top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Mbytja e te panenshtrueshmit

  

Havzi Nela



Nga Petrit Palushi



Barbaria staliniste mbi poetin Havzi Nela



Më 10 gusht 1988, në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më mizore dhe më të shëmtuara të regjimtarisë komuniste, një "arenë vdekjeje", siç qe shprehur dikur Neruda: Këputja e frymës së H.Nelës, sfidantit të gjithkohshëm, njeriut me guxim të madh civil dhe të pajisur me frymën e epërme të qytetarisë, me mbindjesinë e revoltës ndaj moralit të amoralshëm, ndaj normave të shformësuara të diktaturës. Pikërisht, mbytja e të panënshtrueshmit dhe jokonformistit Havzi Nela, ëndërrimtarit dhe luftëtarit të lirisë, njeriut të profilizuar ndjeshëm si luftëtar antidiktaturë, më saktë, marrja e frymës së tij, qe një prej akteve më cinike të regjimtarisë komuniste, një primitivizëm dhe humbje e ndjeshmërisë deri në fijen më të imët.


Krimi ndaj Havzi Nelës, ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm lirik, mësuesit, poetit, këngëtarit, veprimi i mizortë i diktaturës ndaj tij m'u në prag të shpërbërjes dhe dekompozimit të saj, është pa dyshim, një nga dëshmitë më tronditëse se si mund të vepronte diktatura mbi njeriun që kërkonte liri dhe integritet, ndërsa, në tjetrën anë, është paraqitja e përnjëmendtë e fytyrës së terrtë të saj dhe një nga aktakuzat më të ashpra ndaj një regjimi primitiv nga më t'egrit n'Evropë.




I ndëshkuari rëndshëm i 10 gushtit 1988, vizionari modern H.Nela, qysh më herët kish kërkuar t'i ikte hakmarrjes dhe shoqëria të ecte sipas normave civilizuese, por vdekja tragjike e ndërpreu atë të shihte dritën e lirisë dhe mu në zemër të ferrnajës as foli dhe as shkroi me mllef, por me padurimin e njeriut që priste ndryshimin e madh.


Do të kalojnë vite e dekada dhe askush nuk mund të justifikojë apo ta mbrojë një veprim të tillë, që ka të bëjë me ndëshkimin fatal që iu bë H.Nelës në vitin 1988. Tashmë, dokumentat provojnë se janë shkelur edhe rregullat më elementare të një procesi hetimor dhe gjyqësor dhe kjo s'mund të shpjegohet si një mendjelehtësi e atyre që kryen një akt të tillë, por ata vetë, jetëmarrësit e H.Nelës, qenë pjesë e barbarisë staliniste që ushtrohej tek një popull i pambrojtur.


Veprimi ndaj H.Nelës është demonstrimi më i hapur i një regjimi nazist dhe s'mund të ketë shpjegim tjetër, kur po të shohësh me vëmendje materiale të procesit hetimor dhe gjyqësor, lehtë mund të vëresh se sikur ka një padurim për të mbërritur në cakun e fundit të këtij procesi: në mbytjen e H.Nelës. Të gjitha veprimet të çojnë në atë të pikë të fundme dhe që ka të bëjë me marrjen e jetës me mjete të kohës së Mesjetës, por që njëkohësisht japin më së miri fytyrën e shtetit stalinist, të Ramiz Alisë në gusht të 1988. Mendoni vetëm pak se vetëm një vit më vonë do të shembej Muri i Berlinit, ndërsa dy vjet më vonë nga ai gusht i '88 do të përmbysej regjimi stalinist në Shqipëri; me një veprim të tillë makabër regjimi në fuqi përcillte mesazhin se qe një regjim i barbarisë dhe sikur erdhi në fuqi, me të njëjtat mjete mesjetare (barbare) do të përpiqej të rezistonte, derisa të largohej nga skena e historisë.


Kësisoj, vrasja e H.Nelës qe një ndëshkim i pastër politik. Një vrasje e shëmtuar politike e tipit nazist. Ngado që ta largosh çështjen në fjalë, ajo vrasje qe shëmtia e një regjimi në prag të dekompozimit, një nga historitë më tronditëse të regjimtarisë staliniste në Shqipëri.




Procesi gjyqësor ndaj tij u deformua tragjikisht dhe në rast se ndonjëherë do të rihapet (rishqyrtohet) procesi gjyqësor ndaj H.Nelës, jam krejt i bindur se banda shtetërore që dërgoi në litar poetin martir do të dalë krejt e zbuluar.

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page