top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Atdheut


Gjergj Fishta



N’ tý mendoj kúr agon drita,

Kúr bylbyli mallshem kndon,

N’ tý mendoj kur soset dita,

Terri boten kúr e mblon.

 


Veç se tý të shoh un n’anderr,

Veç se tý, çuet, t’kam n’mendim;

Nder t’vështira ti m’jé qanderr,

Per tý i lehtë m’vjen çdo ndeshkim.

 


Tjera brigje, fusha e zalle

Un kam pá, larg tue bâ shtek,

E pergjova tjera valle,

N’tjera lule syu m’u rrek;

 


Por nji fushë mâ e blerët nuk shtrohet,

Por nji mal mâ bukur s’rri,

Mâ i kulluet nji lum s’dikohet,

Moj Shqypni, porsi i ké ti.

 


N’tý mâ i bukur lulzon Prielli,

Janë mâ t’kandshme stinë e mot;

N’tý bylbyli pa lé dielli

Kndon mâ ambel t’Madhit Zot.

 


Pa tý lules s’m’i vjen era,

Pa tý pema fryt nuk m’bjen:

Mue pa tý nuk m’del prendvera,

Pa tý dielli nuk m’shelxen.

 


Dersá t’mundem me ligjrue

E sá gjáll me frymë un jam,

Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,

Edhe n’vorr me t’permendë kam.

 

 


0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page