top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Liri Belishova, bashkefajtore krimesh...

Nga Mërgim Korça


Liri Belishova, bashkëfajtore krimesh dhe përgjegjësishë,

vazhdon e mashtron dhe mendon selahet me një :

“Më falni“

 

E kam konkretisht fjalën tek intervista e dhënë kohët e fundit nga e përndjekura nga regjimi diktatorial, (ta mbajë parasysh lexuesi këtë cilësor se do t’irikthehem në vijim), shoqja Liri Belishova.


1- Kur pyetet L.Belishova se përse u lidh me komunizmin, ajo thotë se e kishin bindjen që komunizmi do t’a shpëtonte Shqipërinë nga varfëria dhe prapambetja e do t’abënte edhe të pavarur.   Por ama shton:  ... nuk e dinim si qenë zbatuar në jetë idetë komuniste, informacioni ynë nuk ishte real sa i takon B.Sovjetik, përkundrazi ishte shumë i zbukuruar ... E me këtë mangësí informacioni edhe dijenishë, shoqja Liri mendon se i lan duart nga përgjegjësía për gjithë dhunën, krimet si edhe mjerimin që i solli popullit shqiptar diktatura ?    Sa autokritikë e sinqertë dhe e pastër e një idealisteje komuniste!


2- L.Belishova tregon se si mësuesja e saj e gjuhës dhe letërsisë Liri Gega e kishte organizuar në grupin e parë të simpatizueseve të lëvizjes komuniste, dhe kur pyetet se kush e ka vrarë Mustafa Gjinishin, thotë :  ... atëherë e plotfuqishme e Komitetit Qëndror të P.K.Sh. ka qenë Liri Gega dhe asaj iu ngjit organizimi i vrasjes.   Aq mëtepër që, sipas dëshmísë Flora Dishnicës, radiogramin për ekzekutimin e Mustafait (Gjinishit) e ka bërë Liri Gega.  Por, unë them se kanë qenë njerëz të tjerë ata që e kanë ekzekutuar, kurse urdhëri për vrasjen e Mustafa Gjinishit është dhënë nga E.Hoxha ... Sëpari, shoqja L.Belishova e mënjanon Liri Gegën si vrasëse materiale e Mustafa Gjinishit, por do t’a shmangë edhe për vetë urdhërin e ekzekutimit.  Mirëpo dua t’i paraqes lexuesit një skenë e cila ilustron humanizmin e Liri Gegës, shprehur me qëndrimin ndaj atit të saj.  Ishte një mbasdreke e mesit të vitit 1945.  Në Burgun e Ri të Tiranës roja e brëndëshme thërret “Beso Gega në takim special, Beso Gega në takim special.  Del Besua nga kaushi i tij dhe zbret shkallët.  I burgosuri Genc Korça, (dëshmitari pamor i fakteve), dëshmon se edhe ai doli nga kaushi i tij, (atë fillim lejoheshin të burgosurit të lëviznin nga njeri kaush tek tjetri), dhe nga kreu i shkallëve sheh që në takim kishte ardhur Liri Gega me rroba ushtarake angleze, siç i mbanin partizanët, me gjithë të vëllanë. Shum’e vrazhdë i drejtohet t’et :  Po ti, pse bëre kërkesë të vije nga burgu i Kalasë Gjirokastrës në burgun e Tiranës?   I ati, me një farë ndrojtje, i thotë se në burgun e Kalasë së pari që ishte një lagështí e tmerrëshme, po nga ana tjetër nuk kish asnjeri që t’i binte një kothere bukë të hante. E Liria, gjithë mllef, i drejtohet : Pse, këtu mos mendon se do të të sjellë njeri për të ngrënë?  I përgjigjet Besua së bijës :  Po ti me gjithë t’ët vëlla do të më sillni.   Liria e tërheq të vëllanë nga krahu (i ciligjatë bisedës nuk kishte thënë asnjë fjalë) dhe duke u larguar i thotë t’et:  As mos e mendo se do të të sjellim ne për të ngrënë, edhe largohet e del jashtë.  Beso Gega i dëshpëruar ngjit shkallët e në vënd të futet në kaushin e tij, shkon e futet në kaushin tjetër dhe i drejtohet Xhevat Korçës duke ia tundur gishtin tregues e duke i thënë se ai (Xhevat Korça)  ishte tradhëtar që e kishte shkelur betimin e postit të tij si ministër i Arësimit që kishte qenë.   Ai jo që nuk duhej të kishte ndërhyrë t’ia nxirrte të bijën (Liri Gegën) nga burgu, por duhej t’a kishte arrestuar edhe vetë Beson.   I tha këtofjalë Beso Gega dhe iku e u fut në kaushin e tij.   Xhevat Korça i habitur shikon të birin Gencin, që deri atëhere kishte qëndruar pas Besos, dhe e pyet si ishte puna.   Kur Genci ia shpjegon ç’kish ngjarë në mes Besos dhe së bijës, atëbotë edhe Xhevat Korça tregon se si i kishte vajtur dikur Beso Gega në zyrë duke iu lutur t’ia shpëtonte të bijën nga burgu.   Kur Xhevati i kish thënë se ishte e vështirë me që Liri Gega akuzohej si aktiviste komuniste, Besua i kishte thënë :  A mendon ti, Xhevat, se bija e ime mund të jetë komuniste ?   Unë të garantoj se ajo është anti-italiane po në asnjë mënyrë komuniste.   E merr atëhere Xh.Korça B.Gegën dhe shkojnë tek kryeministri Mustafa Kruja të cilit ia shpjegojnë situatën.   Mbasi bindet edhe kryeministri se nuk kishin të bënin me një subjekt komunist por me vajzën e një patrioti të cilën i ati e kishte mëkuar me ndjenja antifashiste dhe anti-italiane, ai jep urdhër dhe Liria nxirret nga burgu.   Sapo del ajo hidhet në ilegalitet dhe tjetra pastaj është histori.   Kjo ngjarje mendoj se hedh dritë të mjaftueshme mbi dy aspekte të problemit :  indoktrinimi i L.Gegës e cila as për t’anë nuk pyeste, (pa le për M.Gjinishin), gjithashtu në ç’drejtim e çfrytëzonin pozitën si kolaboracionistë  nacionalistët e përkushtuar.


3- Kur pyetet L.Belishova lidhur me vrasjen e Nako Spirut në se qe vrasje apo vetëvrasje, ajo thotë :  ... Nako Spirun e vranë shovinistët jugosllavë me në krye Titon e Rankoviçin dhe bashkëpunëtorëte tyre, Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe ...  E pastaj vazhdon duke cituar fjalët nga të fundit që i kish thënë Nako Spiru asaj : ... Nuk më mbetet asnjë rrugë shpëtimi. Ma mbylli derën Ambasada Sovjetike, ma mbylli derën dhe Enver Hoxha.   A ka nevojë të interpretohet ky pohim ?   Enver Hoxha si edhe Koçi Xoxe jo që ishin kolaboracionistë të jugosllavëve, por së bashku edhe me Nako Spirun edhe të sovjetikëve.  Por tek i ngarkuari me punë i Ambasadës Sovjetike Gagarinov domosdo ndikimi i E.Hoxhës qe më i madh dhe ai nuk e priti Nakon siç e kishte pritur herë të tjera.


4- Tek pyetet Liri Belishova se si e shikon tashti mbas 60 vitesh dënimin me burgim ose edhe pushkatim të figurave nacionaliste që kishin patur kontribut në historinë e Shqipërisë, por në disa drejtime kishin punuar direkt apo indirekt me okupatorët, ajo përgjigjet :  ... kemi qenë shumë të indoktrinuar, na u fut urrejtja klasore.   Klasa drejtuese e Shqipërisë parakomunistëve, ata që kishin pasuritë në duar, ata që kishin kulturën, që ishinmë të arsimuarit, ata që ishin klasa politike se kishin marrë pjesë në betejat për pavarësinë e Shqipërisë, në Kongresin e Lushnjes, në luftën e Vlorës, në krijimin e shtetit shqiptar, demokratët e Fan Nolit, nuk u treguan të aftë në kushtet që u krijuan pas okupacionit fashist.  Dhe një  pjesë e tyre  bëri gabimin e madh që bashkëpunoi me okupatorët.  Unë e kuptoj që këta njerëz kanë qenë të dëshpëruar sepse nuk patën përkrahjen e Francës ose të Anglisë para Luftës së II-të Botërore.  Ata kanë menduar s’kemi ç’bëjmë, do të na okupojë Italia fashiste dhe pranuan bashkëpunimin me të.  Ishte një gabim shumë fatal ... Bahri Omari nuk ka qenë fashist, por e gjykoi shumë gabim nevojën që të bashkëpunonte me gjermanët, nuk e meritonte të pushkatohej sepse s’ishte kriminel, mund të dënohej me burg.  U pushkatua Patër Anton Arapi, një fetar, u pushkatuan dhe shumë tëtjerë, që nuk meritonin të pushkatoheshin. Por duhet të jetë e qartë : tradhëtia kombëtare duhej të dënohej patjetër.   Shoqja L.Belishova pranon se kanë qenë të dizinformuar rreth komunizmit si edhe zbatimit të tij në praktikë.  Pranon gjithashtu se kanë qenë të indoktrinuar dhe se u ishte futur në shpirt urrejtja klasore.  Pohon se veç Bahri Omarit që nuk ishte as fashist dhe as kriminel ose Patër Anton Harapit që ishte veç një fetar, janë pushkatuar edhe shumë të tjerë që nuk meritonin të pushkatoheshin.   Atëhere natyrshëm lind pyetja aspak retorike :   Po ti shoqja Liri së bashku me shokun Nako ç’bënit ?  Ç’qëndrim mbanit ?   Nuk e lexonit ju shtypin e përditshëm ku trumbetohej se si Aranit Çela u ulërinte priftërinjëve në bankën e të akuzuarve në shkurtin e vitit 1946 :   Të pandehurit Atë Danjel Dajani me shokë kanë shkruar dhe bërë thirrje për Shqipëri etnike ... Në kartën e Atlantikut është vendosur që çdo popull është i lirë të vendosë mbi fatet e tij dhe në këtë rast populli i Kosovës ka vendosur vetë mbi fatin evet, por këta kanë dashur të na fusin në luftë me Jugosllavinë ... (Arkivi i Ministrisë Rendit – faqe 101).  E me këto akuza të turpëshme dhe antikombëtare pushkatoheshin dhjetra priftërinj të pafajshëm. Besoj se nuk ka nevojë për koment qëndrimi juaj konformist me diktatorin, shoqja Liri.  Urrejtja juaj klasore, siç e theksoni vetë, ju futi në atë rrugë ku krimi edhe dhuna ishin ligji që ju dhe shokët e juaj zbatonit pa ju dredhur qepalla!


5- Kur pyetet L.Belishova lidhur me pushkatimin e deputetëve të Kuvendit Popullor, ajo mban qëndrim:   Këtu është haptas ana më negative e E.Hoxhës, e partisë së tij dhe e diktaturës së proletariatit.   Deputetët ishin patriotë, demokratë, antifashistë.  Kishe të bëje me Shefqet Bejën, që ishte nënkryetar i Frontit; me Riza Danin që ishte Kryetar i Frontit të Shkodrës; me Sheh Karbunarën, me I.Radovickën, me Gjergj Kokoshin, me Enver Sazanin etj.  Këta ishin antifashistë, këta u vranë vetëmse nuk ishin me diktaturën komuniste ... Ata nuk kanë qenë antikomunistë ... Përgjatë kësaj vazhde dua t’ia kujtoj lexuesit një moment kyç të asaj periudhe të cilin shoqja L.Belishova nuk e sheh me vënd t’a zerë në gojë.  Në faqen 527 të librit Enver Hoxhës “Kur hidheshin themelet” autori kujton : ... Pastaj ai (Riza Dani) sulmoi projektine Kushtetutës, sepse simbas tij ajo ishte me frymë ideologjike e jo me frymë kombëtare.   “Un – shprehu më në fund kredon e vet Riza Dani– jam për nji demokraci të lirë dhe do të dëshiroja që edhe Statuti të inspirohej nga ky parim”.   Fjala e Riza Danit u mbajt me 6 mars 1946, gjatë mbledhjes së 9-të të Asamblesë Kushtetuese.   Me 7 mars 1946 e merr fjalën shoku Nako Spiru i cili tërë diskutimin e tij e përqëndroi rreth fjalës mbajtur nga Riza Dani një ditë më parë dhe e cilësoi deputetin Riza Dani si pararoja e reaksionit.   Kur e merr fjalën Riza Dani për t’iu përgjigjur N.Spirut i thotë Asamblesë :   “Un Riza Dani,kundra turkut, kundra Toptanit, kundra rebelëve, kundra austriakëve, kundra Zogut e klikës së tij, kundra italianëve para edhe mbas 7 prillit, ma në fund shok i Lëvizjes N.Çl. në atë kohë kur vendi jonë ishte i koklavitun ndër shum pellgje e reaksione, kam qindrue larg çdo reaksjoni e interesi privat jo për hatrin e Nako Spiru-t, por pse kështu e ka kërkue interesi i Atdheut ... Si bahet tashti, sot që reaksioni pothuajse ka ngordhë, un të jem pararojë e tij ?!”  Sinqerisht, shoqja Liri, më vjen keq t’ju kujtoj këto fakte tashti që jeni kaq e vuajtur nga persekutimi që u kanë bërë dhe e pohoni çudinë tuaj se si akoma as statusin e të persekutuarit nuk ua kanë dhënë.  Por ama edhe Riza Dani me shokë, atje nga Amshimi ku ju me partinë tuaj i dërguat para kohe si edhe padrejtësisht, siç e theksoni edhe vetë, e kanë të drejtën që të vihen në vënd të vërtetat e të mos spekullohet akoma me to, siç vazhdoni e bëni ju!


6- Tek e pyesin L.Belishovën se si u bë një nga më të fuqishmet e regjimit, ajo përgjigjet:   ... nuk kanë qenë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike njerëz të fuqishëm ... U caktova Sekretare e Komitetit Qendror dhe drejtoja 3 drejtori të rëndësishme : të propagandës, të arsimit e kulturës dhe të marrëdhënjeve me jashtë ... E shkreta luftëtare e orëve të para që e kishte nëpërkëmbur diktatori duke e caktuar si anëtare e Byrosë Politike të drejtonte vetëm tri drejtori të rëndësishme të K.Q.të Partisë.


7- Kur i thonë L.Belishovës se privilegjet që kishte krijuar kasta e lartë udhëheqëse për vete ishin e kundërta e asaj që propagandohej, shoqja Liri jep sqarimin :  ... kur kam ardhur nga shkolla (nga Moska) në fund të 1954, kishte ndryshuar trajtimi i Byrosë Politike ... kisha dy oficerë roje përveç shoferit, shërbyese, guzhinier.  Përveç rrogës që merrnim nuk paguanim qira, nuk paguanim drita, ujë etj.  Ndoshta këto privilegje nuk kanë qenë shumë të mëdha po t’i krahasoje me privilegjet qëmund të kishin udhëheqësit e Partisë Komuniste të BS-së ... Prite Zot se ç’aspirata paska patur shoqja Liri kur këto privilegje i quan jo shumë të mëdha krahasuar me ato të B.S.    Hajde thjeshtësí komuniste hajde, edhe so tmbas dhjetvjeçarësh !


8- Përgjigja e L.Belishovës, kur pyetet nëse e njihte realitetin se si po varfërohej populli në Shqipëri, është :  ... Kur je në Parajsë është shumë vështirë ta kuptosh se si është Ferri.  Pra nuk kam qenë shumë koshiente sesi ishte gjëndja e vërtetë e popullit.  Ndonëse nuk e dinte gjëndjen, por udhëheqëse e popullit donte dhe vazhdonte të ishte.  Pa le t’a vazhdojmë thellimin e analizës e t’i vemë në dukje shoqes Liri se ajo, kur i shkau këmba, vërtet e kishte parë Ferrin e diktaturës komuniste, por pa vetëm rrethin e parë e mbase të dytin, po hiç më thellë, ashtu si e panë mijëra familje të pafajëshme por të përndjekura!


9- Tek e pyesin L.Belishovën në se kishte dijeni lidhur me krimet e tmerrëshme që po bëheshin, ajo sqaron :  ... Ne u edukuam me urrejtje :  armiqtë e klasës duheshin luftuar pamëshirë, duheshin likuiduar ... Megjithatë unë, kur më lindnin mendime kritike për atë që bënte partia jonë, shteti ynë i diktaturës sëproletariatit, përpiqesha t’i mbysja, i quaja herezi ... Pra konsekuente deri në një për të gjitha derisa nuk i erdhi flaka tek ... kasollja e  saj!  Sa cinizëm fshihet pas pohimit saj rreth urrejtjes së saj ndaj armiqve të klasës të cilët pa mëshirë duheshin eliminuar !   Edhe sot e kësaj dite çdo pohim i saj pikon gjak të pafajëshmi ! Po nuk duhet harruar edhe se në asnjë mënyrë e keqja nuk i erdhi se guxoi të mbante qëndrime të ndryshëme, sepse jo veprime por edhe mendimet i mbyste dhe i quante herezí.


10- Kur pyetet L.Belishova a ndjen përgjegjësi si pjestare e atij mekanizmi dhune e krimesh, ajo përgjigjet :  Shumë të madhe.  Ne nuk i realizuam premtimet që idhamë  popullit për një Shqipëri demokratike dhe të begatë ... Ne i shkaktuam popullit shumë dëme dhe pjesa më edhimbshme patjetër kanë qenë represjonet ... u kërkoj falje jo vetëm viktimave, por gjithë popullit tim, sepse duke u nisur t’i bënim mirë popullit, i shkaktuam shumë dëme ... A e dini që unë nuk e dija se egzistonte një Orwell, pale librat e tija.   Nuk dija çfarë kritike i bëhej komunizmit ....  O Zot me ç’krijesa kemi të bëjmë. Mbron krimet monstruoze të bëra nga ajo dhe partia e saj me faktin se ishte injorante e nuk dinte. ... megjithatë kishte mjaft gjëra që më bënin përshtypje.  Për shëmbull kur është pushkatuar pa gjyq Sabika Kasimati.  Për atë vajzë kam pasur shumë simpati sepse ka qenë një nga vajzat më të shquara të Shqipërisë ... Megjithatë shoqja L.Belishova heshte.  E nuk qe vetëm e zeza S.Kasimati, por i gjithë grupi prej 22 vetash që u pushkatuan pa gjyq dhe krejtësisht pa faj, vetëm t’u bëhej qejfi shokëve sovjetikë se u muar masë ndaj atyre që gjoja  hodhën një bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë.


Lidhur me pohimin e shoqes L.Belishova se u kërkon ndjesë si viktimave e gjithashtu edhe gjithë popullit për dëmet që i shkaktuan, do t’i kujtoj asaj një, vetëm një nga dhjetramijëra te tragjedive të shkaktuara popullit të saj :


Kur Ajdin Kulla mbaronte studimet në Normalen e Elbasanit nuk pranoi t’a vishte këmishën e zezë të cilën bashkënxënësi i tij, Nevzat Haznedari, e veshi.  Punoi vite me radhë si mësues shumë i respektuar. E kur vjen pastaj data 18 qershor 1945 po ai Nevzat, por tashmë në rolin e prokurorit, kërkon dënimin me vdekje të Ajdinit.   Dhe Gjykata Ushtarake e Korçës, me vendimin nr.2 dt.15-6-1945, mbështetur në ligjin nr.41 dt.14-1-1945 miratoi pretencën makabre duke marrë vendimin e dënimit me vdekje me pushkatim të Ajdin Kullës si edhe konfiskimin e pasurisë së luajtëshme edhe të paluajtëshme për agjitacione propagandë duke qenë koshient i politikës Shqipërisë Etnike.   Pra krimi i tij qe se propagandonte tërësinë territoriale shqiptare me Kosovën !(?)


Me 20 qershor dënimi ekzekutohet.  Kur e marrin nga burgu Ajdinin bashkë me shokët e grupit me të cilët u pushkatua të lidhur këmb’ edhe duar me zinxhirë, Ajdini u drejtohet të burgosurve dhe thërret :  Mos u dëshproni se po vritem si shqiptar dhe jo si tradhëtar … të rrojë Shqipëria, të rrojë Flamuri Kombëtar i Shqipërisë!   Këto fjalë të tija të fundit u kanë mbetur të ngulitura në mëndje bashkëvuajtësve të tij Avni Bejkova edhe Ylber Starova edhe sot të gjallë.  Po ato fjalë i përsëriti edhe para togës pushkatimit.


Po me familien e Ajdinit ç’u bë?   E shoqja Fidaría, nuse e re asokohe, lidhi jetën me fëmijët e saj.  Jetuan për dyzet vjet të internuar në kodrat e Belshit, larg fshatit si edhe larg gropës-varr të përbashkët të Ajdinit saj me shokë!   Sot Fidaría, kaluar të nëntëdhjetat, jeton me trup në Connecticut por me shpirtin e zhuritur që nga 20 qershori i vitit 1945.   A ka kërkim ndjese nga ana e L.Belishovës me shok’ edhe me shoqe, që t’ia kthejë Ajdinit jetën dhe Fidarísë t’ia shlyejë nga kujtesa vuajtjet si edhe internimin?   E Liri Belishova kujton se me një ... na falni, po aq ishim të informuar, mendon se shlyhet nga fajet e saj.


Pjesën e parë të intervistës-autokritike, shoqja L.Belishova e mbyll me pohimin madhor :   ... Mizore ishte që shtetëzimet  shoqëroheshin me represione ndaj pronarëve.    Mekëtë pohim cinik shoqja Liri mendon se i lan duart e saja nga gjurmët e dhunëssi edhe krimeve të cilave iu nënështrua e gjithë ajo kategori, qofshin qytetarë të pasur e gjithashtu t’ashtuemërtuarit nga partia “kulakë”.  Kurse shoku i ngusht’i saj i armëve, shokuRamiz Alia shprehet nga ana e tij lidhur me të njejtin problem : ...Asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre. Pasuria e tyre na përket neve ... Që t’a shtrojmë problemin në emrues të përbashkët duke e riformuluar, situata merr pamjen :   Që nga nëntori i 1944-ës e deri në shtatorin e 1960-ës, shoqja Liri si edhe shoku Ramiz bashkëpunuan në sintoní të plotë lidhur me çpronësimet e gjithashtu  edhe me dhunën e ushtruar ndaj pronarëve legjitimë. Kurse sot puna ndryshon.   Shoqja Liri, e cila disa vite u përndoq nga partia e saj, mendon se i ka konditat t’ishmanget Ferrit duke e kaluar lumin drejtë Parajsës me një autokritikë të thellë komuniste.   Ndërsa shoku Ramiz, i cili e vazhdoi rrugën e dhunës edhe krimeve deri në fund, i ndërgjegjshëm se shpirtin e tij ia ka shitur në mënyrë të pakthyeshme Satanait, do të bëhet samë i denjë për mbretërín’e Luciferit duke u vetëshpallur ai si edhe shpura e tij, pronarë të pronave të atyreqë i dhunuan edhe i vranë pa faj veç t’u merrnin pasuritë!


Në pjesën e dytë të intervistës ku L.Belishova tregon jetën e saj të vështirë, ka llafe e vetëm llafe e shumë pak gjëra me rëndësi përt’u analizuar.   Megjithatë, që portretii shoqes Liri të dalë sa më i qartë dhe i përngjashëm me të dhe i vërtetë, dotë ndalemi në ndonjerin nga momentet më kulmorë.   Ajo pranon edhe thotë se : Kam menduar që  komunizmi  neve na i thau shumë ndjenja njerëzore.   Kurse populli këto i ruajti dhe dinte se çdo me thënë vdekje, dinte çdo me thënë dhimbje e nënës që ka humbur vajzën.  O Zot, ç’egoizëm i skajshëm fshihet prapa kësaj krijese djallëzore e cila e kupton se ç’është dhimbja e nënës për vajzën e humbur parakohe, vetëm kur protagoniste bëhen ajo vetë dhe e bija, (ndonëse për të bijën sinqerisht na vjen keq se ajo nuk kish përse të mbarte fajet e nënës së saj). Po ato gra që ishin t’internuara në kampet famëkeqe të Tepelenës apo të Grabianit, që i detyronin t’i linin bebet e tyre të porsalindura në djep dhe shkonin e mbartnin në kurriz pllaka guri 80 kilogramëshe ose prashisnin pambukun edhe misrin që pa gdhirë e, kur ktheheshin në barakat e tyre, i gjenin fëmijët me një buzëqeshje të ngrirë në fytyrë sepse shpirti u kishte dalë duke qarë për gjiun e tharë të nënës?   Ato nuk ishin nëna?   Apo nuk i dinte shoqja Liri se kish me mijëra të tilla në kampet e diktaturës?   Kishte, edhe me këtë rast, mungesë informacioni si duket !


Është për të neveritur se si e shpjegon shoqja Liri prishjen me E.Hoxhën, sepse duke elexuar atë paragraf ajo i bën gjimnastikë mëndjes së lexuesit, por nuk thotë asgjë.  Por ama shumë kuptimplotë për t’a paraqitur mungesën e plotë të karakterit nga ana e saj, është kalimi kur ajo pyetet në se ajo pati qëndrim jopajtues me atë që mbajti delegacioni ynë në Bukuresht.  Ajo pohon :  Parase të shkoja në Kinë unë isha për rrymën e filluar nga kongresi i XX-të i PK të BS.  Por, zyrtarisht, këtë qëndrim unë nuk e shprehja, përkundrazi kur fillova të kem rezerva isha shumë e kujdesshme, përpiqesha që në diskutimet e mia etj. të mos lija të kuptohej që kisha rezerva.   Me të gjitha mënyrat jam përpjekur që të evitoja dënimin, i cili nuk do të ishte vetëm për mua, por dotë merrte në qafë njerëzit e mi më të dashur.   A ka nevojë për koment  formacioni karakterial i shoqes Liri ?   Që nga nëntori i 1944-ës e deri në shtatorine 1960-ës, pra plot 16 vite me radhë shoqja Liri, besnike e urrejtjes ndaj armiqve të klasës që duheshin luftuar pa mëshirë dhe duheshin likuiduar, qe një nga zbatueset e së mallkuarës luftë klasash.  Dhe ka pafytyrësínë që duke kërkuar ndjesë për ç’i është bërë popullit padrejtësisht, pohon se ishte shum’e kujdesëshme mos të kuptohej kur kishte ndonjë rezervë që të mënjanonte dëmtimin e njerëzve të saj !   O Zot sa larg për nga karakteri shoqja Liri udhëheqëse, nga ai mësuesi i thjeshtë Ajdin Kulla që vdekjes i thirri “hajde”që në sallën e gjyqit, tek u përballua me kriminelin e lindur Nevzat Haznedarin!   Ose kur përshkruan shoqja Liri vuajtjet e persekutimit, tregon se sa e rëndë ishte puna në magazinë me arkat,(punë që quhej e preferuar para asaj në arë, nga grat’e shkreta që punonin në ferma).   E ç’është kulmi, edhe në ato kondita prap shpresonte se do të dilte në shesh keqkuptimi e ajo së rishmi dot’i gëzonte privilegjet e humbura !


Tashti, për paralelizëm me analizën që trajtoj, po transkriboj tekstualisht një kalim të nxjerrë nga shkrimi me titull :  “Lehtësia e papërballueshme e qënjes” i shkrimtarit të madh çek Milan Kundera.

“Të gjithë kur kujtojnë se rregjimet komuniste të Europës Qëndrore janë totalisht vepra kriminelësh ngatërrojnë një të vërtetë themelore: rregjimet komuniste nuk janë krijuar nga kriminelë, por nga entuziastë që besonin se zbuluan të vetmen rrugë për në parajsë. Dhe e mbronin me guxim atë rrugë, duke ekzekutuar për këtë qëllim shumë njerëz. Mëvonë, ishte fare e qartë se ajo parajsë nuk ekzistonte dhe se ata entuziastë ishin thjeshtë vrasës.


Atëhere të gjithë u vërsulën kundër komunistëve: jeni përgjegjës për mjerimin e vëndit (u bë i varfër dhe i shkretë), për humbjen e pavarsisë së tij (ra në duart e Rusisë), për dënimet me vdekje!


Ata që i pranonin akuzat, përgjigjeshin:- Nuk e dinim! Na mashtruan! Besonim! Në thelb jemi të pafajshëm!-


Konflikti, pra, të çonte në këtë pyetje: A është e vërtetë se nuk dinin? Apo bënin sikur nuk dinin?”


Dhe këtu mjeshtri çek sjell shëmbullin e Edipit të Sofokliut i cili është i mirënjohur: një bari, që kishte gjetur një të porsalindur të braktisur, ia çoi mbretit Polib, që e rriti. Kur Edipi urrit, takoi në një rrugë në mal një karrocë, në të cilën udhëtonte një pasanik i pa njohur. U grindën, Edipi vrau pasanikun. Më vonë u martua me mbretëreshën Jokaste të Tebës. Nuk ia priste mendja, se burri që kishte vrarë në mal ishte i ati i tij dhe se gruaja me të cilen shtrihej, ishte nëna e tij.  Morali i kësaj historie ?   Edipi nuk e dinte se flinte me vetë nënën etij, megjithatë kur e kuptoi se ç’kishte ndodhur, nuk u ndje i pafajshëm. Nuk mundi të durojë pamjen e mjerimit që kishte shkakëtuar padija e tij: shkuli sytë dhe qëndroi i verbër për gjithënjë, iku nga Teba.”


Një konsideratë e fundit dhe ... e mbyllim edhe me intervistën apologjetike të shoqes Liri Belishova.


E gjen sadopak veten shoqja Liri tek rrjeshtat e shkruara me mjeshtrí nga Milan Kundera ?


I takon shoqes Liri të ankohet me ashk se akoma nuk ia kanë dhënë statusin e së përndjekurës politike ?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page