top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

SOCREALIZMI

Nga Lluka Qafoku



Mbi rolin e letërsisë së realizmit socialist në përpjekjen për formimin e “njeriut të ri” komunist në Shqipëri

 

Një nga drejtimet më të rëndësishme të “punës së Partisë me masat dhe kuadrot” në kuadrin e formimit të vazhdueshëm të “njeriut të ri” ishte dhe krijimi në Shqipëri nga PPSH, sipas modelit Stalinist, i doktrinës dhe veprave të realizmit socialist në kushtet shqiptare. Sikurse në BS pararendës, edhe këtu ky drejtim do të përbënte për më shumë se 40 vjet, pjesën më të sofistikuar të “detashmentit propagandistik” të PPSH. Detyrat kryesore të kësaj ngrehine njerëzore pranë KQ të PPSH, e konceptuar kjo të punonte e kontrolluar deri në qelizë nga strukturat sekrete të sigurimit të partisë e të shtetit komunist, ishin: inkuadrimi pa mbetje dhe kontrolli censuror  “ideologjik komunist” që në vezë i çdo  veprimtarie artistike të brendshme të çdo individi, duke filluar nga shkollat përkatëse, organizatat e artistëve, si dhe institucionet botuese dhe shpërndarëse të veprave artistike, galeritë etj. ; si dhe bllokimi i çdo “ndikimi të huaj” nga jashtë dhe kontrolli i bibliotekave, i mediave (sidomos TV) etj. Kjo ngrehinë përbëhej nga institucione të shumta që u ngritën në përgjithësi gradualisht me formimin në BS të drejtuesve të PPSH. Interesante është se s’është përmendur ndonjë kualifikim personal për këto qëllime i Enver Hoxhës (kur ka pasur shumë të kualifikuar në këto drejtime pranë vetes) dhe si, të paktën në aparencë, vetëm me nuhatje autodidakte ai diti të ruajë kontrollin absolut të vendimmarrjes për të gjitha purgat edhe në sektorin e agitprop-it

 

Në administrimin e veprimtarisë artistike u shfrytëzuan faktet se letërsia dhe gjuha shqipe sapo (prej jo më shumë se tre brezash) ishin rilindur e ripërhapur zyrtarisht në territorin shqiptar. Edhe trashëgimia e arteve figurative (përveç asaj fetare) ishte e zhvilluar vetëm prej pak brezash, pram bizotëronte një “tabula rasa” e injorancës publike, e cila mund të mbushej me ideologjinë e re tepër virulente edhe për vende të origjinës si Rusia (apo dhe Franca), me traditë të tërë afirmuar zyrtare artistike me vijimshmëri të gjatë kohore...Për fat të keq u shfrytëzua edhe trashëgimia e qëndrimeve letrare të disa personaliteteve tona shtet e kombformues me ndikim shumë të madh publik, si Noli e ndonjë tjetër, të cilët u gënjyen fillimisht nga ideologjia komuniste me burim perëndimor dhe nga vende të krishtera. Këta e konsideruan, kur ishin akoma të rinj dhe pa eksperiencë, si shpresë për tejkalimin me hop të prapambetjes kulturore shekullore të kombit shqiptar autokton.

 

Ideologjia false e legalizimit të urrejtjes dhe zilisë publike e komunizmit duhej propaganduar me art. Në këtë drejtim komunistët shqiptarë treguan një zell e vullnet të jashtzakonshëm si fillim edhe duke shpenzuar pa kursim. Atyre që u angazhuan për të krijuar kultin e “njeriut të ri” ju krijuan kushte të favorshme, mbështetje e gjithanshme. Ju dhanë pa kursim leje krijimtarie e pagesa të ndryshme të pa arritshme për shumicën e popullsisë që punonte barkzbrazur. Natyrisht, këta ishin ish partizanët dhe të besuarit e Partisë të kontrolluar deri në detaj, por u shfrytëzua dhe terrori për “armiqtë e klasës” për të grabitur dhe punën e aftësitë e tyre (natyrisht pa i shpërblyer dhe duke ua fshirë emrat. Këta shumë e kishin mbijetesën)...

 

U krijua kulti heroik  “modern” i “partizanit” dhe i “komunistit”. U sulmua si fillim pa mëshirë epika veriore, qoftë folklorike  e aq më shumë e kultivuar katolike (si Fishta etj.)  se i bënte hije “heronjve komunistë”, që për fat të mirë a të keq, kishin qenë në fakt kryesisht kriminelë ordinerë (psh Myslym Peza, Kajo Karafili, Myslym Shyri etj.). Kështu linden shkrimtarët e “realizmit” socialist ( apo soc realizmit, siç thirret me eufemizëm nga këlyshët e tyre “kritikë” të tipit Gëzim Qëndro, në ditët tona.,), si Fatmir Gjata, Dhimitër S. Shuteriqi, Shefqet Musaraj, Sterjo Spasse, Zisa Cikuli, Llazar Siliqi, e më vonë Jakov Xoxa, Ali Abdihoxha etj... Duhet thënë senjë pjesë jo e parëndësishme e letërsisë apo kritikës së firmosur prej tyre ishte fillimisht përkthim/plagjiaturë e literatures të propagandës sovjetike ku ata vinin vetëm emrin, se dhe përkthimet bëheshin nga të deklasuarit e kulturuar që trajtoheshin si skllevër për bukën e gojës (psh Dhimitër Pasko etj.). Një bujë e famë agit-propaganda komuniste shqiptare i blatoi psh romanit (duhet thënë se teknikisht përbën një arritje, është vërtet i tillë ) “Këneta” të Fatmir Gjatës, një shembull i pashlyeshëm i falsifikimit deri në përçudnim “romantik” të realitetit nga i sapolinduri “realizëm socialist”, me hymnizimin e kriminelëve komunistë, tashmë “të legalizuar” dhe në pushtet, që në fakt vranë me mënyrat më monstruoze ajkën e elitës fisnike e intelektuale shqiptare (këtu Kujtim Beqiri, Abdi Sharra etj.), faji i vetëm i të cilëve ishte kultura perëndimore dhe përpjekja për ta zbatuar dhe përhapur atë në Shqipëri dhe jo “sabotimi”...Ky falsifikim është i vazhdueshëm, që nga romani i pare “Çlirimtarët”  i “intelektualit tipik komunist” Dhimitër S. Shuteriqit, që siç thoshte Partia “do të luftojmë me armët e armikut”, (në këtë rast armët janë veprat, studimet). Psh patriotin e   madh Lef Nosi pasi e vrau Partia , e grabiti pamëshirë udhëheqësi i  saj Dhimitër, duke i fshirë emrin dhe duke e zëvëndësuar me të tijin. Kjo dhe mejustifikimin “të paktën të mbijetojë vepra”. Gjë që përsëritet nga shumë të tjerë më vonë, në të gjitha drejtimet e zhvillimit të “kulturës komuniste” ,deri dhe së fundi tek shkrimtari “i madh” “nacionalist” Sabri Godo (khs. romanet “Ali Pashë Tepelena”, “Skënderbeu”), por nuk justifikohet ama plotësisht, se edhe vepra në shumë raste “është korigjuar” sic (!!!). Kjo dhe për veprat e vjedhura të shumë patriotëve të tjerë të mëdhenj, si psh Mustafa Kruja etj. nëgjuhësi e studime letrare etj.

 

Ndërsa përçudnimit romantik (shih më sipër) nuk i shpëton as Ismail Kadareja , ku tek episodi i kolonelit “z” tek“ Gjenerali …” e përmbys të vërtetën pamëshirë si shërbëtor i bindur i diktaturës së “proletariatit” (lexo: lumpen) me episodin e sajuar “të plakës Nicë” që dëshmohet nga të gjithë dëshmitarët e faktet e kohës së luftës se s’ka ekzistuar në këtë rast, për të justifikuar zhdukjen e varreve (duke përfshirë atë të kolonelit), që faktohet përkundrazi si i kryer nga partizanët e Sigurimit të sapolindur nën urdhërat e Dushan Mugoshës. Dhe kjo pasi koloneli e të tjerët u dorëzuan në besë (khs. psh kujtimet e Xh Staravecka etj. etj.) dukei besuar “besës shqiptare” të të pabesit komunist psh Mehmet Shehu (sic!!!) (Komunizmi i konceptuar si pabesi “për ideal të Partisë”.) I tillë është psh dhe episodi i zhdukjes së elites së familjes së shquar patriote Blloshmi nga M.Shehu e të tjerë gjatë luftës, që, megjithse i pashembullt dhe i denjë si “tipik”, nuk zuri vend në asnjë roman edhe të “post-soc-realizmit” bashkëkohor të asnjë “post disidenti”.

 

Një vend të posaçëm zuri dhe censura, e paraqitur si kritikë artistike, me personazhe të tillë si Mark Gurakuqi, Myzafer Xhaxhiu, Razi Brahimi, Ibrahim Uruçi e deri në eksponentë të tillë të lartë  politikë, si Thanas Nano, Fadil Paçrami e deri më “liberali” Alfred Uçi. Këta në përgjithësi sulmonin pamëshirë çdo “devijim” të detektuar nga “organet e diktaturës së proletariatit” (në fakt , opinionet personale të E. Hoxhës), psh shokuese kane mbetur kritikat ndaj “Tuneli” të Dh. Xhuvani, “Njollat e murrme” të M. Jeros etj. etj. Këto vepra nuk kishin asnjë mendim të shprehur kundër rendit në fuqi, ato ishin vetëm disa belbëzime të pafuqishme të një sinqeriteti të përdhunuar nga agitpropi. Megjithatë, dhe mbijetesa e këtij sinqeriteti realist nuk i duhej mashtrimit zyrtar me art të vetëquajtur “realizëm socialist”. Shumë nga këta censorë e paguan më vonë zellin e tyre, sepse diktatura zhdukte si viktimat ashtu dhe xhelatët, për të ruajtur mbijetesën e urdhërdhënësit/sve, që lanin duart në ujin e pastër të “marksizëm leninizmit ngadhnjimtar” më përsosmëri Pilatore duke e lënë vijimisht  “Partinë të pastër” dhe Enverin gjithmonë e me më pak shokë, pra duke e bërë Atë  “të pashoq”, edhe në fotot “historike” të retushuara në vazhdimësi. Të tjerë na lanë trashëgimtarë, në politikë dhe media, për periudhën e tranzicionit (psh F. Nano, R. Xhaxhiu)

 

Duhet thënë se prodhimtaria artistike ka qënë jo e vogël dhe pavarësisht korrjeve të purgave, ajo rilindte furishëm për faktorë të zhvillimit pothuaj biologjik të gjuhës së rilindur...Kështu dhe brenda komunistëve kemi disidentë të mirëfilltë, si Kasëm Trebeshina, qëguxonte t’ja përplaste të vërtetën në fytyrë vetë E. Hoxhës dhe ka shkruar pareshtur edhe në burg me botime të sotme të shumta në Evropë. Regjimi nuk mundi të zhdukte (megjithë kufizimet që zbatoi) trashëgiminë jo të parëndësishme të paraluftës dhe të luftës, që mbijetoi në diasporë (E. Koliqi, M. Camaj, sidomos Arshi Pipa etj.) Brenda vendit shumë i burgosi dhe i zhduku (E. Haxhiademi, M. Greblleshi etj) Nga ana tjetër, pati dhe ndonjë rast mbijetese artistike jokomuniste pa ju servilosur regjimit (N. Bulka, ) Edhe shkrimtari P. Marko, megjithse me bindje komuniste perëndimore, u përndoq por edhe pati botime me një ndikim jo të vogël në zhvillimin e romanit realist në këtë periudhë

 

Ndër shëmbujt maksimalë të ndërgjegjes artistike janë poeti i madh L. Poradeci dhe prozatori i madh Dh. Pasko, (Lake-istët shqiptarë) që rezistuan dhe nuk krijuan gjatë sistemit që s’lejonte krijimtarinë e lire, por dhe kontribuan maksimalisht me qëndrimet e tyre që fryma e letërsisë së vërtetë të përcillej në breza. Qëndrimet e tyre të rezistencës së heshtur të vlerave bënë të mundur që fryma e “njeriut të ri” të mos degjeneronte artin shqiptar, pavarësisht sakrificave, deri në absurditete te revolucionit kulturor proletar kinez. Është i njohur psh ndikimi njerëzor i L.Poradecit tek I. Kadare (shih kujtimet e të fundit)

 

Duhet thënë se regjimi lejoi kultin letrar të Migjenit, themeluesit të eseistikës letraro-filozofike shqiptare, dhe nëpërmjet tij , dhe dialektin e kultivuar letrar të veriut (që, po të mos ishte ky kult, me denigrimin e figurave kryesore të veriut me pak përjashtime, do ta kishte pasur të vështirë të mbijetonte në shqipen letrare moderne) Gjithashtu, në analogji me ruajtjen nga Stalini të traditës të letërsisë së vërtetë ruse edhe në kushtet asfiksuese të luftës klasore me ruajtjen e vetëm talentit të M. Shollohovit, edhe E. Hoxha  lejoi “ruajtjen” dhe propagandimin në botë të talentit të vërtetë letrar të I. Kadaresë (natyrisht me haraç e politikë të rëndë , si psh “Shqiponjat fluturojnë lart “ në poezi, “Dimri i madh” në roman dhe “Autobiografia e popullit në vargje” në kritikë). Duhet thënë se, si në rastin e Stalinit, ashtu edhe në atë të Enverit, kjo u bë sepse “politikat komuniste internacionaliste” u tkurrën me kalimin e kohës në “politika komuniste nacionaliste”.

 

Të dhëna të rëndësishme për mbijetesë nartistike dhe censurën komuniste gjatë regjimit të “diktaturës së proletariatit” në Shqipëri, gjënden në shkrimet e pas ‘90 të U. Kalakullës, M. Prençit, L. Tasit, M. Velos, V. Zhitit, etj.

 


 

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page