- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Lluka Qafoku
Shqipëria komuniste dhe postkomuniste
Shqipëria u krijua si shtet mbi një territor që prej shekujsh kishte qenë vend periferik, kufitar i Perandorisë Osmane-jashtë vemendjes për zhvillim, (jashtë rrugëve tregëtare) dhe nën presione të skajshme për asimilim dhe islamizim, edhe për shkak të varfërisë së imponuar dhe prirjes mercenare si tipar nacional. Këtu prej kohësh sundonte injoranca dhe etika fshatare, e kuptuar kjo si rezistencë ndaj qytetërimit, që shihej dhe si rrezik për çkombtarizim. Rilindja kombëtare arriti vetëm një mrekulli të plotë: rilindjen e gjuhës së shkruar. Shteti i pavarur (1912) lindi i coptuar dhe i projektuar nga Fuqitë e Mëdha nën kujdestarinë e armiqve, me justifikim rrezikun islam për Evropën. Atë pothuaj e shpërbëri L. I Bot., por falë vullnetit të popullit dhe ndryshimit të koniukturave pas saj arriti të mbijetojë.
Vitet 1920-1939 krijuan rrënjët e një shteti me synim perëndimor, po aq psh sa Siria dhe Libani, por në terren më të pafavorshëm gjeopolitik dhe nën presionin gjeopolitiko-ekonomik të fqinjve të preferuar nga Fuqitë e Mëdha që bllokonte zhvillimin qytetar (borgjez-kapitalist). Vitet 1939-1944, të pushtimit italo-gjerman, konsoliduan disa struktura shtetërore, ekonomike e kulturore, por ishin të pamjaftueshëm për konsolidimin e infrastrukturës qoftë fizike qoftë shoqërore të shtetit.
Komunizmi në Shqipëri e pati fare të lehtë, edhe për arsye të shkatërrimit të koniukturës së Fuqive Qëndrore, të mashtronte popullin, kryesisht fshatarësinë, dhe ta bënte atë të vetëshkatërronte shtetin juridik ato pak struktura të dobta ekonomike që ishin krijuar.
Klika e projektuar dhe ngjizur me shkesira nga jugosllavët, në përbërje të së cilës u përdorën pa mëshirë elementë të klasës së mesme pikërisht për ta shkatërruar këtë klasë në Shqipëri, u edukua thjesht për të mbrojtur me çdo kusht pushtetin e grabitur. Nëpërmjet mundësimit të këtij synimi arriheshin gjithë objektivat e fqinjëve armiq për bllokimin e sabotimin e gjithë zhvillimit të popullit e të shtetit shqiptar dhe nxjerrjen e tij jashtë konkurrencës politiko-ekonomike rajonale. Metodat terroriste për eliminimin selektiv të personaliteteve profesionistë, borgjezisë qytetare kryesisht kristiane dhe klerit asgjësuan rezistencën e brendshme nacionaliste. Refrenet e detyruara të demagogjisë ideologjike bllokuan çdo zhvillim të ndërgjegjes shoqërore. Bllokimi i mediave të huaja dhe asgjësimi që në lindje i çdo tentative politike apo kulturore të brendshme me një sistem të fuqishëm spiunazhi mbështetur dhe mbi përçarjen, injorancën dhe provincializmin e trashëguar, çuan në krijimin e një sistemi shoqëror sui generis konceptuar në hapësirën shoqërore si burg izolimi dhe kamp pune me tre kate, dhe në kohë me sakrifikime periodike 5 vjeçare nëpërmjet “luftës së klasave”, ku “të deklasuarit” krijoheshin nga “informacionet” dhe “kallzimet” e pafiltruara profesionalisht nga Partia e personalizuar (kapur) klandestinisht. Konspiracioni ishte mënyra e vetme e mbijetesës dhe ilegaliteti ishte nder. Natyrisht që kjo ka çuar progresivisht në një degjenerim kolektiv të shëndetit mendor të popullsisë.
Siç u vu në dukje më sipër, pavarësia e brishtë e fituar në 1912, u komprometua shumë rëndë nga marrja e pushtetit nga komunistët e kontrolluar plotësisht nga agjentura jugosllave. Natyrisht formalisht pavarësia nuk mund të hiqej pa vendim ndërkombtar të fuqive fituese të luftës, por de facto ajo nuk egzistonte, dhe praktikisht çdo përpjekje që është bërë nga brenda për ti dhënë një pavarësi reale shtetit të ri nga elementë atdhetarë, nacionalistë apo edhe komunistë, është përballur me një sabotim sistematik të të gjithë mundësive për zhvillim real të shtetit, që ka zhdukur pa mëshirë jo vetëm kuadrot e trashëguara nga paralufta, por dhe ato të krijuara në kohën e komunizmit, si dhe duke zhvlerësuar e dëmtuar po aq sistematikisht çdo pasuri të vendit, egzistuese dhe perspektive. Ky është argumenti kryesor për egzistencën e pazhdukur akoma të kësaj strukture sekrete e klandestine. Kjo bëhej gjithmonë duke spekulluar mbi puritetin ideologjik dhe mbi gjoja “specifikat” e rastit shqiptar.
Duke zgjedhur me kujdes “prijësit “ e ardhshëm, me të meta të tilla intelektuale, karakteriale e psikologjike që të mund të sabotonin pa instruksione, thjesht nga karakteri i tyre i mbrapshtë dhe nga struktura ushtarako-policore me hierarki të padiskutueshme e mbrojtur nga sekreti ushtarak të cilën e krijuan pasi ju imponua prapë nga Jugosllavia e Rankoviçit, oficerët e parëndësishëm sërbo-malazezë si D. Mugosha e M. Popoviçi krijuan një pseudoshtet i cili arriti të shpërdoronte me fanatizëm deri në absurditete të dukshme gjithë burimet e veta njerëzore dhe natyrore për 45 vjet rresht, duke adaptuar pikërisht rrugët më të papërshtatshme për zgjidhjen e problemeve ekonomike e sociale në kohët më të papërshtatshme. Në këtë pseudoshtet duhet të zhdukeshin ose të dëmtoheshin rëndë (të sabotoheshin në kokë të gjitha strukturat e ndërgjegjes dhe ndërgjegjësimit publik, pra strukturat e drejtësisë, (të cilat u transformuan në zbatuese të verbra të “porosive” të diktatorit, ose u zhdukën si të tepërta(!!!)), të fesë dhe të strukturimeve shoqërore të pavarura (strukturat kanunore në veri). Diktatori shfaqte me arrogancën më “bindëse” luftën e tij për gjoja pavarësinë e Atdheut duke mbrojtur komunizmin nga vetë ata që e kishin krijuar (nga sovjetikët e “revizionistët” perëndimorë!!!. Dhe ndërkohë ka qenë vazhdimisht servil i neveritshëm i qarqeve klandestine serbe ( ruse, etj.) dhe ka zbatuar në mënyrë të paskrupullt urdhërat e tyre për dëmtimin maksimal të Shqipërisë (shih psh korespondencat tepër servile të E. Hoxha e M .Shehu me D. Mugoshën gjatë luftës, qëndrimet ndaj këshilltarëve sovjetikë, kinezë etj..) Ndërkohë mbillej grurë aty ku duhej mbjellë rrush, shkatërroheshin kullotat dhe gjithë blegtoria, hapeshin tarraca joprodhuese dhe zhdukeshin pyjet, ndërtoheshin hidrocentrale në lumenj pa ujë, ngriheshin uzina për të cilat nuk egzistonte lënda e parë etj, etj., ngriheshin fortifikime për luftra që ishin të pamundura etj.)
Për fat të keq, “politika në plan të parë” vazhdon të jetë motorri kryesor efektiv për “sukses” në shoqërinë shqiptare e madje edhe i sukseseve të mbijetesës së strukturave të vjetra në kohën e tranzicionit të pafund. Si për rastin e puritetit ideologjik në kohën e komunizmit, u kalua në “terapinë ekstremisht radikale të shokut”, “çekun e bardhë” etj., maska ekstreme për të fshehur veprime pikërisht të kundërta (si në kohën e komunizmit) në lidhje me paranë dhe sigurinë. Dhe kjo politikë ka të gjithë karakteristikat e vjetra, ruan klandestinisht “monopolin mbi kuadrin”, shpërndan të gjithë mjetet monetare dhe dokumentat e sigurisë që ofron shteti dhe organizatat shoqërore në trashëgimtarët e ish Bllokut dhe anekseve të tij. Të gjithë ligjet kryesore efektive de facto të kësaj politike, lëvizja e lirë dhe bllokimi me anë ligjesh me përmbajtje të pazbatueshme, i drejtësisë dhe strukturave të saj, i pronës e madje dhe punës, u nxorrën që nga R. Alia dhe vazhdojnë të zbatohen fanatikisht nga gjithë politikanët trashëgimtarë të kësaj periudhe (“të majtë apo të djathtë”;). Kështu privatizimet dhe tenderimet, nxitja e korrupsionit galopant në drejtësi, shëndetësi e arsim, bllokimi i turizmit, i minierave, i industrisë dhe bujqësisë kombëtare vazhdojnë në fakt vijën jugosllavo-greke të eliminimit edhe të mundësive perspektive që shteti e shoqëria shqiptare të bëhen ndonjëherë konkurrencialë në Ballkan. Dhe si në plaçkitjen dikur të tregëtarëve e sipërmarrësve dhe çuarjen në kohën e komunizmit të arit të tyre në Jugosllavi e BS, apo “eksportimit” pa pare të bagëtive të “kulakëve” në Jugosllavi(1947), ashtu dhe psh me anë të Sudes et al. u rrëmbyen dhe kursimet e emigrantëve dhe u çuan në Greqi e Sërbi. Pra shteti tradhëtar shqiptar dhe strukturat ilegale mbështetëse të tij vazhdojnë prej 65 vjetësh të vrasin e të plaçkisin qytetarët e vet në dobi të armiqve.
Po rreshtoj më poshtë disa faktorë që pengojnë zhvillimin real të vendit deri në falsifikimin e madje “përqeshjen” e sistemit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut nga klika e vjetër e ricikluar dhe recidivat komuniste:
1. Krijimi gradual dhe sundimi i sotëm i kulturës së pandëshkueshmërisë (papërgjegjshmërisë që pas një brezi “tranzicion” është bërë e natyrshme(?!)), si gjoja fitore e “lirisë nga diktatura” me pasoja të pallogaritshme shkatërrimtare për shoqërinë, trashëgimtare kjo e njeriut të ri, pa strukturë të brendshme morale, por vetëm një “carta bianca” ku Partia shkruante dhe fshinte vazhdimisht porositë (kur Partia mungon, tani në “tranzicion” mbetet bosh, pra kushdo mund të shkruajë, dhe përparësi kanë organizatat kriminale, se me to fitohet shumë, shpejt e në dukje lehtë...)
Kjo kulturë u krijua nga së pari, mungesa e më pas adoptimi i një kushtetute me të meta të mëdha juridike e në mospërputhje me trashëgiminë juridike të vendit (të paraluftës), së dyti nga adoptimi i ligjeve me mbivendosje, që çoi në mbivendosje të pronave, dokumentacionit të të gjitha llojeve, që u krijua kryesisht nga mungesa e shfuqizimit të ligjeve dhe rregullave të kohës së diktaturës deri në absurditete të tilla sa që nuk janë hequr akoma as titujt Hero i Popullit etj. për Enver Hoxhën etj., madje në shumë raste as privilegjet materiale. Fjala mbivendosje përbën një fjalë çelës kryesore për karakterizimin e shumicës së fenomeneve në shoqërinë e sotme të Shqipërisë. Kjo çon në konflikte juridike të pazgjidhshme dhe arbitraritet në zbatimin e vendimeve nga përmbarimi, gjë që ka çuar logjikisht në bllokimin korruptiv të këtyre institucioneve
2. Privatizimi i gjithë pronave shtetërore (që ishin të gjitha pronat e vendit), duke ua shitur me çmime qesharake trashëgimtarëve të elitës së diktaturës dhe të rekrutuarve të tyre, që çon në krijimin e milionerëve të rinj brenda pak kohe e me background fare të parëndësishëm e në mjaft raste, të paqartë në dukje, por në përputhje me praktikat e sigurimit. Kur këta nuk zbatojnë regullat eliminohen pa mëshirë në stilin që regjimi i E. Hoxhës eliminonte kundërshtarët edhe brenda llojit. Madje edhe strukturat shtetërore veprojnë si të privatizuara nga të emëruarit në poste drejtuese, (që vendosin e veprojnë si pronarë me justifikimin e “pavarësisë” institucionale (zbatimi i gjymtuar i “check and balance”, duke harruar fare Check, ose i “ligjshmërisë” (së mbivendosjeve!!!), duke harruar transparencën.)
3. Ligji i lëvizjes së lirë, i përpiluar në kohën kur R. Alia ishte akoma president, që çoi në një informalitet të paparë të banesave dhe në probleme sociale me pasoja shumë të rënda, për të cilin akoma qeveria e sotme, që e nxiti dikur, nuk e ka zgjidhur dhe përpiqet më kot ta zgjidhë, pa marrë parasysh borxhin e brendshëm të shtetit ndaj pronarëve të ligjshëm trashëgimtarë.
4. Sabotimi i institucioneve fetare, me futjen artificialisht të vendit si antar në Konferencën Islamike, me vendosjen e grekëve në krye të Kishës Ortodokse dhe me pengime të marrjes së pronave e të veprimtarive të tjera të këtyre institucioneve, gjë që ka çuar në një paefektshmëri të luftës së këtyre institucioneve për frenimin e kulturës, e madje kultit, të dhunës në Shqipëri, i trashëguar i acaruar ky nga propaganda staliniste e regjimit të kazmës dhe pushkës të para ’90 tës.
5. Sabotimi i politikave të burimeve njerëzore, që ka çuar në mbijetesën deri tani në pika kyçe të administrimit real të shoqërisë, si në politikë, drejtësi, shëndetësi e arsim të “kuadrove” të dikurshëm të PPSH dhe trashëgimtarëve të tyre gjinorë, që në fakt luajnë rol përcaktues në veprimin apo mosveprimin e gjithë organizmave dhe organizatave, të vendit dhe ndërkombëtare, në Shqipëri. Kryhet vazhdimisht pengimi burokratik dhe juridik sistematik i personelit të kualifikuar në perëndim që dëshëron të punojë në vend. Kryhet dhe deformimi deri në arbitraritet i kushteve të detyrueshme për promovimin e personelit, si dhe i protokolleve zyrtare (me anë të boshllëqeve ligjore dhe spekullimit me mbivendosjet ligjore/dokumentare).
Ky ka shkaktuar largimin e vazhdueshëm e personelit të kualifikuar jashtë vendit, e kryesisht atij dikur të deklasuar. Natyrisht një politikë e tillë vetëm mund të vonojë, por nuk ndal dot procesin e demokratizimit të vendit.
6. Nxitja tinzare e degjenerimit të pakufishëm moral, me maskën e lirive dhe të drejtave të njeriut.
7. Jetëgjatësia e figurave udhëheqëse të regjimit të vjetër, që ruajnë një ndikim që s’është zbehur në rrjetin e institucioneve dhe që ka kryer me një sukses jo të vogël riciklimin dhe trashëgimin e pushtetit brenda gjinisë së elitës komuniste dhe të rekrutuarve të saj.
8. Bllokimi i vazhdueshëm i tentativave për hapjen e bursës, për të ruajtur sa më gjatë informalitetin ekonomiko-financiar.
9. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, mentaliteti i trashëguar anadollak dhe/ose primitiv i pabesisë së elitave, mungesës së inisiativës, përçmimit të punës dhe i kultit të dhunës i një pjese të rëndësishme të popullit.