top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Me eksplozivin e Dritero Agollit...

Nga Dr. Albert P. Nikolla

 

     Ndër zërat e shumtë që janë prononcuar rreth fatit të piradimës, ai i Dritëro Agollit më nxiti edhe për këtë shkrim. Fanatizmi i pozicionit aktual të Zotit Agolli, martohet mirë me pozicionin që ka pasur vepra në sistemin kriminal komunist. Ky vend, gati i shenjtë, që "plaku i letreve komuniste” ka zënë edhe sot në publicistikën shqiptare, si një zë i fuqishëm që vjen nga e kaluara, në një pjesë të mirë të tij i detyrohet edhe kontributit të disa mediave, të cilat shpesh here shprehen me një përvujtëri dhe gati nënshtrim për “veprën e tij të madhe”.

     Këtë fakt e kam parë përherë si bashkëjetesë kulturore tonën me të keqen., meqënëse Z. Agolli nuk e ka marrë asnjëherë mundimin të ndërmarrë një pendesë serioze për ndihmën që i ka dhënë sistemit kriminal komunist. Jo vetëm kaq, hera herës, sapo i cënohet idhulli i tij, Enver Hoxha, e nxjerr kokën dhe përpiqet që të godasë sërish secilin që përpiqet të eliminojë simbolet që lidhen me të kaluarën e tij.

     Më shumë se sa të mbrojë piramidën si të tillë, Z. Agolli mundohet të mbrojë atë piramidën kulturore dhe ideologjike më të cilën është mbrujtur. Në botimin e vitit 1977, “Fjala gdhënd gurin” ai shkruante:

     “Për Enver Hoxhën këngë thur tërë jetën / se nëna ime bukë i dha me dhallë/ me të në dhomën pa tavan ne fjetëm / na puthi ne fëmijët mu në ballë” 1.

     Mirëpo, në të njëtën vepër gjejmë edhe diçka tjetër që ka të bëjë tashmë me argumentin e piramidës. Megjithëse kur është botuar ky libër piramida nuk ishte ndërtuar, gjejmë qëndrimin e tij për ndërtesat komuniste:

     “Ne komunistët jemi aq modernë / Ne komunistët jemi novatorë / Modernë janë korpuset që ngremë / Dhe novatorë ç’fryte nxjerr kjo dorë” 2.

     Pra çdo ndërtesë e bëra nga komunstët është gati gati diçka e shenjtë që duhet mbrojtur dhe Dritëroi post-komunist në gazetn Shqip të datës 28 tetor 2010 na jep të njëtin mesazh veçse paksa të formuluar ndryshe: “Të transformomjmë godinën e kohës dhe jo të shembim godina”3 .

     Premtimi i tij, besnikëria dhe dashuria për Enverin, është tejet solemn. Gjithçka që është ndërtuar në Shqipëri, sipas Agollit, për rrjedhojë edhe piramida është një vepër e Arkitektit të Madh të madh pas vdekjes. Kështu fillon edhe dhimbja që provon Agolli kur dëgjon idenë e prishjes. Shprehet Agolli për Arkitektin e Madh të piramideve anembanë Shqipërisë:

     “Enver Hoxha ...dhe , si arkitekt i tipit te ri, në balle të komunistëve dhe të popullit iu përvesh luftës dhe punës për ta ndërtuar të re Shqipërinë, të re me njerëz të rinj4 ”.

     Pra Enveri ndërton gjithçka por bashkë me to edhe modelin e njeriut të ri, ku një shëmbull klasik përfaqëson vetë Agolli. Me shumë se Piramidën, duhet të shkatërrojmë modelin e njeriut të ri, po ec e ndaje njeriun e ri nga Piramida... Sepse kjo e fundit është laborator i prodhimit të njeriut të ri. Shkatërrimi me eksploziv i së vjetrës duhet të bënte që mbi gërmadhat e saj të ndërtohej njeriu i ri:

     “Mësimi i shokut Enver Hoxha se «Njeriu i mirë duhet të ndërtohet në libër dhe të paraqitet në skenë me thjeshtësinë e tij, për arsye se në thjeshtëainë e tij spikatin të fuqishme virtytet më të mira, të cilat nuk duhet të idealizohen, pse «hero» të përsosur nuk mund të ketë në jetë»”5 .

     Z. Agolli e di se po mbron diçka të shëmtuar dhe thellësisht simbolike të komunzimit dhe këtë e ndjen që në fillim të intervistës që jep: “Unë e di qartësisht dhe e di mirë, se pas kësaj bisede që po bëjmë do të thonë se autori ka nostalgji për kohën e komunizmit dhe veçanerisht për Enver Hoxhën” 6. Kjo intervistë e tij legjitimohet dhe mbështetet nga “prestigji” i Z.Agolli i cili, si ikonë e letërsisë së shëmtuar komuniste na thotë se është kundër mendesisë së shëmbjeve dhe se, edhe gjatë kohë së komunizmit, janë bërë gabime në shëmbje. Lind pyetja kush i frymëzonte shëmbjet gjatë kohës së komunizmit: përgjigjen na e jep poezia me eksploziv e z. Agolli:

     “Nga shekujt në shekuj në gji koncentroi Shqipëria / Të mbledhur pikë për pikë atë eksploziv madhështor / Që ende s’e kishte shënuar në librat e saj historia / Atë eksploziv që gjëmoi në nëntor / Atë esksploziv komunistët ja vunë botës së vjetër / Në gjoksin e kalbur nga plaga tuberkulare / Nga kolla që hapte mikrobet në shtratin e vdekjes / Ia vunë pa pasur mëshirë nga lutjet lajkatare” 7.

     Kjo është një thirrje e drejtpërdrejtë e D. Agollit për të shkatërruar gjithçka me eksploziv nga komunistët. Tani, pa pikë ndrojtje, në intervistën e datës 28 tetor thotë që ishte gabim të hidheshin ndërtimet në erë. Dhe madje arrin deri aty sa krahason politikën e sotme me talebanët dhe ndërtesat e komunizmit me kishat e krishtera: “Edhe në Afganistan talebanët i prishën të gjitha objektet e krishtërimit dhe ato të mëparshmet, çdo gjë e hodhën në erë” 8.

     Ky autor, që gjithë veprën e tij e ka quajtur militante dhe ka bërë thirrje që çdo shkrimtar në Shqipëri të shkruajë vetëm vepra militante shkruan në Rruga e Partisë:

     “Problemi i misionit të letërsisë dhe arteve në shoqërinë tonë është i madh, si nga na teorike ashtu edhe nga ana praktike, prandaj është e domosdoshme që të trajtohet më gjërë edhe nga studjuesit edhe nga vetë krijuesit. Ky problem ka lidhje të ngushtë dhe është i pashkëputur nga njohja e jetës, pasi sa më shumë të futemi në të, aq më të vërteta dhe militante do të jenë veprat tona” 9.

     Militantizmi është gjëja më e shëmtuar e një letërsie, është armiku estetik i saj, jo vetëm kaq, është edhe elementi shkatërrues i saj pasi në bazë të mungesës së militantizmit në art janë dënuar me qindra artistë të vërtetë shqiptarë në kohën kur ky personazh ishte Kryetar i Lidhjes së Shrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

     Edhe vetë veprat letrare z. Agolli i klasifikonte si më të mirat ato që janë ngjizura me idealiet komuniste10 . Në çdo rresht të analizës së tij përgjatë gjithe publicistikës së tij (ose më saktë fletë-rrufeve artistike), gjen referencat e Enver Hoxhës mbi çdo problem që trajtohet. Gjithë karriera e tij sidomos në kupolën e artit të asaj kohë mund të quhet pa frikë “pakti me djallin”, gjë për të cilën ai nuk ka shfaqur kurrë asnjë ndjenjë të thellë pendese.

     Nën atë pushtet politik, ku lulëzontë vepra artistike e Agolli janë varur poetë, janë pushkatuar shkrimtarë e artistë. Prandaj nuk ka më vend për indiference kundrejt këtyre personave që nuk morën asnjëherë përgjigje. Pikërsiht për këtë guxojnë, kur gjejnë momentin të nxjerrin kokën, të mbrojnë simbolet e së keqës me qëllim për t’i përjetësuar ato.

     Piramida si ndërtesë mund të mbijetojë, por përpara të na sigurojnë se bashkë me të nuk do të mbijetojnë edhe grimcat e fundit të mendësisë komuniste, që ndonëse të vogla, kanë po të njëjtin efekt të atij eksplozivit të Agollit. Ndoshta ka piramida të tjera të cilat duhen shkatërruar më me ngut, ato që u ngritën sipas mësimeve të letrave komuniste dhe i dhanë jetë Piramides në fjalë.

__________________________________________________________

1.Agolli. D. 1977. “Fjala gdhend gurin. Poezi”. Sh. B. Naim Frashëri. f. 216

2.Po aty. f, 225

3.Gazeta Shqip. 28 tetor 2010. f, 11

4.Agolli. D. 1987. “Jeta ne Letersi”. Sh Botuese. N. Frasheri, f, 119 - 131

5.Rruga e Partise. 1979. N. 7. Agolli. D. “Letersia dhe artet – para detyrash me rendesi”. f, 55

6.Po aty, f.11

7.Agolli. D. 1977. “Fjala gdhend gurin. Poezi”. Sh. B. Naim Frashëri. f. 249

8.Gazeta Shqip. 28 tetor 2010. f, 11

9.Ruga e Partise. 1975. N. 3. Agolli. D. “Per nje zhvillim te meteshem te letersise dhe arteve tona”, f, 55

10.Po aty, 55

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page