- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Ne emer te popullit
Nga Ismail Kadare
(Gazeta Le Monde, 26 Prill 1985)
Në emër të popullit

Zoti Drejtor,
Nuk mund të mos jua shkruaj këtë letër pasi lexova në gazetën “Le Monde” artikujt e botuar ditët e fundit me rastin e vdekjes së udhëheqësit të popullit shqiptar, Enver Hoxhës. Është pa dyshim e drejta e gazetarëve tuaj të kenë mendimin e tyre mbi rendin shoqëror të një vendi, për idetë që ai mbron dhe për politikën e tij. Por është krejtësisht e padenjë që të fyhet një popull në çastet e zisë e të dhimbjes së tij, siç ndodh në artikujt e gazetës suaj. Populli shqiptar është një popull me histori të gjatë e të vështirë, prandaj ai e di më mirë përse hidhërohet, si ta shprehë hidhërimin dhe për kë duhet të mbajë zi. Emri i Enver Hxhës është i lidhur pazgjidhshmërisht me themelet, me historinë dhe me ndërtimin e Shqipërisë së re. Ja çfarë e përcakton madhështinë e figurës së tij, dhe, për pasojë, se sa i madh është hidhërimi. Për mua si dhe për kolegët e mi, ishte me të vërtetë e habitshme që gazeta “Le Mond”, duke mos u mjaftuar me disinformimet e këtyre shkrimeve abuzive, nuk mungoi t’i japë vend në këtë rast deklaratës së një krimineli të tillë, si birit të ish – mbretit Zog, të kësaj fantazme qesharake që kërkon të rikthejë në Shqipëri fronin monarkik, atë fron që Franca juaj e rrëzoi dy shekuj më parë, gjë për të cilën është me të vërtetë krenare. Vetëm keqdashësit mund t’i dëshirojnë Shqipërisë kthim mbrapsht të historisë së saj. Do t’ju isha mirënjohës po ta botonit këtë letër, në qoftë se kini mundësi. Ju lutem, zoti drejtor, sigurinë e konsideratës sime më të lartë.
Ismail Kadare