- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Piktori dhe inkuizicioni
nga Shefqet Deliallisi
Isha në vitin të dytë të gjimnazit.
S’kishim mësim. Bashkë me një shokun tim të klasës vinim rrotull nëpër qytet. Ishte një ditë e vrenjtur. Hynim e dilnim nëpër streha sa herë që fillonte e pushonte shiu.
Pranë gjykatës së qytetit, një grumbull njerëzish na tërhoqi vëmendjen. U afruam. Një gjygj pritej të fillonte. Sipas pritshmërisë së spektatorëve të përhershëshm pritej të ishte “interesant”. Në të vërtetë gjithmonë i isha shmangur ndërtesës së gjykatës, ashtu si dhe Degës së Punëve të Brendëshme. Më dukeshin të zumta dhe të frikshme. Ndërtesa e gjykatës dikur kish qenë hotel. “Hotel Modern” e kish pasur emrin. Vitet më parë, vetë pronari i saj ish burgosur për shumë vite nga komunistët me një gjyq farsë, vetëm për t’ia rrëmbyer hotelin e sapondërtuar.
Isha i dyzuar. Kureshtja më shtynte të ndiqja gjyqin. Frika më frenonte. Vendosa. Do të ishte hera e parë, por dhe e fundit që do të shihja nga afër një gjygj komunist. Salla mu duk e zymtë. Stola të rëndomtë prej druri. Në një kënd, ndërmjet dy policëve të armatosur qëndronte një burrë rreth të tridhjetave. I qethur “tull”. I zbehtë. I trembur. I emocionuar. Me duar që i dridheshin lehtë shtrënguar me disa hekura të çuditshëm me një vidë të madhe në mes.
Ishte piktori X. Para disa muajsh ish zhvilluar një festival i bujshëm. Piktori kish qenë skenograf i tij. E kisha parë disa herë më parë. U habita dhe trishtova për transformimin fizik që kish pësuar për aq pak kohë.
Hyri trupi gjykues. Të gjithë u ngritëm në këmbë. Gjyqtari, një burrë i shkurtër, i thatë, i zeshkët, me një fytyrë të egër më kalli frikën. Pas shpinës së tij, mbështetur pas murit ishin disa piktura, të vendosura mbrapsh. Pas pak do të mësoja se ishin pikërisht ato “prova e krimit”. Mbas disa procedurave, gjygjtari mori njërën nga pikturat. E ktheu nga ana e mbarë. E ngriti lart, Ja drejtoi sallës dhe piktorit, fytyra e të cilit tashmë më dukej më e bardhë.
“ Ti e ke bërë këtë ?” Po- tha piktori me gjysëm zëri. Të gjithë ngulëm sytë mbi pikturën. Për habi ajo s’ishte gjë tjetër veç një grua e bukur, e veshur thjeshtë. Në dorën e ngritur lart mbante një dritë të fuqishme. Ishte me të vërtetë e hijshme.
“Çfarë ke dashur të shprehësh me këtë pikturë i pandehur ?” foli ashpër gjygjtari. “Elektifikimin e Shqipërisë” u përgjigj dobët piktori.
“Të duket e papërshtatshme kjo grua për të personifikuar Shqipërinë ?
Duket sipas tij, femra e bukur, delikate e veshur thjeshtë, tek e cila dilnin në pah hiret femrore, s’mund të ishte Shqipëria. Sipas tij, Shqipëria duhej të paraqitej si një grua puntore, me duar të trasha e këmbë të mëdha, e veshur me kominoshe, pse jo të kishte dhe një pushkë e lopatë në krah.
Lëmshi po më shtohej. U mbusha me djersë. Duket isha zbehur në fytyrë. “Çfarë ke?” më tha shoku. “Po iki” i thashë dhe çava me nxitim mes turmës. Dola jashtë. Në një qoshe rruge volla. Shpejtova për në shtëpi i tronditur. Gjithë atë ditë, dhe natën që pasoi, s’më hiqej nga mendja fytyra e zbehtë, e vuajtur, epafajshme e piktorit dhe fytyra e thatë e zezë, e egër, e gjyqtarit. Para sysh më dilnin gjygjet e inkuizicionit, turra e druve, që kishim mësuar në histori.
Të nesërmen herët nxitova për në shkollë. Sapo pashë shokun, menjëherë e pyeta : “Çfarë u bë me piktorin ?” “U dënua” më tha “6 vjet burg”.
Lëmshi mu krijua përsëri, madje më krijohet gjithmonë kur kujtoj ngjarjen edhe sot që po shkruaj këto rradhë.
Sa herë që dëgjoj fjalën realizëm socialist, më del parasysh gruaja e bukur “Shqipëria” e piktorit të shquar dhe “Shqipëria” e diktaturës, gra “burra”, veshur me çizme llastiku e kominoshe, me duar e këmbë të shëmtuara, me kazma, lopata, e pushkë . Piktura të shpifura, pa asnjë vlerë. E vtemja vlerë e tyre është dokumentimi i dhunës së diktaturës mbi artin.