top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

PSE DUHET BRAKTISUR STANDARDI I 1972

 


Nga Lekë Tasi

ARSYET PSE DUHET BRAKTISUR STANDARDI I 1972  

Zvaritja e zgjidhjes së problemeve, karakteristike e periudhës postdiktatoriale, i dha dorë Standardit të 1972 të zërë vend më masivisht nga sa i druheshin ata që e duan Shqipen me tërë pasurin e saj, dhe jo të rëgjuar shum a pak në një degë të saj . Të shkruarit sipas traditës së vet përqëndrohet ende relativisht në pak pena gege, kurse të folurit reziston por vetëm tek të pashkolluarit ose në momente të pavetdijshme të intelektualëve të konformuar. Kjo zbrapsje e dialektit më të pasur me folklor epik e letërsi të hershme, ësht një fatkeqësi më thelbsore se emigracioni masiv, i cili e ka edhe një anë pozitive, ndikimin direkt ose indirekt mbi gjendjen e vendit, me përmirsime sëlargu falë arsimit cilsor, me ndihma buxheteve familjarë, dhe ca më mirë me rikthim e investim në vendlindje. Kurse harresa e të folurit verior prej ndikimit të shkollës siç e konstatojm përdit nëpër intervista, po rrezikon të bahet një proces i rëndomt, duke shtuar përdit rrezikun e një varfërimi të pakthyeshëm. Çështja në tërësi ka të bajë jo vetëm me imponimin mbi shumicën (3/4 të shqiptarve) të një modeli që nuk ësht i veti, çështja qëndron tek humbja e pariparueshme e bukuris së shqipes, e cila pa asnjë dyshim banonte në Veri : morfologji e lokucione lakonike, fonetikë muzikale (me kontraste zanore/bashktingllore), veti këto që nëse merren masa për tu ruejt, sjellin dobi të shumta, të cilat do t`i trajtojm më posht.

GOJA E POPULLIT REAGON. DUHET MBESHTETE. Le ta shohim çështjen nga një pozicion tjetër. Standardi, pavarsisht nga qëllimi i fshehur politik për ta eklipsue dialektin geg në kuadër të luftës së klasave dhe më gjerë, pati edhe një efekt pozitiv, atë të njohjes të toskërishtes në Veri. Procesi i përkundërt siç porositën antarët më largpamës të komisionit 72 (pajisje e gjuhës letrare me fjalor e konstrukte edhe veriore) u zbatua shumë pak. Megjithatë veprimi i vetvetishëm në gojën e popullit e ka luejt një farë roli: pranë të shkruemit konform standartit si inercie e censurës edhe në liri, populli i ka përzie mjaft dy të folmet jo vetëm në Veri siç thamë , por edhe në Jug (kjo ka rëndësi), falë një kontakti më të dendun se në të kaluarën mes popullsis. Kjo përzierje në praktikën e përditshme i shqetson standartistët më striktë , por ësht kjo që do ta sjellë integrimin e të gjitha resurseve gjuhësore sot në zbehje, nëse huazimi reciprok nxitet zyrtarisht sot e tutje. Parakusht i domosm ësht të kalohet nga shkrimet gati ilegale gege tek a) dekretimi i bashkjetesës të dy lloj mënyrash shkrimi në letërsi , siç ndodhte deri në 1972, me tipar të ri guximin që autorët e dy degëve të huazohen reciprokisht, dhe b) rikthimi i gjuhës zyrtare të para 1945, një gegnishte e moderuar sikundër cilsohej dikur. Këta hapa njëherazi pasurues dhe unifikues, do të rijetësonin paskajoren dhe rrokjet e gjata me anë theksi. Përfshirja e tyre në programet shkollore dhe në fjalorë, sigurisht ndesh në rezistencë, mbasi çdo ndryshim i statu quo mbrohet me xhelozi në çdo fushë; kokëfortsia konservative e Akademis fsheh një ndjeshmëri nevralgjike që ka të bajë me interesa përtej vogëlimave si reforma gjuhësore...(episodi i përkujtimit të M.Camajt, i përshkruar nga Primo Shllaku e dëshmon). Por shumkush ësht i bindur sinqerisht që efekti i standartit gjat 50 e ca vjetve ka qënë dhe mbetet pozitiv. Sidoqë të argumentohet kjo, rreziku i varfërimit të shqipes po bëhet prorë ma i mprehtë; alarmin e kanë dhanë prej vitesh një numur intelektualësh me shkrime e aktivitete të organizuara në drejtim të ndaljes së tij. Mbas ligjsimit të paskajores dhe zanoreve të gjata, dhe rivendosjes së gegnishtes gjuhë zyrtare, siç ishte para diktaturës, do të duhej një platformë edhe ma e gjanë me mundsi të reja integrimi të njëkohshëm të resurseve dialektale. Fjala njëkohshëm ësht senjali kyç i një pasurimi që do të përdorte baraz të gjitha llojet e pjesores (uem- ue- (u) –uar- ose bamun, - bamë, - bërë, - ba, - bë, dhe po ashtu alternimi i n dhe r - shtetnor-shtetëror, duke i nda të parat zyrtare, por pa përjashtuar të dytat për kërkesa të veçante stili, madje edhe zëror kundrejt zanor-zanore që dominon edhe në standart). Pra ndërsa gjuha e shkresave do të jetë gegnishtja me nji farë kodifikimi, ajo letrare do të ketë një larmi që do t`i shërbejë sipas shkruesit dhe rastit konkret , herë stilit herë muzikalitetit, herë të dyave njëheresh. Një shembull: mbretnia e qiejve (solemnitet), mbretëria e ujrave/gjelbërisë/blerimit (onomatopei ). Këtë zgjerim mjetesh në gjuhën letrare e mundson praktika e sotme që po e zbeh ndjeshmërin e mëparshme ndaj përzierjeve dialektore; ndihet ky proces në çdo nivel (paskajorja ka hyrë dhe ndër jugorë- me shku, tue e nisur. Te shkrimtarët e vjetër kemi pasë uom- uam, ndërsa sot gjejm në Veri edhe –ua). Kur thamë që bukuria e shqipes banon në Veri kemi parasysh kryesisht epërsin e a-së gege mbi ë-në toske. Dëndësia në një faqe e këtyre rasteve e përligj këtë pohim. "Ti ke pas kenë nji zoje e randë/ burrat e dheut të quejshin nanë"- le të provojm ta kthejm këtë varg në toskërisht, dhe do ta kemi demonstruar këtë epërsi. Tipari tjetër epror i gegnishtes ësht shkurtsia (shkoj n`kamb- vete në këmbë , dy rrokje kundrejt pesë). Nga ana tjetër me larmi të mjeteve nënkuptojm si bashkqenien ashtu dhe profilizimin e dy formave, pra një hap më përpara drejt njësimit se deri në 1972: integrim në afat të gjatë të dy dialekteve e jo zëvendsim të njenit nga tjetri. Zyrtarizimi në 1972 i trajtës -uar fshinte variantet e lashta dhe i hiqte gjuhës letrare resurse të pasura poetike (rimat), kurse prosodis nuanca historike e muzikalitet. Me kriterin gjithpërfshirës që përmendëm si të duhur në letërsi, dhe me ripohimin e gegnishtes së Elbasanit si normativë zyrtare ( duke i shtuar theksin hundor që ajo e ka bjerrë), do të ruhen edhe do trajta toske me një profilizim kuptimor të tyre sipas asaj që evokojn. Ato gege kanë më solemnitet, Lum për ty o i madhi Zot, se s`jem kan` e na ke ba, por ka raste që përmbysin këtë kriter pro-geg, shembull : mësues do të jetë thjesht mësimdhënës, kurse Mësonjës -udhëheqës shpirtëror. Me një ndjeshmëri të hollë ky profilizim do të pikasë sugjestionin që kemi prej tingëllimit, vjetëris o rrallësis së tyre për ti dhënë nuancën kuptimore ; kështu prapashtesa --onjës mund të jetë në tërësi e një stili të lartë: ekzistonjës - filosofike, kurse ekzistues- e natyrës statistike; çponjës-psikologjike (metaforikisht), kurse çpues-efekt mekanik, hetonjës-gjyqësore, kurse hetues-psikologjike (me sy hetues). Të tilla profilizime të trajtave që do të rekuperonin tërë pasurinë morfologjike veri-jug mund t`i operojë me kohë gjuha letrare gjat përdorimit, por edhe nën kompetencën e një komisioni krijuesish e gjuhëtarësh me ndjeshmëri estetike (e jo ndjekës striktë të rregullit). Poetët edhe në të kaluarën nuk kanë ngurruar të zgjedhin fjalë në dialekte të ndryshme nga i veti. Janë rrallësia, përjashtimi, licenca që i japin frymë letërsis, pra dhe që krijojn nuancat, aq sa të fitojn të drejtë për të hyrë në fjalor.

NORMA - NJE TERM ME I GJERE SE DERI SOT. Do të ishte mirë që vet koncepti normë të nënkuptonte një përzgjedhje në një fondi përkatsish të ndryshme, ashtu si vet standarti ka lënë në raste të veçanta liri shkruesit të zgjedhë mes dy o tre varianteve (shembull patur-pasur-pasë). I tërë ky proces s`mund të kuptohet pa një përforcim të profilit filologjik të lëndës së gjuhë-letërsis në shkolla, dhe sigurisht shtimin e numurit të orëve në programin javor. Kjo do të ishte baza, mbasi ngre interesin për gjuhën tek moshat e reja dhe shton lëndën prej nga do të dalin trajtat me vështrime të diferencuara. Kur theksojm nevojën e kthimit tek liria e para -1972, dhe njëherazi ruajtjen e trajtave paralele, nënkuptojm një trajtë zyrtare gegnishte të moderuar siç ka qënë normë për tri dekada mbas pavarsis, dhe një tjetër krahas saj por të përzier gego-toske si po e prodhon Tirana metropol. Nuk përjashtohet që poetë o shkrimtarë të veçantë të përdorin toskërishten o shkodranishten e vet, të pastra, sepse janë të dashuruar pas traditës tyre. Publiku i kulturuar i shijon të gjitha, vetëm pedantët e kapur pas rregullit shqetsohen. E natyrshme që profilizime kuptimore të dy varianteve dialektore do ketë edhe në folje, mbasi mbiemrat janë në pjesën më të madhe pjesore të një foljeje, dhe interkursi vjen vetiu : Kështu -uem më solemn, ue dhe uar –të rëndomta. Po të kalojm te përemnat, Ai dhe aj, do jenë të rëndomta , ay si më arkaik do jetë edhe i lartë po edhe disi historik o arkaik ( e gjejm edhe tek Cikli i Mujit). Përsëri me foljet: Askush pothuaj në Tiranë nuk thot më shoh, por shof,shife , ashtu dhe jo ue, por -u ,-y (kam shku, u kry).Por pranëqenia njohje -njofje- njohuri -njoftuni - nuk do shkaktojë bezdi. Do të ishte shum e dobishme të hartohet rast për rast ky profilizim sipas vëzhgimeve, veçan në zonën metropolitane që jep tonin, atë qytetse dhe suburbane të kryeqytetit, profilizim që do të na jepte një tablo të prirjeve që prodhojn larmi vështrimesh për fjalë të cilat, kur shkruhen e fliten siç figurojn në fjalor, ngjajn përher e më të vjetëruara, pra nuk preferohen në një letërsi që kërkon pulsin e jetës. Brënda këtij procesi çdo tkurje (veti gege) ësht pozitive, si kalimi fëmijëri-fëmini-fmini, ose ndajfoljet e pashqiptueshme e për tu fshirë nga fjalori - rastësisht e ngushtësisht, qartësisht, për të riprurë në jetë në vend të së parës njërrokshen gan ose gand, dhe heqjen e mbaresës absurde-sisht për të tjerat, duke e kthyer në thjesht :ngusht (shembull: le ta marrim ngusht teknikisht, kuptimi del qart, qartazi e konceptuar)). Reduktimi ka funksion eufonik dhe prova më e dukshme ësht a (me theks hundor në vend të asht, për të shmangë dy sh rresht (asht shtrenjt, që afërmendsh bëhet: a shtrenjt) po edhe ë, siç e do kënga : s`ë për mua e për ty/po për gjithë Shqipëri. Po ashtu, kujdesi për një shprehje të rjedhshme do të hyjë në mësim si disiplinë me tekste, për të mos përsëritur b.f. një bashktingëllore në fjalën pasuese : gjer te dera; deri te gjuri . DOBIT QE RJEDHIN. Tkurja në pak rrokje e frazës, siç e ka gegnishtja, i vlen poezis, filmit, teatrit. Ka gjuhë të privilegjuara që e kanë në natyre reduktimin (anglishtja), dhe kjo veti u shërben shumë në kinema o teatër, ku kërkohet koncentrim; ndërsa të tjera,(spanishtja, italishtja, greqishtja etj.) duke qënë shumrrokshe, u duhet të shtojnë shpejtësin e shqiptimit të rrokjeve, e kjo i kushton dramaticitetit, që kërkon fjala të ketë peshë, pra brënda replikave të shkurtëra. Vijm tek ndryshimi tjetër i dy dialekteve: Përdorimi i n apo i r në mbaresa, një vështirësi që duhet zgjidhur kur tashmë ka hyrë gjthandej e dyta (Shqipëri e jo Shqipni ). Kjo ka të bëjë me eufoninë, dhe sigurisht është n që fiton, sidomos kur në rrokjen pasuese kemi një r ; ndaj duhet shtetnor, fminor , e jo shtetëror, fëmijëror, mullini e jo mulliri (ngaqë shumsi bën mulli(n)jt ). Gegnishtja alternon si rregull n me r, kurse Toskërishtja i kthen të dyja në r , ndaj e para del ma eufonike. Por ekzistenca e dy o tre varianteve krijon larminë, në këtë rast larmi muzikale, dhe herë-herë nuanca kuptimore. Nuk na duhet koherenca dialektore por loja estetike bashktingllore-zanore, pra më e pëlqyer të kemi përzjerje kur kriteri eufonik krijon brënda fjalis lehtësi tingëllimi me fjalë përkatësie të ndryshme dialektore. Kështu fondi i gjuhës duhet trajtue si një serrë me filiza të disponueshme prej çdo këndi të territorit. Serrë ku kryesisht poeti/shkrimtari zgjedh e propozon , dhe autoriteti gjuhësor me sens kritik mbi të gjitha pro shqiptimit të bukur konfirmon ose refuzon mbas një kohe të mjaftueshme për të provuar suksesin e tyre në masën e kulturuar. Tek eufonia përfshihet shqiptueshmëria por kësaj i hapen probleme për shkak të kriterit thjesht gramatikor që sundon dhe bën shpesh të detyrueshme cezurën mes fjalis:..me kusht//shtetzimin, ose shtesën e zanoreve fundore të paqëna për të lehtsuar shqiptimin - është shtrenjtuar. Kjo përbën një kapitull të madh mbi rjedhshmërin, të cilin gjuhët e kultivuara e kanë zgjidhur me kohë. Shkrimtarët tanë (kush e ka atë kërkesë..) duhet të ndalen e ta zgjidhin or` e çast gjat punës tyre; ndaj duhen kodifikuar se si përballohen përplasjet e padëshiruara mes bashktinglloresh, ashtu si apostrofi zgjidh zanoret që trondisin ritmin. Përzgjedhja në pasurin dialektore bëhet me sens krijues e jo me konformim rregullit përjashtues; duhet pra të prijë shija, fantazia, që nuk përfillin skrupujt e drejtshkrimit zyrtar - shtrati prokrustian ku tepër gjatë redaktori mbajti nën zotërim dhe masakroi autorin edhe në gjuhë, e jo vetëm për brendin ideologjike . Frut i këtij procesi përzgjedhës/miratues që e ruan fjalorin mbarshqiptar do të jetë një fjalor sinonimik në sensin që thamë më lart, të nuancave kuptimore që do tu jepen varianteve të së njejtës fjalë.

DEMET QE DUHEN SHMANGUR. Provë flagrante e triumfit në dekadat e diktaturës e mësuesis mendjengushtë mbi intuitën kreative, ka qënë botimi tash vonë në shqipe standarte e teksteve arbreshe pa origjinalin pranë. Në to i jepet lexuesit "kuptimi" i poemave dhe u hiqet poezia. Një efekt ndrydhës . Këtu na pruri dekadenca e shijës që rezultoi nga ngurtësia e standartit, i planifikuar dhe i zbatuar pa asnjë lëshim edhe si frymë, si një letërsi shkruesish, që vetëm duke iu bindur korrektorëve letraro-përmbajtsorë do të siguronin të drejtën e botimit. Reforma e viteve 70 solli në fakt triumfin e uniformizimit dhaskalist, aty ku larmia dhe afërsia mes dialekteve ekzistonte dhe duhej harmonizuar me pasuri trajtash. Duhet tani e kundërta. Të vihet në program sëpari përvehtësimi nga gjenerata e re e pasuris gjuhësore që gjejm tek shkrimtarët e vjetër e të cituar përmbledhtaz nga Kristoforidhi , e poezis popullore (Eposi i Veriut etj), asaj Jugore, Arbreshe, dhe e kontributit të krijuesve të mëvonshëm, sigurisht mbas nji qëmtimi të rreptë për të nxjerrë vlerat letrare, e pa donjë detyrim të madh kundrejt autorëve me emër por që s`paraqesin vlera artistike . Duke qënë geg vetë por në kufi të Toskëris, Kristoforidhi me dy Dhjata, sëpari gegnisht , pastaj toskërisht, dhe me Fjalorin, del babai i gjuhës letrare moderne. Kontributi i tij si autor mbeti panjohur për publikun e sotm (?). Duke cituar në Fjalor dialektet dhe autorët e vjetër, ai sikur na jep qysh atëhere orientimin që theksuam më lart, të një harmonizimi-integrimi me kohë të dy dialekteve. Ai jep lëndën e plotë të leksikut që duhet të shërbejë si bazë. Disa qindra fjalë të vjetra, arbreshe e dialektale janë asgjë për trurin rinor, jo vetëm, por me një program të studiuar që përzgjedh ato më me vlerë, fondi i memorizuar do të përbëjë një kapital të vërtetë për letrarët e ardhm. Deri edhe në shkolla profesionale nxënsit t`i njohin majat e poezis sonë ashtu si janë, t`i recitojn dhe t`i nxëjn përmendësh, kurse ata të gjimnazit të zgjerohen mbi to. Më shumë se leksionet historike, ose sëbashku me to por të nënshtruara kritikës moderne, poemat origjinale dhe burimore, ngrejn ndërgjegjen estetike të nxënsit, rritet aftësia e tij evokative mbi vargjet që dëshmojn situata historike të vërteta, në vend të atyre të rrumbullosura o të sajuara të derisotme, retorike dhe shpesh false. Kur i riu i njeh ngjarjet historike përmjet gjuhës origjinale të poetëve, dhe gojës së anonimëve popullorë, kur ndien dhimbjen që i përshkon, në vend të fryrjes bosh që u jep historiografia, do të krijohet lidhja e vërtetë me të kaluarën, dhe kështu rekuperohet njësia me atë kohë, deri sot e shmangur për shkak të problemeve që i nxjerr tezës shqiptari pa faj- fajtorë janë të tjerët.. Dhe kështu brezi i ri fiton një ndjeshmëri reale mbi historinë, si një nisje për vetformim serioz. Lënda e gjuhë-lëtërsis për një komb si i yni dhe në kushtin tepër delikat të momentit duhet të përbëjë shtyllën kurrizore të shkollës; përmes letërsis burimore mitike dhe historike dhe një kulture të hollsishme mbi gjithshka arbnore e shqiptare, me të mirat e sidomos të hidhurat e historis, brezi që rritet t`i njohi vlerat reale dhe jo sajesa që me kohë bien posht duke e lanë pa një vetdijë të mirfilltë kombtare. Dobia e një mësimi të tillë , do të pasqyrohet te krijimet e nesërme, të një sinqeriteti shpresojm që i shkon kohës sotme në botë, rrënjësisht kritike ndaj falsitetit të mbivendosjeve pseudoautovlersuese. Jemi të vonuar në këtë kthesë autokritike, por më e negative ësht fryma nihiliste që po e mbush momentin dhe çon krizën tonë të identitetit në kufij të rrezikshëm. Vlerat duhen kërkuar te humbjet tona historike, një humbje e tërë tejpërtej, duke zbuluar çka ka rezistuar brënda saj dhe mbi të gjitha psenë e humbjes dhe të rezistencës. Gjëra këto që e tejkalojn materializmin me të cilin janë edukuar dy brezat e mbramë, dhe gati inkoshjencën, instinktivitetin e atyre më të hershëm. Ato gjenden dhe do të zbulohen te këngët burimore nëse bashkë me to do të shfetojm studimet e të huajve mbi to. E tillë ësht ryma e sotme kudo në botë, më profesionale, kështu edhe bagazhi i plotë gjuhësor letraro-historik, me të vërtetat e përimtësuara të gjithshkaje burimore, do të na rreshtojë te formimi bashkohor e kritik i vetdijës.

MBI TE GJITHA LOGJIKA KREATIVE. Esht edukimi me shijë të lartë që vepron mbi psihikën e të riut, me bukurin e tingllimit dhe evokim të historis, e jo i derisotmi që e quan të papjekur të riun, pra të paaft për ta ndier dramën tonë kombëtare në shekuj , dhe e mbush me sajesat që thamë, që synuan dhe ia dolën të rrisnin breza të dëmtuar qysh në nisje. Çështja pra qëndron të luftohet doktrina materialiste që e vendos kutin e pedagogjis te masa mediokre e jo tek individi inteligjent; sot jemi në momentin që të veprojm në drejtim të kundërt, dhe ta "ngarkojm" trurin e të riut me detyra të shumfishta. Fjalët e rralla tek poemat na lidhin me fazat që ka kaluar gjuha, dhe kjo lloj lidhje frymëzon me vjetërsit që bart , dishka përtej të kuptuarit, që merret gjoja me ngjarjet historike por s` lidhet dot me atmosferën dhe dramën e tyre. Duhet rindërtuar lidhja.. Nga krahu tjetër autori aktual ka një botë për të shprehur, dhe një prej mjeteve të tij më të forta ësht liria e tij me gjuhën, organizm i gjallë. Ato mjete, të hershme në trashgimi, dhe ato aktualet në individualitetin krijues, mund të duan një proces të vështirë përvetsimi e njohjeje nga publiku, por ato e zgjerojn horizontin e lexuesit, dhe ashtu letërsia jonë bën hapat drejt kultivimit, finesës, kusht për tu rreshtuar në krah të shoqeve të saj më të privilegjuara prej fatit historik. Pa veçansitë gjuhësore që e plotsojn fondin tonë të varfër aktual s`mund të bëjm përzgjedhje të goditura. Vlejn si përzjerja e mjeteve, e elaboruar nga shija e hollë, ashtu dhe pastërtia e tyre kur e kërkon ndjeshmëria nazike. Vjen vetiu që për rastin e dytë, ribotimet janë të domosme, një shembull nga të shumtët: titulli i librit Z.Zorbës, ashtu si duhet ta ketë konceptue: Buzë të ngrime n` gaz ( jo të ngrira). Këto hollësi që tashti konsiderohen heretike në tregun tonë letrar, do të lejonin përveç natyrsis në sektorë si teatri, filmi dhe vetë letërsia (e dëmtuar rëndë deri sot), edhe rritjen e kuptueshmëris së letërsis sonë klasike me anë të kulturës filologjike që fitohet , po ashtu të asaj të vonë veriore thuajse krejt të përjashtuar, sidhe të ciklit epik, që përbëjn të gjitha edhe pse të pakta, një blok tepër të rëndësishëm për t`ia lenë zbehjes ose vetëm specialistëve dhe një publiku të ngushtë. Sot duhet e kundërta e procesit që familjarizoi tek veriorët për 50 vjet toskërishten nën fytyrë standarti, me një afrim tash të jugorëve me Rapsoditë e ciklin mitik verior, me Fishtën e poetët gegë, pra një zgjerim ndjeshmërie e njohjeje kudo e me gjithshka që ka të bëjë me atë trashgimi . Për të mos qënë i njëanshëm, në shkolla diçka mësohet, fjala ësht për një zgjerim të madh të lëndës me shtesë orësh e trajtime të hollësishme (edhe përmendsh siç thamë) të autorëve dhe folklorit kulmor. Në kushtet e garës globale nuk ka pasuri më me rëndësi për ne se gjuha, dhe s`ka mjet më efikas për ta mbrojtur e kthyer në pjellore se sa një shkollë me profil të theksuar filologjik. Vërtet talenti ësht primar, por për tu kultivuar ai, njohja me hollsi e të gjitha vlerave të krijuara deri sot merr rëndësi parësore. Degët e së njejtës rrënjë të promovuara paralelisht, kanë një fuqi frymëzuese të pandier, kurse norma e vendosur nga gjuhëtarët , aq më keq mbi një bazë paraprakisht të ngushtuar , ua kalon atë si parzmore poetëve e prozatorëve siç po e konstatojm shum shpesh; ajo bëhet veçanërisht penguese për ata shkrimtarë që i tërheq më shumë tingëllimi sesa brendia kuptimore.(Të mos harrojm formulën e Verlainit : "De la musique avant tout chose" ). Vet idea e një stadarti tek ne ka qënë edhe e parakohëshme edhe varfëronjëse. Po të heqim gjuhën e shkresave që kërkon qartësi për të shmangur keqkuptime me dëm praktik (veçan në jargonin gjyqsor), e tërë sfera që mbetet, letërsi, teatër, film, poezi, vetëm dobi do ketë prej të folmeve popullore dialektale e madje argove, dhe doemos prej modeleve ekzistuese tek poetët më të suksesshëm. Kjo praktikë njihet kudo në botë, ajo krijon pasurinë e fjalorit, nuancat kuptimore, sinonimet që i japin dorë shkrimit me fantazi. Guximi krijues ka shumë për të nxjerrë prej licencave të goditura. Shkolla duhet t`ua bëjë të njohur fëmijve letërsinë më të vlefshme të të gjitha trevave, ashtu siç ësht, veprat e shkrimtarëve kudo ku shkruhet shqip. Kthimi i shkrimtarit e lexuesit tek folklori dhe tek shkrimtarët e lashtë mund të jetë e vështirë mbas karantinës ndaj çdo gjëje që lidhej me fenë, por do ta shtojë e thellojë njohjen e shpirtit arbër e shqiptar; shkollës i bie të jetë në vendin e parë të kësaj detyre.

PENGESA QE DUHEN KAPERCYER. Mund të paraqesë problem se si leksiku i panjohur bëhet i pëlqyer te lexuesi mbasi ka tërhequr poetin e prozatorin autor me ekzotizmin/nostaligjinë e tij . Ajo lloj poezie e vëmendshme veç te përmbajtja, e shmang fjalën pak të njohur nga frika e tronditjes së komunikimit, ajo don që tingëllimi të kthehet në kuptim sakaq. Zgjidhja e problemit vjen indirekt, nga prurja e shumëzuar prej botimeve, që kthehet në njohje-pëlqim-përdorim sipas shijës së autorit, pra do një farë kohë, dmth një proces familjarizimi. Por mjafton të kujtojm sesi i bëjm tonat edhe fjalë të panjohura prej vlerës së kontekstit që na rastis të na magjepsë. Shkurt duhet të pasurohet tregu letrar, dhe për këtë duhet më parë krijuar interesi për letërsinë nëpërmjet leximit e recitimit, teatrit cilsor në shkolla dhe mjedise të ndryshme. Të propagandohen të gjitha tekstet me vlerë që ofrojn burimet gjuhësore të Veriut, Jugut, dhe atyre jasht kufive e diasporave. Kurse pjesa teorike e mësimit, ( ç` janë rrymat, klasicizmi, romantizmi etj), nxënsi i merr dhe i vlerëson po qe i interesuar nga veprat. Primare ësht magjepsja nga forma, dhe forma varet shumë nga pasurimi paraprak me gjuhën e kohërave. I riu përvetson gjithshka, sado ta ngarkosh, kështu na mëson psikologjia. Shkolla e çdo niveli duhet të përqëndrohet pra te mjetet, shqiptim - recitimi, sintaksi, gramatika, por me një metodë praktike, duke i nxjerrë ato prej teksteve, pra me një konkretësi që bashkon zbulimin e rregullave me kënaqësin. Shembujt novatore në shkelje krijuese të sintaksit ose licenca të tjera të jenë të rrethuara me kornizë tek faqja e librit, për tu fiksuar në tru. Kjo përbën përparësinë absolute në gjendjen stanjante që jemi. Politika arsimore e deridjeshme ka bërë të kundërtën, ka reduktuar larmin tek rregulli, madje ka hequr fare lëndën e gjuhës, me pasoja rënuese për aftësinë shprehëse të qytetarëve, rënien posht të nivelit letrar në masa (shkrimtaria masive e reduktuar në formula, romantizëm demode, moralizëm të hapur, libra komercialë etj), ndërkohë që ai i krijuesve të veçantë ësht rritur mjaft ; pikërisht ndodhin procese të kundërta nga ai kur ishim nën diktat. Mundet ky polarizim dije-padijë ndodh kudo në botë prej dekadencës së leximit në favor të lojrave kompiuterike e zbavitjeve të tjera. Vetëm nëse do të arrijm të nxisim leximin tek qytetarët e më shumë tek rinia, teatrin cilsor në shkolla, do të vijë kthesa.Dhe atëhere do këtë vend për të hyrë në garë me letërsinë e huaj, gjë që në afat të gjatë vlen po aq sa ekonomia e mirë dhe jeta metropolitane . Do arrijm pjesmarrjen në garë kur identiteti ynë të ofrojë vepra, art, mënyrë jetese origjinale që tërheqin publikun sepse gjen aty tiparin e vet vendës të zbuluar artistikisht, dhe bëhet interesant edhe për të huajt.

PURIZMI DHE HUAZIMET. Lartësimit të nivelit letrar i duhet shtimi i larmis në fjalor. Ky ësht një problem i madh, mbasi ndesh me purizmin patriotik mjaft të përhapur. Mendimi purist preferon një shqipe të pastër (por sa e pastër ësht ajo?) kundrejt asaj që huhet vazhdimisht sëjashtmi terma e fjalë që i mungojn krejt ose që i vlejn si sinonime . Prirja për t` i shmangur bëhet shkak që me kohë ato të hyjnë dhunshëm e pa kulturë . Mënyra më e mirë për një pasurim real ësht të ligjësohen me autoritet ato huazime që sigurojn jo vetëm zërin e duhur për një koncept ose objekt që na mungon, po edhe sinonime për nuanca në psikologji dhe larmi stili në romanet tona. Që letërsia të bëhet më e fuqishme në kuptime dhe më elegante në mjete. Shkollës i duhet vue kujdesi edhe për sintaksin që e ka pasë dikur lëndë me vete, për një logjikë të fjalisë , por edhe për një liri në poezi duke e shkelur normën e ligjëruar me sens krijues. Kryesor mbetet rreshtimi i fjalëve në mënyrë që suksesioni zanore-bashkëtingëllore të jetë i një shqiptimi të këndshëm, sidhe që fondi dialektor, nga i veçantë të shndërrohet në të përbashkët, pa na e vrarë më veshin pranësia gege-toske . Aktualisht të inkurajon që e folura e rrugës e ban këtë, konstatohet kudo, deri në parlament - parasëgjithash trajta paskajore, e përdorur nga jugorë, (me e kujtu) dhe aq më mirë, e pasuar shpesh nga pjesore jugore (tue harruar ) . Pra po hyn ajo përzierje, ai unifikim veri-jug i mjetit më efikas gjuhësor për të shprehur parime, të cilin akademia jonë (instituti i gjuhësis, kongresi i 72) e dënoi me vdekje përsëgjalli. Mendja e shëndoshë e popullit reagon. E dyta : zanoret e gjata, një pasuri e gjuhës që dikur shtrëngonte veriorët të përdornin në shkrim zanore të dyfishuara , dhe që fatkeqësisht i ndien sot më rrallë. Fajtor direkt ësht standarti që ka ligjësuar ë-në si rrokje, e cila i kthen në të shkurtra të gjitha zanoret, nëpërmjet shtimit të një ë- je pas çdo mbarese të gjindores, kallzores etj . e duke i numuruar si rrokje. Shëmbull: nëse i-a fundore e fjalës liri shqiptohet e gjatë në emnore, në rasat e tjera, lirisë, lirinë etj. përfundon e shkurtër . Gjuha jonë i ka zanoret dy llojesh: I par ( e gjatë, që ne e shkruajm i parë), kurse a tek ar , e shkurtër. Ky dëmtim i madh fonetik , erdhi nga standardi, që jo vetëm bazohet tek toskërishtja, por me shtimin e ë-së si më lart, zyrtarizon dialektin juglindor (kryesisht korçar , sikur të ishim ende në shekullin e XIX). Gjuhëtarët tanë kanë shenjtëruar këtë prirje konservatore por lokale , megjithse qysh në vitet `20 e deri në vitet e para të pasluftës, kemi pasë një interval mjaft të gjatë me gjuhë zyrtare një gegnishte të moderuar me theksa, e cila e zgjidhte problemin. Ajo mund të vazhdonte po të mos qe motivimi politik i fshehur nën reformën. Argumenti kryesor i tyre - përjashtimi i theksave ( dmth jo lirin –me theks mbi i-në fundore, por lirinë, për të bërë theksimin e saj ndryshe nga liri (bimë)me theks paroksiton. Por ç` rëndësi ka ky komoditet kur shqipja i ka të natyrës saj, pra të domosdoshme zanoret e gjata për të qëne shqipe e zëshme, dhe shkurtimi i tyre me anë të ë-së, denatyron të folurën në pjesën më të madhe të territorit?

EPERSIA FONETIKE E GEGNISHTES. Dialekti verior ësht në masë të madhe ma i zashëm (përfshi këtu edhe rreshtimin e bashktinglloreve, më estetik se toskërishtja ( zhbij, zhgatrroj, i mpijt, kundrejt çfaros, çkatërroj, i mbirë). Duke qënë kryesisht njërroksh, po edhe me zanore te gjata/shkurtra, dialekti verior ka theksa të shpeshtë , gjë që paraqet një avantazh të shumfisht, kuptueshmëri dhe tingëllim. Mund të thuhet se gegnishtja artikulohet, kurse toskërishtja mërmëritet. Një krahasim i guximshëm ky por mjaft afër së vërtetës, që mund të provohet statistikisht me krahasime në faqet e librave: sa më e pranishme ësht zanorja a dhe diftonget ku a-ja prin ( ai ) në Veri dhe sa në Jug. A-ja konsiderohet kudo si zanorja ma e bukur. Ajo dominon në Veri: Bajm, bëzajm, hana, hajn, që në Jug i gjejm: bëjmë,bëjmë zë,hënë, vjedhës. Le të krijojm një fjali tipike në dy variante do të na e jepte më dukshëm ndryshimin: Ledhat e bajn fminin ma t`kandshme, kundrejt Përkëdhelitë e bëjnë fëmijërinë më të këndëshme. Thuajse 18 rrokje kundrejt 9. Prej kohësh po zhvillohet diskutimi rreth ë-së , dhe ka shumë gjuhëtarë,shkrimtarë, e sidomos poetë, që këmbëngulin për suprimimin zyrtarisht të saj në disa raste ku standardi e ka fiksuar. Kundërshtimi i autoritetit zyrtar gjuhësor nuk lëviz , madje shkolla ka bërë që të hyjë vesi i zvarritjes me ë edhe atje ku s`ka qënë. Po edhe zhdukjen e saj në vende që duhet pa tjtër si te shumsi dhe te lidhorja.E pakuptueshme mospjesëmarrja e shumë personaliteteve nga Veriu, që kanë për detyrë të ringjallin traditën e konsoliduar letrare me shekuj mbi themelet e patjetërsueshme të shkrimtarëve mesjetarë dhe të folklorit. Pa njohjen dhe performimin e tij të përditsuar me botime e recitime të kuptueshme në tërë territorin, gjuha shqipe dhe kultura shqiptare hyn në një varfërim të rrezikshëm. Pikërisht këtu shohim nevojën e një shkolle me karakter të përforcuar filologjik, mbarëshqiptare qysh në nivelin fillor, dhe me karakter thellues në nivelin e mesëm dhe të lartë. Puna intensive për një fjalor etimologjik pasqyrues të gjithë pasuris leksikore të hapësirës shqiptare do të ndihmonte shum, por edhe guximi i shkrimtarëve për të huajtur prej kësaj pasurie, sado në luftë me ndjeshmërinë e secilit për të qënë i natyrshëm sot për sot. Ky ësht një problem serioz ; do të zgjidhet vetëm me anën e atij fenomeni të njohur por me afate të gjata, të kalimit nga procesi i repulsionit tek ai i të mësuarit me të renë. Po përmend vetëm një shembull skajor për nga guximi: përkthimin e Simposiumit të Platonit nga Shpëtim Doda, me termin Bashkëpirje. Mund të pranohet, mundet jo. Por kur hyn e lexon tekstin, fillon të ndiesh se hyrja e neologjizmave të padigjuara më parë, të krijuara si përkthime drejtpërdrejt nga origjinali ose të nxjerra nga gjuha e ulët, e bën gjuhën një fushë për lojë . Nëse rezultati pëlqehet, qoftë me pakicë, kontributi ësht i vlefshëm. Kontributet me fantazi, do të jenë një temë plus për diskutim, e rëndësishmja ësht të kenë nivel estetiko-gjuhësor, por edhe efektin befasi që hyn si përbërës në stile me kërkesa të veçanta. Po në atë libër kemi edhe orientalizma. Masa se sa duhen përdorur ato luhatet historikisht mes maksimales së Bejtexhive, purizmit absolut të Naimit, ringjalljes së tyre mjaft të theksuar nga Noli ( te Don Kishoti e jo vetëm) , dhe sot në masë të moderuar te Doda, që i ka marrë prej të folurës së gjallë ende sot. Ato mbeten një mjet për tu pasur në konsideratë.

SI PERFUNDIM, niveli i shijës që zgjedh/dominon mjetet ngrihet dhe përsoset brënda një shkolle ku gjuha shqip dhe letërsia zë vendin e parë si shqetësim intelektual i shoqnis. Sepse me atë vendosje shprehja (letrare dhe shkencore) pranimi o skartimi i termave, do vijë si në të kaluarën, prej pëlqimit të atij që bëhet e përdorshme ngaqë miratohet prej elitës së vërtetë e jo të emëruar. Pra duhet të vendosë shija e rafinuar e poetëve dhe prozatorëve, jo ajo e gjuhëtarëve. Dhe kriter i padiskutueshëm ësht shkurtësia. Atë na e siguron dialekti verior.

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page