top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Shokeve tane, Tom Ndojes dhe Sokol Sokolit

   Nga Visar Zhiti

 

Shokëve tanë, TOM NDOJËS dhe SOKOL SOKOLIT, njëri nga Shkodra dhe tjetri nga Tropoja, që u ngritën të parët në revoltën tonë në burgun politik të Qafë-Barit e i pushkatuan. Madje dënuan dhe kampin dhe ne ishim të dënuarit në një vend të dënuar.

 

…u hap dheu prapë… pirgje si në bombardime. Rreh kazma mbi gurë. Po më poshtë ç'rreh, ka ndonjë zemër të fshehur? Ç'janë këto gropa, të vdekjes? Dhe nuk do të futin brenda jetët e ndërprera, por do të nxjerrin eshtrat e atyre jetëve. Varre të kujtesës, kundërvarre, thuaj, hije dhe dhëmbje...

 

...bashkë me gropën më të fundit u ça dhe gjoksi. Gulçime të gurta. Një këpucë e kalbur. Dhe një tjetër. Si shkohej në botën e përtejme, zbathur? Këpucët - burg të këmbëve.

 

…ecje të thyera. Një kockë e gjatë sa ankthi…

 

...bie më gjunjë mbi grumbullin e eshtrave. Ju jeni aty? Vetëm kaq? Ti, ti, unë... askush nuk është më aty...

 

...po unë ju njoh, e dimë njëri-tjetrit, kemi qenë bashkë pas telave me gjëmba, në rrjesht, në urinë e madhe. Britmat tuaja në kryengritjen tonë u ngritën lart si dy pisha në thepsisjen e një shkëmbi të zi. I dogjën pishat e ëndrrave...

 

...më dalin ballas fytyrat tuaja mes mjegullave që rëndojnë si dheu që ju mbuluan, si dheu që po heqim nga eshtrat tuaja, i njëjtë është dhe jo. Kur e hidhnin ishte harrim, tani që e heqim është kujtesë. Dhé është, dhé, i mortjes. E ku e dinim se do të shikonim kafkat tuaja si akuza. Ah, eshtra prapë, duhet të jenë të krahëve! E kalbur dora, por sa herë i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit, të zhveshur si dënimi, si dashuria e gjorë, si radiografi terri. Ja, këto kocka këtu më kanë ndihmuar të ngre gurët, vagonin e rënë, që i kemi shtyrë si vujatjen, si arkivolet e kohës. Krahët tuaj të ngritur lart mes turmave ende na thërrasin. Kam qenë i lidhur me to me të njëjtë prangë. Dhe mbetëm të lidhur. Dhe atdheu.

 

Nuk i shoh dot, largojini ato dy kafka! Tuajat janë, por as ju nuk i kishit parë, e pamundur t'i shohësh… sytë, ku janë sytë? Tuajët, tanët… I njoh ata sy, atë shkëndijim të beftë drite, që ndezi zjarrin e zëmërimit. Buzëqeshjen tuaj e di, e trishtë ishte, e zbehtë si frika e mençur, buzëqeshje njeriu, gjithsesi. Na dhëmbnin nofullat, po kalbeshin fjalët, na qenë qenë zmadhuar mollëzat, dobësoheshim çdo ditë bashkë me Shqipërinë. Na kishit menduar ne duke kqyrur kafkat tuaja? Kjo është liria? Llahtar i ftohtë, dhëmbje e çjerrë nga telat me gjëmba. pafund, Vrima plumbash në kafkë, nga ku pikon drita si lotët. Qan dhe drita. Po si ju pushkatuan ashtu? Kryengritësa ishit dhe të rinj. Si ju vranë, si? Ç'amanet latë? E rrafshuan gropën mbi ju, mizorët! Që të mos dallohej krimi. Korbat klithin epitafe në ajër.

 

Ne dilnim nga burgu, ju s'mund të dilnit nga varri as fantazma. E varr nuk kishit. Shpirti i zbathur i avitej qiellit, se ja tek janë këpucët e kalbura. Nuk duheshin më. As këpucë nuk ishin, por mashtrime, të shtrembëra e të shkelura si ndërgjegjet. E si mund të jetë liria pa ju? Bubullimat përsëritnin gjëmimin e armëve. Vetëtimat - skelete të Prometeut nëpër natë, vetëm të një çasti, përflakeshin dhe zhdukeshin prometenjtë e vendit tim. Dhe shiu pastaj, përmbytje epokash, përsipër notonin mëkatet si dyer të rëna, poltrone, ide, përgjegjësira, biblioteka. Dhe gropa juaj e mbushur me heshtje të zezë. Ju nuk vdiqët, ju vranë. Nuk është njëlloj gjithsesi. Ju mbetët pa vdekje, veç me pluhurin. As jetë nuk kishit. Veç pluhur prapë. As përjetësi, Përjetësia janë jetët e bashkuara në vazhdim, jo më të ndërprerat me dhunë. Dy kafkat tuaja - dy botë të tjera.

 

Para tyre dridhet bota jonë. Prandaj ka shkarje dheu, termete, por dhe agime të reja, jetime. Sikur rrjedhin nga zgavrat bosh të syve...

 

Tiranë, qershor 2010

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page