- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Qeni i kufirit
Nga Kastriot Myftaraj

Si u frymëzua Kadareja nga qeni i kufirit
Që në kohët e vjetra ka qenë tradita e poetëve që të thërresin muzën që frymëzon për të thurrur vargje nga Mali Parnas.Muza për të gjithë poetët qe një femër e hijshme. Por për Ismail Kadarenë e ri muza qe një qen dhe jo një qen dosido, por një qen me hije të frikshme, qeni sigurims i kufirit. Në 1958 Ismail Kadare botoi poezinë “Qeni i kufirit”. Këtë vjershë Kadare e botoi në vitin që shkoi për studime pasuniversitare në Moskë, me sa duket si kredencial shtesë për të fituar këtë bursë. Në Shqipëri dhe në gjithë vendet komunistë ka pasur shumë poetë që kanë bërë vargje për oficerët e policisë sekrete, bashkëpunëtorët e saj, por me siguri që Kadare është i vetmi poet në universin komunist që i ka shkruar një poezi qenit të kufirit, kësaj kafshe të urryer nga të gjithë njerëzit, pasi qe simboli i diktaturës dhe i represionit të saj mbi njerëzit, duke qenë se qe një kafshë e stërvitur dhe përdorej për të kapur ata që donin të kapërcenin kufirin për t’ u arratisur nga skëterra komuniste. Në këtë poezi Kadare shkruan:

“Merr frymë shpejt.
Me sy nervozë
Vështron përqark;
Një rryp i blertë
I shtrëngon qafën muskuloze,
Tek ec në pyll me hap të lehtë.
Bilbilat që nga drurët e shohin me nderim,
Sorkadhet brirët e bukur i ulin në blerim
Dhe ujqit vetë, po t’ u delte përpara
Do t’ i hapnin udhën kafshës ushtare”.
(Ismail Kadare: “Shekulli im”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1961, f. 6)
Bilbilat që këndojnë në drurët e pyllit janë përdorur në letërsinë botërore për të bërë shumë figura letrare që kanë lidhje me dashurinë, paqen, harmoninë etj., por me siguri është një rast unik kur bilbilat, apo edhe sorkadhet keqpërdoren me kaq cinizëm në një figurë letrare, duke i bërë të nderojnë qenin sigurims. Madje edhe vetë ujqit duhet të ndjenin përbuzje për këtë kafshë totalitare, pasi ujqit, edhe kur hanin njerëz, këtë e bënin për t’ u ushqyer dhe mbijetuar, ndërsa, qeni i kufirit i kapte njerëzit për të ushqyer makinerinë vrasëse të diktaturës. Vetëm një bashkëpunëtor i zellshëm i Sigurimit të Shtetit mund të shkruante poezinë “Qeni i kufirit”.
Ismail Kadare, në librin «Kohë barbare», që është një intervistë që ai i ka dhënë gazetarit Denis Fernandez Recatala, zhvillon këtë dialog me këtë gazetar. Denis Fernandes Recatala i thotë: “Disa shkrimtarë e kanë mbështetur regjimin…”(Ismail Kadare & Denis Fernandes Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë 2004, f. 18). Ismail Kadare i përgjigjet kështu: «Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur sloganët e Partisë. Kanë bashkëpunuar në fushatat kundër liberalëve, Perëndimit dhe dekadencës kapitaliste. Madje kanë përgëzuar krimet e kryera nga shteti. I shndrruan në heronj policët dhe shefat e policisë sekrete. Spiunët i paraqitën në poza romaneske, pse jo dhe romantike. Me një fjalë, diçka jo dhe aq e këndshme. Ata u sollën pa diskutim si qen roje të regjimit. Por askush nuk i detyroi ta bënin këtë gjë». (Ismail Kadare & Denis Fernandes Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë 2004, f. 18). Shumë bukur! Kështu del se Kadare, vetëm duke shkruar poezinë «Qeni i kufirit» e ka bërë veten, siç shprehet vetë, «qen roje të regjimit», pa i detyruar kush ta bënin këtë. Më tutje, Denis Fernandes Recatala e pyet Ismail Kadarenë: «Megjithatë, vendet socialiste vuanin nga kjo lloj prodhimtarie apo jo?» (Ismail Kadare & Denis Fernandes Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë 2004, f. 18).
Ismail Kadare i përgjigjet: «Në fakt, gjysma e filmave të vendeve ish-socialiste i thurrte lavde spiunëve dhe denoncuesve. E pastaj? Ministri i brendshëm financonte romanet? Sigurisht! Megjithatë nuk u vihej ndonjë revolver në tëmth atyre që iu bindeshin kërkesave».(Ismail Kadare & Denis Fernandes Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë 2004, f. 18).
Bukur! Pra, as Kadaresë nuk ia paskan vënë “revolverin në tëmth” për të shkruar për qenin e kufirit dhe për gjëra të tjera që do t’ i shkruante më pas. Ai e ka bërë këtë gjë se me vetëdije qe qen roje i regjimit dhe lumturohej duke qenë i tillë. Çfarë ka bërë gjatë dy viteve që qëndroi në Moskë njeriu që i pati bërë një hymn qenit të kufirit? Nuk është e vështirë ta marrësh me mend. Nga proces-verbali i publikuar i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSH të tetorit 1982, ku Enver Hoxha i bëri “gjyqin” ish-Ministrit të Brendshëm në vitet 1954-1979, Kadri Hazbiut, doli se shumë nga studentët shqiptarë që shkuan në Bashkimin Sovjetik, me rekomandim të Sigurimit të Shtetit, u vunë në dispozicion të KGB-s, që kjo t’ i përdorte si informatorë dhe agjentë në drejtimet që e quante të nevojshme. Sigurisht që pati edhe nga shkrimtarët dhe poetë shqiptarë që studionin në Institutin «Gorki» në Moskë që përgatiste shkrimtarë dhe poetë, me rekomandim të Sigurimit të Shtetit u vunë në shërbim të KGB-s për të spiunuar bashkëstudentët e tyre. Siç dihet KGB i ka psë gjithherë në fokus shkrimtarët. Natyrisht që Ismail Kadare, poeti i qenit të kufirit, duhet të qe i pari në këtë listë, si më i përshtatshmi.