- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Letra e nje heroi antikomunist

18 shkurt 1990/ Letër Nexhmie Hoxhës:
“Ç’bëni kështu more kriminelë”!
Quhem Haxhi Baçinovski – pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e Kosovës 15 vjet me radhë me armë në dorë. Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin1981, krimi agjitacion e propagandë. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundër- revolucionare, fantazi e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit. (Imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitrolozëve). Aktualisht gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura. Të përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizue këtë realitet tragjik. Por desha t’ju pyes ju çfarë i kam ba unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin. Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me më pyetë dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar. Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2... Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai ban burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq, as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nanat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim i tillë dhe kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm. Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm. S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kuarjo me më ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni ba tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.
I dënuari politik,
Haxhi Baçinovski
(Ish i dënuari politik shqiptar me origjinë nga Kosova ka vuajtur 9 vjet në burgjet e kampet e shfarosjes së diktaturës komuniste shqiptare).