- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
NE RRETH TE KUQ
Nga Agim Hamiti

Bilal Xhaferri
Bilal Xhaferri u lind në fshatin Ninat të Konispolit më 1935. Ishte vetëm 9 vjeç, kur komunistët i vranë babanë si nacionalist më 1944. U rrit me vuajtjet e mirënjohura të jetimit në një kohë që krijonte me shumicë jetimë e vuajtje.
Inteligjent nga natyra, dëshironte shumë të arsimohej, por biografia politike ia kishte mbyllur dyert e shkollës. Me shumë përpjekje, arriti të mbaronte shkollën e mesme dhe punoi si teknik në Ndërmarrjen e Mirëmbajtjes së Rrugëve. Ra shpejt në sy talenti i tij për të shkruar poezi e prozë, por rrjeti i çensurës së rreptë linte t'i kalonin vetëm shkrime të parëndësishëm. Qëndrimi kritik i B. Xhaferrit ndaj poezisë së Kadaresë dhe ndonjë romani të shkrimtarit emblemë të realizmit socialist, ekspozoi për keq emrin e tij në sy të Partisë-shtet. Në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve më 1968, zv/ministri i Kulturës për kohën, Fadil Paçrami (i cili do të burgosej edhe vetë nga diktatura pas 5 vjetësh) u shpreh me shumë urrejtje ndaj Bilal Xhaferrit: «Ai flet me gjuhë armiku për librat e Kadaresë, se i kemi vrarë babanë».
Duke e kuptuar se emri i tij ishte vënë tashmë në rreth të kuq prej Sigurimit, Bilal Xhaferri u arratis atë vit dhe u vendos në SHBA. Në qytetin e Çikagos themeloi dhe drejtoi revistën e komunitetit çam me titull «Krahu i Shqiponjës», një organ që njohu mjaft sukses. Shkrimet e tij, në prozë e poezi, ndaj diktaturës shqiptare ishin shumë të ashpër e ngacmues për vetë diktatorin paranojak. Në vitin 1986 Bilal Xhaferri vdes papritur, në rrethana misterioze të pa zbardhura as sot, në një spital të Çikagos në moshë të re: vetëm 51 vjeç.
Shqipëri 1976
Vend i vogël,
Kohë e vogël,
Rracion i vogël.
Errësirë e madhe,
Frikë e madhe,
Mjerim i madh.
Dhe rrugëve të atdheut,
Si kukuvajka nën hënë,
Leh e ulërin "Gazi" 69.
Bilal Xhaferri "Krahu i shqiponjës", Nr. 3-4,1976.