- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Hajri Pashaj: Poshte komunizmi, Poshte Partia
Revolta antikomuniste e Spaçit

Burgu politik i Spaçit
Procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për gjyqin e revoltës së Spaçit dhe ekzekutimin e organizatorëve të saj
DOKUMENTI
Procesverbal, mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më datë 24 maj 1973. Marrin pjesë në mbledhje shokët: Haxhi Lleshi(kryetar), Rita Marko, Myslym Peza dhe Shefqet Peçi (nënkryetar), Bilbil Klosi (sekretar), Pilo Peristeri, Karaman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu (anëtar).
HAXHI LLESHI: Këtë mbledhje e bëjmë për të parë disa të dënuar me vdekje. Kemi thirrur kryetarin e Gjykatës së Lartë, shokun Aranit Çela, për të na referuar.
ARANIT ÇELA: Në Kampin 309 në Spaç, ditët e fundit u bë një revoltë nga të burgosurit që përfshiu rreth 500-600 veta. Në fillim u dukën se shfaqën kërkesat e tyre si gjysmëpolitike: kërkonin që të largoheshin nga miniera, kërkonin të faleshin nga dënimet, kishin disa ankime të tjera rreth trajtimit të tyre, etj. Mbasi plasi revolta, kërkesat u rritën dhe doli hapur se ishte një revoltë politike, kundër pushtetit popullor. Tani të gjithë elementët që janë në këtë kamp, janë nga ata politikë, janë njerëz që kanë kryer krime kundër shtetit dhe pushtetit popullor. Shkaku i revoltës ishte me parullën që të shpëtonin shokun që ishte një i dënuar që kishte shkelur rregullat e brendshme të kampit, i cili në përleshje u largua nga dhoma e izolimit që këta personat e tjerë nuk e dorëzonin. Revolta pra, nga disa kërkesa, doli hapur në një revoltë politike, sigurisht e nxitur nga disa elementë kryesorë që ishin në këtë kamp. Kërkesat pra, në fillim qenë të tilla, pastaj u dual me parullat nga i dënuari Hajri Pashaj: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë Partia”, “Ju do të vini këtu dhe ne do të zëmë vendin tuaj” etj. etj. Revolta zgjati tri ditë, më datë 21, 22, 23 maj 1973. Mbas përpjekjeve u desh të dërgonim forca e u rrethua kampi. Ata, sipas tyre, kishin krijuar një zonë të çliruar, vunë ligjet e tyre. U bë një demonstrim i fortë dhe u desh të hidheshin breshëri armësh dhe në fund iu dha ultimatumi. Nëse nuk do të dorëzoheni, do përdorim armë. Mbas kësaj, nga ata u krijua njëfarë përçarjeje, sigurisht që në gjendjen që u krijua një pjesë e mirë u tronditën nga frika. Pra, në mëngjesin e ditës së fundit, në orën e caktuar, u futën forcat tona dhe filluan të dalin të gjithë me përjashtim të 60 vetave, kështu që u bë një përleshje me ta dhe më në fund u kapën. Nga këta, 12 veta i prunë në Tiranë dhe pas zhvillimit të hetuesisë shpejt e shpejt, në orën 11 të natës u zhvillua gjyqi nga të cilët, katër veta i dënoi me vdekje. Pra, nga 12, katër me vdekje.
HAXHI LLESHI: Po ata atje filluan punë?
ARANIT ÇELA: Sot atyre u është shpallur vendimi i Gjykatës për dënimin me vdekje të këtyre të katërve dhe u është thënë se në rast se shkelin disiplinën dhe rregulloren e brendshme të kampit, në rast se shkelin disiplinën më të vogël, do kenë përgjegjësi, do të kenë konsekuenca. Siç duket, situata u qetësua dhe turni i parë doli në punë. Tani zhvillimi i gjyqit u bë për 12 që janë nga kryesorët, por nuk është çudi të ketë shpëtuar ndonjë tjetër. Përfundimisht u dënuan katër me vdekje, ndërsa të tjerët, d.m.th 8 prej tyre, u dënuan me 25 vjet burg. Ishte shumë e vështirë të bëhej dallimi, por megjithatë u pa që katër të dënoheshin me vdekje, që janë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj.
HAXHI LLESHI: Tani shpjegimet janë të mjafta, prandaj si mendoni të bëhet me këta të katër, me pushkatim?
ARANIT ÇELA: Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve dhe jo para kampit.
HAXHI LLESHI: Për këtë vendosni ju, si t’ju vijë mirë.
RITA MARKO: Dhe unë jam dakord që këta katër të dënohen me vdekje (pushkatim).
Raporti i Feçor Shehut: Si ndodhi revolta e Spaçit
Relacioni për ngjarjen i zv.ministrit të Brendshëm për Komitetin Qendror
Revolta nisi mëngjesin e datës 21 maj 1973, kur i dënuari Pal Zefi doli forcërisht nga dhoma e izolimit dhe iu bashkua turmës së të dënuarve në oborr. Pas refuzimit të thirrjeve për t’u dorëzuar, Zefi u arrestua forcërisht, por kjo irritoi të tjerët, të cilët u grumbulluan dhe filluan të hedhin parulla armiqësore “Ja vdekje, ja liri!”, “Ne nuk punojmë!”, “Ju jeni katila!” etj. Ky reagim i tyre vazhdoi për çaste të tëra, duke shpërfillur çdo urdhër të personelit të shërbimit. Me acarimin e mëtejshëm të situatës rojet dolën jashtë rrethimit. Në orën 21:00, të dënuarit thyen dhomat e izolimit dhe nxorën shokët e tyre. Rojet hapen zjarr me breshëri nga të gjitha drejtimet. Ndërkohë të dënuarit grumbullohen sa në shesh, në tarracë dhe mbajnë fjalime e recitojnë poezi kundër pushtetit popullor, thirrje për kryengritje: “Rroftë Shqipëria e Lirë!”, “Ja vdekje ja liri!”, “Ushtria është me ne!” , “Populli është me ne dhe kundër jush!”, “Ju jeni kriminela!”, “Do t’ju djegim si Stalini!”, “Poshtë komunistët!”, “Rroftë Europa e lirë!” etj. Mëngjesin e datës 22 maj ‘73, në katin e 3-të të pallatit të tyre, të dënuarit ngritën një flamur të kuq me shqiponjën pa yll, duke kundërshtuar edhe thirrjet e zëvendësministrit të Brendshëm për t’u shpërndarë. Pas shumë ndërhyrjeve energjike të forcave të ardhura nga Tirana, revolta u mposht dhe të gjithë të dënuarit u lidhën dhe u vunë në një shesh për kontroll. Grupi i operacionit vazhdoi aksionin për të mposhtur forcërisht grupin e të dënuarve që kishte hipur në tarracë dhe godiste prej aty forcat e Policisë. Përleshja vazhdoi disa orë. Në të u plagosen 5 të dënuar dhe dy nga forcat e Policisë. Në përfundim u bë demaskimi i revoltës, duke arrestuar 70 veta, 12 prej të cilëve u gjykuan e dënuan brenda ditës, katër syresh me vdekje dhe tetë me 25 vite burg. Vendimi u ekzekutua brenda disa orëve.
