- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Lubia lindi e ngordhi
Nga Edison Ypi

11 PRIDH
Inteligjent ?
S’mbaroi dot, asnjë shkollë s’mori dot, asnjë diplomë.
Gjuhë të huaja ?
Përveç gjuhës së gjarprit, asnjë gjuhë tjetër nuk dinte. Ca që e kishin dëgjuar të mbllaçiste dy llafe frëngjisht, të nesërmen kishin zbrazur zorrët me gjithë brendinë e stomakut të një viti.
I kulturuar, i edukuar, erudit ?
Aq sa, ata që e njihnin dhe e dinin sa i tillë ishte, i vrau të gjithë.
I ftilluar ? Sa ngatërronte babanë me xhaxhanë, kjo jo për faj të tij.
I njohur në botë ? Po. E njihnin ca zhaba nga Amerika Latine dhe Azia, atje kryetarë partish, këtu fshehur në brima minjsh. Zhabat, “miq të partisë”, me Komitet Qendror, me zyra, me anëtarë, me elektorat, me simpatizantë, me të gjitha, kishin vetëm veten. Kurrkush tjetër në botë nuk e dinte se ekzistonte. Ose disa e dinin që ekzistonte, por vetëm si një mi që vegjetonte diku në Ballkan..
Patriot ?
Shuuuuumë ! Nga krejt trualli shqiptar, patriot, atdhedashës, atdhetar, atdhevrasës, atdhepërgjakur, patriot vetëm i madh vetëm për ato katër pllakat e dyshemesë ku vinte këmbët.
E donte kosovën ?
Po. Kosovën dhe kosovarët i kishte aq xhan sa për dhjetra vite për Kosovën gjysmë llafi s’e tha. Për kosovarët, ehu, s’kishte kohë për Ata, i kishte duart e zëna të përgjakura me Këta. Të përmalluarit që vinin më kët’ anë, i rrihte dhe i burgoste rregullisht. I kishte njëlloj të dashura të dyja majat e mprehta të shpatave të partive respektive, edhe Sigurimin e këtejshëm, edhe UDB-në e përtejshme. Kosovën e bëri sikur të ishte në Polinezi. Më mirë, madje shumë më mirë kosovarët e Titos e njihnin dhe e njohin Shqipërinë, se sa shqiptarët Shqipërinë.
Për vrasësin më të pamëshirshëm të shqiptarëve në krejt Historinë e Shqipërisë, Maqedonia perëndimore e një milionë shqiptarëve nuk ekzistonte fare. Ka sot shqiptarë të Shqipërisë që të thonë se Struga ndodhet në Kosovë dhe Podujeva në Serbi.
Burrë?
As vetë s’e mori dot vesh kurrë nëse ishte grua, apo burrë.
Burrë shteti?! Lëre mos e nga, goxha. Krejt vendin e mbushi me pellgje gjaku dhe bunkerë frike. Administratën me shushunja, tutkuna, sorollopë, mjelëse, mbjellëse, korrëse, saldatorë të dalluar, karrocierë të përparuar.
Vëllazëroi shqiptarët latinë me sllavët e stepave të bizantinisë dhe kinezët e orizit të urisë.
Trim ?
Dhjetëra vite fshehur si krimbi nën gurin e lagësht me gjak.
I besës? I vrau të gjithë shokët pas shpine. Krejt historia e tij është me; kujt ia futi, kujt ia qiti, cili mbeti cili ngordhi.
Ndërtimtar ?
Si ai! Ndërtoi rrugë me skllevër, me biografi të keqe, të cilët i shpërbleu sipas parimit “Bukë e grosh e shkëmb”. Rrugët i bëri të ngushta dhe të përdredhura, që të mos shërbenin si aerodrome për aeroplanë ushtarakë të ardhur nga Marsi, që do pushtonin Shqipërinë. Pa llogaritur bunkerët, ndërtoi edhe diga, nën të cilat varrosi më tepër jetë njerëzish, se metra kub beton. Për çfarë?! Për ta elektrifikuar Shqipërinë me nga tre-katër llampa 40-vatëshe për shtëpi. Pjesën e mbetur të energjisë e shpenzonte në varrezën më të madhe të planetit, në furrat elektrikë të Kombinatit Metalurgjik në Elbasan për funksionimin e të cilit qymyrin e merrte me vaporra nga Polonia. Lëndën e parë, mineralin e hekurit, i cili, as njëqind kilometra nga Elbasani ndodhej në aq miliarda tonelata, me këshillën e vyer të vëllezërve kinezë, shkonte e merrte, me vaporra dhjetë mijë kilometra larg në Brazil.
Bujqësinë e bëri “Çështje të të gjithë popullit”. Pra “çështje”, jo produkt për të ngrënë populli. Produktet e bujqësisë i shiste për pesë lekë të mos ngordhte urie proletariati i Gjermanisë dhe Belgjikës në mënyrë që me atë proletariat të bënte ushtrinë e sumës për revolucionin botëror të dhunës, që do ta udhëhiqte ky kafsha.
Arsimdashës ?
Posi, posi ! Ngriti gjithë ato shkolla, universitete e fakultete kot më kot. Ka ende sot shqiptarë të arsimuar, që kujtojnë se Shqipëria është qendra e botës dhe ka inxhinierë të diplomuar, që nuk dinë as teoremën e Pitagorës.
Naftën e nëntokës e kërkonte dhe e gjente me lupë mbi tavolinën e punës, rrethuar nga një tufë ekspertësh, të cilët i burgoste a i vriste të nesërmen.
Me këto bunkerë, rrugë, diga, naftra e pasuroi aq shumë vendin, sa me një petë çamçakëz mund të zhvirgjëroje cilën të doje.
Për shembjen e kishave dhe xhamive s’pati asnjë përgjegjësi, asnjë faj. E jo vetëm s’pati faj, por edhe na mbeti pak i revoltuar, sepse u bë me iniciativën dhe zellin e tepruar të djeshëm të disa demokratëve të sotëm.
Familjar, prind, edukator ?
Ptu ! Lindur për të urryer e për t’a urryer, në pafundësi e në përjetësi. Diabetiku diabolik la pas ca kërcunj, ca budallenj, të cilët tani po na rrëfejnë histori të krrupta familjare, gjirizore, ramizore.
Gëzojuni o shqiptarë kësaj date të bekuar kur ngordhi një përbindësh i shëmtuar!
Të gjithë! Edhe ata që kanë lindur para tre mijë vitesh, edhe ju që jeni gjallë, edhe ata që do lindin pas një mijë vitesh.
Ti, i lodhuri, i sëmuri, i plakuri i internimeve e burgjeve, ti e ti e ti tjetri, e shumë e shumë të tjerë, që rrëke lotësh të nxehtë ua çanë faqet për dhjetëra vite.
Gëzohu ti o fshatar, se një copë tokë e ke! Gëzohu edhe ti malësor, se një shtëpi e ngrite! Edhe ti tjetri malësor, që nuk e ke ngritur ende shtëpinë, gëzohu, se sigurisht do ta ngresh !
Falënderoje këtë datë edhe ti nostalgjiku i pakurueshëm. Në mos për tjetër, meqenëse gënjeshtra deshe, gënjeshtra kishe, gënjeshtra ke. Atëherë nuk i dije, tani po i lexon nëpër gazeta më nge.
Lumnohu edhe ti o komunisti i pandreqshëm! Një parti kishe, tani ke disa. E jo vetëm parti. Ke edhe të tjera arsye. Po hyn e po del “jashtë shtetit”, po bën biznes, je pasuruar. Po sytë në ballë nuk i ke?! Nuk sheh se më tepër se “anëtar partie”, grataçiela po ka ?!
Nderoje këtë datë fatlume ti o zagar langua, ti o lehëtar i thashethemeve të kafeneve, shpifjeve, shpikjeve të pseudonimeve. Me gjith’ atë talent që ke, po të mos ishte kjo datë, sigurisht sigurimist, hetues a prokuror do ishe.
Gëzohu ti i urti, që me shpirt ndër dhëmbë durove, prite!
Gëzohu edhe ti budallai që sa duket edhe ministër mund të bëhesh.
Gëzohu o analist pa “ist”. Gëk s’të linte të bëje. Tani, e di vetë ti, veç nxi e nxi e nxi. Shih mos të shpëton pa nxirë ndonjëri që punon !
Ti adoleshenti që më ‘90-ën s’kishe lindur, lexo mbi libra ! Rrëqethu duke mësuar si kafshonte një kuçedër. Mos harro kurrsesi ! Gëzohu që ngordhi, më s’është, e më s’do vijë.
Mos e humb shpresën emigrant! Sado të këqij të duken këta tani, s’munden me qen sa ai lubi.
Ngushëllohu o i papunë! Ezhdërhaja të rraste në burg me nenin “Për papunësi”. Ik piq tulla, a qerpiça mbi ndonjë kodër. Po s’di a s’do, ngordh edhe ti, s’ka demokraci që të bën derman ty.
T’i marrsha t’ligat ty o ndërtimtari “pa arsimin përkatës”. S’ke punë me lubinë. Gëzoje dhe shfrytëzoje lirinë! Kusur mos i lër! Vazhdo punën! Ndërto rrugë, grataçiela, ura ! Harroje arsimin po t’them! Ke talentin, ke energjinë !
Ishte thjesht një bandit me dinamit në brez hipur mbi një autobus për ta plaçkitur. Kaq e vetëm kaq dhe kurrgjë tjetër.
11 Prilli, festë për banditin e autobusit? Jo, jo ! E keni në zemrat tuaja.
Iu djegshin eshtrat, iu djegshin lugatit, që erdhi nga ferri dhe i bëri shqiptarët me keq se kanibalët, se edhe ata nuk e hanë njëri - tjetrin brenda katundit. Merrini, hidhuani qenve ato eshtra. Po nuk i hëngrën, flakini nën akujt e Polit të Veriut a të Jugut. Nëse edhe atje nuk jeni të sigurt se do zhduken, bartini mbi ndonjë anije kozmike, hidhini brenda ndonjë Vrime të Zezë të universit nga ato që përpijnë gjithçka, nëse do t’i pranojë edhe ajo. Nëse nuk do t’i pranojë Vrima e Zezë, flakini kockat e zeza të katilit në kozmosin e zi, në ndonjë orbitë të largët të paarritshme nga asnjë teleskop.
Iu gërrymtë shpirti iu gërrymtë !
Gëzohu o i duruar, ngushëllohu o i dëshpëruar i lotëve, që ende s’të janë tharë! Lubia lindi e ngordhi mes nesh, por i yni kurrë s’ish.