top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Fosilet e Sigurimit...


Nga Rifat Prençi


Fosilet e Sigurimit nuk mund të përbaltin martirët e kombit shqiptar dhe të Amerikës



Unë, Rifat Prençi, shqiptar denbabaden nga një familje historike, me banim në SHBA, Miçigan, jam i biri i Tahir Prençit, vrarë nga Sigurimi i Shtetit komunist shqiptar më 3 nëntor 1952, pas dështimit të çdo tentative për ta futur në lojën e ndyrë të policisë sekrete komuniste, si një martir i shqiptarizmit dhe i një kombi pa komunizëm dhe sllavizëm, që ishte ëndrra dhe deviza e tij.

Unë jam i indinjuar me disa shkrime të botuara në fletushka të përditshme të Tiranës, që hedhin baltë mbi nacionalistët dhe atdhetarët e flaktë, siç ishte dhe im atë, që bënë aq shumë për vendin e tyre, duke dhënë dhe jetën që të shporrej nga trojet tona kombëtare kolera e kuqe, e huajtur nga stepat sllave të Moskës e Kremlinit.

Pjesë e kësaj strategjie të zezë për rivrasjen e heronjve dhe martirëve si babai im, që vunë gjakun e tyre në themelet e lirisë dhe të demokracisë që gëzojmë sot, janë dhe disa shkrime të Mark Dodanit, një eksponent i Sigurimit të Shtetit, që nuk lë rast pa u vetëmburrur se gjoja paska bërë namin duke u futur si i infiltruar në gjirin e atyre që ai i quan “banditë”, ku paska hyrë tebdil dhe paska mbrojtur revolucionin e kuq nga rreziku amerikan dhe perëndimor (!). Lajthitjet e tij arrijnë deri aty sa të ngatërrojnë kohët dhe datat e zhvillimit të ngjarjeve, duke thënë se gjoja Tahir Prençi pas kapjes nga Sigurimi paska bërë lojën e Sigurimit, duke i thënë qendrës në Gjermani, ku stërviteshin këta martirë të lirisë, që të dërgonte desantë të tjerë dhe se qendra, sipas tij, pas kësaj paska sjellë grupin e Hamit Matjanit si kurban për Sigurimin.

Kjo është një histori e pakuptimtë, fund e krye mashtruese dhe denigruese, pa asnjë të vërtetë brenda, e mbushur me sajime ose të qëllimshme e dashakeqe, ose me prapavija politike, gjithsesi është një keqpërdorim i lirisë së shtypit deri në marrëzi. Për më tepër, kjo është një lajthitje e rëndë, një lajthitje sindromike, e bërë qëllimisht për të hedhur baltë mbi një martir të Shqipërisë së lirë, të një Shqipërie reale e natyrale dhe jo nën thundrën e Moskës e Beogradit, siç e ëndërronin dhe siç e realizuan Enver Hoxha me dishepujt e tij të lodhur nga mashtrimet si Mark Didani me shokë.

Fakti më i thjeshtë dhe më i pakundërshtueshëm e hedh poshtë si qesharake dhe idioteske një akuzë të tillë të Mark Dodanit, pasi në kohën kur im atë është kapur me derdhi nga Sigurimi, duke u arratisur nga duart e tij dhe duke u vrarë nga një ushtri e tërë, e cila e ka ndjekur këmba-këmbës për disa javë rresht, grupi i Hamit Matjanit nuk dihej se ku ishte dhe me çfarë merrej. Rreth shtatë muaj pas vrasjes së Tahir Prençit, kur me sa duket sigurimsat gjetën fijet e duhura për të hyrë në lidhje me qendrën ku përgatiteshin desantët shqiptarë, Hamit Matjani ka zbarkuar në Shqipëri dhe fati i tij dhe i atyre që e shoqëronin gjatë misionit antikomunist në vendin tonë tashmë dihet.

Mark Dodani nuk hedh baltë vetëm mbi tim atë dhe nacionalistët e tjerë, të cilët i ka halë në sy, por dhe mbi vetë shokët e tij sigurimsa që nuk jetojnë më, dhe kjo i jep atij mundësinë të gënjejë mbarë e prapë dhe si t’u vijë për shtat interesave të tij të ngushta prej dallkauku të vjetër, që gjithë jetën e tij ka jetuar duke gënjyer dhe mashtruar për gjoja bëmat e tij në mes “diversantëve”.

Në fakt, brenda një kohe të shkurtër Mark Doidani u bë kartë e djegur dhe për vetë Sigurimin, pasi keqpërdorte kompetencat dhe mashtronte gjithkund në emër të shërbimeve sekret komuniste, të cilat u larguan nga gjiri i tyre dhe ai gjithë kohën tjetër ka qenë i lirë për të sajuar histori nga më absurdet në emër të këtyre shërbimeve.

Pra, në vitin 1952, kohë kur bën fjalë kjo intervistë e Dodanit, ky i fundit nuk ka qenë më në Sigurimin e Shtetit, pasi e kishin përzënë nga këto struktura, pikërisht për shkak të manisë së tij për të veshur si qyrk meritat e të tjerëve, të cilat s’i ka pasur kurrë.

Mark Dodani duhet të lajë gojën mirë dhe të falet e të lutet shtatë herë në ditë kur zë në gojë e flet për Tahir Prençin, i cili për kontributin e tij për Amerikën është nderuar me tituj e grada të larta nga shteti dhe populli amerikan. Ai ra si vigan në mes të maleve shqiptare, me kokë nga horizonti i tokës së tij, të cilën e deshi të lirë dhe të panënshtruar nga fara e keqe, sjellë që nga stepat, fara komuniste, që ku mbin shkreton gjithçka.

Për merita si nacionalist i sprovuar dhe antikomunist i vendosur, që e deshi vendin e tij, Shqipërinë, me përkushtim deri në çastin e fundit të jetës, Tahir Prençi është dekoruar me Urdhrin “Shqiponja” dhe me të gjithë titujt dhe nderet që i bëhen një njeriu të madh.

Amerika nuk nderon tradhtarët dhe manipultatorët si Dodani, por heronjtë dhe martirët si Tahir Prençi, qofshin të gjallë, qofshin të vdekur. Shqipëria gjithashtu Sigurimin e Mark Didanit e ka çuar në plehra të historisë, ndërsa me Perëndimin dhe SHBA-të, me të cilat ishte i lidhur im atë, Tahir Prençi, si fuqi të mëdha që donin dhe duan të mirën e kombit shqiptar, vendi ynë tashmë, i hapur ndaj botës së lirë, ka çelur kapitullin e madh të një marrëdhënie të shkëlqyer, që nuk do të mbarojë kurrë sa të ekzistojë kjo botë.

Pra, Mark Dodani mashtron kur thotë se kapja e radistit Tahir Prençit i dha dorë Sigurimit për të vijuar lojën e famshme e të shumëlakuar me shërbimet sekrete perëndimore për t’i futur gjoja në grackë për të sjellë grupe të tjera desantësh në Shqipëri, për të sjellë Hamit Matjnain dhe grupin e tij, siç gënjen ditën për diell Mark Dodani.

I kujtoj Mark Dodanit se im atë, Tahir Prençi, siç e di mjaft mirë, por nuk i pëlqen të jetë i sinqertë, është vrarë nga Sigurimi në bashkëpunim me policinë, ushtrinë dhe repartet vullnetare të ndjekjes më 3.11.1952, në orën katër e tridhjetë të mëngjesit në Fushë të Bizës, pas dështimit të urdhrit special të Enver Hoxhës që ai të kapej i gjallë, sepse ishte e pamundur të kapej i gjallë një luan mali, që hante hekur me dhëmbë. Ndërsa grupi i desantëve të drejtuar nga Hamit Matjani ka ardhur në Shqipëri duke gdhirë 1 maj 1953, rreth shtatë muaj pasi Tahir Prençi ka qenë vrarë. Pra, nuk ka sesi të ketë zbarkuar Hamit Matjani me të tijtë nga sinjali i Tahir Prençit, pasi im atë kishte rreth një vit që prehej nën dheun e tokës së tij si i huaj, pa një shenjë te kryet dhe sot nuk ka një varr ku të mund t’i vëmë një kurorë me lule.

Ndërsa Mark Dodani gëzon ekzilin e Perëndimit për shkak të shërbimeve të tepërta që ka bërë ndaj ustallarëve të rinj e të vjetër, duke vijuar dhe sot të përbaltë nacionalistët shqiptarë dhe ata që i mbështetën në luftën e tyre të shenjtë kundër komunistëve, armiqve të brendshëm të kombit, Perëndimit dhe SHBA-ve.

Mark Dodani në një distancë kohore prej dyzet vjetësh kundërshton vetveten, pasi në librin e tij “Fronti i heshtur” thotë se Tahir Prençi ishte një agjent i sprovuar, mjaft trim dhe i përgatitur, ishte e pamundur t’i nxirrje fjalë, ndaj në pamundësi për ta kapur të gjallë Sigurimi dhe ushtria u detyrua që ta vriste pas një rezistence të tij të gjatë prej disa javësh. Ndryshe thotë në intervistën e dhënë në “Gazetën shqiptare” vetëm para pak ditësh, ku siç e trajtuam, thotë se kapja e radistit Tahir Prençi i dha mundësinë Sigurimit të fuste në lojën e tij qendrën ku stërviteshin desantët shqiptarë (!). Trillim bajat, fund e krye trillim! Im atë ishte një shqipe mali, që nuk e tradhtoi kurrë kombin e tij dhe Amerikën, që e ka çmuar për kontributin e tij. Unë, i biri, kam bërë njëzet e dy vjet burg politik për shkak të kësaj lufte të shenjtë të tim eti, dhe do të bëja dhe njëqind e njëzet e dy, po të kisha jetë dhe po të ma kërkonte dinjiteti dhe karakteri im.

Mark Dodani lehë në tym, por e ka kot, pasi është një fosile e vjetër dhe e keqpërdorur e Sigurimit dhe një fosile e tillë nuk ka as vlera muzeale, pasi do të trembte brezat me përmasat e shëmtimit të tij moral. Ndërsa martirë si Tahir Prençi janë heronj të kombit shqiptar, heronj të kombit amerikan, që në shekuj do të jenë burim frymëzimi për brezat, që të mos përsëritet më kurrë historia e zymtë pesëdhjetëvjeçare dhe Shqipëria të mos kthejë më sytë nga stepat dhe Uralet sllave.

 

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page