- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Dy heroina antikomuniste
Nga Xhevdet Shehu

Dy motrat që u arratisën nga Shqipëria në vitin 1984, Isabela Islami (Çoçoli) dhe Zamira Eduards janë pezulluar dje nga puna në zyrat qendrore të ‘Zërit të Amerikës’ në Uashington. Historia e dy motrave që në atë kohë bëri një bujë të madhe në Shqipëri dhe bëri xhiron e botës është tashmë e mirënjohur.
Ato punonin prej 30 vjetësh në seksionin shqip të këtij radiostacioni dhe në një farë mënyre ishin kthyer në ikona të ‘Zërit të Amerikës”. Gazeta ‘DITA’ mësoi dje se lajmin për pezullimin nga puna ua ka dhënë shefi aktual i seksionit, Arben Xhixho. Pas një përvoje kaq të gjatë pune si gazetare në këtë radio, nuk dihen ende motivet e këtij pezullimi. Komunikimi zyrtar është se ato kalojnë në ‘leje administrative’, që ndryshe do të thotë pezullim nga puna, deri në një njoftim tjetër. Domethënë, nuk mund të punojnë më tek VOA.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’ më 9 shkurt të këtij viti, pra dy javë më parë, Isabela u rrëfye për herë të parë me hollësi për publikun shqiptar se çfarë ndodhi 30 vjet më parë, si dhe pse u arratisën dy motrat, ndërsa vëllai i tyre i vetëm, Klementi, humbi jetën gjatë kësaj arratisjeje. Ishte përshkrimi i një rruge të mundimshme nga Çerma e Lushnjes ku ato ndodheshin të internuara, deri në Uashington.
Si gazetare e njohur tashmë, Isabela jepte në atë intervistë edhe konsideratat e saj sidomos për zhvillimet e dy dekadave të fundit në Shqipëri, zhvillime që ajo i ndjek me shumë vëmendje dhe kërshëri. Dëshirojmë që kjo intervistë e Isabelës të mos ketë patur ndikim për pezullimin e dy motrave nga puna, përndryshe do ta konsideronim si një spastrim që funksionon edhe te ‘Zëri i Amerikës’, por në forma të ndryshme nga ato në Shqipëri.
Xhevdet Shehu është ish-korrespodent i Zërit të Amerikës në Tiranë
Botuar më: 25 Shkurt, 2014 tek gazeta DITA