- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Harresa e Madhe per Mark Martinin heroi ...
Nga Alfons Grishaj
Harresa e Madhe për Mark Martinin heroi i nacionalizmit shqipëtar në Amerikë

Marku, i pari nga e djathta, si sportist dhe qitës kampion duke përfaqësuar Amerikën në lojrat e Biathlan Winter
Shteti dhe Heroi!
Duke mos hyrë në të drejtën kushtetuese, në terminologjinë juridike apo në dimensionin reciprok të shtetit dhe qytetarit, guxoj të komentoj Shtetin dhe Heroin.
Çdo shtet në botë i respekton heronjtë e vet në bazë kontributeve, por dhe të kushteve dhe rrethanave, në të cilat i kanë shërbyer vendit të tyre. Por, a ndodh kjo me shtetin amë, Shqipërinë dhe shtetin tjetër të shqiptarëve, Kosovën? Pjesërisht po. Përkujtohen heronjtë e mëdhenj, të cilët kanë kontribuar në momentet kulmore të ndryshimeve, të ndërtimit apo krijimit, të flijimit apo aksidentit… KUJTOHEN! Por, jo të gjithë. Dhe ata që harrohen më shpesh, janë heronjtë, të cilët kanë jetuar jashtë atdheut.
Megjithëse me një strukturë diplomatike moderne, shteti shqiptar nuk është i aftë të zbulojë vlerat e veta kombëtare dhe HERONJTË nëpër shtete të ndryshme të botës. Nëse komunizmi varrosi çdo vlerë nacionaliste, duke vënë në plan të parë internacionalizmin proletar dhe jo HEROIN ose individin që e ekspozon me dinjitet identitetin etnoklturor në diasporë, tashmë, ky individ njihet rrallë herë për vlerat kombëtare apo intelektuale, dhe paradoksalisht, vlerësohet dhe nderohet për nga vlera e xhepit. Sepse për institucionet shqiptare, diaspora është thjesht çështje remitancash dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë vetëm me aspektin material. Ana shpirtërore, përpjekjet intelektuale për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar në hapësira globalizuese, nuk është çështje për zyrtarët e Shqipërisë apo Kosovës. Çdo gjë mund të jetë e kuptueshme deri në një pikë… Por atë që nuk e kuptoj është se çfarë i kushton shtetit të nderojë qytetarin e vet, heroin e vet, mbasi xhepin e ka “të mbushur”? Në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë ekziston Drejtoria e Diasporës, ndërsa në Kosovë, Ministria e Diasporës. Çfarë bëjnë këto institucione për të njohur këto heronj apo intelektualë që e çojnë jetën duke mbajtur lart emrin e shqiptarit?
Le të hyjmë në temë:
Para pak ditësh vdiq Z. Mark Martini, një nga HERONJTË e Nacionalizmit Shqipëtar në Amerikë. Një nga njerëzit që mbajti lart flamurin Shqiptar pa yll krahas shumë nacionalistëve të tjerë të shquar si Prof.Arshi Pipa, Llesh Grishaj, Imam Vehbi Ismaili, Dr.Gjon Kelmendi, Baba Rexhepi, Dr.Gjon Bucaj, Prof.Luan Gashi, Dr.Fuat Myftia, Petrit Butka, Hafëz Isuf Azemi, Luan Isufi,Tajar Shaska, Xhaferr Malushi,Tahir Markja, Ferdin Toptani, Bilal Xhaferri, Prenush Gjoni, Vasel Doda, Agim Karagjozi, Franz Grishaj, Xhevdet Hoxha, Isuf Selenica, Njazi Bardha, Bardhok Ndreu, e shumë tjerë në Amerikë dhe shtete të ndryshme që luftuan për Shqipërinë e Kosovën, për vlerat civile demokratike perëndimore. Konfuci thotë: “Njerëzit e mirë frymëzojnë të tjerët dhe ushqejnë virtytin”
Mark Martini ishte pinjoll i një familjeje me tradita patriotike, arratisur nga Shqipëria, për t’i shpëtuar ferrit të përndjekjes nga rregjimi komunist. I edukuar në Perëndim me idealet demokratike, z. Martini nuk reshti kurrë së punuari për lirinë e Shqipërisë dhe Kosovës. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në shumë tubime politike të organizuara për të bërë të njohur para administratës amerikane çështjen shqiptare në Ballkan. Ndër kontributet e çmuara të z.Martini nuk mund të mos përmendet angazhimi në themelimin e Kishës Shqiptare të Shën Palit në Michigan.
Mark Martini ishte jo vetëm një veprimtar i pakursyer për Shqipërinë e lirë, por ishte dhe një luftëtar Hero Amerikan në luftën e Vietnamit, pikërisht në kohën kur rregjimi diktatorial shqiptar solidarizohej shpirtërisht dhe materialisht me armatën komuniste vietnameze. Ai u shqua dhe si sportist dhe qitës kampion duke përfaqësuar Amerikën në lojrat e Biathlan Winter. Presidenti i SHBA Barak Obama, në shenjë nderimi dërgoi flamurin Amerikan për të mbuluar arkivolin e veteranit dhe sportistit të shquar, Mark Martini. Kurse shteti shqiptar jo vetëm që i injoron heronjtë e vet, si ATDHETARI Martini, por edhe i fyen teksa u dërgon ngushëllime spiunëve të damkosur, të cilët i kanë shërbyer devotshmërisht UDB-së!!!
Diplomaci diletantësh e Konsujsh dritëshkurtër, apo shtet apatik?
Ç’është kjo pikë e zezë me këtë diplomaci të çalë e pa vizion?
Shteti Amerikan njeh dhe përcjell me vëmendje të plotë jetën dhe veprimtarinë e çdo qytetar të tij kudo që të ndodhet, deri dhe në skutat më të humbura të globit. Shteti Shqiptar dhe ai Kosovar, me më shumë se gjysmën e popullsisë aktive në emigracion, duhet të ndjekin pikërisht modelin e amerikan të vëmendjes ndaj qytetarëve të vet kudo që ndodhen, për të njohur dhe nderuar HERONJTË e shpalimit të identetit kombëtar. Institucionet që merren me diasporën duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e diplomatëve, konsujve dhe nëpunësve të tjerë të kontaktit me emigrantët shqiptarë nëpër botë, qofshin politik apo ekonomik. Në këto detyra nuk duhet të bëjnë pjesë barkderrat, të korruptuarit, që i masin emigrantët për nga xhepi, por njerëz me integritet moral e profesional, të cilët e kuptojnë se sa e rëndësishme është për vendin dhe diasporën vlerësimi i kontributeve në dobi të ruajtjes dhe kultivimit të identitetit kulturor shqiptar në çdo cep të globit.
Aspak habi!
Nuk do më vinte aspak çudi, që ndonjë ditë, injorimi i këtyre kontributeve të shkaktonte nëpër rrethet e diasporës një pakënaqësi, që do të shkaktonte reagime me pasoja për klasën politike shqiptare. Çdo shoqëri dhe çdo shtet me një diasporë kaq të madhe e kaq të përhapur nëpër botë do të bënte çmos që ta kishte atë pjesë integrale të zhvillimeve të brendshme politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore. Në botën demokratike, jo rrallë ka ndodhur që qeveritë apo ministritë t’i drejtojnë pikërisht personalitete nga diaspora. Shqipëria ka jo vetëm “krahun e punës” jashtë kufinjve por edhe pjesën më të qenësishme të trurit. Por ky fakt është harruar në Tiranë dhe në Prishtinë.
Nuk dua të besoj, se politika e brishtë shqipëtare është duke fjetur në kalbësinë apo plehun e së shkuarës izolacioniste, pa krijuar profilin e vet, pa krijuar ndërgjegjen e vet, pa i shërbyer qytetarit dhe vendit… Konfuci thotë: “Druri i kalbur nuk mund të bëhet skulpture, një mur me pleh nuk mund të bëhet allçi. Çfarë do më jepej mua?”