- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Dekorimi i Diana Culit
Nga Leke Tasi

DEKORIME QE NGACMOJNE PLAGE TE PAMBYLLURA
Dekorimi i Diana Culit prej presidentit italian pati jehonë negative ndër të përndjekurit nga komunizmi dhe më gjerë. Ky gjest i Zotit Napolitano, sigurisht i bërë nën sugjerimin e këshilltarëve të tij njohës të vendit tonë, hyn në serinë e veprimeve perëndimore të pakuptueshme për shumicën e shqiptarëve, qofshin të kënaqur ose jo prej tyre. Gjeste që ndofta Europa dhe Amerika ia bashkojnë ndihmës bujare që na japin, me qëllim të na mësojnë me një tolerancë dhe harresë të cilat ato vetë, si vende me ligjshmëri normale nuk i praktikojnë. Sido që të jënë motivuar, në Shqipëri mbetet e gjallë trauma mbi fatin e papërfunduar të viktimave të Komunizmit, ngaqë nderimi që u takon nuk është përmbushur ende. Ndryshe nga ajo që ndodh tek vendet perëndimore (qoftë dhe ato ish fashiste, si Spanja, ku nderimi solemn qysh nën regjim frankist u bë i barabartë për të rënët e të dyja palëve), tek ne nuk është zbatuar drejtësi as me persekutorët (krimet e tyre janë edhe sot të padënuara zyrtarisht), as me të rënët, mbasi shumë prej tyre quhen ende sot tradhtarë prej së vetmes histori që sheh dritën e diellit tek ne, dhe pa varr në daç të mirëfilltë ose virtual. Këtu qëndron pakënaqësia e opinionit, e përqëndruar në rastin konkret te kjo shkrimtare me borxh të pashlyer ndaj një poeti të ri, Genc Leka, të pushkatuar në Librazhd thjesht si pinjoll i një familje kundërshtare. Borxhi: ekspertiza e saj mbi vjershat e tij, që e hartuar sipas pëlqimit të hetuesve, ofroi në gjyqin e Librazhdit në 1976 bazën “profesionale” për atë krim të pushtetit mbi një të pafajshëm. Duke mos kërkuar falje publike për ndihmën që u dha ekzekutorëve, ajo prej shumë vitesh tërheq indinjatën e familjeve të viktimave dhe të një sektori të gjerë opinionit që priret të mos harrojë krimet më flagrante. Ka mendime se në atë kohë dëshmi të tilla shkëputeshin me dhunë ose frikësim, ndaj nuk ka kuptim të insistosh në to. Eshtë e vërtetë, por pjesërisht. Kur për 20 vjet të tëra, ky tension mes familjeve të viktimave dhe shkrimtares vazhdon i acaruar, duhet kërkuar më thellë shkaku. Një gabim i bërë nën detyrim, thjesht deklarohet, dhe tensioni bie. Këmbëngulja për tëmos i bërë një koncesion human kategegorisë së masakruar, mendojmë se ka të bëjë me një pozicion politik që vullneti i “vazhdimësisë” e mban të gjallë, pa asnjë lëkundje, pavarësisht nga propaganda demokratike që përdor për të mbledhur vota. Ai personifikohet tek partia SD ku militon shkrimtarja, e vetmja forcë që në gjithë spektrin postkomunist, humbjen e pushtetit e ndien më thellë, dhe këtu qëndron shkaku i kokëfortësisë saj. Ajo përfaqëson një vijë politike të bazuar tek teza: “mos na bezdisni fort se ne bëmë luftën, na takon të udhëheqim dhe sot”. Dhe kultivojnë në maksimum lobingun; së këndejmi dhe premiot për meritë... Ambasadat perëndimore e njohin mirë gjendjen në vend, ndaj bëhet shqetësuese përzgjedhja që ato bëjnë në sferën tonë letrare me dhënien e çmimeve. Eshtë kontribut paqtues ky? Kur konsultojmë librin e Bedri Blloshmit “Fabrikimi i Vdekjes” (një volum që duhet të jetë një pistë alternative për ambasadat krahas kontakteve që kanë me intelektualët e veshur mirë që bëjnë lobing në pritjet që japin ato), gjejmë në grupin e vogël të dëshmitarëve intelektualë që ndihmuan “teknikisht” gjykatën e Librazhdit drejt vendimit që mori, edhe një tjetër kritik, Myzafer Xhaxhiun të nderuar me çmime, nga Franca dhe Greqia, pa shqiptuar asnjë fjalë pendese edhe ky. Një dëndësi e tillë dekorimesh në këtë kategori flet për një preferencë ndaj pjesës më të papenduar të së kaluarës diktatoriale, gjë që e bën edhe më të pakuptueshme politikën perëndimore ndaj nesh, kur prej vitesh Parlamenti Europian kërkon nga parlamenti ynë të dënojë zyrtarisht krimet e Komunizmit.