top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

MOTRAT HEROINA


VISAR ZHITI


I dashur Muçi,


Duke Ju uruar gjithë të mirat në të gjitha, faleminderit që më nisët shkrimin tronditës për dy motrat e "Zërit të Amerikës" dhe vëllanë e tyre, Klementin e vrarë gjatë atij heroizmi për t'ua arratisur nga atdheu-burg i thurur me tela me gjemba.


Që kur e lexova shkrimin Tuaj dhe atë të zotit Mërgim Korça, po për këto dy motra heroina e vëllanë e tyre dëshmor, nuk më del nga mendja ai akt e tmerr dhe kumti që na jep të gjithëve ajo histori e gjallë.


Duke punuar dy motrat në “Zërin e Amerikës" në Zërin e Lirisë dhe të luftës për liri, ndjenim një lloj triumfi të brendshëm, një lloj drame shqiptare, me aktin e fundit në SHBA, moderne ndër kohë, një lloj subjekti i Kontit të Monte Kristos, por me "tragjizëm të kuq" midis, siç do të thoshit ju.


Kurse ky epilogu i tanishëm, pezullimi nga puna i dy motrave-emblemë pas 30 vjetësh në "Zërin e Amerikës" më trishton mjaft dhe nuk është pa kuptim, por me kuptim të keq, sipas meje, eh, s'di si t'ju them, i ngjan një shalli që shtrëngohet fort në fytin e Zërit të Lirisë shqip në SHBA-në e madhe, të ëndrrave... Pse ka ndodhur, ç'deshën të thoshin? Mosshpjegimi është shpjegim i zymtë për ne, për drejtësinë humane, invadim i ngadaltë i shpirtit vrastar të diktaturës, një hakmarrje e saj edhe pas rënies, përtej oqeanit, atje ku është trualli nga dalin kundërshtarët e mëdhenj të diktaturave, qytetarët dhe luftëtarët e demokracisë dhe të lirisë në botë.


Të shpresojmë tek më e mira, tek arsyeja dhe drejtësia humane, që gjërat të zënë vendin që meritojnë,


Miqësisht,


Visar Zhiti

 

Isabela Islami, Mustafa Xhepa, Zamira Islami

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page