top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Memorial shqiptaro-gjerman per krimet

   Nga Agron Tufa




Për herë të parë, 23 vjet pas rënies së komunizmit, kryeqyteti shqiptar inauguron të parin memorial për diktaturën. Memoriali është një instalacion objektesh në të hyrë të ish-Bllokut, në një trekëndësh lulishteje mu poshtë dritares së zyrës ku punonte diktatori Enver Hoxha dhe është quajtur “Postobllok”, si për të kujtuar se pikërisht nga ai vend, që ruhej me ushtarë shërbimi, ndalohej kalimi i lirë i qytetarëve.




Instalacioni i objekteve të Memorialit është konceptuar dhe realizuar nga piktori Ardian Isufi dhe ish-i burgosuri politik, publicisti Fatos Lubonja, në teknikën e ndërhyrjes postmoderniste në peizazh. Kjo ndërhyrje e estetikës postmoderniste e transformon peizazhin dhe e dallon atë, duke i vënë fort një spikamë funksionale, tërësisht ideologjike ku nuk është vështirë të kapësh shenjat e qarta të historicizmit të tij muzeal.


Drejtoresha e Institutit të shqyrtimit të diktaturës komuniste në ish RDGJ, dr. Ana Kaminskaja, kishte sjellë një fashë nga i famshmi mur i Berlinit, që dikur ndante jo vetëm Gjermaninë në dy pjesë, por shënjonte vijën e ndarjes së botës së lirë nga bota demokratike në Evropë, duke u shndërruar shumë shpejt për dekada të tëra në “perden e hekurt”, në lindje të së cilës gjallonte perandoria e kuqe e së keqes.


Tashmë ky Memorial mbetet pjesë historike e dëshmisë, e ekspozuar në përditshmërinë tonë dhe e hapur për të gjithë kalimtarët të meditojnë mbi natyrën e regjimit totalitar përgjatë gjysmë shekulli. Elementët që e bëjnë funksionale idenë e të shkuarës komuniste dhe influencojnë mbi njëri-tjetrin, janë simbolet-metafora: një hyrje e galerisë së burgut të Spaçit, një bunker ekzistues dhe muri, të cilët, të vendosur në platforma betoni, mermeri dhe qelqi, krijojnë një atmosferë shtypëse, asfiksie dhe ngujimi mes barit të blertë dhe gjelbërimit të pemëve në perspektivën e parkut. Muri berlinez jep në këtë marrëdhënie idenë internacionaliste të diktaturës komuniste në botë, ndërsa bunkeri ekzistues është një variant origjinal e tipik i komunizmit izolacionist shqiptar.


Ajo që është për t’u përshëndetur, një shenjë e mirë dhe serioze e reflektimit mbi kujtesën është gjesti me domethënie inkurajuese që, më së paku thyen një tabu: Bashkia e Tiranës tregon se është e hapur për iniciativa personale me qëllim që përvojën e hidhur të diktaturës ta shndërrojmë në vetëdije historike për brezat. Ish-i burgosuri politik, shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja, dhe artisti i ri Ardian Isufi na kanë dhënë me këtë realizim organik 3 simbolet e shtypjes dhe dhunës totalitare në Shqipërinë komuniste: hyrja e Galerisë, Muri dhe Bunkeri. Janë tre elementë që simbolizojnë izolimin, asfiksinë dhe ngujimin. Që të tre elementët janë simbole-metafora të ishullimit tragjik gjysmëshekullor të vendit tonë. Është me vend të theksohet se koordinata ku është vendosur ky instalacion objektesh-simbole, i quajtur “Postobllok”, është mjaft i gjetur e funksional: “Blloku” me rezidencat familjare të ish-udhëheqjes komuniste është toponimi më i urryer i dhimbjes popullore nën diktaturë.


Në simbolikën e këtyre 3 objekteve është ngërthyer gjithë historia e Shqipërisë komuniste; muret hermetike të burgjeve e kampeve të përqendrimit, grykat përpirëse të Galerive që përthithen rininë dhe vitet më të mira të jetës së të burgosurve politikë, dhe kupolat e qindramijëra bunkerëve si apoteoza e marrëzisë absurde që kaloi Shqipëria.


Por, duke marrë shkas nga inaugurimi i këtij Memoriali, unë shpresoj fort në një mirëkuptim të përgjithshëm midis kreativitetit të lire intelektual dhe mbështetjes së politikës dhe ekzekutivit të saj, se memorialë të tillë janë të domosdoshëm dhe të natyrshëm në një vend ku e shkuara gjakatare ende nuk është përforcuar me shenja të kujtesës.


Në mungesë të këtyre shenjave memoriale, në mungesë të reflektimit historik dhe përgjegjësisë ndaj saj, kemi parë të ringjallen herë pas herë orekse të përbindshme nostalgjike për kohën dhe figurat kyçe të diktaturës. Ne kemi përgjegjësi ndaj bashkëkohësve dhe sidomos ndaj brezave për të thënë e dëshmuar se çfarë ka ngjarë dhe, ajo çfarë ka ngjarë, të mos zbehet sikur ka ndodhur në epoka të lashta. Kujtimet dhe plagët janë ende të freskëta! Por ne e dimë mirë dhe historia e jep shpesh një mësim të hidhur: Kush përpiqet t’i ikë tmerrit të së kaluarës, atë tmerr e ka veçse përpara!


Shqipëria ka nevojë të çlirojë kujtesën e vet nga pengjet e pathëna, ka nevojë të çlirohet nga “burgu i historisë”, për të vendosur paqen dhe mirëkuptimin e saj politik dhe shoqëror. Unë mendoj se ne e kemi potencialin tonë intelektual e shpirtëror për një reflektim e katarsis të tillë! Vetëm kjo do të na bëjë qytetarë të lirë! Vetëm kjo është mënyra e shpëtimit si për martirët ashtu edhe për persekutorët. Rrugë të mesme nuk ka, ose më saktë, rruga e mesme na largon nga Evropa!

 

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page