top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

KUR SHTETI NDERON KRIMIN


Nga Nebil Çika


“Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i akordoi Gjeneral-lejtënant (në lirim) Rrahman Parllakut dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Drejtues i talentuar i Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, qëndrestar i paepur në burgjet e diktaturës komuniste, veprimtar i rrallë në mbështetje të demokracisë, si dhe vendosjen e forcimin e shtetit ligjor”.


Ky është njoftimi tronditës në faqen zyrtare të Presidentit për një nga dekretet e fundit të firmosura prej tij.
Është një histori që përsëritet e përsëritet paturpësisht nga politika dhe institucionet e shtetit shqiptar dhe tashmë nuk mund të konsiderohet më një “gabim”.


Nderimi i të keqes veçanërisht na mban ne si shoqëri, komb e shtet larg standardeve të qytetërimit evropian që i përkasim si origjinë e që po tentojmë t’i ribashkohemi edhe politikisht e zyrtarisht që nga viti 1990 e këtej. Ka shumë raste të tilla në këto 23 vjet të pluralizmit politik në Shqipëri por besoj se veprimi i fundit është flagrant dhe i pa tolerueshëm për shkak të kohës dhe kushteve politike, sociale e historike në të cilën ai ndodhi.


Më datën 17 prill të këtij viti Presidenti i Republikës ka dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit Rrahman Parllakun, një nga krerët e lëvizjes komuniste, drejtues i njohur i krahut të armatosur të sajë nga njësitet guerile tek gjeneral i ushtrisë së diktaturës. Jo vetëm dekorim por edhe vetë motivacioni, “Drejtues i talentuar i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, qëndrestar i paepur në burgjet e diktaturës komuniste, veprimtar i rrallë në mbështetje të demokracisë, si dhe vendosjen e forcimin e shtetit ligjor”, përbëjnë pa dyshim një veprim të turpshëm dhe një provokim te rëndë jo vetëm për viktimat e krimeve të komunizmit por edhe për vlerat e interesat e kombit tonë.


Por t’i marrim me radhë e të shohin se çfarë përfaqëson si “i nderuari” i fundit i kombit dhe sa i vërtet është motivacioni zyrtar që synon të justifikojë këtë veprim. “Presidenti i Republikës, i akordoi Gjeneral-lejtënantit (në lirim) Rrahman Parllaku dekoratën, “Drejtues i talentuar i Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe i Forcave të Armatosura të Shqipërisë”. Drejtues dakord ashtu ishte, por i cilës luftë?!


“Nderi” më i fundit i kombit tonë e nisi luftën si pjesëtar e drejtues i qelizës së parë terroriste, njësitit gueril Vlorë, përgjegjës për dhjetëra krime nga 1941 deri në 1944. Un nuk di që njësiti gueril i Vlorës të këtë vrarë ndonjë pushtues, por di me siguri që ka vrarë dhjetëra kundërshtarë nacionaliste, madje edhe komunistë si pjesë e spastrimeve të shpeshta politike në partinë e tyre. Personi në fjalë ka qenë aktivist e drejtues i këtij grupi dhe si i tille është edhe përgjegjës për veprimtarinë famëkeqe të tij, gjë kjo e mjaftueshme për të mos u trajtuar nga shteti demokratik me nderim e për më tepër “nder i kombit”. Por kjo nuk është e vetmja provë e arsye përse Presidenti nuk duhet ta kishte dekretuar një gjë te tillë.


Mendoj se komprometimi më i madh i këtij “drejtuesi të talentuar të ushtrisë” është pa dyshim veprimtaria e tij në krye të ushtrisë që u dërgua pas luftës në Kosovë për të shtypur lëvizjen nacionaliste atje për llogari të komunistëve jugosllave të Titos.


Dihet tashmë fakti që ushtria partizane shqiptare një prej komandantëve kryesor të së cilës ishte edhe i sapo dekoruari Parllaku ishte jo çlirimtare por pushtuese, pasi ndihmoi hapur ne shtypjen dhe pushtimin e Kosovës dhe viseve të tjera Shqiptare në ish Jugosllavi nga partizanët Jugosllavë. Siç dihet kjo periudhë 1945-1946 përbën edhe kohën kur në Kosove u shënuan krime e barbari të pa para mbi shqiptaret që kulmojnë me Masakrën e Tivarit, ku të paktën 4 mijë shqiptarë u vranë nga forcat Jugosllave pasi ju dorëzuan atyre prej brigadave partizane të Shqipërisë, komandant i së cilës ishte edhe “nderi i kombit “ Rrahman Parllaku.


Ka pasur vitet e fundit një debat të madh historik e politik mbi këtë çështje dhe tashmë është qartësuar roli kriminal e tradhtar i ushtrisë apo partizanëve nga Shqipëria në Kosovë. Ata i prenë në besë vëllezërit e tyre në Kosove, Maqedoni e ne Mal të Zi, që ne besë të Zotit e gjakut të përbashkët kërkuan mbrojtje tek këto brigada të cilat i dorëzuan tek armata Jugosllave, e cila bëri masakër mbi ta.


Nuk dua të zgjatem shumë te ajo çfarë bënë partizanët e Shqipërisë në Kosovë, pasi ata që kanë veshë e sy e kane marrë vesh, por trajtimi nga shteti i përgjegjësve të sajë përbën realisht një problem shume serioz.


Masakra e Tivarit u risoll politikisht si ngjarje në vitin 2012 me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, kur me iniciativën e ish qeverisë Berisha u ngrit edhe një grup hetimor parlamentar, i cili funksionoi për më shume se një vit dhe mblodhi dokumenta e prova të mjaftueshme për masakrën dhe përgjegjësit shqiptar të sajë, që ishte edhe qëllimi i këtij hetimi.


Nuk e di nëse komisioni e përfundoi apo jo punën e tij, por di që njëri prej pjesëtarëve aktiv të tij z. Uran Butka botoi një libër në të cilin vërtetohet me dokumenta roli i partizanëve shqiptar dhe veçanërisht drejtuesve të tyre përfshi edhe të “nderuarin” e fundit të kombit në këtë masakër, ndoshta më e madhja kundër shqiptarëve.


Ish kryeministri Berisha akuzoi drejtpërdrejtë Ramiz Alinë, si autor të Masakrës se Tivari, gjë që siç thash është vërtetuar edhe nga hetimi i komisionit parlamentar. Personalisht kam qenë një mbështetës i hetimit dhe ndëshkimit te këtij krimi apokaliptik mbi shqiptarët dhe i jap te drejte z. Berisha në akuzat e tij.


Sipas dokumenteve Ramiz Alia ka qenë i përfshirë në këtë krim, por sigurisht që ai nuk është vetëm. “I nderuari” i fundit është bashkëpunëtori kryesor i Alisë, pasi të gjitha vendimet e urdhrat janë marrë, dhënë e firmosur së bashku, njëri si komisar e tjetri si komandant partizan, siç vërtetohet edhe ne këtë telegram të gjetur në arkivat e ushtrisë shqiptare që ai e drejtonte me talent të madh:


Shatbit Operativ për Kosovë e Metohi
Prizëren.

Bashkangjitur po ju dërgojmë listën emnore e të dorëzuarve dhe të vullnetarëve kosovarë t’ ardhun në radhët e këtij Divizioni.

Komandnati N/Kolonel Rrahman Parllaku

Komisari N/kolonel Ramiz Alia

Mitrovicë, 7/4/1945


Siç e shikoni telegrami me listën e shqiptareve të Kosovës të dorëzuar tek partizanët shqiptar i dërgohej shtabit Jugosllav në Prizren. Ishin pikërisht pjesëtaret e këtyre listave që u dërguan me vonë në Tivar për t’u Masakruar nga Armata Jugosllave.


Besoj se ky dokument është i mjaftueshëm për të kuptuar “drejtimin e talentuar që i bëri luftës nacional-çlirimtare “nderi” më i fundit i kombit tonë. Por jo vetëm kaq. Ky dokument vërteton edhe bashkëpunimin e tij me Rmiz Alinë.


Ne këtë situatë pyetja është e thjeshte dhe e qartë: Pse Ramiz Alia konsiderohet me të drejtë si xhelat dhe tradhtarë ndërsa ky Parllaku që ka firmosur ne krah me të “nderi i kombit”. Ç’është kjo logjike leshi, komandanti trajtohet si hero dhe komisari si kriminel për një krim autorësinë e të cilit e kanë firmosur bashkë.


Mendoj se me këto që thamë më lart biem dakord që personi i dekoruar nuk e meritonte “nderin e kombit“ përkundrazi, por thelbi i problemit nuk është ky, por tendenca e politikës dhe shtetit shqiptar për të përsëritur “gabimin” dhe nderuar në mënyre të vazhdueshme të keqen duke na e sjellë herë pas here në vëmendje si të vetmen vlerë zyrtare të kombit tonë.


Por përveç efektit negativ politik, historik e moral kjo praktike përben një rrezik të madh për të ardhmen e vendit. Ta zëmë se, larg qoftë, të rinjtë tanë pas disa vitesh zgjedhin si model këtë tip të “nderit të kombit “ çfarë duhet të bëjnë?!


Me këtë dekorim shteti shqiptar u thotë: krijoni njesite guerile, vrisni e tradhtoni popullin e kombin tuaj se kështu do të jeni të nderuar nga shteti jonë.
Nuk i di, por mund t’i marr me mend motivet e kësaj sjelljeje të përsëritur të kreut të shtetit shqiptar, por edhe institucioneve të tjera të tij, sidomos kur drejtohen nga përfaqësues që pretendojnë se vijnë nga e djathta antikomuniste politike.


Media dhe PD pothuaj e kanë kryqëzuar ish presidentin Bamir Topi për dekorimin e disa autorëve të krimeve të komunizmit. Z. Topi e cilësoi si lapsus dhe në një rast si ai i ish prokurorit Skënder Breca e anulloi dekretin. Mjafton vetëm ky precedent me Topin që gabime të tilla të mos përsëriteshin, por me sa duket nuk bëhet fjalë thjesht për gabime por për veprime të llogaritura mirë.


Fakti që lajmi u mbajat disi i fshehur nga media e bën edhe më misterioz këtë vendim e më të dyshimte prapaskenën dhe qëllimin e tij. Ajo që gjithashtu më habit është mos reagimi i deri tanishëm i politikës dhe veçanërisht shqotave të ish të përndjekurve politikë. Dua të kujtoj se në rastin e Topit me Brecën reagimi ishte i fortë e i menjëhershëm.


Pres gjithashtu edhe një reagim personal nga z. Berisha, si iniciator personal i hetimit të Masakrës së Tivarit me akuza të drejtpërdrejta për Ramiz Alinë.


Nuk e di si do ta trajtojë më tutje z. President këtë çështje por besoj se ka në dispozicion vetëm një mundësi riparimi, atë të anullimit të dekretit dhe tërheqjes së dekoratës. Në të kundërtën i duhet të dekorojë të njëjtën mase edhe Ramiz Alinë.


Të gjithë e dimë se rasti në fjalë nuk është i vetmi në listën e gjatë të të inkriminuarve të dekoruar të Shqipërisë, por shtesat në listë nuk priteshin nga kjo presidencë, nga ky President. E mirëkuptoj pretendimin për pamundësinë e heqjes së titujve dhe dekoratave të Enver Hoxhës dhe krerëve të tjerë të lartë të diktuarës komuniste pasi ligji që kanë bërë vetë nuk ua mundëson një gjë të tillë. Por të shtosh radhët “të nderuarve të kombit” me kriminelë të tjerë, këtë qëllim dhe arsye nuk arrij ta kuptoj dot, ose më mire të them që nuk kam dëshirë ta kuptoj…. ashtu siç e mendoj unë.

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page