- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Krimi i padenuar i shtetit komunist

Burgu komunist i Spaçit
Revolta antikomuniste e Spaçit
Revolta e Spaçit, filloi pikërisht me shpërthimin e birucave kur një ish i burgosur me një levë hapi katër birucat, duke lëshuar prej tyre 12 të dënuar politikë. Pastaj nisi përleshja trup me trup me gardianët të cilët ia mbathën. Më vonë kampi u pushtua nga të dënuarit duke shënuar kështu një kulminacion të kundërshtimit ndaj barbarisë shtetërore që vazhdonte të merrte në për këmbë dinjitetin njerëzor. Ky ishte një apel proteste për punën e detyruara në kushte shtazore, për torturat dhe terrorin e ushtruar, mbi ta. Revolta vazhdoi nga data 21-23 maj të vitit 1973. Kjo ishte një nga revoltat më të mëdha kundër regjimit sepse për herë të parë aty u ngrit flamuri pa yllin e kuq, ndërsa thirrjet ishin këto: “Poshtë diktatura”, “Europa është me ne”, “Niksoni do të vijë një ditë në Tiranë”, “Rroftë Europa e Bashkuar”, “Poshtë Komunizmi”, etj, Këtë ngjarje e kujtojnë edhe banorët përreth, ku mbi 450 burra, të moshave të ndryshme u bashkuan për të kundërshtuar ligjet e kampit mizor, për kushtet e rënda të punës, për punën e papaguar, si dhe për izolimin e padrejtë që u bëhej nga jeta, familja e shoqëria. Kjo ishte revolta e parë më e madhe që i doli jashtë kontrollit komandës së burgut dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe. Ngjarja, nisi pikërisht më 21 maj ku pas një incidenti që ndodhi në mëngjesin e asaj dite mes një të burgosuri dhe një gardiani, filloi revolta që hyri në histori. Ndërsa në mbrëmje vonë protesta mori përmasa akoma më të mëdha, sepse u dogjën këndet e emulacionit dhe të burgosurit shpërthyen birucat. Ata mbanin në duar mjetet më të rënda të punës. Kjo revoltë kishte ngjyrë politike. Me të u bashkuan edhe pjesa tjetër e të burgosurve dhe kjo situatë vazhdoi deri në mbrëmjen e datës 23 maj, pra, deri kur përforcimet e policisë dhe ushtrisë rrethuan kampin me mjetet e tyre luftarake si mortaja, tanke, mitraloza, duke u bërë thirrje të burgosurve për t’u dorëzuar dhe për të larguar nga vetja mjetet e rënda të punës, pra, armët e tyre.
Krimi i padenuar i shtetit komunist
Krimi shtetëror nisi hakmarrjen në mënyrë barbare. Për tre ditë me radhë komanda e burgut preu ujin dhe ushqimin. Pastaj, pas ndërhyrjes së forcave ushtarako-policore, shteti nisi masakrën. U arrestuan 115 të burgosur, 4 prej të cilëve: Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan pa gjyq. 111 të tjerët u dërguan në burgun e Tiranës, ku iu nënshtruan torturave. Mbas dy muajsh, ata i nxorën në gjyqin e inskenuar, në Rrëshen të Mirditës, të ndarë në katër grupe, duke i dënuar, në total, me 1600 vjet burgim! Kjo është historia e revoltës së Spaçit, revolta më e madhe e shënuar në historinë e burgjeve dhe të kampeve me punë të detyruar të regjimit komunist shqiptar, kundër dhunës dhe terrorit që ushtrohej vazhdimisht mbi të dënuarit politikë. Ndërkaq, në kongresin që u mbajt në Lituani, revolta e Spaçit, u klasifikua si revolta më e madhe me karakter politik, që ka ndodhur në vendet e Europës Lindore nga të burgosurit antikomunistë.