- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Vdekje me vuajtje

Avni Bejkova
Isha në pritje të nxirrnin babanë në gjyq. Por mua më arrestuan përpara se ai të lirohej. Më dërguan në Korçë, te komanda embrojtjes. Më futën në birucë. Sa hapën derën, erdhi një erë e jashtëzakonshme amoniaku. Mendova se isha i vetëm aty, por pashë që ishte edhe një person tjetër, Faredin Angoni. Unë isha vetëm 17 vjeç. Më mbajtën 3-4 ditë aty. Më pas më dërguan në divizion. Atje filloi skenari. Më dërguan tek 17 të burgosur të tjerë, që nuk i njihja. Sapo hyra, m’u afruan dy djem. Njëri ishte nga Tirana, tjetri nga Shkodra. Që të dy ishim të rinj në moshë. Ata më thanë se do të na vrisnin. Ata më thanë se të gjithë skenarin e arrestimeve e kishte bërë Astrit Leka. Ai bëri të pamundurën që unë të pranoja të gjitha gjërat që thoshte hetuesia, por unë refuzova, pasi nuk mund të pranoja diçka që nuk e kisha bërë. Hyn në dhomë prokurori i çështjes, Ziqiri Mero. Ai më tha se do më bënin të flisja. Më hoqën nga aty dhe më dërguan në një birucë tjetër. Në natën e asaj dite më dërguan në dhomat e hetuesisë, që ishin sipër birucave. Hapet dera dhe shoh të ulur aty një shok timin të fëmijërisë. Pyetja e parë që më bënë ishte se unë isha dakord që Kosova të mos i jepej Jugosllavisë dhe të kishte bashkim kombëtar. E pranova. Më pas prokuroi më tha se kishte edhe shumë gjëra të tjera për të më thënë. Ata filluan të rrihnin njerëz të tjerë para meje, në mënyrë që të pohonin se unë kisha bashkëpunuar me grekët. Ata që torturoheshin para meja më shikonin në sy duke pritur aprovimin tim që t’i lejoja të flisnin. Më pas vjen në hetuesi Riza Kodheli. Ai më takon dhe më pyet nëse më kishin torturuar dhe unë iu përgjigja “po”. Rizai më tha se nuk do të më rrihnin më, por ndodhi ekundërta. Në mbrëmjen e asaj ditë më kanë bërë tmerrin më të madh. Mbas dy javësh mbaroji hetuesia. Më çuan në gjyq. Gjyqtarët filluan të lexonin një procesverbal që e kishin bërë vetë hetuesit dhe ishte pa firmën time. Ata e lexuan më kërkuan që ta firmosja. Unë nuk pranova. Në atë çast hyn kryetari i gjyqit. Hetuesit i thonë kryetarit se unë nuk pranoja të firmosja procesverbalin. Kryetari i gjyqit tha se gjyqi do të anullohej dhe do tëzhvillohej në mbrëmje. Në mbrëmje filloi gjyqi. Ishin 40 persona që prisnin vendimin. Gjyqi nuk zgjati më shumë se dy orë. Ai ishte thjesht formal. Unë nuk pranova asgjë nga akuzat e tyre. Shoku im i fëmijërisë, Sabriu, ishte jo vetëm pjesë e jurisë së gjyqit, por dhe dëshmitar. Ai më akuzonte për shumë veprime që unë nuk i kisha bërë. Ditën e nesërme, pasi mbaroi gjyqi, prokuroi bëri pretencën. Për mua kishte kërkuar dënim me vdekje. Më dërguan në burgun e vjetër në Korçë. Në atë burg kam parë shume pushkatime. Gjëja më tragjike ishte se dënoheshin grupe, të gjithë të zonës së qarkut të Korçës. Kur vinte urdhri për pushkatim, komunistët hidhnin valle nga gëzimi. Ky ishte sinjali se do të bëhej pushkatimi. Mbasi pushkatonin grupet, ata gëzonin duke pirë e duke hedhur valle.
Në çastin e ekzekutimit komunistët u kërkonin që ata të ktheheshin më kurriz dhe t’i qëllonin mbrapa shpine. Shokët nuk e pranuan atë dhe i qëndruan ballë për ballë plumbit, kështu që plumbin e kanë marrë që të gjithë në gjoks. Prokuror i çështjes ishte Mina Miço. Ai i godiste në kokë me plumba. Kur dola nga burgu, mua më internuan. Familjet e të pushkatuarve u interesuan për të ditur se kush kishte mbetur gjallë nga grupi im. Kur ra komunizmi, u takova me ata, pasi ishte e pamundur që të takoheshim më parë. Kur u takova, ikëm në fshatin ku ishin pushkatuar shokët. I gjetëm eshtrat e tyre.
Përpara se të më dërgonin në burgun e Burrelit, komunistët bënë një seleksionim në burgun e Korçës. U përzgjodhën 107persona që konsideroheshin të burgosur politikë, ndër ta isha dhe unë. Një ditë në muzg na thanë që të merrnim rrobat nga qelitë se do të iknim. Ne menduan se do të na pushkatonin. Kur po hipja në makinë, një oficer më pyeti se kush isha, pasi i bëri përshtypje. Pasi unë isha vetëm një fëmijë. Njëri nga hetuesit u përgjigj: “Nuk e njeh ti se kush është ai? Ta dish ti se çfarë është ai!…”Vetëm kaq arrita të dëgjoja. Më 16 tetor na nisën për në Burrel. Ishte një autokolonë me makina, pasi ishin 107 persona. Kur ra nata, makina mori rrugën për në Burrel. Kur zbritëm, ishim shumë të etur. Kërkuam ujë, por aty nuk kishte. Ishte vetëm një pus pothuajse i tharë për 600 të burgosur. Të nesërmen na bashkuan me të burgosurit e tjerë. Ne pamë një karrocë me plehra, që kishte edhe bukë misri brenda. Rojat e burgut na thanë se ajo ishte buka, 300 gramë bukë! Më pas na ndanë nëpër biruca. Para se të na ndanin, më vjen një shoku im, Naim Frashëri. Ai më njoftoi se më kërkonte Gjergj Kokoshi. Takohem me të dhe më ngushëlloi për fatin e keq dhe më tha se do të kalonte. Ai ishte informuar për dënimin tim. Kur na ndanë nëpër qeli, mua më ra që të rrija në qelinë ngjitur me të tijën. Ky ishte një fat i madh, pasi e kisha profesorin ngjitur.
Më pas filloi gjendja e urisë dhe masat ndëshkuese. Gardiani vinte dhe gjuante pa kurrfarë gjeje. Gardianët morën Ibrahim Biçakçiun dhe e rrahën. Ai ishte një tip që nuk përzihej me asnjë njeri.Gardiani i burgut e shkoi dhe e filloi ta godiste vetëm pse kishte teshtirë. Ibrahimi ishte trup i madh dhe e rrahu rojën. Po të mos kishin qenë ulërimat e rojës, Ibrahimi do ta kishte vrarë. Pastaj filluan të merreshin masa me zhdukje, si Koço Kotën, Avdi Golen e shumë të tjerë. I merrnin dhe i rrihnin mizorisht vetëm që t’i zhduknin. Edhe masat që merrnin për të mos na ushqyer dhe për të na mjekuar ishin vetëm për të na zhdukur. Koço Kota, ish-kryeministri i Shqipërisë, nuk u dënua me vdekje, por me 30 vjet burg. Atë e morën dhe e zhdukën duke e rrahur mizorisht. Sadizmi i tyre ishte i pafund. I bënin njerëzit që mos kishin fuqi as të lëviznin.
U jepnin për të ngrënë vetëm 300 g bukë misri. Një torturë që të vdisnin me dhimbje. Koço Kotës, Qemal Vrionit, Avdi Goles në fillim nisën duke u pakësuar racionin e ushqimit. Qëllimi i tyre ishte që të kishin një vdekje me vuajtje. Ata ndienin kënaqësi kur të tjerët vuanin. Dhe kjo nuk vazhdoi me ditë, por me muaj. Avdiu ishte më i riu dhe po u rezistonte birucave. Një ditë na nxorën të gjithëve për ajrosje, ndërsa Avdiun e mbajtën brenda. Ne dëgjonim ulërimat e tij teksa e torturonin derisa vdiq.
***
U dënuan me vdekje: Enver Neka, Hajdar Tekiu, Sefedin Faslliu, Harun Hysejni, Syrja Zoto, Estref Mustafaraj, Nexhip Cenka, Mehdi Lamçe, Faik Tartari, Lec Ndreca, Zef Sadria, Gjon Cufi, Faredin Angoni e Myrteza Selusha. Me dënim të përjetshëm Avni Bejkova, me 30 vjet burg Luigj Camku, me 20 vjet Mehmet Shero, Luto Mustafa, Hysen Seiti, Can Dadoshi, Luigj Cepi e Tef Nika. Me 10 vjet, Samit Muço, Hajro Zyberi, Shyqyri Shasho, Safet Seiti, Baki Jonuzi. Me 5 vjet Riza Iliazi, Osman Halili. Me 6 muaj burg Jashar Aliu dhe me 2 muaj Muharrem Saliu.