- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Greket nuk duan autoqefaline e kishes

Mit'hat Frasheri
Nga Athina, në datë 7 nëntor 1925
“Z.Ministër! Si vazhdim ne telegrafi im i 4 Ct, relatif me konvensionin për nënshtetësinë dhe tendenca që çfaqetë në Ministri Helenike për të bashkuarë këtë çështje me atë të shkollavet greke:
Më 3 Ct, vajçë ne Drejtori Gjeneral të kuvendonj se amiral Haxhi Qiriakoja si axhami dhe provizor nukë mirretë me punët e zyravet. Kisha një tok sende për t i thënë, midis të tjerave ajo e Maxhar Dinos, e pesë fëmijëvet shqiptarë në Konicë që (veç shtëpivet) u kanë marrë dhe drithët e arësë. Për Maxharin më dha fjalë se të nesërmen do ta thëresë vetë ta pyesë dhe të kupëtojë punën. Edhe me të vërtet kështu bëri. Që me 4 Ct, Maxhar Dinoja u la i lirë në Athinë duke u detyruarë që të paraqitetë çdo ditë në polici. Për Koniciotët më dha fjalë se do të shkrojë në Konicë. Për punën e konvensionit më tha se do jipetë një afat i ri, po shtoj, edhe Shqipërija nukë mban zotimet e saj, dhe duke thirurë Z.Kolokotroni çeli çështjen e shkollavet greke. I thashë se po bisedonj jo zyrtarisht, me qenë se nuk kam no një autorizim, as që Qeverija ime më ka bërë no një komunikim gjer më sot.
Kupëtova se:
1. Greqija beson që në Shqipëri ka dyqind e tridhjetë mijë ortodoksë-grekër, prej të cilëve vetëm 300 janë shqipëtarë, që duanë Shqipënë; të tjerët janë grekër dhe duanë greqishtenë;
2. Se kisha Shqipëtare duhet të jetë autonome dhe jo autokefale;
3. Se ortodoksët shqipëtarë duanë mprojturë prej Greqisë;
4. Se Z.Ahmet Zogu ka bërë zotime për këtë punë kur ishte në Beligrad;
5. Se tani duhetë që edhe Shqipërija të bëjë një marrëveshje, një konvension për këta sende me Greqinë.
Me një fjalë Zoti Ministrë, Greqija kërkon të lozë përkundrejt Shqipërisë atë rol që ka lojturë Rusi e Carëvet përkundrejt Tyrqisë së Sulltanëvet. Refutova pretendimet e Ministrisë Greke, po, me qenë se ishte bërë vonë, prëmë vajta dhe pashë Kolokotronin, në zyrë të ti. Biseduamë afëro një orë e 15 minuta. I dhashë të kupëtojë se çështja e Minoritetevet, me qenë se kemi 20.000 grekofonë, në Shqipëri nukë duhet të përdoretë si veglë politike, se kështu ka qenë edhe teori e Greqisë (me anë të delegatit të saj Politis) në Shoqëri të Kombevet, më 1924;
Se, me ingjerencën që po bën Greqija në Shqipëri, po çel udhën për ingjerencën sllave në Maqedoni;
Se, as në Poloni s ka më shkolla ruse, as në Maqedoni shkolla bullgare, as në Rumeli Orientale shkolla greke, as në Rumani shkolla greke, as në Çekosllovaki shkolla gjermane për sllavët;
Se, Shqipërija po mban me të hollat e saja shkolla greqishte për grekofonët, jo për hatërin e Greqisë, po për hatërin e Shoqërisë së Kombevet, me qenë se çështja e Minoritetevet ka të bëjë me S.d.N dhe jo me Greqinë;
Se, Greqija duke u përzjerë me punët e brendëshme të Shqipërisë, do të bëhetë shkak që të ftohenë të dy Shtetet dhe mbase Shqipërija të kërkojë një mik tjatrë;
Se, Shqipërija nukë do të permetojë që një Shtet i huaj të përzihetë në punët e saj të brendshme;
Se, Z.Ahmed Zogu, edhe në ka bërë no një premtim si njeri privat në Beligrad, ky premtim s ka të bëjë me qeverinë Shqipëtare.
Sa për kishën, për të cilën Z.Kolokotroni thoshte që është gati të verë në shërbim tënë ndërhyrjen e tij, i thashë se Shqipëria është gati të çojë një komision në Patrikanë, ku Patriku të vendosnjë se do ta njohë autokefale, gjë e cila duhet t i vijë mirë edhe Greqisë që është shtet ortodoks, dhe jo të jemi të varurë nga patrikana e cila sot është nënë influencën tyrke me qenë se Patriku vetë dhe gjithë parësi e Fanarit janë nënështetas tyrq. Si mbarova këto kuvendova, si pa dashurë, e suallmë fjalën mbi situatën e Shqipëtarëvet në Greqi; mbi shtrëngimet që vuajnë; mbi mënyrën me të cilën qeverija greke i ndalon që të rrojnë, ose i shtrëngon që të ikënë; mbi programin sistematik që ndiqetë nga ana e qeverisë qendrore greke për këto sjellje, me gjithë deklaratat e bëra në Lausanne dhe në Genevë; mbi të përzënët e 35.000 Shqipëtarëvet të Kostur dhe Fllërinës; qysh tani ata të mjerë vijnë në Shqipëri. Edhe konkludova: Padyshim gjëja më e mirë për Shqipërinë do të jetë të përzërë ata të 20.000 grekofonë që janë në Delvinë; po prapë Greqija do të na ketë hua edhe nja 40.000 frymë të tjera, me qenë se gjer më tani, janë përzërë me pahir, me dru dhe të rahurë, më teprë se 60.000 Shqipëtarë.
Argumentet e mija e impresionuanë Z-in Kolokotroni. Po këto fjalë dua që t ja them sot ose nesrë, edhe Z-it Pangalos, edhe Z-it Kaftanxhogllu, edhe Ministrit të ri që u emërua die. Sot ose nesrë do të kem një bisedim të gjatë me zheneral Kondulin, mbi të cilin do të bënj një raport të veçan. Ju lutem, passi të studiohetë ky raporti im, të më rrëfehetë kthielltazi pikëpamja e Qeverisë sënë. Ju lutem prapë të mbahem në kurent të demarshevet, kërkesavet dhe pretendimevet që bën Ministri grek, do verbalisht do me nota. Do të qe fort nevojë që të më komunikohenë mua kopiet e notavet ose teksti i bisedimevet.
Pranoni, ju lutem, Zoti Ministrë, të falat e mia me nderime".