- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
DEMON QE CALON

Nga Visar Zhiti
NUK I SHPËTON DOT LAJMIT QË TË PËRNDJEK… ËSHTË ME PRESIDENT…
Larg Vendit, përtej oqeanit, në kontinentin tjetër, ku shpreson të përthithësh paq qetësi ndryshe, ku ke shkuar për pushime e vizita mjeksore, zemer, tension, nerva, etj, e ke këtë fat tani, je në Çikago, ku ende ka pllanga bore të pashkrirë dhe pranvera të duket e ftohte, por e shendeteshme, gjithsesi nuk i shpëton dot “lajmit” të Vendit tënd vogēlan e të varfer, që të ka mashtruar, persekutuar e vrarë, po ti nuk i ndahesh, aq sa nuk të ndahet, e do sa nuk të do, që megjithese ka ndryshuar shumë e ka bere përpara, diktaturen e ka kthyer në demokraci, persekutorët në… nuk po flas, thjesht jam i goditur nga lajmi me president… Ja, qe dhe vendi im ka nje president, qe s’i qe kujtuar të ishte, por eshte e nuk i iket, fyes ndêrkaq, se ikja e tij sa më parë i duhet Vendit, një hiç-president, keshtu thonë per të, qê nuk i shpeton dot karikatures së tij përndjekëse, Klanit të tij, aq sa mizor, po aq dhe mediokër. Keshtu thonë. Ai, gjoja president, flet per kushtetutë, se keshtu duhet, kur në përmbajtje eshte kunderkushtetues, flet për rregulla demokratike, kur ai eshte shkelje e tyre flagrante, flet per diktaturen e dikurshme, kur është vegël e saj e mbetur, flet per të persekutuarit, kur vetë eshte persekutor, edhe pse i paaftë. Dekoron pa nderprerje, nga qe e di qe nuk kane vlere, nishane pa nishan, thonë. Ti nuk do të doje të flisje për të, por ja që flasin, ndjehesh i detyruar, se lajmi i tij ka ardhur deri ketu, i ngjashëm me gjarprin… Po te duhet një antidotë kunder lajmit nga vendi… dhe rishoh dy poezi nga libri qe po perfundoj këtu, eshtë me ese, kritikë, përshkrim udhëtimi, me perkthime dhe ka poezi. një perzierje kunder perzierjes, kujtesë kunder harrresës së keqe, peng dashurie, bashkëbisedim brezash, ati me birin, etj, etj, por ja, si vandal i pa ditur futet presidenti. Libri eshte në proces, drejt fundit, por dy poezi të tij me kane mbetur në dorë: t’i fut apo jo?! Të parën e kam shkruar unë, nuk do te doja, as s’e di pse u bë… të dytën po, e kam perkthyer me zell, eshte e Evgenij Jevtushenkos për partitë. Edhe ai ketej është ne SHBA, emigranti i madh, poet i njohur ruso-sovjetik, problemor dhe me probleme, kritikues dhe i kritikuar… Edhe unë do të doja të ikja me presidente si ai nga vendi im vrastar… por nuk po zgjatem e po them tjetër gjë, që, psh, poezive duhet t’u mjaftoje vetvetja ose le te flasin vetë ato. Janë politike, prandaj vendosni ju, grisini ose shperndajini… E si mund t’i pergjigjesh lajmit me Presidentin më absurd qe vjen nga vendi yt i paket? Që e emëruan nga qe s’kishte emër, duhej nga që s’duhej. Poezinë, qe nuk eshte antikushtetuee, po përdor ndaj së keqes… Chicago, mars 2017

NJË DEMON I VOGËL I STEPËS
Grotesk që s’e shmanga dot, ku çdo ngjashmëri me ngjarje e ndonjë president real është e rastit, përveç ngjashmërisë time me veten…
Demon çalaman…
dhe të bënë president.
Brirë s’ke mbi ballë,
por një të rëndë helmetë,
jo se vërtet e mban,
por kokën ke të fortë.
Trishtan komedian,
dinakërisht idiot.
Statujën e idolit
mbarte mbi shpinë.
Një këmbë e një dorë
mallkueshëm të ngrinë.
Po s’i ta ngresh natën, –
në ç’shesh a varrezë,
atë që turmat flakën
në ditën bronzzezë?
S’duroni dot të gjallët,
nga ferri juaj dalë…
dhe dekoron të vrarët
nga soji yt të vrarë.
Ti vetë je vrasja
e ndërgjegjes së kohës,
ana e prasme –
mashtrim i revoltës…
Ç’stepë të dha fat
në dimrin e vonë?
Gropa hap në çdo hap,
demon që çalon.
S’e di përse je,
pse koha u çmend?
President pa atdhe,
atdhe pa president.
MONOLOGU I NJERIUT TË PASNESËRM
As Eva, as Adami nuk ishin antarë partie, njerëzimi e di, të lutem dhe ti dije.
Pa parti Noja me atë arkën e tij,
Globi shtyn errësirërat pa parti.
Por Djalli, me pikpamje djalliste,
shpiku partitë, – ç’gusto neveritëse!
Në zemër të mollës futi krimbin, –
krim(b)* dhe gjarpër një ishin,-
politikën – profesion me prejardhje djallëzore,
që krim(b)ëzon njerëz kohë pas kohe.
Politika shpiku policinë,
Politika shpiku kryetarët.
Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë,
jo partitë dhe nënndarjet.
Po ku është partia e vejushave, invalidëve, pelegrinëve,
ku është partia e familjes, e fëmijëve?
Partia e syve të skuqur ku është vallë,
në hirin e Aushvicit, Songmit, Gulakut** të gjallë?
Por një ditë, një ditë, një ditë,
për stërnipërit tanë të gjitha partitë
do të kujtohen si një gjë e tejshkuar
si superkafshët, si Babilonia e rrënuar.
Bota pa të persekutuar e blasfemi do të jetë,
pa çalamanë moralë në pushtet***,
e gjitha një e asnjë parti,
veç ajo me emrin e thjeshtë: njeri.
Shkruar në 1972. Botuar për herë parë në 1991 _______________________________________________
*) Lojë e përkthimit. Për këtë poezi kemi marrë për bazë dy variante të botimit të saj. (shën. i përkth.)
**) Aushvic – kamp nazist internimesh në Poloni, Songmi – lokalitet në Vietnamin e Jugut, shkatërruar nga amerikanët, Gulagu: Magadan – lokalitet siberian i internimeve, (sipas shënimeve të botimit italisht.).
***)…nuk kemi të bëjmë me ndonjë mani të Jevtushenkos për t’u marë me drejtues të shtetit shqiptar, që të tillë prodhohen herë pas here. Dukuria duket se është e mbarë vendeve totalitariste. (shën. i përkth.)