, as furnizues me trupa, jam Xhafer Deva, un dua t`i sjell ketu njerzit e mi sa ma pare” u shkruan atyre mbas nje udhtimi te pafrytshem ne Greqi per te kthyer kater parashutistet trima). Me von tenton permes Turqise te vendose ne Kosove nje qender informacioni amerikan, sidhe shume aksione te tjera ne Lindje te Mesme. Ne 1954 emigron ne SHBA, duke qendruar perher aktiv mes diaspores si kryetar i padiskutuar dhe i nderuar i Lidhjes Prizrenit, pavarsisht pengimeve e deri denigrimeve te elementeve te dobet qe per fat te keq s`kane munguar kurre, te gatshem te perflasin kedo qe rrezikon ndersa vete s`bejne asgje. Me veprimet e tij energjike, me kompetencen dhe aftesine analizuese, ai fiton prestigjin e merituar aty ku ka rendesi, tek autoritetet amerikane, gjithmon ne dobi te Kosoves dhe kauzes kombetare. Ftohet dy here ne West Point, dhe kumtesat e tij jane ndricuese per te sqaruar strukturat e asaj akademie lidhur me praktikat konspirative komuniste . Per tu shenuar esht edhe sjellja e tij prej zotnie ne marredheniet me harbutllekun e diaspores tone, qe ne emigracion peson fatkeqsisht gjithfare ndikimesh. Shkurt Xhafer Deva mbetet nje personalitet me kapacitete te jashtzakonshme te bashkuara me nje vullnet te hekurt, nje nga te paktit qe e dedikoi ekzistencen e tij teresisht kauzes kombetare dhe qe i mungon tipari mjaft i hasur edhe tek kjo kategori politikanesh, egoizmi mospajtues.
10) Informacioni i duhur rreth nacionalistëve është i pakët, sepse baza e vetme ku mund të delte ka qënë diaspora. Mund të jetë edhe profesionalisht me boshllëqe, për mungesë mjetesh kundrejt Institutit të Historisë, që gëzonte fonde dhe nxitje për të punuar, megjithse e shoqëronte përherë porosia nga pas, dmth, diktati. Por për çështjen që shtruam në këtë artikull, Xhafer Deva ndarazi nga Nacionalistët e tjerë, dhe përballë tij, Enver Hoxha dhe PKJ, shqyrtimi bëhet edhe më i nevojshëm, sot në kushtet e lirisë, edhe për arsyen e njohur që denigrohet në maksimum kundërshtari më i rrezikshëm. Rreziku i subjektivitetit mbetet, por kur pjesën e luanit në këtë tipar e zë simpatia pro-komuniste, e shprehur madje hapur në vitin 2007 (!) tek Historia private e akademikëve,tani edhe pa porosinë më që i nxiste në të kaluarën, del me interes krahasimi me të vetmin libër sipas njohuris sime mbi Xhafer Devën, atë të Idriz Lamajt, ku përfshihen edhe shkrime nga dora e vetë Devës. Pra interes duhet të paraqesë sa lidhen dy figurat me simpatitë personale të shkruesve, deri në sa arrijnë ato të falsifikojë realitetin, pra sa do t`i qëndrojnë të dy palët analizës dokumentare të pavarur që ka në dispozicion Komisioni, dhe sa boshllëqe të qëllimshme i gjenden secilit, si psh numuri i viktimave të 4 Shkurtit, dhe ai i atyre të Nëntorit të 1944 në popullsinë civile, dhe gjithashtu, i dëshmorëve të luftës, kur po dalin tash sëvoni shifra pa krahasim më të ulta se ato zyrtaret.

Enver Hoxha dhe Dushan Mugosha