top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Revolta e madhe e Spaçit e vitit 1973

Nga Syrja Lame

(pjesëmarrës i saj)

 

Revolta e madhe e Spaçit e vitit 1973




Më 21 Maj 2006 mbushen 33 vjet nga shpërthimi i revoltës së të burgosurve antikomunistë të Spaçit, ku për tre ditë me radhë u valëvit krenar flamuri pa yll i Skënderbeut, që kuçedra komuniste e kishte përdhosur,e me ç'rast fatmirësisht, u vu në vend nderi i tij si simbol i shenjtë kombëtar, të cilin zyrtarisht dhe pa yllin e kuq e kemi dhe e mbajmë sot, pas shembjes së diktaturës komuniste.

 

Ishte pikërisht shtypja e madhe e diktaturës së kuqe, shkaku që solli shpërthimin e asaj revolte të shpirtërave të ndrydhur prej vitesh në burgje. Revolta e Spaçit ishte lëvizje e mirëfilltë politike. Ajo ishte një shkëndijë e fortë që i tregoi Diktaturës dhe Europës se në Spaçin e Mirditës Kreshnike, jetonin trima të pamposhtur. Tregoi se në zemrat e këtyre atdhetarëve antikomunistë nuk ishin shuar ende shpresat, dëshira dhe vullneti për të jetuar të lirë dhe në një demokraci të vërtetë.

 

Ajo revoltë, ndonëse shpërtheu në mënyrë spontane, në mbrojtje të jetës së shokut të tyre Pal Zefit, i kishte themelet tek urrejtja e kultivuar ndaj tiranisë, ndaj menjëherë mori formë të përgjithshme, të organizuar, me një shtab drejtues dhe me kërkesa e thirrje politike si: "Ushtarët janë me ne, sepse janë bij të popullit" , "Vëllezër ushtarë, bashkohuni me ne", "Poshtë komunizmi", "Poshtë Enver Hoxha", "Duam Bashkimin me Europën e lirë", "Ja vdekje, Ja Liri", "Nuk shkojmë në Galeri", etj..

 

Po cilat ishin shkaqet kryesore të asaj revolte?

 

Ato ishin shumë, por unë po citoj disa prej tyre:

 

- Akumulimi prej dekadash i urrejtjes ndaj shtypjes dhe vuajtjeve çnjerëzore.

 

- Galeritë e bakrit dhe piritit, ishin më primitivet në botë dhe u shndërruan në zgafella vdekjeje të bijve të

lirisë.

 

- Shfaqja në horizont e disa "xixëllonjave" shpresëdhënëse, që vërtiteshin në Qiellin e Europës, në fillimet e viteve '70 të: Konferencës së Helsinkit (Europa e Bashkuar), të cilat ne skllevërit e shekullit 20, i ndiqnim me shpresë të madhe, por që vendimet shpëtimtare dhe demokratike të tyre kundërshtoheshin nga satrapët e Tiranës.

 

- Flamuri që valonte krenar, na jepte zemër dhe fuqi, dhe zërat tonë të bashkuar dëgjoheshin nga Spaçi, në Kullat e Oroshit dhe mbarë Mirditën.

 

Ndërsa pasojat dhe veprimet tona ishin:

 

- Marrja e Kampit për tre ditë me radhë në dorëzim nga të burgosurit politikë.

 

- Djegia e tendave të propagandës së kuqe, flaka e të cilave zinte kupën e qiellit, me ç'rast Tirana zyrtare dyshoi se mos kjo revoltë ishte e koordinuar me Komandën e Kampit dhe fuqitë e huaja, për çka krerët e komunizmit i trembeshin ndonjë zbarkimi të avionëve të huaj.

 

Kjo bëri që nga Tirana dhe Korpusi i Burrelit, të vinin të gjitha llojet e trupave policoro-ushtarake, të komanduara nga gjeneral Bako Dervishi, Feçor Shehu, Aranit Çela dhe, në hije, nga vetë Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu.

 

Pas prerjes së ujit dhe bukës nga jashtë, vijoi edhe ultimatumi që u dha në radio nga Komandanti-kryekriminel i Përgjithshëm i policisë, Kasem Kaçi (Daja i Igli Toskës që ka qenë edhe ministër i Brendshëm në qeverisjen socialiste).

 

Pas tre ditësh dhe netësh rezistence vetëmohuese, forcat më të specializuara të shtetit ia arritën qëllimit të kapnin të burgosurit e paarmatosur e të raskapitur nga uria dhe etja.

 

Filloi arrestimi: I pari u arrestua Hajri Pashaj, me urdhër të Feçor Shehut. I dyti ishte Syrja Lame, për goditjen e operativit Fejzi Lizo dhe për kushtrimin që dha para të gjithë të burgosurve në taracë dhe, më pas, me radhë, u arrestuan pjesa më kryesore e pjesmarrësve në revoltë.

 

Dymbëdhjetë nga ne iu nënshtruan hetuesisë dhe torturave të përbindshme, e më pas edhe Gjyqit Special në Spaç, nëpërmjet një Gjykate të posaçme të ngritur nga Sigurimi i Shtetit dhe krerët më të lartë të Diktaturës.

 

Heronjtë që iu nënshtruan Hetuesisë dhe Gjyqit special, ishin:

 

1.Skënder Daja - 21 vjeç

 

2.Dervish Bejko - 24 vjeç

 

3.Pal Zefi - 30 vjeç

 

4.Hajri Pashaj - 32 vjeç

 

5.Sami Dangëllia.

 

6.Hodo Sokoli.

 

7.Syrja Lame.

 

8.Luan Burimi.

 

9.Luan Koka.

 

10.Paulin Vata.

 

11.Dash Kazazi.

 

12.Jorgo Papa.

 

Në përfundim të Gjyqit Special, katër të parët, pikërisht heronjtë dhe organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të Revoltës: Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Hajri Pashaj, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, ndërsa tetë të tjerët u dënuan me nga 25 vjet secili dhe u dërguan për ta vuajtur dënimin e mëtejshëm në burgun e tmerrshëm të Sigurisë së Lartë të Burrelit, të izoluar atje në një karantinë të rreptë.

 

Pjesa tjetër, rreth 70 vetë, u dënuan më pas nga Gjykata e Rrëshenit.

 

Nga këta ia vlen të përmendet trimi Dervish Bejko nga Starova e Pogradecit, që me megjithëse i kishte krahët e shqyer dhe vdekjen e dinte të sigurt, syrin e kishte pishë. I paharruar do të mbetet edhe kryetrimi Hodo Sokoli nga Shkodra, i cili në sallën e gjyqit fliste krenar, duke sfiduar vdekjen dhe prokurorët e gjyqtarët injorantë e xhahilë.

 

Nuk mund të harrohet gjithashtu edhe djaloshi korçar, Sotiraq Simaku, apo Bebi Konomi nga Vlora, si dhe pinjolli i shquar i derës së Agollinjve të Bulgarecit, trimi i pamposhtur Demir Pojani.

 

Duhen volume të tëra për të përshkruar atë revoltë, për të cilën ngaqë nuk janë thënë të gjitha të vërtetat, diket sikur për fat të keq heshtet dhe historia ka një borxh të madh ndaj saj.

 

Sikur ai bashkim idealistësh të vazhdonte e të triumfonte, nuk do të ndodhnin ato tragjedi të 15 viteve të fundit të diktaturës komuniste; nuk do të triumfonin vendimet famëkeqe të Katovicës dhe shoqatat tona nuk do të shpërbëheshin ashtu sikundër ndodhi.

 

Kriminelët tanë, në vend që të jepnin llogari qysh në fillim për krimet e tyre, nuk do të bëheshin politikanë, gjykatës, noterë, avoketë, biznesmenë.

 

Ai që dënoi me varje shokun tonë, poetin Havzi Nela në mes të Kukësit, u bë kryetar i Gjykatës së Lartë, ndërsa ai që firmosi varjen e tij, Ramiz Alia, mori mijëra dollarë shpërblim për pak "burg" që bëri, me mishëra dhe televizorë në një dhomë që më shumë i ngjante një dhome hoteli luksoz. Po kështu u trajtua edhe kryekriminelja dhe bashkëpunëtorja e diktatorit Nexhmije Hoxha.

 

Pronat e pronarëve legjitimë i rrëmbyen qeveritarët e pas viteve '90-të.

 

Ne që u masakruam për idetë demokratike perëndimore, mbetëm si ishim, të varfër dhe të paintegruar. Ata që na dënonin dhe villnin vrer kundër Amerikës dhe Europës, sot janë bërë "miqtë më të ngushtë dhe më besnikë" të tyre.

 

Por Europa ka sy e veshë. Ajo e ka kuptuar çka ndodh në Shqipëri, prandaj, qysh në fillim të këtij viti, lëshoi një Rezolutë për evidentimin dhe dënimin e krimeve komuniste. Jo vetëm tek ne, por në të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore. Dhe përsëri heshtet, sepse komunizmi tek ne i ka të gjitha. Ai ka pushtetin ekonomik, politik dhe median, që shkruan çdo ditë për të mbajtur gjallë nostalgjinë e xhelatëve që përkthehet në vota për PS dhe krerët e së majtës neokomuniste shqiptare.

 

Komunizmi me çdo kusht dëshiron që demokracia tek ne të shndërrohet në anarshi dhe korrupsion.

 

Ne dëshmitarët e gjallë të tiranisë dhe të shtypurit prej thundrës së saj, po shuhemi çdo ditë një e nga një, prandaj u takon detyra e shenjtë brezave pasardhës, për të vënë në vend këtë padrejtësi që ka ndodhur. Nëse kjo ndodh, ato heronj do të kenë bekimin e Zotit.

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page