top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Barbaria Komuniste

       Nga Fatih Kocaman



Barbaria Komuniste


Ideologjia që i solli dëmin më të madh njerëzimit në shekullin e mbushur me dhunë e barbarizëm dhe njëkohësisht më e përhapura në botë ishte, pa dyshim, Komunizmi. Kjo ideologji, që arriti kulmin e saj historik me dy filozofët gjermanë Karl Marks dhe Frederik Engels në shekullin XIX, derdhi kaq shumë gjak në botë, saqë ua kaloi edhe nazistëve e imperialistëve të dikurshëm. Komunizmi shkaktoi në vdekjen e njerëzve të pafajshëm dhe përhapi e nxiti dhunë, frikë e dëshpërim ndër njerëz. Edhe sot e kësaj dite, kur flitet për vendet e Perdes së Hekurt dhe Rusinë, imazhet që zgjohen na sjellin parasysh vende të pushtuara nga mjegulla, terri e dëshpërimi, nga rrugë pa jetë, nga shqetësimi dhe frika. Sado që njerëzit mendojnë se Komunizmi u shemb në vitin 1991, gërmadhat që la pas ekzistojnë ende. Sado "liberalë" të jenë bërë një pjesë e komunistëve dhe marksistëve "të papenduar", filozofia materialiste, ana e errët e Komunizmit dhe e Marksizmit që i largoi njerëzit nga feja dhe morali i mirë, ende vazhdon të ndikojë te këta njerëz.

 

Kjo ideologji që përhapi terror në çdo cep të botës, në fakt, përfaqësonte një ide të ardhur që nga kohët e lashta. Dialektika është një bindje se i gjithë zhvillimi, në gjithësi, erdhi si rezultat i konfliktit. Në bazë të këtij besimi, Marksi dhe Engelsi filluan të analizonin historinë e botës. Marksi pretendonte se historia e njeriut ishte histori konflikti, se konflikti aktual ishte ai mes punëtorëve e kapitalistëve dhe se punëtorët së shpejti do të ngriheshin dhe do të organizonin një revolucion komunist.

 

Tipari më i spikatur i dy themeluesve të Komunizmit ishte se, si të gjithë materialistët, ata ushqenin një urrejtje të madhe për fenë. Edhe Marksi, edhe Engelsi ishin ateistë të bindur dhe zhdukjen e besimeve fetare e shikonin si thelbësore nga pikëpamja e Komunizmit. Por Marksit dhe Engelsit u mungonte diçka e rëndësishme: me qëllim që të bënin për vete një publik sa më të gjerë, e panë të nevojshme t'i jepnin ideologjisë së tyre një pamje shkencore. Dhe kështu, u krijua aleanca e rrezikshme që solli dhimbje, kaos, vrasje masive, nxitje të vëllait kundër vëllait gjatë shekullit XX. Darvini bëri të njohur teorinë e evolucionit në librin e tij "Origjina e llojeve". Interesante është që pretendimet bazë që ai paraqiti ishin pikërisht shpjegimet që po kërkonin Marksi dhe Engelsi! Darvini pretendonte se gjallesat u shfaqën si rezultat i "luftës për mbijetesë" apo "konfliktit dialektik". Për më tepër, ai mohoi krijimin dhe hodhi poshtë besimet fetare. Për Marksin dhe Engelsin ky ishte një rast që s'duhej humbur.

 

Admirimi i Marksit dhe Engelsit për Darvinin

Darvinizmi pati aq shumë rëndësi për Komunizmin, sa vetëm disa muaj pas botimit të librit të Darvinit, Engelsi i shkroi Marksit: "Darvini, të cilin e kam në dorë duke e lexuar, është i shkëlqyer”.

 

Marksi i ktheu përgjigje letrës së Engelsit më 19 dhjetor 1860, duke i shkruar: "Ky është libri që përmban parimet bazë të historisë së natyrës sipas pikëpamjes sonë".

 

Në një letër që Marksi i shkroi Lasalit, një tjetër mik i tij socialist, më 16janar 1861, shkruan: "Libri i Darvinit është shumë i rëndësishëm e më shërben si bazë në shkencën natyrore për luftën e klasave në histori." Në këtë mënyrë ai zbulon rëndësinë e teorisë së evolucionit për Komunizmin.

 

Marksi e shfaqi simpatinë e tij për Darvinin, duke ia kushtuar atij veprën e tij më të rëndësishme, "Das Kapital" (Kapitali). Kopja e këtij libri që iu dërgua Darvinit përmbante një dedikim nga ana e vetë Marksit, i cili e përshkruante veten si një "admirues i sinqertë" i natyralistit anglez.

 

Edhe Engelsi e pranon admirimin e tij për Darvinin:

 

Natyra është prova e dialektikës dhe nuk duhet lënë pa thënë se, fundja, natyra vepron në mënyrë dialektike e jo metafizike… Lidhur me këtë, Darvinit duhet t'i përmendet emri para të tjerëve.

 

Engelsi lavdëronte Darvinin njëlloj si Marksin. Ai shkruan:

 

"Ashtu sikurse Darvini zbuloi ligjin e evolucionit në natyrën organike, po ashtu edhe Marksi zbuloi ligjin e evolucionit në historinë njerëzore".

 

Shembja e pikëpamjes marksiste për historinë

 

Karl Marksi, themelues i Komunizmit, i përshtati idetë e Darvinit që patën ndikim të thellë tek ai, me procesin dialektik të historisë. Sipas Marksit, shoqëria ka kaluar në faza të ndryshme, gjatë historisë dhe faktori që i ka përcaktuar këto faza ishte ndryshimi në mjetet dhe marrëdhëniet e prodhimit. Sipas kësaj pikëpamjeje, ekonomia përcaktonte gjithçka. Historia kaloi nëpër faza evolucioni: bashkësi primitive, shoqëri skllavopronare, shoqëri feudale, shoqëri kapitaliste dhe faza e fundit do të ishte shoqëria komuniste.

 

E megjithatë, vetë historia ka treguar se periudha evolucionare që propozoi Marksi nuk ishte e vërtetë. Asnjë shoqëri, në asnjë kohë nuk është parë të kalojë nëpër fazat evolucionare të propozuara nga Marksi. Përkundrazi, ekziston mundësia të shihen në të njëjtën shoqëri, në të njëjtën kohë, sisteme që Marksi pretendonte se vijnë para apo pas njëra-tjetrës. Ndërkohë që një pjesë e një vendi përjeton sisteme të ngjashme me sistemin feudal, në një pjesë tjetër mund të zbatohen rregullat kapitaliste. Kjo është arsyeja që nuk ka asnjë provë se kalimi nga një sistem në tjetrin ndjek modelin evolucionar të propozuar nga Marksi dhe teoria e evolucionit. Nga ana tjetër, asnjë nga parashikimet e Marksit në lidhje me të ardhmen nuk u vërtetua. U kuptua që teoritë e Marksit nuk ishin të zbatueshme brenda 10 vjetëve nga vdekja e tij. Marksi pretendonte se, njëri pas tjetrit, kombet më të zhvilluara kapitaliste do të pësonin revolucione komuniste, por një periudhë e tillë nuk erdhi.

 

Lenini, një nga pasuesit më të mëdhenj të Marksit, u mundua të shpjegonte pse nuk kishin ndodhur këto revolucione e pastaj parashikoi që revolucionet komuniste do të bëheshin në vendet e Botës së Tretë. E megjithatë, të gjitha pretendimet e Leninit i përgënjeshtroi vetë historia. Në kohët e sotme, vendet ku sundon Komunizmi mund të numërohen me gishtat e një dore. Për më tepër, Marksizmi përdori dhunën në rajonet ku erdhi në fuqi dhe ai nuk erdhi në pushtet nga lëvizjet popullore, siç pretendohej, por me dhunë diktatoriale. Shkurtimisht, historia e kohëve të fundit e ka përgenjështruar periudhën e parashikuar nga filozofia marksiste të evolucionit historik. Teori të tilla, si "dialektika e historisë" dhe "evolucioni historik" në vëllimet e shumta të shkruara nga ideologët materialistë si Marksi dhe Engelsi, janë thjesht fryt i fantazisë.

 

Magjia e ideologjisë komuniste Darviniste është prishur

 

Komunizmi është një ideologji që u krijua nga njerëz që jetuan në vitet 1800 dhe që mund të përshkruhen si "injorantë" nga pikëpamja shkencore. Një nga arsyet më të rëndësishme që ideologjia komuniste fitoi menjëherë ndikim mbi një numër të madh njerëzish në shumë vende është injoranca e atyre që e pranuan këtë ideologji, pretendimet e së cilës janë vërtetuar shumë herë se janë gënjeshtra.

 

Pas revolucionit industrial, fakti që një pjesë e shoqërisë jetonte në varfëri të plotë dhe krahas kësaj, pjesa tjetër ngrihej në një nivel të pakrahasueshëm mirëqenieje, solli një tension që ngjalli trazira në grupet shoqërore në shumicën e vendeve. Ky tension u zhvillua më tej në vende si Rusia, që ende jetonin në nivelin e një shoqërie bujqësore, si dhe Kina. Grupet shoqërore në kërkim të të drejtës u ndoqën nga shumë njerëz, por rezultati përfundimtar doli kundër tyre. Ata jetuan në kushte ekonomike shumë më të këqija se më parë; nga njëra anë, luftë për të shmangur vdekjen nga uria, nga ana tjetër, frika e përndjekjeve politike.

 

Eshtë e qartë se një ideologji që mbështetej në mungesën e besimit në Zot dhe besonte se baza e vetme për zhvillim ishte konflikti dhe se qeniet njerëzore, në thelb, janë kafshë, një ideologji që përmbyste vlerat morale si familja, besnikëria, dhe afria njerëzore, duke i konsideruar si të panevojshme, nuk dot'u sillte njerëzve paqe e lumturi. Por këtyre grupeve shoqërore u mungonte largpamësia dhe logjika për t'i vlerësuar e analizuar këto. Ata shihnin fotografitë e Marksit e Engelsit dhe mendonin se ata ishin mendimtarët më të"mëdhenj", "më të thellë" e "më të ditur". Shihnin pamjen e jashtme mashtruese shkencore e të mistershme dhe magjepseshin nga Komunizmi e Materializmi. Kurse sot, po të ishin gjallë, do ta kishin kuptuar se të gjithë udhëheqësit komunistë kanë qenë të paditur e primitivë.

 

Sot, shumë nga komunistët  "e orëve të para" e kanë kuptuar se çfarë gabimi të madh kanë bërë në të kaluarën dhe janë penduar. Secili prej tyre e ka kuptuar se ka shkuar verbërisht pas një ideali jo frytdhënës ose më mirë, pas një zhurme të madhe boshe. Të tjerë përpiqen të tregojnë se nuk kanë hequr ende dorë nga ideologjia e tyre që të mos pranojnë humbjen dhe të vërtetën se vitet u kanë shkuar kot e thonë: "Ne do të triumfojmë!"

 

Ka ardhur një kohë kur shkenca dhe dija e lirë mund të arrijnë kudo e kurdo, kur çdo qenie njerëzore mund t'i kuptojë faktet shumë më lehtë se më parë. Në një ambjent të tillë, metodat e sugjestionit, metodat e komunistëve, materialistëve dhe darvinistëve, fjalët dhe thirrjet e tyre kobndjellëse për luftë, tashmë e kanë humbur fuqinë e tyre. Ideologjitë boshe si Komunizmi, Materializmi dhe Darvinizmi, fuqia magjepsëse e të cilave mund të zhduket me pak shkencë dhe me pak arsyetim, po e humbasin me shpejtësi ndikimin e tyre mbi qeniet njerëzore.

 

Përfundimi: Komunizmi është një terror i vërtetë, i shkaktuar nga mungesa e fesë

 

Kur mendon për masakrat, vrasjet dhe vuajtjet e shkaktuara qëllimisht nga komunistët, nazistët apo kolonialistët, kushdo pyet veten se si arritën përkrahësit e këtyre ideve ta distanconin veten kaq shumë nga ndjenjat njerëzore. Arsyeja e vetme për barbarizmin dhe shtypjen e ushtruar nga këta udhëheqës është mungesa e fesë dhe fakti se këta njerëz nuk i frikësoheshin Zotit. Një qenie njerëzore që i frikësohet Zotit dhe që ka besim të patundur në jetën e përtejme, pa dyshim që nuk do të ishte në gjendje të kryente asnjë nga shtypjet apo padrejtësitë që kemi përshkruar. Për më tepër, atë që beson në Zot dhe në jetën e amshuar nuk e bind dot kurrë të ndjekë një ideologji të tillë të shtrembër, sado që ta nxisësh.

 

Në 1983, shkrimtar rus Aleksandër Sollzhenjicin, fitues i çmimit Nobël në letërsi në vitin 1970, mbajti një ligjëratë në Londër dhe u përpoq të shpjegonte pse i kanë rënë kaq të këqija mbi supe popullit të tij. Gjysmë shekulli më parë, kur isha ende fëmijë, mbaj mend se kam dëgjuar disa tëmoshuar që jepnin shpjegimin e mëposhtëm për fatkeqësitë që i kishin rënë Rusisë: "Njerëzit e kanë harruar Zotin; prandaj dhe ndodhi e gjitha kjo.Qysh atëherë kam kaluar pothuaj 50 vjet, duke u marrë me historinë e revolucionit tonë; gjatë këtij procesi kam lexuar me qindra libra, kam mbledhur qindra dëshmi personale dhe kam kontribuar me 8 vëllime të miat në përpjekje për të pastruar gërmadhat që la pas ajo turbullirë, por po të më kërkonin sot të formuloj në mënyrë sa më koncize shkakun kryesor të atij revolucioni shkatërrimtar që gllabëroi rreth 60 milionë nga njerëzit tanë, nuk do të mund ta shprehja më saktë, sesa të përsëris: "Njerëzit e kanë harruar Zotin; prandaj dhe ndodhi e gjithë kjo".

 

Ky identifikim i Sollzhenjicinit ishte plotësisht i saktë. Me të vërtetë, gjëja e vetme që mund ta zvarriste një shoqëri në gjithë atë tmerr dhe ta bënte të mbyllte sytë me indiferentizëm para të gjitha llojet e shtypjes, ishte harrimi i ekzistencës së Zotit. Mirëpo Zoti nuk harron e nuk gabon kurrë. Udhëheqësit komunistë menduan se kishin krijuar sistemin e tyre për të sunduar shoqëritë në botë dhe menduan se zotëronin një pushtet e forcë të madhe. Ata, madje, mbajtën edhe takime sekrete ku biseduan për shtypjen e mëtejshme që do t'u sillnin njerëzve me qëllim që të konsolidonin pushtetin e të rrisnin fuqinë e tyre, por ndërkohë që ata bënin këtë gjë. E vetmja mënyrë për të parandaluar përsëritjen e këtyre katastrofave është që njerëzit të jetojnë me besimin te Zoti dhe jeta e amshuar, pa harruar se do të japin llogari për gjithçka që bëjnë. Në Kuran thuhet:

Kujtdo që vepron drejt, qoftë mashkull a femër, e që është besimtar, Ne do t'idhurojmë një jetë të mirë e do ta shpërblejmë shumëfish për veprat e mira që ka kryer. (Kuran, surja En-Nahl: 9)

 

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page