top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Sot, ata jane figura te njohura ne publik

Ylli Konti, ish-i burgosur politik

 

 

 

 

 

Arrestimi

 

Ylli Konti, në atë kohë 34 vjeç, veç punës së tij në Ndërmarrjen e Ushqimit Social, i pëlqente të merrej edhe me pikturë. "Ishte fillim i janarit 1979, kur drejtori më thërret në zyrë dhe më thotë të nisesha me shërbim në Korçë. Pas mbërritjes në Elbasan, makina e punës më zbret dhe më thotë të vazhdoj deri në Korçë, me një makinë të rastit. E lashë shoferin të vazhdonte rrugën për në Tiranë, dhe vetë dola në rrugën nacionale, të hipja në ndonjë makinë të rastit. Aty m'u afrua një "Gaz" i "Sigurimit" të shtetit, i cili më ofroi të udhëtoja me ta deri në Korçë. Sapo hyra në makinë, më hodhën një batanije në kokë dhe më dërguan në hetuesinë e Tiranës". Për rreth 6 muaj në hetuesi, dy hetuesit Fatmir Tatalia dhe Fatos Trebeshina, e mbajtën nën tortura Ylli Kontin, me qëllim që të tregonte bashkëpunëtorët. "Unë nuk kisha bashkëpunëtorë. Ne ishim thjesht disa të rinj, të cilët nuk e donim sistemin e atëhershëm. Ishim një grup shokësh që shfrynim mllefin në bisedat tona kundër sistemit, dhe vetëm kaq. Unë nuk kisha se ç'bashkëpunëtorë të nxirrja", tregon Ylli.

 

Por, në ditën e gjyqit më datë 5 maj, të gjithë shokët e atëhershëm do të ishin në bankën e dëshmitarëve, duke dëshmuar kundër tij. "Sot, ata janë figura të njohura në publik, - thotë Ylli. Por "Sigurimi" i shtetit nuk mundi të bënte të dëshmonte në gjyq xhaxhain e Yllit, Esat Kontin. Pas shumë presioneve për të dëshmuar në gjyq kundër të nipit, Esati, në mënyrë demonstrative i vuri flakën vetes, pasi u lye me benzinë përpara pastiçeri "Florës".

 

"Në emër të popullit!"

 

Gjyqtari Bashkim Xholi,  e denoi  "Në emër të popullit", me 8 vjet heqje lirie në burgun e Spaçit, ndërsa familja e tij, vëllezër, xhaxhallarë, një numër prej 28 personash, u internuan në fshatin Akërn të Vlorës. "Më burgosën në Spaç, ndërsa familja ime u internua në fshatin Akërn të Vlorës. Menjëherë pas kësaj, në shtëpinë time, që e kam pasur mbrapa hotel "Arbërisë" tek "Rruga Fortuzi", ma shembën, për të ndërtuar aty dy pallate. Edhe sot e kësaj dite jam pa shtëpi," thotë Ylli.

 

Në burgun e Spaçit

 

Vuajtjet në burgun e Spaçit kanë lënë tek ai një shije të hidhur. Janë kujtime, të cilat duket sikur këta njerëz nuk duan më t'i sjellin ndërmend. "Në sektorin numër dy të galerive të Spaçit, ku nxirrej pirit, një mineral jashtëzakonisht helmues, temperatura në galeri nuk zbriste poshtë 45 gradëve Celcius. Acidi që rridhte nga muret e galerisë, kur të binte mbi rroba, t'i digjte dhe ne që punonim në nxjerrjen e piritit, që eksportohej në Turqi dhe Austri, asaj kohe dalloheshim kollaj nga rrobat tona tërë vrima. Na duhej të realizonim normën në masën 125%, e barabartë me 24 tonë pirit në ditë. Përndryshe, nuk të linin të dilje nga galeria, dhe e gjithë kjo punë, vetëm për një pjatë supë. Më e tmerrshmja ishte, se, pasi të kishe hequr këtë tmerr, të uleshe dhe të dëgjoje pjesë nga librat e kriminelit Enver Hoxha", thotë Ylli. Sipas tij, shumë prej atyre që nuk duronin dot vuajtjet, hidheshin në telat e rrethimit të burgut, ndërsa sa e sa të tjerë i zinte poshtë shembja e galerisë. Ata, ose varroseshin brenda në galeri, ose në ndonjë cep jashtë burgut.

 

Pa pension dhe pa të ardhura

 

Ylli, së bashku me të tjerët, ka dalë në kërkim të shpërblimit për ish të përndjekurit politikë. Janë 8 vjet punë në minierë, 8 vjet internim për familjen e tij, dhe një fis i tërë i shkatërruar. Sot, ai eshtë pa pension e pa shtëpi.

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page