top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Dy "Mirditore" te shquara. . . ne dhimbje

Nga Fatbardha Mulleti-Saraçi

 


Dy "Mirditore" të shquara. . . në dhimbje.

(Musine Kokalari dhe Bardha Gjon Markagjoni)


Gjatë regjmit komunist u dënuan 7367 gra të burgosura politike. Si rreze drite ndriçon jeta e shumë femrave të kulturuara që u përndoqen nga sistemi komunist, që mbetën shembull qëndrese e krenarie, të papërkulura gjatë gjithë periudhës komuniste. 


Në këtë studim po paraqes dy femra që provuan ferrin komunist, njëra ishte nga Gjirokastra - Musine Kokalari dhe vdiq në internim në Rrëshen në vitin 1983 mbas 20  (njëzetë) viteve burg dhe 22  (njëzetë e dy) viteve internim, ndërsa tjetra lindi në Mirditë në familjen fisnike të Gjonmarkajve, kjo ishte Bardha, që në moshën 20 vjeçare provoi burgje e internime deri në vitin 1991, të dyja këto femra u "shquan" për dhimbje. . . 


Musine Kokalari  (1917-1983).


U lind në një familje gjirokastrite, me babë, e vëllezër juristë. Qysh në fëmijëri ushqente dashuri për Shqipërinë. Urrente sistemet diktatoriale.


Shkollën e mesme e kreu në institutin "Nana Mbretëreshë", të lartën e mbaroi në Universitetin "La Sapienza" në Romë. U laurua doktorreshë në letërsi, me studimin mbi "Naim Frashërin". 


I përfundoi shkëlqyeshëm studimet e larta, me 28 Nëntor 1941, iu propozua një vend i nderuar në universitetin "La Sapienza", por ajo nuk e pranoi. Ishte ndër të parat femra që ngriti krye kundër zakoneve të vjetra prapanike, për një shoqëri të emancipuar, të ndriçuar nga dija, për të dhënë dituri, me çelë portat e errësirës, me futë dritën e gjithësisë. Shkroi libra për popullin, se e deshi atë të mësuar. Përktheu pjesë për fëmijë, që ata të rriteshin të edukuar. Mblodhi zakone të dasmës, hyri në botën kulturore me dinjitet, me libra si: "Siç me thotë nënua plakë" (1939), "Rreth vatres" dhe "Sa u tund jeta" (1944), duke u respektuar e vlerësuar nga personalitete të kulturës shqiptare, si: Xhuvani, Kolea, M. Frashëri, E. Koliqi, Poradeci etj. Me skicat e saja ka përdorur pseudonimin "Muza". 


Vepra e saj është folklorike, etnografike, studimore, politike, gazetareske, që është në barazpeshë me qendrimin e saj intelektual, moral e stoik ndaj diktatures. 


Në vitin 1943 formoi partinë Social-Demokrate, si alternativë për përparimin e popullit. Hyri në grupin e rezistencës, për t'i prerë rrugën diktatures sllavo-komuniste, që kishte lëshuar kthetrat në truallin arbëresh. Në vitin 1944 nxori gazetën "Zëri i Lirisë". Me 16 Nëntor, zemra e saj u trondit, se komunistët ia pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit Muntaz e Vesim Kokalari, të cilët iu varrosen në një varr të përbashkët me shumë intelektualë të tjerë prapa "Hotel Bristoli" në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe Musinen e arrestojnë dhe e mbajnë në fshehtësi dy javë, diku në zonat që i kishin nën kontroll brigadat e kuqe. 


Me 2 dhjetor 1945, u dergon peticion misioneve aleate në Shqipëri, ku paralajmëron manipulimin e zgjedhjeve të 2. 12. 1945. 


Me 18 shkurt 1945, në ditarin e saj ajo shkruan: - "Gjygji special" -  E shtunë: Dita e vdekjes për 17 (shtatëbmëdhjetë) vetë. Plagë të reja që hapen, lotë që po derdhën. Lotë mjerimi që mbulon qytetin. Drithma shkojnë në trup të çdo njeriu. Ngjajnë me gjethet e pemëve, që era i lëkundë. Një nga një bien dhe ikin. Një nga një po na lënë. 


Kënga e vdekjes u përhap kudo dhe po hyn në çdo shtëpi. Ka më tepër se një mot qe ka nisur me të madhe dhe nuk dihet se ku do të vej dhe ku do të mbaroj. . . Ditët dhe vitet u shoqëruan me të papritura, kudo cenoheshin të drejtat dhe lirite e njeriut. Njohu çelitë, dhomat - biruca të burgjeve komuniste, punën e detyruar. I bënë thirrje për pëndesë, për bashkëpunim, për ta falur, por ajo i rrefuzoi me përbuzje. Qe shembull qëndrese për tërejat e burgosura politike. Lirohet nga burgu komunist në tetorin e vitit1961. Sapo del nga dera e burgut, i hapet ajo e internimit. E internojnë përgjithmonë në Rrëshen - Mirditë, punoi punëtore në ndërtim, mbathur në këmbë me çizme llastiku. Kontrollohej në çdo moment nga sigurimsat, si e tillë dhe qytetarët e Rrëshenit nuk guxonin t´i afroheshin, e lëre më, ta përshendesnin apo të bisedonin më te. Edhe pse në mes të njerëzve, ishte aq e vetmuar si në një shkretëtirë. Ky ishte izolimi komunist. Te ftohtit e klimës së Mirditës dhe ajo e njerëzve do e shoqëronin gjithë jetën. Ishte psikoza e formuar nga kasta e kuqe, lufta ndaj armiqëve të klasës, vazhdoi në pambarim. Kudo mohim e perçmim. 


E vetmja që i qendroi pranë ishte Aneja, nëna e saj e dashur, që i mbylli sytë me dhimbjën e madhe në zemër për humbjen e djemve dhe për vajzën e syrgjynosur. Shkruante në kujtimet e saja:


- Shkoja në kinema me pa film, kuptohet mbas punës së lodhshme në ndërtim, ulësha në karrigë, por në rreshtin qe qëndroja unë nuk ulej asnjeri, e linin të tërin bosh, nuk ulej askush, asnjë fëmijë...  Miqtë e vërtetë e të përhershëm të saj mbetën pena dhe librat. 


Me 1981 sëmuret nga kanceri. Sa herë idrejtohej me letër spitalit onkologjik në Tiranë, për t'u shtruar për mjekim, përgjigjet ishin negative, shprehja "Nuk ka vend" persëritej përherë. 


Vuajtjet dhe dhembjet nuk i munguan, pasojë e jetës plot persekutim. Vdiq e vetmuar në Rrëshen me 13 Gusht1983, por në shoqërinë e librave dhe punimeve të saj, ato nuk e braktisen deri në momentin që dha shpirt, ato i flisnin në gjuhët që i kishte shkruar, si: në shqip, italisht, frëngjisht, gjermanisht, anglisht. 


Fluturoi shpirti i saj i lirë, mbas afro 4 dekadash burg e internim. Trupin e saj e transportuan me karrocerinë e makinës me duar të lidhura me tela dhe e groposën. . . E mirëpriti nëna-tokë, tashti ishte e lirë në nëntokën shqiptare, ishte një monument i gjallë nën dhe. . . Sigurimi i shtetit i konfiskoi të gjitha punimet e saj. Rivarroset me 17 Janar 1991 ne Tiranë, pranë njerëzve të saj, që nuk i pa kurrë. 


Edhe pse e burgosur, shpirti i saj mbeti i lirë. Ajo ishte një intelektuale e vërtetë, në një Shqipëri të vogël. 


Lëshoi dritë në një vend të futur në padije. Në kujtesen tonë do të mbetet nusja e panuseruar, e një femre të vërtetë shqiptare, te një gruaje të shquar në penë, por shumë e "SHQUAR" në vuajtje, që ruajti deri në fund të jetës së saj dinjitetin e gruas së emancipuar dhe të papërlyer me të keqën, antikonformiste, guxoi t'i bënte opozitë rregjimit komunist, e sfidoi atë, mbet në kujtesen e atdheut, formoi PAVDEKËSINË, kështu mbijetojnë heroinat, sado që mundohen t´imbulojnë me dhe. 


Pas mortum - në vitin 1992 e bënë "Martire të Demokracisë" nga presidenti i Shqipërisë, në Gjirokastër në vitin 2000 "Qytetare Nderi e Qytetit". Në Tiranë është shoqata "Musine Kokalari" dhe një shkollë 9-vjeçare me emrin "MusineKokalari" në Tiranë.


Me 8 Mars 2006, u bë homazh nga MKRS (Ministria e Kultures Rinisë dhe Sporteve), kjo datë u caktua si data simbol i Intelektuales shqipetare që guxoi t´i bënte opozitë rregjimit komunist. 


U organizua "Një mbrëmje për ty", histori e dhimbshme e studiueses, u rikujtua kalvari jetësor përmes së cilës kaloi Musine Kokalari. Sipas drejtorës se arkivit të shtetit është gjendur materiali i M. Kokalari, që ruhen 88 njësi arkivore apo dosje ku numërohen 6806 faqe të shkruara me dorë , apo të daktilografuara që i përkasin viteve  (1921-1983). 


Institucioni i MKRS merr përsiper botimin eveprës së saj. Koha do e tregoj sa do e realizojnë e do e bëjnë realitet këtë???


Bardha Gjon Markagjoni


Bardha Gjon Markagjoni u lid në vitin 1925, në Mirditë, në familjen fisnike dhe te ndëruar, të prijësit të Mirditës, Gjon Markagjonit. 


Vazhdoi shkollën e murgeshave në Shkodër, mandej kolegjin në Itali. Në vitin 1943, erdhi për pushime pranë familjes. U mbyllën kufijtë, pas luftës mbeti në Shqipëri, duke i mbetur studimet përgjysëm. Ardhja dhe vendosja e diktatures komuniste në Shqipëri, do të ndryshonte jo vetëm jetën e kësaj familjeje, por edhe të të gjithë femrave, domethënë kasta e kuqe u muar me persekutimin e tyre, me gra e fëmijë, kështu ndodhi dhe me Bardhën, që sapo fillonte te njëzet pranverat e jetës së saj. 


Në moshën 20 vjeçare e internuan. E mbajtën në shtëpinë e Guljem Dedës  (e kishin bërë burg), mandej e internuan në Berat, ku i jepnin për ushqim vetem një copë buke. E derguan me punë të detyruar tek ullishtat e Beratit dhe në fermën e Kuçovës. Si shperblim për punën i jepnin vetem bukë. E persekutuan Bardhën dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjës, se djemtë ishin me rezistencën kundër komunizmit. 


Bardhën e mbajten të internuar katër vjet në Berat, po këtu e arrestuan pa fletë arrestimi. Të burgosurën e mbajtën pesë  (5) muaj të lidhur nga këmbët, që të mos kishte mundësinë të takohej me të burgosur të tjerë. E kanë futur në një gropë, pa dritë, mandej në një dhomë të madhe, vetëm. ... Torturohej vajza e re nga xhelatët e kuq, ajo qendronte, po zemra e saj vuante, se shihte si po i torturonin të arrestuarit e grupit Sami Qeribashi. Çdo natë ato i rrihnin pa ndërprerje dhe britmat e dhimbjeve të tyre i dëgjonte vajza e re. . . 


Me sytë e saj pa se si i arrestonin njerëzit pa fletë arrestimi, të dënuarit i torturonin dhe në trupin e tyre përdornin lloj-lloj torturash dhe në fund i pushkatonin dhe i groposnin në gropa të përbashkëta. 


Në ditën që doli nga burgu, takoi gjyshen e saj Davën - 90  (nëntëdhjetë) vjeçare, e cila vdiq në interrnim. 


E varrosi vajza e re gjyshen. 


Ja si e tregon ajo: - E hapëm gropën unë dhe gruaja e vëllaut tem, Mrika, që i kishte fillue paraliza. E varrosen nanën e nderueme të Gjon Markagjonit. . . Gjyshes Davë i humbi varri. 


Në vitin 1949, e derguan në kampin e Tepelenës. Jetonin në kapanonë, deri në 200  (dyqindë) njerëz, pa dallim gjinie. Era e murlanit bënte që i ftohti të hynte deri në palcë. Të gjitha gratë e vajzat, ndër to edhe Bardha, transportonin drutë në shpinë, kurrizi i tyre bëhej dyfish nga ngarkesa e rëndë dhe zbritnin malin e Turanit. 


Ulnin në fushë ngarkesat me drurë, për furnizimin e Degës së Punëve të Brëndshme, të furrës dhe të familjeve të oficerëve.  (Ndërsa në kapanonet e të interrnuarve ndalohej ngrohja). 


Çdo ditë i ngjitëshin malit përpjetë, mandej zbrisnin të ngarkuara. 


Bardha tregon:


- Me qindra njerëz vdiqen nga uria, në veçanti me dhjetra fëmijë ndërruan jetë, sepse ra epidemia e dizanterisë.. . 


Mbas këtyre vdekjeve u detyruan të vënin kazanin për ushqim, që ishte vetëm lëng, lëng. . . Kaluan vitet në interrnim, me punë të rëndë dhe me dhimbjen që provonte kur shihte nënën e saj, Mrika, gruaja e Gjon Markagjonit, nëna e dhjetë fëmijëve që vuante fizikisht dhe shpirtërisht, që iu vranë djemtë në rezistencën antikomuniste, ndersa vajzat, mbesat dhe nipi gjashtëvjeçar, po rriteshin në interrnim dhe i mungonin gjërat më elementare, apo dhimbjen e zemrës se nënës për djalin e saj Dedën, që në moshë të re provoi vetem burgje e kampe pune. 


Bardha provoi shumë kampe të punës së detyruar. Mbas pesë  (5) vitesh në Tepelenë që çdo ditë ishte me të papritura, në vitin 1953 vazhdoi interrnimin në Saver, punë në bujqësi, apeli dy herë në ditë.


Në çdo transferim, transportonin në vig, të paralizuaren, gruan e të vëllait, Markut, që mbeti kështu për tre dekada. 


Bardha Markagjoni 40 vjeçare - 1965 - u martua me Z. Gjergj Bici


Në vitin 1965, tashmë 40  (dyzetvjeçare) martohet me zotin Gjergj Bici  (që kishte bërë 20  njëzet vjet burg politik). U vendosen në Milot, kishin të drejtë te lëviznin në rrethet: Lushnjë, Fier e Krujë. Dhjetë vjetë martesë, fëmijë nuk pat. 


Në vitin 1975, i arrestuan te dy (burrë e grua), i dënuan për agjitacion e propagandë. Deshmitarë në gjyq i dolen një burrë dhe një grua qe nuk i kishin parë asnjëherë në jetën e tyre. Tashmë, Bardha Markagjoni u bë 50  (pesëdhjetë) vjeçe. Në këtë moshë provoi persëri torturat dhe çiftin e dënuan me nga dhjetë vjetë burg secilin. Bardha tregon: - Me kanë mbajtur 11 (njëmbdhjetë) muajë te izolume, atë periudhë e kam kaluar e veshur me një fund e një bluzë  (si në stinën e verës, ashtu edhe në dimër). Ushqimi ishte supë lakrash, gjella e vetme e kazanit. Pastaj me dënuan në burgun Kosovë të Elbasanit, ndërsa burrin në kampin e Ballshit në Fier. Punë vetem në fermë, në bujqësi. Jetonim 75  (shtatëdhjetë e pesë) të burgosura në një kapanon. . . 


Në vitin 1982, e liruan nga burgu  (e kapi falja), ia ulen dënimin. 


Në vitin 1986, e interrnuan në Fishtë-Zadrime te rrethit të Lezhës. Bëri persëri 8  (tetë) vite interrnim.. . Bardha tregon: - Në vitin 1985, me erdhi bashkëshorti i em, Gjergji, mbasi i bani dhjetë vitet e burgut të dytë, njeriu i mirë, i vuajtjeve te pafund, por në vitin 1986 me vdiq. Nga burgu erdhi i sëmurë, me kancer në mushkëri. Mbeta e vetme persëri, vazhdonte jeta ime në internim. Pjesëtarët e tjerë të familjes nuk i kisha pranë. Ata ishin të burgosur e të interrnuar në vende të tjera. 


Në vitin 1991, sapo filluan proçeset demokratike Bardha shkoi në Shkodër, u fut në shtëpinë e prindërve, me vështirësi u sistemua në një dhomë. Atëherë filloi një erë e re, ajo e bashkimit.


1992 Era e bashkimit


Mbas periudhës së persekutimit, që nga janari i vitit 1945 deri në vitin 1991, dmth pas 46  (dyzetë e gjashtë) vjetësh  (ose në shkodranishten e bukur katërdhjetë e gjashtë) u grumbulluan pjesëtarët e familjes që kishin mbetur gjallë. Por zemra e saj u trondit shumë kur ndërroi jetë nipi i saj i dashur, ai - Gjoni - 6 (gjashtë) vjeçari i tyre që lëshoi shtat e u rrit interrnimeve. . . Bardha Markagjoni, vajza e re që u plak interrnimeve e burgjeve te komunizmit, që lufta e klasës i vazhdoi gjatë gjithë jetës së saj, mbet shembull në vuajtje e dhimbje. Jeta e saj është një monument i gjallë, i forcës, i ndershmërisë, i rezistencës, mbijetesës, krenarisë, që dhuroi shumë dashuri e bujari, mbetet shembull i përkryer i mbijetesës. Kjo figurë e femrës së përkushtuar u SHQUA në DHIMBJE por edhe në rezistencë. Bardha sot 80  (tetëdhjetë) vjeçare jeton me të motrën Martën 90  (nëntëdhjetë) vjeçare, me vëllain Dedën 78  (shtatëdhjetë e tetë) mbetën të nderuar, të respektuar, kur bisedon me ta zemra e shpirti të gjenë qetësi, kur mëson se si përballuan dallgët e forta të sundimit komunist. Ata sot nuk kanë nevojë për ne, por njerëzit të mësojnë dhe të mos harrojnë kalvarin nëpër të cilin kaluan të persekutuarit politikë, në Shqipërinë diktatoriale socialiste - e komuniste.

 

 

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page