top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Nuk mund te vrasesh besen

   Nga Besim Ndregjoni

 

Një natë mysafir tek miqtë, në mënyrë krejtësisht të fshehtë dhe teksa shtrohej darka, armët u dëgjuan përreth shtëpisë. I kishin ndjekur derisa i bënë shtetrrethim banesës në Luzhë, brenda së cilës ishin edhe gra dhe fëmijë. Data 2 shkurt e vitit 1946 dhe komunistët donin të gjallë Halil Hoxhën, ish-kapter në kohën e mbretit Zog, një kundërshtar i betuar i regjimit komunist. Por, Malësia e Gjakovës, në emër të besës, nuk e dorëzon kurrë mysafirin e shtëpisë. Pikërisht këtë gjë bënë vëllezërit Shaban e Demush Hoxha. Kishin të njëjtin mbiemër me Halilin, por jo lidhje gjaku. Luftuan si trimat për të mbrojtur jetën e Halil Hoxhës, që ndiqej hap pas hapi për dy vite me radhë nga komunistët. Por ata rrezikuan jetën e tyre dhe të familjarëve, ku në atë moment nisën vuajtjet e gjata të diktaturës... Pa mundur të sfidojë armatimin e rëndë të policisë komuniste, Halil Hoxha kapet dhe pushkatohet bashkë me vëllezërit që e mbajtën në shtëpi. Edhe pas 65 viteve, eshtrat ende nuk janë gjetur. Në 65-vjetorin e ekzekutimit të tyre, komuna e Pacit organizoi një ceremoni në qytetin e Bajram Currit ku e shpalli “Qytetar Nderi” nipin e tij që ka ringjallur përmes emrit patriotin dhe antikomunistin Halil Hoxha. Halili i ri vuajti pasojat e diktaturës, ku të atin, Sulejman Hoxhën, e dënuan me 101 vite burg. Ai sot nuk jeton, ndërsa Halili i ri u lind dhe u rrit në internim, në Plug të Lushnjës, bashkë me 3 motrat, Najadën, Lejlën dhe Nevilën...

 

Malësia e Gjakovës ka qenë një ndër trevat më të njohura në lëvizjen e zhvillimeve të historisë kombëtare dhe për vetë pozicionin gjeografik që kishte. Duke qenë qendra e ndërlidhjeve të Shqipërisë me Kosovën, ajo shërbeu në mbajtjen gjallë të nacionalizmit shqiptar përpara barbarive e pushtimeve të huaja.

 

Në veprimtaritë kombëtare u shqua pjesa fisnike e familjeve të mëdha të Malësisë së Gjakovës. Kontributi i tyre bazohej në dy shtylla qendrore në Besë e Trimëri.

 

Ndër dhjetëra familje të fisme, por edhe me besë e më trimëri në historinë, rajonale e kombëtare janë dhe dy familjet “Hoxha” njëra në Bytyç e tjetra në Luzhë.

 

Këto familje kanë të përbashkët mbiemrin, por nuk kanë lidhje gjaku prej mbiemrit, ato kanë një të përbashkët, që është dok i pamohueshëm i malësisë, Besa dhe Trimëria.

 

Këto i patën të përbashkëta, dhe kur luftuan kundra serbëve dhe kur luftuan kundra austro-hungarezëve.

 

I patën dhe kur jetonin të qetë nën mbretërinë e të madhit shqiptar, Mbreti Zogu i Parë....

 

I patën të përbashkëta dhe kur Shqipëria ra pre e regjimit komunist në vitin 1944.

 

Si sot 65 vite më parë, tre burra trima, tre burra me besë, Halil Mahmut Hoxha i Bytyçit, Shaban Musli Hoxha, Demush Musli Hoxha i Luzhës, me 3 mars të vitit 1946, u pushkatuan nga terroristë shqiptarë, nga ata terroristë që quheshin komunistë, por që kishin një mision, të vritnin shqiptarë për idealet e tyre të krimit.

 

Të vritnin besën e këtyre trimave, të vritnin idealet e lirisë të këtyre trimave, të vritnin ëndrrën e malësorëve që edhe hasmit kur i jepte besë, ai nuk e vriste, edhe po të ishin serbë. Por këtë krim, këtë vrasje bese e bën komunistët, ata që s’kishin asnjë ideal lirie, ata që s’njihnin asnjë dok dhe zakon shqiptare, e jo më besën që shqiptarët e kishin të shenjtë!

 

Historia e këtyre trimave është e hershme, ajo është në të gjitha analet e historisë së Malësisë, ajo vjen sot në këtë përkujtimore si një e vërtetë që u mohua nga regjimi, por që nuk u shua, por ndriçoi si një qiri që nuk shuhej e nuk do të shuhet!

 

Historia e trimave me besë

 

Halil Mahmut Hoxha lindi në Bytyç në vitin 1881, i martuar me tre fëmijë! Ai u rrit në një familje, me një dashuri dhe nacionalizëm në mbrojtje të trojeve tona që ishin të ndara e të rrezikuar nga serbo-malazezët. Ai u edukua dhe arsimua në profesionin e teologut fetar dhe si Imam, përveç njohurive fetare ai mësonte dhe predikonte në mënyrë të vazhdueshme doket e zakonet malësore në interes të kombit, i bindur se do të vinte një ditë që këto troje të ndara padrejtësisht, do të bashkoheshin, këtë predikim ai do ta kishte si një lajtmotive të padiskutueshëm për brezat dhe djelmëninë e Tropojës. Ai ishte një mik i Mbretit Zogu i parë dhe një mbështetës i fuqishëm i tij në vënien e shtetit në shërbim të popullit duke dhënë kontribute konkrete të tij për Malësinë.

 

Në vitin 1924, kur në pushtet vjen Fan Noli, ai arratiset me mbretin dhe kthehet me të dhe jep kontributin e tij, në vendosjen e pushtetit në Malësi të Gjakovës. Për shërbime të shquara në drejtimin e punëve të Malësisë ai gradohet me gradën “Kapiten” që Mbreti Zog u jepte në rezervë personaliteteve kontribuuese në shërbim të shtetit, për të ruajtur qetësinë dhe rregullin sipas ligjeve dhe kushtetutës.

 

 

Miqësia e Halil Hoxhes së Bytyçit ishte me burrat e mençur të kombit shqiptar. Ai kishte miqësi me Mehdi Frashërin, Xhafer Devën, Mitat Frashërin, Muharrem Bajraktarin, Tahir Hoxhën etj. Ishte mik i besës i Gani beg Kryeziut.

 

Halil Hoxha kurrë nuk do të pajtohej me ideologjinë komuniste dhe me drejtuesit e saj. Ai do të luftonte me armë në dorë kundër tyre, duke qenë një luftëtar i pandalshëm ndaj kësaj mortaje.

 

Me 28 nëntor 1945, qeveria komuniste duke përdorur taktikat e saj të pabesisë që të kapte kundërshtarët e vet që kishin mbështetje popullore me një amnisti të cilën e proklamonte me të madhe për zbatim... donte të arrestonte të gjithë kundërshtarët siç bëri me ata që e besuan...

 

Halil Hoxha nuk i besoi kësaj amnistie dhe nuk u dorëzua duke qëndruar në mal dhe duke u lidhur me Mark Gjon Markun dhe Muharrem Bajraktarin e Lumës.

 

Kështu, Halil Hoxha, me 2 shkurt të vitit 1946, do të ishte mysafir tek shpia e besës e trimërisë, tek Hoxhajt e Luzhës. Aty qëndrimi i tij do të dekonspirohej dhe forcat e ndjekjes dhe të terrorit komunistë do të rrethonin shtëpinë bujare e trime të Shaban Musli Hoxhës e të Demush Musli Hoxhës, këtu këta do të luftonin si trimat. Megjithëse forcat e kundërshtarit ishin shumë të mëdha, ata në pushkët e para do të vritnin një ushtarak në shkallët e shtëpisë, Hysni Hakiku.

 

Këtu fillon historia e besës dhe trimërisë së Hoxhajve të Luzhës, të trimave Shaban Muslisë e të Demushe Muslisë, që jo vetëm qëndroi përkrah Halil Hoxhës, por kurrë nuk pranoni që t’u dorëzoheshin kriminelëve komunistë. Besa për këtë familje ishte e shenjtë. As mikun e tyre Halilin, as vetë nuk do të dorëzoheshin, megjithëse brenda ishin gra e fëmijë, por për malësorët trima, besa dhe mbrojtja e mikut ishte mbi të, çdo gjë...

 

Forcat terroriste grumbulluan armatim të rëndë, në këtë situatë kur komunistët se kishin për gjë të zhdukshin të zhduknin të gjithë familjen. Atëherë burrat e mençur dhe trima vendosën që të shpëtonin gratë dhe fëmijët që të mos shuhej kjo familje. Kështu trimat e familjes Hoxha të Luzhës iu dorëzuan forcave të ndjekjes. Ata përfundojnë në burg të katër vëllezërit, konkretisht Shaban Musli Hoxha, Demush Musli Hoxha, Brahim Musli Hoxha e Adem Musli Hoxha. Nis kalvari i vuajtjeve dhe qëndresës për të mbijetuar për një periudhë 45-vjeçare, një periudhë tmerri e depersonalizimi për familjet qëndrestare e atdhetare,vetëm se deshën dhe mbrojtën besën e mikun, vetëm se besën e trimërinë e të gjithë fuqinë e saj morale politike e kishte vënë në shërbim të kombit.

 

Shaban Hoxha lindi në vitin 1903, më 10 mars, i martuar me 5 fëmijë. Po fëmijët e Shaban Hoxhës ishin Çelë Shaban Hoxha vdekur, Sylë Shaban Hoxha vdekur, Bajram Shaban Hoxha i gjallë, Aishe Shaban Hoxha, gjallë Nurie Shaban Hoxha gjallë. U rritën jetimë pa babain e tyre. U rritën në vuajtje, por kurrë nuk u mposhtën nga terrori komunist. I dënuari me vdekje në mungesë nga diktatura, Halil Hoxha, tek Shaban Hoxha do të gjente strehë e besë. Këtu fillon lufta e klasave, këtu nga Luzha do të dënoheshin dhe gratë e fëmijët e familjes Hoxha, të cilët mbasi u dorëzuan burrat, do t’i çonin në Tropojë të Vjetër, në burgun e nënprefekturës. Komunistët vendosin që t’u djegin shtëpinë, por fati deshi që dy kumarë të tyre, Halil Halili e Ali Alia, kërkuan që kjo shtëpi të mbetet shkollë për Luzhën dhe kështu u shpëtua shtëpia pa u djegur!

 

Po përkrah Halil Hoxhës e Shaban Hoxhës, qëndronte hijerëndë e i pamposhtur vëllai, luftëtari i paepur Demush Hoxha, i lindur në vitin 1919, i martuar, mbasi arrestohet me 2 shkurt, ai lë gruan shtatzënë dhe i lind një djalë që i vunë emrin e Demushit. Kur lindi Demushi i ri, kishte 6 muaj që babai i tij ishte pushkatuar. Demushi i ri do të përballej që në moshë të re me vuajtjen që shkaktonte regjimi i paskrupullt i komunistëve.

 

Nuk kishte të fryrë kuçedra komuniste me vrasjen e të atit, por do të dënonte dhe të birin Demushin, dhe më 4 shtator 1979 do të prangosej djali i trimit Demush Hoxhës e do të lirohej nga ai ferr në vjeshtën e vitit 1990 ku e kaloi në Spaç, duke lënë 6 fëmijë të vegjël në shtëpi, dy të vegjlit 6-muajsh. Dy vëllezërit e Demushit do të arrestoheshin në vitin 1986 në mars në muajin e pushkatimit të babait të tyre. Hakiu dhe Iliazi lirohen në vjeshtën e viti 1990. Familja e tyre do të shkonte në internim. Kalvari është i gjatë 45-vjeçar. Po a mund te duronte kjo familje diktaturën? Përgjigjja është jo... Vetë historiku i kësaj familje fisnike nuk ishte pajtuar kurrë me pushtuesit. Babai i Shabanit e Demushit në vitin 1911 ka bërë burg në Zhur të Prizrenit.

 

Në vitin 1918 austro-hungarezët e dënuan me varje Zeqir Bajram Hoxhën dhe në atë kohë u varën shumë trima të Luzhës e Bytyçit.

 

A pranonte Malësia e Gjakovës një regjim serb që fatkeqësisht quheshin dhe ishin shqiptarë, por vepronin si serbët ndaj shqiptarëve? Me 15 janar të vitit 1946, nën trysninë e pushtetit komunist, mblidhet në Tropojë të Vjetër një mbledhje e madhe e cila mori vendimin e Itifakut, që e gjithë Malësia nuk do të strehonte dhe ushqente armiqtë e popullit, të shpallur nga regjimi i Enver Hoxhës. Kur e pyesin në gjyq Shaban Hoxhën përse si kallëzuat shtetit komunist për Halil Hoxhën, ai si një tribun i besës do të përgjigjej: “Unë e kisha mik në shtëpi dhe miku nuk pritet në besë”.

 

Tre trima besëtarë e antikomunistë, Halil Hoxha i Bytyçit, Shaban e Demush Hoxha të Luzhës, mbasi një muaji në Kukës do t’i nxirrnin përpara trupit gjykues. Prokuror i dënimit të tyre ishte Aranit Çela. Me një fanagram të ardhur nga diktatori E. Hoxha, me 3 mars të vitit 1946, do të përshkoheshin nga plumbat. 65-vjeçari, antikomunisti, patrioti, Imami, Kapiteni i shtetit shqiptar, Halil Mahmut Hoxha, si dhe besëtarët, luftëtarët antikomunistë, vëllezërit dhe familjarët e mrekullueshëm të Luzhës, Shaban Hoxha e Demush Hoxha pushkatohen, kurse i biri i Halilit, Sulejman Hoxha, do të dënohej me 101 vite burg dhe si fis do të shkonin në internim. Do të dënoheshin Elez Hoxha e Beqir Hoxha. Sot trashëgimtarët e kësaj familjeje i kemi të arsimuar në vitet e demokracisë dhe funksione të shtetit shqiptar, si Hakiun, Mërgimin, Halilin e ri etj. Mbas 65 vitesh ata na apelojnë: Dënoni këto krime të komunizmit dhe punoni për dashuri e pajtim kombëtar. Ata nuk janë të qetë kur në mes nesh ka konflikte, ata e urrenin konfliktin ata deshën dashurinë njerëzore ata deshën Zotin, ata deshën besën, ata deshën Shqipërinë. Gjaku i këtyre trimave nga varri i përgjigjet atyre që pa i vrarë ndërgjegjja dhe sot luajnë të lirë e të pa dënuar nga drejtësia me këto vargje: Mos ma prek varrin!

 

Mos ma prek varrin o fytyrë e ndytë, mos bënë me gjakun tim politik, ik, ik prej gjakut e varrit tim, o i fëlliqur, o, hajdut..., hajn, rrugaç e shpirtprishur. Mirënjohjen për sakrificat që dhatë në shërbim të kombit dhe të qëndresës ndaj diktaturës, këto familje dhe për besën që patën, na sjell ndërmend fjalët e Dukë Ellington: “Ata lindën të varfër, vdiqën të pasur, por nuk plagosën asnjë gjatë rrugës së jetës së tyre”.

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page