- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
Akoma me direktiva...

Nga Beqir Sina, New York
Nuk do të shkruaja për këtë çështje, sepse është diçka që është debatuar shumë herë në vite, pothuaj menjëherë pas gjunjëzimit të kampit komunist. Dhe nuk është hera e parë që Xhixho dhe Kostreci bëjnë këtë "lojë" me intervista të improvizuara. Për ne ish të përndjekurit nga regjimi gjakatar komunist në Shqipëri, Zëri i Amerikës ka qenë zëri i së vërtetës dhe drita e shpresës se e drejta do të triumfonte një ditë. Gazetarët që punonin në atë kohë tek kjo agjensi e fjalës së lirë shikoheshin nga ne si lajmëtarët e uraganit që do të fshinte nga faqja e dheut krimin, kriminelët dhe bashkëpunëtorët e kuq. Pra, e thënë troç, gazetarët e Zërit të Amerikës ishin kalorësit e së drejtës dhe lirisë.
Mirëpo dy dekada mbasi Zëri i Amerikës e kreu ashtu si duhej detyrën e vet, duke frymëzuar popujt e shtypur dhe ngjallur shpresat tona për liri e demokraci, është me tepër se fatkeqësi, kur Zërin e Amerikës e shohim "që bie në nivele të tilla" dhe punëson gazetarë si Keida Kostreci, alias Prifti, që të vetmin talent ka, së bashku me disa koleg të saj, të qenurit anti Berishë dhe anti e së djathtës në Shqipëri, Kosovë, diasporë, e viset shqiptare.
Shefi i saj Arben Xhixho, një “sliping sell i kuq”, një "hakmarrës", vetëm se e “ndërsyn” Kostrecin nëpër intervista të tilla, duke gjetur politikanë, gazetarë, shkrimtarë ose edhe ish ambasadorë “inatçorë” dhe "hakmarrës", siç e ka quajtur sot shtypi shqiptar ish ambasadorin Uidhers.
Mirëpo, parë me syrin profesional, kjo Keida s’ka asnjë lidhje me gazetarinë vizive, ajo mund të jetë shumë e mirë si gazetare e shtypit të shkruar, por kjo nuk do të thotë të jetë edhe gazetare e ekranit. Asaj i mungon jashtëzakonisht sharmi i nje gazetareje të ekranit televiziv. Ashtu siç e pamë edhe në intervistën e fundit, vetëm se lexon ato çka i jep shefi i saj, pa përdorur asnjëherë instinktin e gazetarit ose "kondra pyetjen" e të tjera...
Për mendimin tim, një pyetje ka: "Vallë a nuk ka gazetarë të tjerë që të konkurojnë për Zërin e Amerikës, të rinj që s'kanë asnjë lidhje me të kaluarën nën regjimin komunist? A ka ndonjë gazetar nga Kosova, ose viset e tjera shqiptare Zëri i Amerikës, apo vetëm këta janë, ata që deri dje "hangrën" me Enver Hoxhën dhe sot po hanë me Amerikën!?". Dihet që këta kurrë nuk mund të largohen prej andej nga i thërret kushtrimi i të parëve dhe i detyron të dalin edhe jashtë kontrollit të intervistave, siç ndodhi edhe me Keidën.
Natyrisht, zoti Uidhërs është për Edi Ramën: Kujtoni letrën e tij para vitit të ri që edhe vet Rama e Erjon Veliaj t'a kishin shkruar nuk do t' i ishin përgjigjur më mirë Kryeministrit, sesa ish ambasadori Uidhërs. Sa herë ai i ka dalë në mbrojtje flagrante Ramës, Erjon Velisë dhe komunistëve të tjerë të Tiranës, kur ishte në detyrë e shfaqej krah Ramës, njësoj si ambasadori Rajerson në 1991, kur shfaqej krah Berishës dhe fliste për Berishën (por këto mund te jene qëndrime personale)!
Mendoj se gazetarja e një medie kaq prestigjoze dhe që i thotë vetes gazetare “e madhe”, duhet të jetë pak më e lirë në instinkt. Zoti Uidhërs ka qenë ambasador dhe është i respektuar, se ka kryer detyrën si diplomat për SHBA, por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka "inatet" e veta, (njerëz të gjallë jemi) çka edhe unë nuk mund të spekulloj, por që të thirret ai në në një intervistë "të improvizuar" dhe të flasë enkas para 21 janarit, në një kohë që për 21 janarin është dëshmitar ambasadori në Tiranë, kjo nuk shkon dhe nuk është mirë, bile është e tepruar. Madje, çuditërisht ai tha se media në Shqipëri, sipas tij, nuk është e lirë.
Vetëm për sqarim një pyetje kisha: "A ka këto vitet e fundit ndonjë gazetar të keqtrajtuar, plagosur apo vrarë në detyrë në Shqipëri, apo të dënuar si në Itali, Gjermani, Francë dhe Angli, kampionet e demokracisë?
Madje, do të shtoja se shtypi shqiptar sot është ndoshta sipas meje edhe më i lirë se në Amerikë, pa e krahasuar atë me vendet ish komuniste, i cili ndryshon si nata me ditën. Në Shqipëri ka një problem tjetër me median, që po paguan haraçet, sepse ajo vetëçensurohet për interesa financiare. Të gjitha mediat atje kontrollohen nga bizneset si p.sh. Top Chanëll bën "nonstop" lojën e Edi Ramës, ndërsa Klani ruan ballancat e lajmit me qeverinë. Kjo s'ka asgjë të keqe, se ndodh kudo në botë. Edhe këtu në Amerikë CNN i doli me editorial hapur Presidentit Barak Obama në zgjedhjet e 2008.
Por, që të thuash se nuk ka liri shtypi në Shqipëri, kjo është e papranueshme me ato çfarë shkruhen në Shqipëri.
Nejse, kjo është temë tjetër, por le të kthehemi tek Keida. Gazetarja në fjalë është e dalluar si majtiste ekstreme, që prej kohës kur ajo punonte tek gazeta Koha Jonë e atyre viteve, sëbashku me shoqen e saj Zenepe Llukën, që u bashkuan me Komitetet e Shpëtimit. Keida, pavarësisht se tani në demokraci shitet si e mbesa e një ish të burgosuri politik i nderuar dhe i respektuar, ajo ka një të kaluar të dyshimtë. Kur ky i burgosur politik ishte në burgun e tmerrshëm të Burrelit për më shumë se dy dekada në një birucë me xhaxhain tim që bëri 28 vjet burg, familja e kësaj gazetareje jo vetëm që nuk e pa ndonjëherë derën e burgut, por babai i saj u thoshte shokëve të partisë, se s’kishte lidhje me atë të burgosur, që mbanin të njëjtin mbiemër. Mbiemri i tyre ishte vetëm një koiçidencë, ngaqë atë mbiemër e mbante, sipas tij i tërë fshati, sepse ishte emri i fshatit nga vinin. Po kështu, nëna e kësaj pseudo gazetareje në atë kohë terrori të kuq ishte sekretare partie e dy shkollave të mesme më të rëndësishme të qytetit, ku banonte.
Po të vështrosh me vemendje punën e kësaj gazetareje në Amerikë, Kedia nuk e ka herën e parë që interviston politikanë amerikanë, duke zgjedhur nga ata me bindje të majta (këtu nga ata ka plot, sic është tani lëvizja "Të pushtojmë Uoll Stritin/99%") madje ajo i zgjedh ata jo pa qëllim, duke ditur bujën që bëjnë në Shqipëri, siç është edhe rasti i Uidhërsit. Këto bëhen në raste të veçanta, siç janë zgjedhjet në Shqipëri, apo si ky tani për 21 janarin, që ajo dhe Edi Rama po e shfrytëzojnë si nxitje për opozitën, që të krijojë sërish rrëmujë e kaos. Ose një precedent tjetër si ai i kasetës Meta-Prifti, e cila u shfrytëzua për ngjarjet e 21 janarit. Tani Edi Rama po thërret me të madhe se "Zëri i Amerikës tha troç, se Shqipëria nuk ka demokraci, ajo po shkon drejt Rusisë dhe Ukrainës". Pra, o burra të shpëtojmë Shqipërinë më 21 janar!
Në fund një këshillë dua t'i drejtoj sot shokut Xhixho: Nuk bëhet gazetari sipas direktivave. Mund të jesh i majtë dhe familje komuniste në palcë, ashtu siç jeni ju faktikisht, apo Keida, Laura, Ardita…, por duhet të jesh sëpaku profesionist, të paktën si i themi ne shqiptarët "sa për sy e faqe”, jo me trup tek Zëri i Amerikës dhe me zemër tek "Zëri i Popullit"; me direktivat e Sigurimit të Shtetit nuk mund të mbulohet e vërteta. Demokracia në Shqipëri mund të ketë difektet e saj dhe nuk është ajo që duhej të ishte, por nuk është ama ajo që po na tregon ti dhe Keida, zoti Xhixho.