- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Ne do te behemi vellezerit e tij

Grigor Zaharia
Lulzim Brahja: Askush të mos luajë me njerëzit e përvuajtur e të përndjekur të regjimit komunist
Grigor Zaharia ish i persekutuar politik, ka lindur më 25 mars të vitit 1937. Ai ka një vendlindje, e cila është Çaçova e Përmetit, por gjatë jetës së tij ishte aq i varfër, saqë nuk do të ketë mundësi që të ketë një varr. Ai jetoi i vetëm dhe për shkak të moshës së dënimit, nuk arriti të krijojë familje. Për këtë arsye askush nuk interesohet për trupin e tij, që ndodhet në morgun e spitalit të Tiranës, qysh prej 10 ditësh.
Drejtuesit përkatës kanë vendosur t’i bëjnë një “nder”. Ata me një vendim të përbashkët që është marrë në ditën e vdekjes, kanë menduar që trupi i tij të përdoret si kavje eksperimentale, për studimet mjekësore, për studentët e vitit të fundit të Fakultetit të Mjekësisë, ose për ata që po mbrojnë masterin, apo doktoraturën.
Me këtë rast, të gjithë studentët dhe personalitetet e shkencës mjekësore duhet të njihen me jeten e këtij njeriu, mbi të cilin nesër do të përdorin bisturinë, apo eksperimentet kirurgjikale të doktoraturës.
Grigor Zaharia arrestohet si sabotator duke u dënuar me 12 vjet burg, të cilat i bëri përkohësisht në Spaç dhe pas një odiseje të gjatë e çuan në internim dhe në fund, në Elbasan, ku për shkak të mungesës së dokumenteve për akuza të rënda, atë e shpallën të sëmurë psikik. Kjo ishte pikërisht koha, kur gjendja e tij mendore ishte shumë e mirë dhe kur ai vetë kishte nisur mbledhjen e kujtimeve personale në një libër të vetin. Ndërkohë, qysh në ditën e arrestimit lidhja e tij martesore u anullua dhe u prish, përfundimisht. Pas viteve të demokracisë, Grigori mbeti pa strehë dhe pa alternativë jetese. Kështu ditë pas ditësh ai e kaloi jetën në një vetmi absolute. Para dhjetë ditësh ish i burgosuri politik Grigor Zaharia dha frymën e fundit.
Mos i persekutoni edhe te vdekur heronjte anti-komuniste
Skënder Tufa në emër të shoqatës së ish të burgosurve Politikë të Shqipërisë, i bën apel shtetit që të verë drejtësinë në vend dhe të mos lejojë persekutimin e mëtejshëm të ish të përndjekurve politike edhe pas vdekjes. Për këtë arsye ai kërkon nga shteti shqiptar, ose nga organet përkatëse të Bashkisë, që të marrë menjëherë situatën në dorë dhe të garantojë një varr, për Grigor Zaharinë. Ai shprehet i revoltuar se trupi i Grigorit nuk duhet t’i lihet organeve studimore të mjekësisë, si kavje për eksperimentime. “Boll ka vuajtur kur ishte gjallë, të paktën të prehet në një varr si gjithë të tjerët”.
Brahja: Marr përsipër të gjitha shpenzimet e ceremonisë dhe të varrimit
Nuk ka vonuar as një orë nga apeli i kësaj tragjedie, dhe ish i persekutuari politik Lulzim Brahja sapo e mori vesh këtë skandal, deklaroi se ai nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që njeri nga rradhët e ish të përndjekurve politike, të keqtrajtohet në këtë mënyrë. “Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Që tani jam gati të marr përsipër shpenzimet e plota të varrimit të tij, si edhe shpenzimet e ceremonisë, apo gjithçka tjetër që kërkohet me këtë rast”. Ai quan një akt barbarie, përdorimin si kavje, të trupit të një ish të dënuari politik, i cili nga ana e vet ka vuajtur gjatë gjithë jetës, për shkak të terrorit komunist. “Pavarësisht se ai nuk ka njerëz dhe pavarësisht se ai është i vetmuar, në këtë çast ne do të bëhemi vëllezërit e tij dhe do të kryejmë të gjitha detyrimet, që kryen vëllai brenda një familjeje. Ne nuk do të lejojmë që njëri nga vëllezërit e familjes së madhe të ish të përndjekurve, të lihet në mëshirë të fatit, duke ia futur trupin në kirurgjitë eksperimentale, pas vdekjes”.
Nga Ilir Bushi