top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Drite nga humnera

  Nga Pandeli Stratti

 

“Përfaqësimi politik në Shqipëri, nga Antikiteti deri në vitin 1928” i noterit, doktor në drejtësi Kristaq Stratti, e shkruar në dekadën e dytë të shekullit XX, sheh dritën pas më shumë se tetëdhjetë vjetësh harresë që është diskutuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Studimeve të Torinos në datë 23 Nëntor 1928. Ky disertacion meriton të botohet jo vetëm për temën e trajtuar por edhe për rëndësinë historike që lidh jetën e Kristaq Strattit me ngjarjet e dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë. Në vitet XX përfaqësimi politik ishte një temë shumë aktuale dhe pak e studiuar në shtetin e ri shqiptar.

 

 

Kristaq Stratti

 

Kristaq Stratti, ishte djali i një nga familjet më aristokrate të Shqipërisë, i cili lindi në Vlorë ditën e lindjes së Krishtit, më 25 dhjetor 1904. Nga mosha 10-vjeçare ka studiuar në Itali ku mbaron shkëlqyeshëm liceun klasik të Astit dhe më pas studimet në fakultetin e drejtësisë ku merr titullin “Doktor në Drejtësi”. Gjatë viteve në Itali ka vizituar qytetet kryesore italiane, ndër të cilat Romën, Firencen, Milanon, Venecian dhe Triesten dhe kryen aktivitete profesionale në studiot më prestigjoze ligjore në Torino dhe në Romë. Gjithashtu, kultivon pasionin për futbollin duke kryer funksionin si arbitër dhe pjesëtar i Klubit Juventus. U kthye në Shqipëri në fillimin e viteve’30 dhe ushtron profesionin si noter. Për disa vjet kryen funksionin e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës dhe lufton për një pjesëmarrje më të madhe qytetare në jetën e institucioneve.

 

Kristaq Stratti ka qenë një nga të parët që theksonte rëndësinë e ndershmërisë dhe arsimit të lartë si mjet themelor dhe i pazëvëndësueshëm në zhvillimin e demokracisë ne vend.

 

Ndërton ujësjellësin e parë në Vlorë dhe është themeluesi i Klubit Sportiv “Flamurtari” dhe Presidenti i tij.

 

Kalvari i vuajtjeve të tij nisi më 16 maj 1947 me arrestimin nën rregjimin diktatorial të Enver Hoxhës, që persekutonte jo vetëm kundërshtarët politikë, por mbi të gjitha intelektualët dhe profesionistët që kishin studiuar jashtë shtetit. Kristaq Stratti u arrestua dhe u torturua. Gjatë një proçesi fars u dënua me 15 vjet burg dhe me punë të detyruar. Pronat iu konfiskuan dhe familja e tij u dëbua. Akuza e dënimit krejtësisht false : ”grupazh për përmbysjen e pushtetit popullor dhe komplikim me klerin ortodoks grek”. Të gjithë bashkëqytetarët e tij, e njihnin atë djalë të ri, intelektual të rrallë, fisnik si në pamje dhe në sjellje, të zotë në profesionin e noterit, përherë buzëgaz, të sjellshëm me gjithë njerëzit.

 

Vetë kushtet e familjes, e cila për traditë kishte pasur brezë pas brezi zhvillimin intelektual dhe tregëtar në qytetin bregdetar me tradita patriotike të Vlorës ku babai i tij, Pandeli Stratti ishte një nga tregtarët më të njohur dhe të respektuar në Vlorë, bëri të mundur arsmimin e fëmijëve të tij . Në vitin 1900 kur poeti i madh i Rilindjes sonë Kombëtare Naim Frashëri ndërroi jetë, xhaxhai i Kristaqit, Dush Stratti, mik i ngushtë i poetit u prek shumë dhe shkroi një poezi homazh për të dhe pas gjashtë muajsh ndërroi edhe ai jetë. Poezia u botua në gazetat e kohës dhe shkollës së Skelës më 1936 iu vu emri “Dush Stratti”. Sot një rrugë e qytetit të Vlorës mban emrin e tij. Në vitin 1943, nazistët gjermanë arrestojnë të vëllanë e Kristaqit, Dhimitër Strattin simpatizues dhe ndihmues moralisht dhe materialisht të Lëvizjes Nacional-Climtare, i cili internohet në kampin famëkeq nazist të shfarosjes në Zemun të Prishtinës ku edhe u pushkatua. Sot, është Dëshmor i Atdheut dhe nuk ka varr.

 

Vitet e rënda të burgut dhe puna cfilitëse në kushte çnjerëzore në “kampet e punës së detyruar”, si në atë të tharjes së kënetës së Maliqit, në Beden, Burrel, Gjirokastër, Ura Vajgurore etj nuk përkulën guximin dhe karakterin e tij.

 

Në moshën 50-vjeçare Kristaq Stratti kapërcente pragun e “lirimit” por jo të lirisë. Nga gjithë ai kalvar mundimesh ku si për mrekulli të Zotit doli, as në sy dhe as në shpirt, nga gjithë çkishte parë e çkishte hequr nuk do t’i bëhej as një hije e rëndë urrejtjeje, duke mbajtur gjithçka brenda tij dhe duke mos u ankuar asnjëherë. Bashkohet me familjen e tij të dashur, gruan e tij të mrekullueshme dhe të shkolluar në shkollën e famshme “Liceu Kiriaz”, Ksanthipi Dovana Stratti dhe fëmijët e tij Pandeli Strattin, matematikanin, me titull “Mësues i nderuar” dhe Geraldinën, mësuese. Në vend që të ushtronte aktivitetin profesional, është i detyruar të punojë si punëtor i thjeshtë ndërtimi. Kalvari i tij, si për ironi të fatit, mbaron të premten e zezë, në datë 11 prill 1969 që koincidon me vdekjen e Krishtit nga i cili morri emrin Kristaq. Shqipëria nuk kishte dalë ende nga vitet e saj më të errëta të diktaturës, por Kristaq Stratti mbante gjithnjë në zemër endrrën e një Shqipërie të lirë, të drejtë dhe demokratike.

 

Kjo punë shumëvjeçare shkencore e babait tim Kristaq Strattit morri dritë pas shumë përpjekeve dhe kërkimeve të vajzës time, Ingrid e cila është me titull Doktoreshë në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Lorenzo Dugulin, gazetar. Kjo vepër botohet nga shtëpia botuese “Qendra Ndërkombëtare për Studime Ndërkulturore” CIRSI dhe CCAI me qendër në Trieste dhe në Bruksel ku bashkëpunon me organizmat Europiane për të Drejtat Themelore të Njeriut.

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page