top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Date qe fut tmerrin


Nga Maks Rakipaj


A është festë 29 Nëntori '44? ("M'i afërmi në gjak, më afër ta thith gjaknë")


...Duhej të qe festë. Data 29 u vendos në vitin 1947, që të përkonte me çlirimin e Beogradit, dashuria e parë e E. Hoxhës, që kishte kohë që deklaronte se kryetar i PKSH është shoku Tito, që kishte kohë që punonte për bashkimin "me popujt vëllezër të Jugosllavisë motër". Pasi kishte dorëzuar në duart e kasapëve serbë afro 5000 djem kosovarë që u masakruan prej tyre në Tivar. Por këto kanë ndodhur pas lufte, është e vërtetë. Dhe lufta filloi më 7 Prill. Luftuan një grusht durrsakësh me kapterrin e mbretit Mujo Ulqinaku në krye. Pati edhe një rezistencë të organizuar prej major Abaz Kupit. Kaq. Para superfuqisë së asaj kohe ishte e pamundur të qëndronte më këmbë shteti anemik shqiptar i prillit të vitit '39. Më pas u krijua edhe një organizatë nacionaliste prej të birit të Abdyl Frashërit, Balli Kombëtar. Pati disa beteja të suksesshme të Ballit dhe Legalitetit kundër italianëve pushtues. Po komunistët, ku qenë?, Jo Enveri, ai dihet që shiste cigare dhe gazeta te "Flora", komunistët e kam fjalën. Për çudi, komunistët e quanin pozitiv pushtimin fashist, sepse do të zhvillohej industria dhe për pasojë do të rritej numerikisht edhe prolletariati që do të bënte revolucionin kur të piqeshin kushtet. Gjermania pas paktit Ribentrop-Mollotov shihej me simpati prej tyre. Edhe Duçja po ashtu, si ish socialist. Kjo deri më 22 Qershor 1941 kur Hitleri sulmoi atdheun e komunistëve të botës, BRSS. Por komunistët shqiptarë i binin njëri gozhdës e tjetri patkoit. Përpjekjet e Komintern-it për t'i organizuar dështonin, sepse çdo grup donte të kish udhëheqjen e partisë që do të lindte. Dhe u desh dora jugosllave që t'i bënte gjëmën e fundit Shqipërisë. Tani e di edhe maçoku im që PKSH e krijoi Milladini me Mugoshën etj. Me urdhër të Titos. Për të disatën herë Koço Tashko i lutej E.Hoxhës që shiste cigare të merrte pjesë në mbledhjen themeluese si antar i grupit të Korçës që të kishte shumicën në mbledhje. Më në fund, për të zezën tonë, Cigareshitësit ju mbush mendja. U njoh me Milladinin, kryetarin e PKSH, që e mbajti si përkthyes dhe shkrues dhe më vonë u vetëquajt sekretar. Konferenca e Pezës drejtuar prej Abaz Kupit dhe marrëveshja e Mukjes i vinte vulën bashkimit të gjithë forcave politike shqiptare në luftën kundër pushtuesit italian.Pas lufte do të kishte zgjedhje të lira dhe referendume për formën e qeverisjes. Në një Shqipëri etnike, të mundësuar prej pushtimit italian. Por PKSH që ishte krejtësisht në duart e jugosllavëve, kjo qe e papranueshme. U prish Mukja, u vranë negociatorët komunistë të Mukjes, u përjashtua Abaz Kupi nga Fronti nacional-çlirimtar. Filloi vëllavrasja. Me urdhër të jugosllavëve. Filloi djegia e fshatrave që mbështesnin forcat nacionaliste. Filloi lufta civile për pushtet. Por kjo periudhë kohe i takon penës së historianëve shqiptarë. Jo ish komunistit dhe filogrekut Paskal Milo. Pati gabime nga ana e Ballit kombëtar, por pati krime lufte nga ana e PKSH. Krime që vërtetohen nga vetë arkivat e asaj partie, që edhe pas lufte qëndroi në ilegalitet, deri në nëntor 1948, kur ish cigareshitësi kaloi nga krahët e Titos në krahët e Stalinit. Ka shumë të fshehta ende të pazbuluara periudha e luftës. Disa dora-dorës po dalin në dritë nga arkivat engleze, nga kujtimet e jugosllavëve që drejtuan "luftën e lavdishme" të PKSH, nga kujtimet e amerikanëve të dërguar pranë komunistëve dhe nacionalistëve. Janë botuar edhe libra historianësh të huaj për periudhën e luftës. Nuk i thonë të gjitha vërtet, por mjaftojnë për atë që ka dy para mend në kokë të kuptojë se ajo luftë vetëm e "lavdishme" nuk qe. Ca duan të na mbushin mendjen kur na thonë se ajo "luftë" na rreshtoi në krahun e fitimtarëve të luftës II botërore, me aleatët e mëdhej USA-Angli-BRSS, prej të cilëve dy vjet pas lufte na mbeti vetëm BRSS e Stalinit. Mjafton qënia si vend i pushtuar dhe hedhja tri herë në det e trupave pushtuese prej Mujo Ulqinakut, për të qënë antar i Aleatëve. Ajo që quhet "çlirim i vendit" s'është veçse pushtimi i vendeve që lëshonte ushtria gjermane në tërheqje drejt Berlinit. Apo diskutimet e kota se kur u largua gjermani i fundit, më 26 nëntor, më 28 apo më 4 dhjetor. Që të fillonte jeta e lumtur, me masakra komuniste në Dukat, Lazarat, Bozhigrad, Mirditë, Dibër, Kelmend e rrethinat e Shkodrës. Me dhjetra e dhjetra burgje, e kampe internimi. Nga "fitimtarët" e asaj "lufte të lavdishme". Ndoshta vërtet gjermani i fundit u largua më 29 Nëntor 1944, por nuk u çliruam, u pushtuam nga pushtuesi më i keq, më i pamëshirshëm i të gjitha kohërave, u pushtuam prej komunistëve shqiptarë. Dhe ende s'kemi shpëtuar prej tyre. Shekspiri thotë se: "M'i afërmi në gjak, më afër ta thith gjaknë".


...Duhej të qe një ditë feste, por në kohën që erdhi pas 29 nëntorit '44, të vrarët, të pushkatuarit, të burgosurit, të internuarit, e tejkalojnë llahtarisht frikshëm numurin e viktimave dhe të burgosurve të luftës. Është një datë që fut tmerrin, nuk është një ditë feste.

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page