- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Genocidi komunist neper burgje dhe kampe
Nga Reshat Kripa

Të flasësh për genocidin komunist të ushtruar nëpër burgje dhe kampe, është njësoj sikur të përshkruash tmerret e ferrit. Pyetni ata që kanë mundur të shpëtojnë gjallë nga këto tmerre dhe do të mësoni ngjarje të padëgjuara ndonjëherë, të pakonceptuara për një mendje të shëndoshë. Do mësoni për burgje dhe kampe të krijuara me qëllim për çfarrosjen e njerëzve, për tortura të lemerishme të ushtruara mbi nacionalistë të shquar dhe intelektualë demokratë që jetën e tyre ia kushtuan atdheut.
Pyetni të mbijetuarit e këtyre torturave dhe do mësoni për rrahje me kamzhik deri në vdekje, për ngacmim të plagëve të hapura dhe hedhje kripe mbi to, për djegie me cigare të ndezura, për rrymë elektrike dhe veshje jeleku të forcës, për lënie me ditë të tëra pa bukë dhe ujë, për përdhunim të familjarëve në sytë e tyre, për varje me kokë poshtë, për vendosje vezësh të porsa zjera nën sqetull, për futje gjilpërash në thonjtë e gishtrinjve dhe dhjetra e dhjetra forma të tjera torturash. Kriminelët viheshin në garë se kush do ia kalonte shokut në egërsinë e tij, se kush do të shkaktonte më shumë viktima. Një garë e vërtetë kanibalësh që nuk ngopeshin me gjak bashkëqytetarësh.
Ky tmerr ndodhte në shekullin e njëzetë, në “ Shekullin e Megavdekjes “ , siç do ta quante Zbigniev Brzhezhinski në librin e tij “ Jashtë kontrollit. “ Në librin e mësipërm ai paraqet shifrat e viktimave civile të shkaktuara gjatë shekullit të kaluar.
Simbas këtij libri, Lufta e Parë Botërore shkaktoi 13 milion viktima, ajo e dyta 35 milion, ndërsa olokausti komunist 66 milion. Vini veshin. Ndërsa në të dy luftrat botërore u zhdukën 48 milion njerëz, gjatë periudhës së sundimit komunist kjo shifër arriti në 66 milion. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, këto vrasje kryheshin në periudhë paqeje, me gjakftohtësi dhe cinizëm, me ndërgjegje të plotë prej sadisti, vetëm e vetëm se dikush mendonte ndryshe nga sundimtari.
Le të vazhdojmë me të dhënat e tjera të këtij libri:
Gjatë periudhës së sundimit të Leninit 8 milion të zhdukur
“ “ “ “ “ Stalinit 25 “
“ “ “ “ “ Mao Ce Dunit 29 “
“ “ “ “ “ Pol Potit 1 “
Diktatorët e Europës Lindorë 3 “
Le të tregojmë edhe disa shembuj të tjerë të pasqyruara këtu:
1 milion të ekzekutuar në fund të viteve 20-të
1 milion të ekzekutuar dhe 2 milion të vdekur në kampet e punë së detyruar
vetëm gjatë viteve 1937 – 1938 milion të vdekur nëpër kampe gjatë periudhës tjetër.
7 milion fshatar të vdekur gjatë procesit të kolekivizimit
360.000 robër lufte të vdekur nga konditat e këqija
140.000 ushtarë polakë të ekzekutuar
200.00 oficerë polakë të ekzekutuar afër Minskut, zbuluar në fundin e viteve 80 të
14.736 oficerë polakë të ekzekutuar më 5 mars 1940, me urdhër të Berias, shefit të KGVD-së dhe të miratuara nga vetë Stalini si edhe
15.000 oficerë të tjerë polakë të ekzekutuar në pyllin e Katinit.
Lezoni këto të dhëna në librin e Brzhezhinskijt dhe bëni krahasimin
Nëqoftëse do t’i referoheshim shifrave të fundit të botuara nga Këshilli i Europës, kjo do të arrinte në 100 milion viktima
Shqipëria, duke e marrë në proporcion me numrin e popullsisë zë një nga vendet e para në këtë drejtim. Nëqoftëse do t’i referohemi shifrave zyrtare që ruhen në Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë rezultojnë këto të dhëna:
1. Të ekzekutuar 6.023 persona
2. Të vdekur në burg 1.065 “
3. Të burgosur 17.300 “
4. Të sëmurë mendorë 260 “
5. Të internuar deri në vitin 1954 22.000 “
6. Të vdekur në internim 9.000 “
Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijve të internuar nën 14 vjeç, si dhe ata që janë internuar pas vitit 1954 dhe që nuk janë përfshirë në këto lista, atëhere rezulton se numri i përgjithshëm i atyre që kanë pësuar direkt persekutimin i kalon të 100.000 personat.
Bisedoj me këta njerëz dhe më tregojnë për tmerret që kanë hequr ata ose miqtë e tyre. U shtoj këtyre dhe kujtimet e mia dhe para syve më dalin ato ngjarje të dhimbëshme që do të bënin të dridhej çdo zemër njeriu. Dëgjojini pra këto dhe më thoni nëse nuk është zhvilluar genocid në Shqipëri.
Burgu i Burrelit, tmerri i të burgosurve. Sa jetë njerëzish janë shuar atje! Qershia e famshme, po të kishte gojë, do të tregonte për Koço Kotën, Xhevat Korçën, Et-hem Haxhiademin, Arqile Tasin, Kristo Kirkën, Xhavit Leskovikun, Mustafa Bajraktarin, Gjergj Kokoshin, Sazan Hadërin, Salo Lezhën, Qemal Vrionin, Mihal Bellkamenon, Kol Mjedën dhe plot burra të tjerë të shquar të këtij vendi, plot 350 persona të groposur. Kujtoj qelitë e tmerrshme të atij burgu dhe ndër mend më vijnë vargjet e një të burgosuri politik, Uran Kalakula, të shkruara atje:
Burgu i Burrelit i gjatë dhe i zi,
Shtrirë në dhe si gjarpër laragan,
Në verë vapë, ankth e zagushi,
Në dimër fraq, akull e kallkan.
Viti 1947. Të mbyllur në birucë, por të dënuar për të vdekur, dergjen ish Kryeministri Koço Kota, Mihal Bellkamenua, Qemal Vrioni dhe Atif Golja. U hapnin plagët dhe ua lëndonin, U jepnin ushqim me shumë kripë dhe i linin ditë të tëra pa ujë. Kështu u shuan njeri pas tjetrit. Rezistonte vetëm Atif Golja. Të tërbuar nga një gjë e tillë, një grup policësh sadistë, hynë në birucë dhe e mbytën me duart e tyre deri sa dha shpirtin.
Në shenjë proteste për konditat shumë të vështira të burgut, Xhevat Korça futet në grevë urie. Po shkrihej nga dita në ditë. Duke parë se gjendja e tij po keqësohej, Padre Mëshkalla ndërhyri për ta bindur të hiqte dorë.
-- Padre! – i përgjigjet ai, -- mendoja se të kam mik dhe nuk shpresoja se do më këshilloje të ndërpresë rrugën e nisur.
Kishte vendosur të sakrifikohej. I mbylli sytë pas disa ditësh. Kriminelët i
mohuan edhe takimin me të shoqen dhe të birin, Mërgimin, në çastet e fundit të jetës së tij.
Ish Kryeministri Ibrahim Biçaku, biri i Aqif Pashë Elbasanit, person kryesor në shpalljen e pavarësisë, ndodhej në burgun e Burrelit. Roja e detyron të lajë nevojtoret. Ai e kryen detyrën pa u ndier dhe largohet. Roja kthehet dhe për ta provokuar e urdhëron që ta pastrojë përsëri se gjoja nuk ishte pastruar mirë. Bile e kërcënon se po të mos e bënte do t’i fuste kokën në vrimën e nevojtores. Sedra e Ibrahim Biçakut nuk mund të duronte një fyerje të tillë. E rrëmbeu rojen dhe i futi kokën atje ku ai e kishte kërcënuar. Kjo i kushtoi shtrenjtë. Filluan ta torturojnë egërsisht. Ai qëndroi si hero. Zëri i tij nuk u dëgjua. Së fundi e përplasën pa ndjenja në birucë.
Lexoj librin “ Fundi i udhës së gjatë “ të Tomor Alikos dhe më tërheq vëmendjen fragmenti i mëposhtëm:
“ Më hoqën hekurat nga duart dhe u shtriva te i vetmi krevat që ishte bosh. Gjeta tre të sëmurë. Njeri po jepte shpirt. Tjetri kishte mbuluar kokën me batanie. Kurse i treti sa më pa filloi të qeshte. I ngrati kishte shkalluar. Shkova te i sëmuri që po jepte shpirt. E pyeta se kush ishte dhe nga vinte, por më kotë. Hapi sytë me zor, më pa dhe më shtrëngoi dorën. Nxorri një psherëtimë dhe tha vetëm një fjalë:
-- O Zot!
Dhe mbaroi. I sëmuri që kishte mbuluar kokën me batanie më tha:
-- Na kanë sjellë për të vdekur. Erdha nga burgu i Burrelit vetë i katërt dhe kam mbetur vetëm unë gjallë. Jam Teme Shehu nga Sevasteri i Vlorës.
Ishte pikërisht ky Teme Shehu, që në vitin 1949, guxoi t’i drejtohej Mehmet Shehut, që kishtë vajtur të vizitonte burgun e Burrelit, me fjalët:
-- Nuk trajtohen kështu njerëzit! Nuk lihen të vdesin për një kothere bukë apo një aspirinë. Po të kishit burrëri më mirë të na vrisnit.
Teme Shehu i mbylli sytë në spitalin e burgut të Tiranës mbas disa ditësh.
Po në spitalin e burgut të Tiranës vdiq i harruar nga autoritetet ish Ministri i Arësimit Mirash Ivanaj. I sëmurë rëndë, në momentet e fundit të jetës, mundi t’i jepte shokut që kishtë në dhomë, Agron Çarçanit, poezinë “ Lamtumirë jetë, lamtumirë botë! “ Agroni e ruajti këtë poezi dhe e botoi pas shumë vitesh në gazetën “ RD “ më datën 28 gusht 1991. Por edhe trupi i të ndjerit nuk gjeti qetësi. Ai u përdor si kavie në tavolinat e eksperimenteve anatomike për studentët e mjekësisë.
Korçë viti 1946. 12 të dënuar me vdekje tentojnë të arratisen. Mundohen të kalojnë murin e lartë duke hipur njeri mbi tjetrin. Por më pleqtë nuk munden. Avdul Gjyli, një djalë i ri, mundohet t’i ndihmojë. Por, ndërkohë ishin diktuar nga rojet që filluan të qëllojnë me armë zjarri. Mundi të arratisej vetëm Emin Gjergjevica me një djalë të ri. Një pjesë u vranë, ndërsa të tjerët u kapën dhe pasi u torturuan egërsisht, u pushkatuan në Shipkë, vendi i zakonshëm i ekzekutimeve.
Burgu i Gjirokastrës, viti 1946. Gjykoheshin Xhemil Mustafaraj, Hava Golemi, Haziz Qamili, Feride Kanani dhe Maliq Shehu, vëllaj i Havasë. Akuzoheshin se gjoja donin t’i bënin atentat Shefqet Peçit, si hakmarrje për pushkatimin e Ismail Golemit. Të pestë qëndruan si heronj. Mbi të gjithë Xhemil Mustafaraj që u drejtohet gjyqtarëve:
-- Unë kurrë nuk do të vdes nga plumbat tuaja. Poshtë komunizmi!
Me një brisk që e kishte ruajtur enkas, preu damarët e dorës. E morën urgjentisht dhe e çuan në spital ku e shëruan përkohësisht. Jepen vendimet e gjyqit: Xhemili me pushkatim, Havaja 20 vjet, Hazizi 30 vjet, Ferideja dhe Maliqi me nga 5 vjet. Në kohën kur shkuan për ta marrë për ekzekutim, Xhemili u drejtohet policëve:
-- A nuk iu thashë se nuk do të vdes nga plumbat tuaja?
Dhe me një teneqe që e kishte përgatitur më parë, çau barkun, preu zorrët dhe u shtri pa jetë në tokë.
Bego Gjonzeneli, profesori i matematikës në Shkollën Tregëtare në Vlorë.. Ja si shkruan profesor Sami Repishti për të:
“ Gjatë punës, jo shumë larg nga ne, policët dhe shërbëtorët e tyne po përpiqeshin me vu mbi shpinën e nji burri rreth 40 vjeç, nji karro plot me dhe. Ishte nji pamje e tmerrshme. Burri po mundohej të qëndronte në kambë nën peshën e randë të dheut. Ishte i thatë dhe i dobët nga trupi. Pas pak u rrëzue për tokë. Filluen atëhere shkelmat e komandantëve dhe kamzhikët e policëve.
-- Të poshtërit! – dëgjova zanin e Hamdiut afër meje.E shikova me habi. Nji këso fjale mund të të kushtonte jetën.
-- E kam mik, -- më tha – është nga vendi im. Ka qenë profesor. E quajnë Bego Gjonzeneli.
Pas asaj dite profesorin e takova disa herë. Na e morën nga mesi ynë nji ditë shtatori. Hamdiu më tregoi se si së bashku me katër shokë të tjerë po i kthenin në burgun e Vlonës.
-- Do ta marësh vesh më vonë, -- më tha – lamtumirë dhe ndoshta përgjithmonë.
Pas dy muajsh mora vesh se i kishin pushkatue të akuzuem gjoja për krijimin e nji organizate për përmbysjen e pushtetit. Së bashku me Begon u pushkatuen edhe Hamdi Gjoni, Maliq Koshena, Sinan Hamiti, Pirro Xhezo, Petref Bajrami, Dervish Hodo dhe Haziz Dyjaka. Në çastin e ekzekutimit Begua i drejtohet togës së ekzekutimit:
-- Shikoni si vdes një nacionalist! Rroftë Shqipëria! “
Kampi i Lekajt, viti 1951. Toger Hamdiu i kërkon Thabit Rusit të nënshkruajë deklaratën e bashkëpunimit. Ai refuzon. Izolohet në birucë pa bukë dhe pa ujë. Pas tre ditësh i paraqitet përsëri togeri me dy deklarata në duar. E para ishte deklarata bashkëpunimit, ndërsa në të dytën pranonte se ishte armik i betuar i pushtetit. Thabiti nënshkroi të dytën. Pasojat ishin tortura të tmerrshme dhe pas lirimit nga burgu disa vite të tjera internim.
Pesë dënime mori martiri i demokracisë Xhelal Koprencka. I pari në dhjetor 1957, i dyti në mars 1967, i treti në nëntor 1976, i katërti në shkurt 1979 dhe i pesti pas tre muajsh në maj 1979. Ndërsa katër dënimet e para jepeshin sa herë afrohej koha për ta liruar, dënimi i pestë ishte kapital, me akuzën e krijimit të një organizate nacionaliste. Shkak për këtë u bë një letër proteste që i shkroi Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos U ekzekutua së bashku me gazetarët Fadil Kokomani dhe Vangjel Nezho të akuzuar edhe ata se i kishin shkruar një letër të tillë Enver Hoxhës.
Një fat të tillë pati edhe Sami Dangëllia nga Menkulasi i Korçës. Arrestohet që në ditët e para të sundimit komunist. Dënohet me burgim të përjetshëm. Pas shumë vjet lirohet nga burgu, por internohet në Shtyllas, Kuç dhe Gradishtë. Arrestohet përsëri i akuzuar për tentative arratisje. Dënohet me 25 vjet burg. Mer pjesë në revoltën e Spaçit dhe ridënohet përsëri. I mbylli sytë në burg në vitin 1987.
Gjendja shumë e rëndë që ekzistonte nëpër burgje dhe kampe, bënte që shumë raste të kishte tentativë për arratisje apo revolta, që përfundonin në mënyrë të përgjakëshme. Një tentativë e tillë është ajo e kampit Nr. 4 në Tiranë, ku 20 të burgosur tentuan të hapin “ Tunelin e Lirisë “. Pasojat ishin 4 të pushkatuar: Mark Zef Pali, Isuf Velçani, Zyhdi Mancaku dhe Abdulla Bajrami. 16 të ridënuar
Tentativë tjetër ishte edhe ajo e burgut të Burrelit në vitin 1967, ku Adem Hallçi, Dhori Grinjoti dhe Sazan Hadëraj shpërthejnë dyert e burgut dhe rendin drejt lirisë. Por armët e policëve rrëzojnë për të mos u ngritur më Sazan Hadërin dhe kapin dy të tjerët që u nënshtrohen torturave çnjerëzore.
21 maj 1973. Revolta e madhe e kampit të Spaçit. Një revoltë e ngjashme ndodh edhe në majin e vitit 1984 në kampin e Qafës së Barit. Por për këto nuk do të zgjatem. Për to do të flasë një kolegu im.
Një tmerr i vërtetë ka qenë në ato vite qëndrimi në qelitë e tmerrshme të sigurimit. Të detyruar nga torturat, viktimat shpesh herë detyroheshin t’i jepnin fund jetës, duke u hedhur nga dritaret ose duke prerë damarët e duarve. Një pjesë tjetër mbeteshin në duart e torturuesve. Mund të përmend këtu emrat e Baba Myrteza Krujës, Thoma Orollogajt, Lekmi Sharrës, Marie Tucit, Jonuz Kacelit, Muhamet Spahisë, Ramazan Jellës, Profesor Simon Dedes dhe dhjetra të tjerëve që mbetën shtatore të gjalla në memorien e këtij kombi.
Një meritë të veçantë në shpëtimin e sa dhe sa jetëve të burgosurish kanë edhe mjekët heronj Isuf Hysenbegasi, Irfan Pustina, Dhimitër Konomi, Kadri Kërçiku, Jani Melo, mjekët grekë Serafino dhe Nikita me të tjerë. Një nder i madh u takon figurave të tyre të ndritura!
Një mendje e shëndoshë nuk mund të besojë tmerre të tilla. Ato duhet t’i kesh jetuar vetë. Si mund të besohet për Fuat Voshtinën që e gjetën kufomën e tij të zbuluar nga qentë e rrugës vetëm dy ditë mbasi ishte varrosur? Si mund të besohet që Faik Quku dhe Rrok Pali, në kampin e Bonos në Peqin, do rezistonin pa nxjerrë zë, të lidhur pas shtyllës në mes të vapës së korrikut, pa ujë deri sa t’u binte të fikët? Si mund të besohet që Dilaver Çorogjati nga Skrapari të mund të arratisej nën breshërinë e plumbave të policëve në Berat, ku mbetën të vrarë shumë të tjerë? Si mund të besohet që Abaz Korçari, Ago Çela, Nexhip Dauti do të mund të arratiseshin nga kampi i Rinasit, nëpërmjet tunelit që kishin hapur vetë, ndërsa shoku i tyre Shefqet Nexhipi do të binte në duart e kriminelëve që do ta torturonin egërsisht? Si mund të besohet për Pepe Levin, tregëtarin e madh hebre, që i shpëtoi olokaustit nazist në bazë të marëveshjes së bërë nga qeveria shqiptare me autoritetet gjermane, por që u torturua egërsisht në qelitë e sigurimit, në vitin 1946 dhe që vuajti 10 vjet burg dhe pasi doli prej andej u detyrua të punojë si punëtor në ndërmarrjen ullishte në Vlorë?
Më lejoni tani të tregoj dy raste që i kam mbijetuar vetë:
Kampi i Shtyllasit. Viti 1954 Sulejman Dizdari atë mëngjes u gdhi me temperature. U vizitua te doktor Isufi i cili urdhëroi që të shtrohej në infermieri. Por e kundërshtoi toger Ademi. Sipas tij shtrimet duheshin bërë vetëm pasditeve. Doli në punë. Por ethet bënë punën e tyre. Nuk mundi të rezistonte më. Tek shtynte karron me dhe u rrëzua për tokë. Togeri urdhëroi që të ngrihej, por ai nuk mundte. Atëhere urdhëroi të tjerët të zbraznin karrot e dheut mbi trupin e tij. Asnjë nga pjesmarrësit nuk pranoi. I tërbuar togeri urdhëroi disa vegla të tij, të dënuar ordinerë. Neve s’na mbeti gjë tjetër veçse të shihnim se si mbulohej me dhe trupi i shokut tonë. Në mbrëmje na lejuan ta nxjerrim prej andej dhe në krah ta shpinim në kamp, ku u shtrua në infermieri. Ishte mrekullia e doktor Isufit që e shpëtoi. Të nesërmen miku i tij Allaman Hysa shkroi poezinë e mëposhtme;
“ Ty të mbuluan dje,
Diku në Myzeqe,
Të gjallë në një fushë,
Me dhe, o vëlla, me dhe! “
Kampi i Bulqizës. Janari i vitit 1955 Binte borë. Ishte acarr. Porsa ishim kthyer nga puna e lodhëshme dhe po hanim lugën e supës me qepë që na servirnin. Hyn toger Ademi dhe i drejtohet një djaloshi nga Mirdita që nuk i kishte mbushur akoma të 17 vjetët:
-- Pse nuk e realizove normën sot?
-- Isha i sëmurë zoti toger.
E rrëmbeu me forcë, e përplasi për tokë dhe filloi ta godiste ku të mundte. Pastaj e mbylli në birucë. Vonë në mbrëmje, një shoku i tij, i shpuri një copë bukë fshehurazi. Nuk e kishte mbaruar ende kur ia behu krimineli. I kërkoi të tregonte se kush ia kishte dhënë. Djaloshi nuk tregoi. Atëhere urdhëroi ta lidhin pas një shtylle elektriku që ndodhej pranë kapanonit tonë. Atë natë asnjë nuk mbylli sy. Rënkimet e mbytura të djaloshit na therrnin zemrën. Dikur afër mëngjesit ato pushuan. Djaloshi trim kishte ndërruar jetë.
Duke kujtuar këtë ngjarje nuk e di sepse më kujtohet një film gjerman, prodhim i pas luftës, që e kam parë në feminine time. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që në laboratorët e tij eksperimentonte lloj lloj torturash që zbatoheshin mbi hebrenjtë, robërit e luftës dhe kundërshtarët e rregjimit. I kam harruar pothuajse fare sekuencat e këtij filmi. Më është ngulitur në mendje vetëm finalja e tij. Mjeku i kapur mbas hekurave të burgut duke thërritur:
-- Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!
Ndërsa në sfond prapa tij çfaqeshin krimet e kryera.
Po, të nderuara zonja dhe zotërinj! E njëjta gjë po ndodh edhe në vendin tonë Shkaktarët e olokaustit komunist po thërrasin:
-- Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!
Ata kanë ndërruar ngjyrën si kameleoni. Janë bërë zotër të politikës dhe ekonomisë. Ata i gjen kudo si një kor korbash të zinj që hymnizojnë periudhën më të errët të sistemit totalitar. Për të arritur këtë përdorin çdo mjet, duke përfshirë edhe një pjesë të shtypit të shkruar dhe atij viziv. Ata i gjen kudo të pandëshkuar për krimet e tyre.
Atëhere a nuk kam të drejtë të pyes:
-- Kush është fajtor për të gjitha këto krime?
Asnjë përgjigje. Kudo heshtje.. Të gjithë vazhdojnë të thërrasin si mjeku nazist:
-- Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!
Kush është atëhere fajtori? A mund të ketë genocid pa fajtorë? A mund të ketë krim pa ndëshkim? Atëhere a mos vallë paskemi qenë ne që e paguam me jetët tona?
Kumtesë mbajtur në Tiranë, më 18 shkurt 2010, Konferencën Shkencore:
“Rezistenca antikomuniste në Shqipëri”