top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Nje tjeter veper madhore e Petro Zhejit




Nga Agim Shehu



Para disa ditësh, miku im Petro Zheji më dhuroi librin e tij të ri, të cilin e lexova me një kënaqësi të madhe dhe njëkohësisht mbajta shumë shënime. Por, në këtë shkrim dua të paraqes mendimin tim modest lidhur me përmbajtjen dhe vlerat e librit, duke iu shmangur një analize shkencore të mirëfilltë për arsye kohe dhe shëndeti.  Në muajin tetor të vitit 2012 doli në qarkullim libri i ri i zotit Petro Zheji me titull: “Libri i aforizmave”, një punim voluminoz dhe me ilustrime e shembuj të shumtë. Libri është si një dhuratë e artë për shkencën shqiptare dhe më gjerë, botuar në vigjilje të 100-vjetorit të pavarësisë të shtetit shqiptar dhe në momentin e duhur kohor.


Shekulli XXI paraqet detyra të reja në punën shkencore, në edukim dhe kulturë, sepse janë propozuar dhe zbatuar teknika, teknologji, metoda dhe metodologji, mënyra të reja në zbatimin e proceseve shkencore dhe në edukim. Por, nga ana tjetër, mund të themi se deri sot nuk është bërë gjithçka që shkenca ka parashikuar, si për shembull mbi masat që duhen marrë nga përmbytjet e cunamet, nga tërmetet dhe rrëshqitjet e tokave, nga humbjet e biodiversitetit dhe ndotjet e mjedisit e shumë të tjera, por dhe me rritjen e vullnetshme të një popullsie të gjerë që ndikon në shkatërrimin e mjedisit etj. Të gjitha këto kanë bërë të domosdoshme përshtatjen e metodave të ruajtjes e të përdorimit optimal të resurseve natyrore, si dhe për një kuptim më të gjerë të proceseve mbi ndryshimet në ekosisteme. Ato dëshmojnë më së miri se rreziqet natyrore dhe ato teknologjike mund të ndryshojnë jetën dhe mirëqenien e miliona njerëzve në botë, të pasur e të varfër, madje brenda pak minutave. Prej këtej kuptohet se jemi akoma larg asaj që parashikohet dhe propagandohet, për të cilat ndonjëherë flitet me shumë pompozitet.


Në këtë kontekst, libri i autorit do të jetë me shumë  vlera në përdorimin e ti. Gjithashtu unë bëj pjesë në grupin e atyre njerëzve që besojnë në ripërtëritjen e ndërgjegjes dhe idealit kombëtar nëpërmjet edukimit dhe kulturës.


Autori i librit ka shfrytëzuar një literaturë të gjerë, përfshi këtu dhe librin e tij të mëparshëm “Shqipja dhe sanskritishtja”, botuar në vitin 2005 (pjesa e parë) dhe 2006 (pjesa e dytë). Por libri i ri është më i pasur në përmbajtje e me më shumë shembuj interesantë sepse diskutohet historikisht për probleme madhore nga fushat  e jetës njerëzore, siç janë shkencat, filozofia dhe teologjia. Veçori tjetër e librit të ri është se autori i ka shtjelluar mendimet dhe konceptet e veta në formë bashkëbisedimi të dyanshëm, ndërmjet personit(X), (i cili bën pyetje të shumta rreth problemeve që ngrihen dhe diskutohen) dhe personit bashkëbisedues (Y), (që përfaqëson autorin e librit), i cili shpjegon shkencërisht dhe bindshëm kuptimin dhe vlerat për çdo pyetje që i adresohet atij. Pikërisht në këtë  përgjigje, çdo lexues tjetër shikon me kënaqësi të madhe potencialin e admirueshëm shkencor dhe human të autorit të librit, që me të drejtë thekson rolin e madh të GJUHËS SHQIPE.


RËNDËSIA E LIBRIT


Përmbajtja e librit është shumë e rëndësishme sepse studion si botën materiale, ashtu dhe botën spirituale, prandaj në këtë paragraf do të përmendim disa prej tyre:


a) Rëndësia e aforizmave të ngritura mbi ekuacionet simbolike gjuhësore është e madhe dhe e shumëfishtë, sepse ato na lejojnë të gjejmë me një lehtësi të mahnitshme të vërteta të thella të shkencës, filozofisë dhe të teologjisë. Për të gjitha këto jepen shembuj të shumtë bindës, disa prej të cilëve të çojnë në misteret e algoritmit simbolik.


b) Është “matja” ajo që krijon sendin, ashtu si e perceptojmë ne, që do të thotë se dhe ne jemi bashkëkrijues të botës materiale.


c) Prania e algoritmit simbolik në gjuhë dëshmon për praninë e mendimit të lashtë mistik. Me njohjen e thellë të këtij mendimi dhe vizioni të të parëve tanë, nis dhe një gjuhësi e re dhe një shkencë e re e etimologjisë.


d) Autori i librit argumenton se bota ka një kufi të ekzistencës të saj. Ky pohim themelor i kozmologjisë  bashkëkohëse do të thotë se bota ka një kufi në hapësirë  (teoria e vrimave të zeza) dhe një kufi në Kohë (si fillim: teoria e Big Benit dhe si mbarim, teoria e Bing Crunch-it). Ndërsa bota spirituale është e pandryshueshme përjetësisht.


e) Në libër shpeshherë thuhet se mendimi mistik (këtu primitiv) është pikë takimi me mendimin shkencor të ditëve tona. Kjo do të thotë se fizika klasike që ka shpjeguar fenomenologjinë e botës materiale, sot nuk është në gjendje të shpjegojë asgjë, se nuk ka më atë moral që ka pasur më parë. Për rrjedhojë, edhe fizika kuantike nuk studion më materien, por frymën, botën spirituale.


GJUHA dhe BOTA


Autori i librit me të drejtë i jep rëndësi të veçantë gjuhës (të folur dhe të shkruar) dhe perceptimit të botës (materiale dhe shpirtërore), disa prej të cilave po i rendisim më poshtë: a) – Ka lidhje të ngushta ndërmjet fjalës dhe botës; – Zoti krijoi botën me anë të fjalës dhe mendimit: gjuha dhe mendimi janë në lidhje të ngushtë mes tyre; – Gjuhësia po zëvendëson filozofinë.


b) Fjala vepron si një simbol, jo si një koncept, sepse koncepti është një  referim një ndërmjetës, por jo përfundimtar. Në këtë aspekt, gjuha shqipe tregon më së miri aftësitë e jashtëzakonshme motivuese të saj, që e bën atë një gjuhë të veçantë, të thellë dhe të lashtë.


c) Është matja ajo që krijon sendin, ashtu si ne e perceptojmë. Që do të thotë: – Se ne jemi deri diku, bashkëkrijuesit e botës materiale; -Se është matja ajo qe krijon materialen, pra dhe çdo objekt material, real;


- Se të gjitha veçoritë e fizikës kuantike ne i gjejmë  vetëm nëpërmjet gjuhës dhe algoritmit simbolik, dhe jo vetëm në fizikë, por edhe në çdo fushë tjetër të dijes.


d) Prapa realitetit tonë material ekziston edhe një realitet tjetër i thellë, i vërtetë, absolut, jashtë kohës dhe hapësirës, që është realiteti spiritual dhe pa ndarje. Këto realitete trajtohen në librin e autorit me shumë shembuj konkretë dhe vërtetësie:


- Bota materiale nuk ka ekzistuar gjithmonë, d.m.th. se ajo është e krijuar dhe se nuk është e përjetshme. Pra fizika klasike është fizikë deterministe, ndërsa fizika  kuantike është fizikë e absolutit (e frymës së Zotit). Fryma është rrënja e materies.


- Themeli i gjithçkaje është ZOTI, se qendra e mistikës  është Zoti, e vërteta.


- Modeli holistik (3 përmasor) përbën një nga themelet kryesore të shkencës së re dhe të paradigmës të saj holistike:


- E ardhmja zbulon të kaluarën.


e) Arsyeja na jep vetëm një njohje të përafruar të së vërtetës të realitetit, të esencës dhe asnjëherë njohje të saktë, se është fjala e Zotit që na e jep me saktësi të plotë.


- Bota është krijuar nga mëndja njerëzore, se ajo është krijim nga një vërtitje dhe shkatërrohet nga një antivërtitje.


- Në botë nuk ka paqe të qëndrueshme, por ka luftëra të vazhdueshme.


f) Gjuha Shqipe përmban thesare e informacione shkencore aktuale:


- Autori i librit argumenton praninë universale dhe të domosdoshme të algoritmit simbolik në të gjitha gjuhët e botës, kështu që në nivelin më të thellë të gjuhës ekziston një gjuhë e zanafilltë dhe e mirëfilltë simbolike për të gjitha gjuhët, të reja dhe të vjetra, duke përfshirë këtu çdo aktivitet mendor shkencor, filozofik dhe teologjik. Edhe ky pohim themelor i kozmologjisë bashkëkohëse tregon se bota ka një kufi.


Në përmbyllje të këtij shkrimi mund të them se problemet që shtrohen në librin e autorit janë të shumta dhe të rëndësishme për t’u angazhuar dhe përvetësuar thellësisht e me përkushtim. Ky problem kaq i rëndësishëm me vlera tepër të çmuara dhe të domosdoshme, kërkon institucionalizimin e tij, me përkushtimin e duhur.


a) Temat dhe nëntemat e renditura në këtë shkrim, relativisht mund të konsiderohen si tema për t’u analizuar e vlerësuar veçmas, çka dëshmon për rëndësinë e madhe të përmbajtjes së librit në studim.


b) Si te gjitha shkencat, edhe kjo shkencë e re nuk është e pa varur, por e varur fort, në veçanti me disa prej tyre, për shembull me semiotikën, e cila studion simbolet, me holistikën etj.

 

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page