top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Varroset me shpenzimet e shokeve ...

Nga Klodi Haxhiu

 

Varroset me shpenzimet e shokëve të qelisë ish i përndjekuri politik

 

Bashkëshortja: “Ishte i sëmurë, shpresonte të merrte këstin e parë”. Kreu i shoqatës, Asllan Patrioti: “Ka shumë familje si ai”

 

Idajet Kaiku, një ish i përndjekur politik, nga Durrësi, i cili për gati dy dekada ka vuajtur në burgjet e regjimit komunist, është përcjellë për në banesën e fundit mesditën e fillim javës. Në moshën 67-vjeçare Idajeti është përcjellë për në banesën e fundit, nga shokët e tij të qelisë, me të cilët ka ndarë vitet e rinisë, të cilët nuk e braktisën as në ditët e fundit të jetës, të cilat i kaloi në shtratin e spitalit të Durrësit, ku vuante nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. “Ka qenë një situatë e vështirë sepse edhe në ditët e tij të fundit, shpresonte të merrte këstin e parë, i cili i duhej për ceremoninë e varrimit. Emri i ka dalë disa herë në gazetë, por në bankë nuk kishte para, në emër të tij”, u shpreh me lot në sy bashkëshortja. Mbi 100 persona kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, të ish të përndjekurit, ndërsa shokët e tij janë mbledhur dhe kanë dhënë aq para sa kanë mundur për t’i kryer shërbesat e fundit para se ta përcillnin për në botën tjetër. Pas mesdite shoqëria e tij ka shtruar një drekë lamtumire dhe ka pirë një kafe në banesën e tij të marrë me qira, ku jetonte së bashku me bashkëshorten dhe një vajzë adoleshente. E kanë përkujtuar dhe sërish të gjithë bashkë, kanë paguar për tre muaj qiranë e banesës, ndërsa, amaneti i tij i fundit ka qenë vajza 16-vjeçare.

 

Meraku

 

Para se të mbyllte sytë, pasi kish muaj që vuante nga një sëmundje e pashërueshme ish i përndjekuri ka kërkuar me ngulm paratë e këstit të parë të dëmshpërblimit, për të mos lënë familjen e tij me borxhe. “Nuk dua që bashkëshortja të marrë borxhe për ceremoninë e varrimit. Shkoni dhe pyesni në bankë, ndoshta i kanë hedhur paratë”, këtë kërkesë bënte për çdo ditë Idajet Kaiku, ndërsa jeta e tij fikej në shtratin e Spitalit të Durrësit, çdo ditë nga pak, për të mos u rikthyer më deri sa mbylli sytë të dielën duke u larguar me psherëtima nga kjo jetë, që më së shumti i fali, dhimbje dhe vështirësi të shumta.

 

Shoqata e të ish të përndjekurve

 

Janë mbi 20 të përndjekur që kanë vuajtur me vite të tëra në burgjet e komunizmit, të cilët janë në ditët e fundit të tyre. “Nuk kanë marrë asnjë këst nga dëmshpërblimi dhe janë në grahmat e tyre të fundit. Sot kur familja e tij ka qenë në vështirësi për të organizuar një ceremoni të thjeshtë varrimi, ju kam dërguar mesazh të gjithë titullarëve dhe disa prej deputetëve të Durrësit ndoshta vinin dorën në zemër për të ndihmuar, por asnjë nuk ju përgjigj thirrjes”, deklaroi kreu i të Përndjekurve Politikë në Durrës, Asllan Patrioti. “Në të njëjtën situatë ekstreme, varfërie, madje i verbër dhe pa asnjë ndihmë ekonomike janë shumë familje të përndjekurish në Durrës. Medi Dakoli, Hasim Mema, Gjok Zefi, janë në situatë të rëndë, pa marrë asnjë prej tyre asnjë këst dëmshpërblimi për vitet e burgut”, tha Patrioti. Disa prej të ish të përndjekurve dhe të burgosurve politikë të Durrësit janë ndarë nga kjo jetë pa marrë asnjë lekë nga dëmshpërblimi i tyre. Bëhet fjalë për të përndjekur që kanë kaluar mbi një dekadë në burgjet komuniste dhe në fund të jetës së tyre, janë përballur me skamjen, varfërinë ekstreme dhe mungesën e strehimit. Skënder Baca, kreu 14 vjet, në burgjet komuniste, Romeo Duri 12 vjet, Romeo Garashi, 11 vjet dhe në vitin 2011 janë varrosur nga Komunalja. Në të njëjtën situatë, por të sëmurë rëndë janë edhe Syrja Lame, Haxhi Bena, etj., të dënuar nga regjimi komunist, por po vuajnë në shtratin e spitaleve pa marrë asnjë qindarkë nga dëmshpërblimet e miratuara nga qeveria.

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page