- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Plumbat e diktatures vrane djemte dhe Camerine
Nga Hyqmet Zane

50 vjet më parë, plumbat e diktaturës vranë djemtë dhe Çamërinë
Cili shtet do t’ua heqë baltën “grupit armik të Teme Sejkos dhe Tahir Demit”?
63 të dënuar dhe 1.250 vjet burgim, veç vrasjeve
Ashtu ndodhi, plumbat e pabesisë së pushtetit komunist ranë pamëshirshëm mbi trupat e djemëve shqiptarë nga Çamëria për të vrarë jo vetëm atë grup të cilësuar “armik”, por për të vrarë gjithë komunitetin çam dhe vetë Çamërinë.
Sa për kujtesë, duhet thënë se pas 10 muajsh arrestimi të atij 28 korriku 1960 në orën 11, hetimi dhe shantazhizmi barbar në dhomat e inkuizicionit komunist, diktatori dha verdiktin e pushkatimit të grupit të asahtuquajtur “grupi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit”. Ka qenë 30 dhe 31 maji i vitit 1961 që togat e pushkatimit do të zbraznin karikatorët e armëve të tyre mbi bijtë shqiptarë të nënave çame. Ishin Teme Sejko, Tahir Demi, , Avdul Resuli, Ali Xhelo Arapi, Hajri Mane, që pas atij gjyqi të fund majit 1961 do të pushkatoheshin, ashtu siç nuk viteshin as edhe kuajt e jo më njerëzit. Shumëkush ka hamendësuar përmes copëzave të bisedave dhe historive të treguara dhe të shkruara se vrasjet e këtyre djelmëve të Çamërisë kanë qenë të formave të ndryshme dhe në vende e kushte të ndryshme nga më çnjerëzoret dhe makabre. Për Teme Sejkon ka edhe më shumë se kaq, se janë kujtime të njerëzve që kanë qenë edhe dëshmitarë se çfarë mënxyrash nga më të paimagjinueshmet që mund t’i bëhen një njeriu, një shqiptari nga pseudoshqiptarët, një luftëtari antifashist dhe kundëramiralit të vetëm që kishte flota shqiptare që përfundoi aq tragjikisht pa nam e pa nishan.
Nuk ishte as i pari e as i fundit Teme Sejko, se edhe të tjerët bashkëkombas të tij, që mbanin edhe grada e pozicione pune për merita të veçanta, asnjëherë nuk janë rikthyer ato vlerësime nga ana e Presidentëve të Republikës së Shqiëprisë, si shenjë e rikthimit tek të vërtetat që ekzistonin dhe që u tjetërsuan padrejtësisht. Është harresë apo e qëllimshme, është një zgjatim në kohë i një pushkatimi dhe dënimi të pamerituar që po bëhen nga segmentet e ish sigurimit të shtetit që bëjnë kujdes për të mos vënë në vend dinjitetin e së drejtës morale dhe ligjore të atyre bijëve që ishin shqiptarë dhe që u trajtuan si armiq.
Dhe jo vetëm këta, por edhe më pas u dënuan me pushkatim Beqo Plaku, Ilia Gjyzeli, Jorgji Cukali, Nikolla Goçi, Theodhori Veto, që u cilësuan si bashkëpunëtorë të kryetarëve të grupit dhe që ishin sajesat e mendjes antishqiptare që kërkonte të zhdukte nga faqja e dheut çdo njeri që ishte intelektual dhe që nuk ishte grek e serb.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se veç të pushkatuarve, nëse kanë qenë të tilla, se nuk ka as edhe një procesverbal të mbajtur, janë edhe një grup bijsh shqiptarë nga Çamëria që jo vetëm nuk dolën në gjyq, por u trajtuan në atë farë feje që iu mor jeta në dhomat e hetuesive të komanduara nga vetë Enver Hoxha përmes Kdsri Hazbiut, Mihallaq Ziçishtit, Nevzat Hasnedarit dhe një farë Rexhep Kolli etj. Taho Sejko, nuk doli në gjyq, u eleminua në fshehtësi, ashtu si edhe Shaban Adem Kalo, ndërsa i mirënjohur komandant i “Çetës Çamëria”, antifashiste, Haki Rushiti u dënua 3 herë me vdekje në mungesë.
Do të ishte fatale për një pjesë tjetër të këtyre bijëve të Çamërisë që u dënuan me dënime maksimale dhe vdiqën në bugjet e Burrelit e Spaçit e gjetkë si Sami Murati, Jonuz Purizo, Rushan Hasan Mullai, Dr Aleksandër Kalivopulli, pasi ishin dënuar me nga 25 vjet, vdiqën në burgje në Burrel e gjetkë, ashtu sie dhe Vangjel Xhomaka 25 vjet, vdekur në burg, Yzeir Sollopia, Kostandin Petro Vaso, dënuar me vdekje, kthyer 25 vjet, vdiq në burg, Pandeli Varezi, dënuar me pushkatim, kthyer në 25 vjet, vdekur në burg, Kasëm Karafili, 25 vjet, vdiq në internim.
I nderuarai Hilmi Seiti, nuk e pranoi planin ogurzi të sajimit të një grupi armëqësor për t’iu pëergjigjur sociaslimperializmit rus pas prishjes. Pa zgjatur gjatë, e helmuan. Kështu tregohet dhe kështu ekzistojnë faktet, se ajo që ndodhi më pas vërtetoi gjithçka : mashtrimin me ç’do mjet që justifikonte qëllimin të Teme Sejkos e të tjerë që nuk mund të besonin se mendjet e shqiptarëve bastard do të shkonin aq larg sa realisht do tu merrnin jetën, vetëm e vetëm se i ishin futur lojës. Sa e sa grupe u sajuan më pas, vetëm e vetëm që të çohej në vend idea fikse e diktatorit për të eleminuar të gjithë elitën intelektuale shqiptare që nuk u bënë pjesë e strategjisë së UDB përmes emisarëve serbë të saj, Popoviç, Mugosha e Stojniç e sa e sa të tjerëve. Ishte kjo ide që zhduku klerin katolik shqitpar vetëm e vetëm pse ata ushqenin antishkjaun të frymëzuar nga Homeri shqiptar, Gjergj Fishta. Ekziston mendimi se të gjitha të ashtquajturat “grupe armiqësore” që u eleminuan pas atij nëntori famëkeq 1944, do të ishin eskluzivisht intelektualë që kishin mbaruar jashtë shtetit, ish nxënës të shkollës amerikane të Fullcit, apo që nuk pranuan të viheshin në shërbim të planeve serbe që nga Mustafa Gjinishi e më tej që u bënë viktima të tradhëtisë komuniste.
Ishte kjo klikë antishqitpare që në “emër të popullit” vranë, ekzekutuan, varën apo eleminuan pa gjyq edhe këtë grup të Teme Sejkos e Tahir Demit. Ishte i pari dhe i vetmi gjyq që u bë me altopolantë dhe publik, si shprehje e urrejtjes krahinore që futi vetë Enver Hoxha në mes shqiptarësh. Këtë fenomen nuk mund ta ndalonin as trupa e avokatëve që ishin thjesht formalë, sa për të thënë përballë një prokurori xhahil, si Aranit Çela, që në atë kohë ishte Prokuror i Përgjithshëm dhe një trupi gjykues që vepronin mbi bazën e urdhërave dhe jo të drejtësisë siç ishin Shuaip Panariti, kryetar i Gjykatës së Lartë, gjen.major Muharrem Kokomani, kol. Sotir Spiro, kol. Bejto Isufi, n/kol. Hilmi Telegrafi dhe sekretar séance Murat Deliallisi. Përballë këtij grupi “armiqsor” të sajuar ishin vetë ata që e kishin sajuar, ishte vetë diktatori dhe sigurimi i shtetit. Ky moment ka qenë bërë publik në debatin mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hasbiut kur do të dënohej ky i fundit.
Eleminimi i këtij të ashtuquajturi grup armiqësor, ishte edhe një avokati e shkëlqyer që qeveria e Enver Hoxhës i bënte tezës greke për eleminimin e elitës intelektuale çame që kishte dalë nga lufta antifashiste dhe që ishin përfaqësuesit e atij angazhimi të kësaj krahine në luftën antifashiste gjatë Luftës II Botërore. Ishte kjo tezë që ende edhe sot e kësaj dite qarqet zyrtare greke e thonë dhe rithonë sa herë që vjen fjala tek çështja çame dhe zgjidhja e saj. Është rasti për të thënë se shumë nga ata që u cilësuan armiq ishin në strukturat drejtuese të luftës dhe që së bashku me pjesën tjetër të komunitetit çam të organizuar në Batalionin 4 të Regjimentit 15, përbënin edhe pjesën e rëndësishme të kontributetve të Çanërisë në këtë luftë. Do të doja të fiksoja këtu luftën 55 ditore të Konispolit ndaj focave gjermane, ku edhe ranë shumë dëshmorë. Ishte një luftë e vërtetë si asnjë luftë tjetër e ta ashtuquajturës ushtri shqiptare. Dhge kjo është meritë e këtij komuniteti, gjë e cila u hodh poshtë dhe u shkel me këmbë nga segmentet pro greke brenda udhëheqjes komuniste shqiptare të cilat ndikuan ndjeshëm për të hedhur idenë e të ashtuquajturit “bashkëpunëtorë me pushtuesin” të komunitetit çam. Ndoshta duhet të ishte gjallë im atë, Nuri Zane, së bashku me Hajri Fetahu dhe Osman Zeneli me shumë të tjerë që ishin të internuar në kampet e përqindrimit gjermane dhe italiane si antifashistë që të rrëfenin se sa të pavërteta janë tezat greke. Por më shumë se kaq, se sa tradhëtare ishte qeveria e Enver Hoxhës ndaj interesave mbarëkombëtare shqiptare, kur jo vetëm i vrau çamët, por i dërgoi edhe në internimin e Llozhanit në Maliq më 1949, u hoqi shtetësinë greke më 1953 dhe më vonë u hodhi baltë gjithë komunitetit çam, pas pushkatimit të pjesëtarëve të këtij grupi.
Çfarë faji kishin bërë këta bij shqiptarësh që u dënuan dhe u pushkatuan, si pararojë e atij dënimi të madh që i bëri Enver Hoxha gjithë komunitetit çam pas atij 1961-shi ? Asnjë faj, por kjo ishte filozofia e një regjimi kriminal që mbeti në pushtet përmes netëve makbethiane ndaj shqitpatërve. Të shkruash për të vërtetat e atyre ngjarjeve që ndodhën 50 vjet më parë, nuk është çështje e një shkrimi, se shumë e shumë herë janë shkruar dhe dokumentuar pabesitë e bëra dhe barbaritë e zbatuara. Ajo që të vjen keq edhe pas 50 vjetësh është fakti se ende edhe sot nuk është hequr balta që u hodh mbi këtë komunitet, por edhe mbi viktimat e tij. Asnjë falje nuk kanë marrë ata 63 njerëz nga Çamëria dhe pjesa brenda kufirit shtetëror përfshiunë në këtë gjyq në atë fillim të viteve ’60 me të ashtuquajturit grupe armiqësore inekzistente dhe të sajuara për hatër të antishqiptarizmit serbo-grek të instaluar në kokën e Byrosë Politike të Enver Hoxhës. Kush duhet tu kërkojë falje, shteti, Presidenti, drejtësia apo kush tjetër për ato rreth 1.250 vjet burgime që u dhanë ndaj këtyre shqiptarëve.
Shumë dokumentacione ekzistojnë për këtë ngjarje tragjike, po aq sa edhe çnjerëzore, por ajo ngjarje makbethiane kërkon një film të tërë që do të ishte tronditës për kineastët hollivudianë, tamam si hebrejtë e Europës.
Të dënuar të tjerë
Skënder Bariu, me vdekje, kthyer 25 vjet
Dervish Sulo, me vdekje, kthyer 25 vjet
Nasho Gërxho, me vdekje, kthyer 25 vjet
Gani Tartari, me vdekje, kthyer 25 vjet
Rexho Plaku, 33 vjet burg, dënuar 2 herë
Xhemal Bali, 27 vjet burg
Zalo Goxhai, 25 vjet burg
Ali Goxhaj, 25 vjet burg
Adem Osman Kalo, 25 vjet burg
Osman Emini, 25 vjet burg
Hasan Mero, 25 vjet burg
Haxhi Bilal Mullai 25 vjet burg
Kadri Saliko, ish oficer i marinës, 25 vjet burg
Sulo Veshi, 25 vjet burg
Eqerem Veshi, 25 vjet burg
Miho Shëngjergji, 25 vjet burg
Petro Duro, 25 vjet burg
Miço Gogo, 25 vjet burg
Mushir Plaku, 25 vjet burg
Lole Dhjamanti, 25 vjet burg
Luan Goxhai, 22 vjet burg
Qerim Demo, 22 vjet burg
Lutfi Sejko, 20 vjet burg
Mehmet Kadri Bello, 20 vjet burg
Hiqmet Bello, 20 vjet burg
Mero Ali Plaku, 20 vjet burg
Lelo Guda, 20 vjet burg
Pilo Bushi, 20 vjet burg
Dule Maze Mullai, 18 vjet burg
Spiro Gogo, 17 vjet burg
Asllan Veliu 15 vjet burg
Tefik Emin Mero, 15 vjet burg
Xhemil Demi, 15 vjet burg
Hasan Plaku, 15 vjet burg
Taip Kaloshi, 15 vjet burg
Petro Gogo, 15 vjet burg
Sotir Taho, 15 vjet burg
Lole Gogo, 15 vjet burg
Kaso Agushi, 15 vjet burg
Syrja Musa Shehu, 15 vjet burg
Janaq Gerxho, 15 vjet burg
Nazmi Sulo Veshi, 11 vjet burg
Hamit Demi, 5 vjet burg
Vazhdon lista me emra dhe vite burgu për secilin që janë të vërtetat që flasin dhe kërkojnë shpagim me faljen që është domosdoshëmri për t’ua bërë në emër të drejtësisë njerëzore. Ata u dënuan si bashkëpunëtorë me anglo-amerikanët dhe më qesharakja dhe absurdja prej këtyre akuzave ishte se u akuzuan edhe si bashkëpunëtorë me grekët. (?!) Dhe kush, bijtë e Çamërisë që grekët i vranë dhe i dëbuan mizorisht nga trojete tyre stërgjyshore. Ata meritojnë nderimin shtetëror nëse vërtet ky shtet ka një president që duhe të bëjë edhe këto lloj nderimesh.