top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Bedri Blloshmi

Kufoma e gjalle ne spitalin e burgut Tirane 1967

 

Në spitalin e burgut në Tiranë është “shtruar” një grumbull i palëvizshëm i cili rënkon. E plasën në çimenton nga barrela duke e zgjidhur nga rripat e meshinit që e mbanin të lidhur fort. Ishin disa civilë të kollarisur e të veshur me kostume me kuadrate, këmishë të kuqe të mbyllur deri në ngrykë dhe rreth qafës u shtrëngohej një kollare e cila zbriste deri poshtë mbi barkun e fryrë. Njëri, ashtu fytyrë ngrysur e i inatosur, shikoi përreth e mbasi na pyeti nga ishim e përse akuzoheshim iu drejtua doktorit:

“- Dakord për sa biseduam!

- Si urdhëron shoku Nevzat. Mos ki asnjë merak, madje për ne nuk është hera e parë që marrim porosi për këta armiq të Partisë e të popullit.

- Ne po ikim, gjithsesi na njoftoni.”

Të gjithë dolën nga dhoma. Polici mbylli derën me inat duke përplasur fort shulin e derës. E nxori turirin prapë në sportel dhe hungëriti: - Mos bëni zhurmë dhe me atë nuk ka punë asnjeri.

U ngritëm nga krevati dhe iu afruam personit i cili rrinte përmbys me fytyrë në çimento. Nga goja i kishte riguar një curril gjaku. Mbante erë ilaçe dhe myku. Ky njeri ishte katandisur kockë e lëkurë. E ngritëm dhe e drejtuam pas murit. Koka i varej mbi kraharor në të cilin dalloheshin qartë damarët nën lëkurën zbardhur nga izolimi i gjatë. E pyetëm se cili është, nga është. Asnjë përgjigje, vetëm rënkonte dhe i mbante sytë mbyllur. Trupi i tij mbante një erë shumë të keqe. E vendosëm mbi krevat, por kur e kapëm nga këmbët ulëriti sa kishte në kokë.

- Mos më prekni se më dhemb gjithë trupi.

Pantallonat e lëtyrosura dukeshin si të lagura. Kufoma e gjallë i hapi sytë si me përtesë dhe bëri shenjë duke ngritur vetullat. Na dha të kuptonim se duhet t’i shihnim këmbët. Ia ngritëm pantallonat menjëherë deri mbi gjunjë, duke zbuluar dy fyej kockash që kishin tek tuk ndonjë qime. Skeleti lëvizi me mundim sa majtas djathtas kokën e qethur zero ndërkohë që kafshonte me dhëmbë buzën e poshtme. Përmbi gjunjë u dukën koret e disa plagëve. Ia ngritëm pantallonat edhe pak më sipër. Ç’të shihje? Kofshët i kishte blanë të zeza dhe plagët i kullonin. “I paskan bërë apses, - foli njëri nga shokët. –Jo jo, është elektroshok, - ia ktheu një tjetër.” Shokut pranë meje i ranë të fikët. Skeleti vazhdonte të rënkonte, një çast më pas dera u hap dhe hyri polici i inatosur i cili pasi na futi disa shkelma ulëriti: “Kështu do t’ua bëjmë ju të gjithëve. Provojeni edhe një herë ta ndihmoni këtë kriminel.” Pas ca ai u kthye përsëri i shoqëruar nga infermierja e cila mbante në dorë një shiringë. Ajo u afrua te kufoma, vrenjti turinjtë dhe me kokën mënjanë i thirri: “Kthehu përmbys!” Ai nuk lëvizi fare. Atëherë infermierja ia nguli gjilpërën mbi pantallona, ia ngjeshi agen me sa fuqi kishte dhe pas disa çastesh e shkuli duke dalë gjithë inat nga dhoma. Të gjithë sa ishim u tromaksëm. Në dhomë ra një heshtje varri.

Ditën e tretë ai u përmend pak. Iu afrova tek koka dhe fillova ta pyes përsëri:

“- Nga jeni?

- Jam nga Pogra... – u përgjigj ai me një zë që iu fik pa mbaruar fjalën.”

Ndërsa i fërkoja ballin e rrudhosur ia afrova veshin te buzët e tij. Ai hapte sytë herë pas here dhe na shihte pa thënë asnjë fjalë. Unë vazhdoja ta pyesja për të mësuar se kush ishte, nga vinte dhe pse e kishin arrestuar. Në një çast hapi sytë dhe më bëri shenjë të afrohesha.

“- Jam Xhevit Muça dhe banoj në Lushnje. Bisedova me një shok që të arratiseshim sepse e kuptova pse operativi vinte atje ku punoja. Atë kohë, pas disa ditësh vajta në Bërzeshtë te motra ime e cila ishte e martuar me Bardho Lekën. Po atë natë shkova edhe te një mik i babait tim, Hasan Blloshmi. Ndenja shumë pak dhe u ktheva përsëri në Lushnje. “Shoku” me të cilin kisha biseduar për t’u arratisur ishte nga Kolonja dhe më garantoi se e njihte shumë mirë kufirin dhe se do të kalonim pa kurrfarë problemi. Deri në Korçë udhëtuam pa asnjë shqetësim. Ndaj të ngrysur u nisëm bashkë me udhërrëfyesin për nga mali i Moravës. Aty po na priste sigurimi i shtetit. Na lidhën, plasën në “Gaz” e na sollën drejt e në Tiranë. Nuk mbaj mend se sa kohë kam mes torturash e hekurash. “Epo mos ki merak, se shumë-shumë 25 vjet burg do dënohesh”, më thoshte shoku i dhomës së spitalit të burgut në Tiranë. I thashë se e dija që do na vrisnin se na kishin bërë grup. I thashë se po të lirohej e sapo t’i jepej rasti t’i tregonte ndonjërit si më kishin katandisur dhe si qëndronte çështja.” Kaq mundi të më tregonte me gojën e tij Xhevit Muça.

Jo më larg se para dy muajsh, rasti e solli që të takoj këtë shok të dhomës së spitalit të burgut të Tiranës. Ndërsa po pinim kafenë ai më vazhdoi tregimin aty ku e pat lënë Xheviti.

“Pas dy ose tri ditësh, na nxorën nga dhoma në korridorin e spitalit të burgut sepse do të bënim dezinfektimin e ambienteve ngaqë kishte plasur morri. Në këtë kohë erdhën disa civilë dhe njëri prej tyre foli me infermieren e turnit të dytë.

- Dëgjo, - i thirri ai, - bëje gati se do ta marrim sonte personin nga Lushnja.

Infermierja ia ktheu aty për aty: - Daljet nuk i bëj unë, i bën doktori.

Nevzati bërtiti aq fort sa stërkalat e pështymës i ranë infermieres mbi fytyrë: -Moj dëgjon ti apo jo? Më njeh mua se kush jam? Unë të q... ty edhe doktorin!”

Ai bashkë me personat që e shoqëronin e fut në dhomë e morën Xhevitin mbi një barrelë dhe ndërsa largoheshim i ulëriti: “Edhe në këtë gjendje që je ne do të të pushkatojmë! Përse stimulon?”

Pas mbaroi dezinfektimi, ne na kthyen në dhomë. Në këtë kohë u dëgjua zhurma çjerrëse e motorit të makinës dhe kërcitja e portës që mbyll pasi doli makina. Atë natë e gdhimë pa këmbyer asnjë fjalë me njëri-tjetrin. Bedri, ti shkruan vazhdimisht në gazetë, po munde të lutem tregojua të gjithëve këtë që të thashë.” Kështu e mbylli rrëfimin e tij Agron Kalaja, shoku i dhomës së spitalit të burgut të Tiranës së Xhevit Muçës i cili ishte nga fshati Çezmë e Madhe e Pogradecit.

Dua të sqaroj se grupi i përgatitur nga Nevzat Aznedari kishte këtë përbërje:

1 – Xhevit Muça – dënuar me vdekje, pushkatim;

2 – Irfan Muça – dënuar me vdekje, pushkatim;

3- Hysni Palla – dënuar me 25 vjet burg;

4 – Enver Leka - dënuar me 20 vjet burg;

5 – Medi Bislimi - dënuar me 15 vjet burg i cili ishte personi që udhëtoi bashkë me Xhevitin deri në malin e Moravës.

Sipas informacionit të dhënë nga prokurori i Pogradecit, emri i të cilit s’më kujtohet, Xhevit dhe Irfan Muça janë pushkatuar në “Livadhin e Çelos” në Alarup. Shkuam bashkë me prokurorin te ky luadh, kërkuam po nuk gjetëm asgjë. Disa fshatarë më thanë se në Pogradec gjendet edhe një vend tjetër pushkatimi i cili quhet lumi i Tërhanit. Përfundimisht eshtrat e Xhevit dhe Irfan Muçës nuk janë gjendur akoma. Familjarët, miqtë dhe dashamirësit e tyre nuk kanë një vend ku mund të vendosin një tufë me lule.

E DEMOKRACI si thua?... Do e mbash premtimin? Do merresh me të zhdukurit apo jo?! Edhe sot pas 70 vjetësh nazistët ndiqen dhe dënohen për krimet e tyre.

 

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page