top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

Ajo qe pritet te vije, eshte vdekja...

  Nga Tanush Kaso

 

Dëmshpërblimi i të dënuarve politikë, si “pëlhura e Penelopës”

 

Prej më shumë se 20-vjetësh, dhe pikërisht që nga 30 shtatori 1991, kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi unanimisht Ligjin nr.7514 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, është folur dhe shkruar aq shumë për dëmshpërblimin e tyre, saqë kjo çështje është kthyer në një legjendë. Po! Një legjendë si ajo e “pëlhurës së Penelopës”, e cila endej e çendej, në pritje të Odiseut. Në rastin tonë ajo që pritet të vijë, është vdekja me kosor në dorë, e cila duhet të kositë këtë specie njerëzore shqiptarësh “të çmendur”, që guxuan t’i kundërviheshin diktaturës komuniste. Ishin mbi 6.000 të tillë, që u vranë me gjyq e pa gjyq, nga forcat sllavo-komuniste. Rreth 17.500 të tjerë u burgosën me akuzën e “agjitacionit e propagandës kundër pushtetit”, të “tentativës për arratisje jashtë shtetit”, të “krijimit dhe pjesëmarrjes në grupe armiqësore, antiqeveritare”, etj... Më shumë se 30.000 gra, burra, pleq e fëmijë kaluan një pjesë të madhe të jetës të dëbuar ose të internuar në vende me kushte jetese nga më të vështirat, ndonëse nuk kishin kryer asnjë krim.

 

Të gjithë deputetët e Parlamentit të parë pluralist, përfaqësues të krahinave dhe të partive të ndryshme politike, u shprehën njëzëri se këtyre njerëzve, të privuar nga të gjitha të drejtat njerëzore gjatë regjimit Hoxha-Alia, duhej t’u njihej pafajësia e t’u jepej dëmshpërblimi, me qëllim që të rimëkëmbeshin moralisht e materialisht dhe të integroheshin plotësisht në shoqëri.

 

Por, jo të gjithë deputetët e pushtetarët ishin të sinqertë në atë që deklaronin. Kështu, p. sh., kur më pas një përfaqësi e Shoqatës së ish të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, iu drejtua një pushtetari të lartë të asaj kohe, me kërkesën për fillimin pa vonesë të proçesit të dëmshpërblimit, ai u tha me ironi: “Nuk ju kemi dënuar ne, po Enver Hoxha. Atij kërkojani dëmshpërblimin!”. Përfaqësuesit e Shoqatës e sqaruan atë se Enveri nuk i kishte marrë me vete, në botën tjetër, veprat e ndërtuara prej tyre anembanë Shqipërisë, me punën e detyruar e të papaguar. Veç kësaj, çdo qeveri është e detyruar të paguajë borxhet e paraardhëses së vet. Kësisoj, as qeveria gjermane e pasluftës nuk iu tha shteteve të tjera “kërkojani Hitlerit, shpërblimin e dëmeve të shkaktuara prej tij”, por i pagoi vetë, një për një. (Madje, edhe sot qeveria shqiptare vazhdon të shlyejë borxhet që ka lënë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia).

 

Sidoqoftë, më pas, me ligjin nr. 7748, dt. 29.07.1993 “Mbi Statusin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga regjimi komunist”, u bë një hap përpara. Në mungesë të parave, u dhanë “letra me vlerë” dhe fare pak para, të ndara në dy deri në katër këste: të burgosurve, “letra” sipas viteve të burgut dhe nga 100.000 deri 200.000 lekë, për ata që kishin vuajtur mbi dhjetë vjet; kurse për çdo të pushkatuar, 200.000 lekë dhe “letra me vlerë”, sa për tetë vite burg.

 

Por, koha provoi se kjo kishte qenë vetëm “sa për të larë duart” me këtë shtresë. Sepse proçesi i privatizimit të objekteve shtetërore me “letra me vlerë” nuk funksionoi siç duhej. Nga ai përfituan vetëm disa politikanë e pushtetarë matrapazë. Pastaj, papritmas u ndërpre; dhe “letrat me vlerë” dolën jashtë përdorimit. Të përndjekurve ato u mbetën ndër xhepa e nëpër sirtarët e shtëpive. Një sasi e madhe mbetën peng tek firma-fantazmë “Ango-Adriatica”, tek ajo mashtruese “Fabiona” e Fabrikës së Tullave në Vorë, etj..

 

Në qershor të vitit 2002, Shoqata e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, në një mbledhje të zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar, vendosi të ndjekë rrugën institucionale e ligjore, për kërkimin e të drejtave që u takojnë atyre që kanë vuajtur dënime pa faj. U propozua dhe u zgjodh një komision për hartimin e projektligjit, i përbërë nga këta ish të burgosur politikë: Uran Kalakulla, Tanush Kaso, Xhafer Agaraj, Telat Mehmeti, Nuredin Skrapari, Avni Agolli dhe Simon Rushaj.

 

Projektligji u hartua dhe u dërgua pa vonesë në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit, kryetari i të cilit, Spartak Braho, ia përcolli menjëherë Këshillit të Ministrave, për të përcaktuar, brenda 30 ditëve, faturën financiare përkatëse. Mirëpo, kryeministri Fatos Nano nuk e bëri këtë as pas një muaji -siç thotë Kushtetuta- dhe as pas një viti. Gjithashtu, kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, nuk pati kurajën ta zbatonte pikën 3 të Nenit 82 të Kushtetutës, sipas së cilës: ”Në qoftë se Këshilli i Ministrave nuk shprehet brenda afatit të mësipërm, projektligji kalon për shqyrtim sipas procedurës së zakonshme.”

 

Ndërkohë, së bashku me të ndjerin Simon Rushaj, morëm paraprakisht miratimin e projektligjit tonë, nga 35 deputetë të partive të ndryshme politike. Ky dokument, me firmat e tyre, ka mbetur si një kujtim i asaj që u premtua dhe nuk u realizua.

 

Për shkak të mungesës së vullnetit politik të shtetarëve, për shqyrtimin dhe realizimin e kërkesës sonë të ligjshme, nisën protestat e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë, përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë. Turma e protestuesve u përlesh dhe u përgjak disa herë me forcat e rendit, mbasi Policia kishte marrë urdhër nga lart, që të përdorte pa asnjë ngurrim dhunën, edhe ndaj të moshuarve, edhe ndaj grave.

 

Kryeministri Fatos Nano, ndonëse edhe vetë e kishte provuar burgun (ashtu si e kishte provuar...), nuk mendoi fare për ish të burgosurit dhe të përndjekurit e diktaturës. Qeveria e kryesuar prej tij, hartoi me ngut dhe çoi për miratim në Kuvend, një draft, që ishte krejt ndryshe nga i yni. Ishte si një fyerje për këtë shtresë të shumëvuajtur; i ngjashëm me atë “kafenë falas”, që u ofroi më vonë pensionistëve të Tiranës, kryebashkiaku Rama. Atë e hodhi poshtë edhe Gjykata Kushtetuese.

 

Me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, në vitin 2005, rinisëm kërkesën tonë për dëmshpërblimin.

 

Qeveria e kryesuar nga z.Sali Berisha, hartoi nga ana e saj një draft tjetër, i cili u miratua nga Kuvendi. Ky është Ligji aktual, numër 9831, dt.12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga regjimi komunist”. Të thirrur paraprakisht në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit, si grup i interesit, përfaqësuesit e shoqatave kishin paraqitur vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, por ato nuk u morën parasysh. Kundërshtitë dhe ankimimet tona, rreth Ligjit 9831, dt.12.11.2007, përmblidhen në këto pika:

 

1) Shteti i ka vetë dokumentet e të pushkatuarve, të burgosurve dhe të internuarve. Përse ato duhet të tërhiqen prej këtyre nga zyrat shtetërore, për t’i dorëzuar përsëri në zyrat shtetërore? Nuk është mirë që këta njerëz të sfilitur nga persekutimi, të zvarriten nga një zyrë në tjetrën e të stërmundohen përsëri.

 

2) Përse jeta e një të pushkatuari për motive politike, nga forcat komuniste, sipas këtij ligji vlerësohet pikërisht sa tetë vite burgu? Mbi cilën bazë ligjore është bërë kjo, dhe a vlen kaq jeta e një njeriu?

 

3) Përse dëmshpërblimi i një dite burg pa faj, është vlerësuar me 2.000 lekë e jo me 3.400 lekë, siç iu dha të akuzuarve për krime komuniste, të cilët morën pafajësinë?

 

4) Pse nuk llogaritet koha e paraburgimit sipas Nenit 57 të Kodit Penal (një ditë hetuesi baras me një ditë e gjysmë burg), pra me 5.000 lekë, siç iu dha palës tjetër, ish funksionarëve komunistë?

 

5) Përse të mos u jepet njëherësh dëmshpërblimi për pafajësinë edhe ish të dënuarve politikë nga regjimi diktatorial, ashtu siç iu dha të akuzuarve për krime komuniste, që morën pafajësinë? Pse Ligji 9831 e ndan atë në tetë këste, tëcilat -siç duket- do të zgjatin për më shumë se dhjetë vjet?

 

Këto fakte flasin qartë, për shkeljen e Nenit 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Konventave Europiane për të drejtat e njeriut, d.m.th. për shkeljen e barazisë së shtetasve.

 

6) Përse nga shuma e dëmshpërblimit që përfitohet, zbriten “letrat me vlerë” të llogaritura me 100%, kur këto kanë mbetur stoqe e mund t’i kthehen shtetit, dhe kur në tregun informal ato nuk vlerësohen më shumë se 5-7%?

 

7) Pse duhet t’u zbritet ish të dënuarve politikë vlera e shtuar e shtëpive shtetërore të privatizuara si i gjithë populli, me çmime simbolike, kur ato u janë falur këtyre me një Vendim të Këshillit të Ministrave, për arsye se, në shumë raste, kur janë dënuar u është marrë shtëpia dhe familja u është internuar? Veç kësaj, ish të burgosurit kanë ndërtuar mijëra apartamente banimi, në Tiranë e në qytete të tjera, me punën e detyruar e të papaguar; prandaj, u takon edhe atyre një banesë, për të jetuar si gjithë njerëzit.

 

8. Përse të mos njihen dokumentet e lëshuara nga Komisioni Trepalësh, i krijuar po nga kjo mazhorancë në pushtet, gjatë qeverisjes së mëparshme, për rastet kur mungojnë dokumentet shtetërore dhe kur është vërtetuar fakti me dëshmitarë e me dokumente të tjera?

 

9) Përse duhet t’u hiqet e drejta e dëmshpërblimit disa ish të dënuarve politikë, të akuzuar nga gjykatat komuniste, pa prova e fakte bindëse, për “terrorizëm”, kur dihet se ato gjykata i emërtonin si të donin kundërshtarët politikë: armiq, agjentë, poliagjentë, terroristë, etj.? Edhe sikur të kishin qenë të atillë, mbas kryerjes së dënimit, janë konsideruar si të rehabilituar. Gjithashtu, me Ligjin nr.7514, dt.30.09.1991, ata kanë marrë pafajësinë dhe me Ligjin nr.7748, dt 29.07.1993, janë dëmshpërblyer me “letra me vlerë”; dhe që nga ajo kohë e deri më sot, nuk kanë kryer ndonjë akt terrorist. Pra, ky është qartësisht, një absurditet i Ligjit nr. 9831, dt.12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.

 

10) Përse të mos dëmshpërblehen edhe të pushkatuarit pa gjyq, për motive politike, nga forcat komuniste, gjatë periudhës 8 nëntor 1941 (datë e krijimit të Partisë Komuniste terroriste), deri më 22 mars 1992, siç e përcakton Neni 2 i Ligjit 7748, datë 29.07.1993, (i cili nuk është abroguar) dhe siç janë trajtuar më parë, me dëmshpërblimin me “letra me vlerë”?

 

11) Përse të sëmurët psikikë për shkak të përndjekjes, të dëmshpërblehen vetëm për kohën e qëndrimit në institucionet psikiatrike, kur kjo kohë mund të ketë qenë vetëm disa ditë, javë a muaj, por pacienti ka humbur përgjithmonë aftësitë mendore (është çmendur)? Më parë, bazuar në Ligjin nr.7748 dhe në një Vendim të Këshillit të Ministrave, ata janë dëmshpërblyer me “letra me vlerë” dhe lekë, llogaritur baras me tetë vite burg. Këta fatkeqë nuk janë në gjendje t’i kërkojnë të drejtat e tyre. Këtë duhet ta bëjë vetë shteti.

 

12) Përse Ligji nr.9831, dt.12.11.2007, duhej t’ua hiqte të drejtën e dëmshpërblimit vëllezërve e motrave, trashëgimtarëve të shkallës së dytë, kur i dënuari nuk ka mundur të martohet e të lindë fëmijë dhe kur të afërmit e tij i janë gjendur pranë, e kanë ndihmuar dhe kanë pasur pasoja përndjekjeje për shkak të tij? 

 

Këtyre animimeve, u shtohet edhe kalvari i mundimshëm burokratik, që duhet ta vuajnë ish të dënuarit ose familjarët e tyre, me gjetjen dhe dorëzimin e dokumenteve, për marrjen e këstit të parë të dëmshpërblimit dhe të kësteve të tjerë, që pritet të jepen vit pas viti.

 

Meqenëse Qeveria nuk mori parasysh asnjë nga vërejtjet dhe sugjerimet e paraqitura, Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, ajo e Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë dhe Shoqata e Dëbim-Internimeve, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, e cila e vonoi për më shumë se një vit përgjigjen. Më në fund, arsyetimi i saj nuk ishte as profesional dhe as i pavarur, po vetëm frazeologji boshe, për të justifikuar çdo nen të Ligjit 9831, të hartuar nga Këshilli i Ministrave. Kjo na detyroi që kërkesën tonë për drejtësi, t’ia kalonim Gjykatës Europiane të Strasburgut, e cila ka premtuar se do ta shqyrtojë atë me shumë vëmendje. Mbas kësaj kohe, çuditërisht, Qeveria ka bërë disa ndryshime e amendime të Ligjit, disa prej të cilave janë në përputhje me kërkesat tona. Në këtë mënyrë, ajo pa dashur, ka vërtetuar drejtësinë e këtyre kërkesave. Kështu, p. sh.,vitin e kaluar ajo njohu të drejtën e dëmshpërblimit të të pushkatuarve pa gjyq nga viti 1945 e deri më 1992, si dhe përfitimin e dëmshpërblimit nga trashëgimtarët e shkallës së dytë, kur i dënuari nuk ka pasur fëmijë. Ndërsa tani së fundi është gati për miratim nga Kuvendi një amendament i paraqitur nga Qeveria, që synon të ndreqë edhe disa padrejtësi të tjera, siç janë: njohja e dokumenteve të lëshuara nga të Komisioni Trepalësh; përfitimi i dëmshpërblimit edhe nga të akuzuarit për “terrorizëm”; dëmshpërblimi i të pushkatuarve pa gjyq nga 25.10.1944 deri më 1.10.1991; përfitimi i dëmshpërblimit edhe nga fëmijët e birësuar prej ish të dënuarit politik; shtyrja e afatit të paraqitjes së kërkesave dhe dokumenteve për dëmshpërblim, deri më 30 prill 2012; dëmshpërblimi me dy këste, i ish të dënuarve mbi moshën 85 vjeç, që ende jetojnë. Me përjashtim të kësaj të fundit (të 85-vjeçarëve) të gjitha të tjerat janë kërkesa që ne i kemi paraqitur si në Gjykatën Kushtetuese, (e cila tregoi mungesën e profesionalizmit ose qëndrimin klasor ndaj shtresës sonë;), ashtu edhe në Gjykatën e Strasburgut, nga e cila presim edhe realizimin e kërkesave të tjera, që përmendëm pak më sipër. Problemi qëndron tek realizimi i tyre në afatin e caktuar, brenda tetë vjetëve, siç e përcakton Neni 3 i Ligjit nr.9831, dt.12.11.2007, mbasi që nga koha e hyrjes në fuqi të tij, kanë kaluar afro pesë vjet dhe ende nuk ka përfunduar shpërndarja këstit të parë!

 

Kjo tejzgjatje me pretekste të ndryshme, nuk flet për vullnetin e mirë të disa përfaqësuesve të Qeverisë, për shlyerjen e këtij detyrimi moral e ligjor ndaj shtresës së shumëvuajtur të ish të dënuarve politikë. Në këtë mënyrë, nuk po zbatohet as Neni 2, (Qëllimi i ligjit), ku bëhet fjalë për “rivendosjen e drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të kësaj shtrese” dhe “krijimin e kushteve favorizuese, për integrimin shoqëror të tyre.” Po t’i hidhet një shikim gazetave të këtyre viteve të fundit, do të vihen re deklarata e premtime nga përfaqësues të ndryshëm të administratës shtetërore, për fillimin e këstit të dytë të shpërndarjes së parave në këtë apo atë muaj, për nisjen e dëmshpërblimit nga të sëmurët rëndë dhe nga moshat më të mëdha, për të filluar nga ish të burgosurit që ende jetojnë, etj., etj.. Por, për fat të keq, këto kanë qenë vetëm fjalë, që i ka marrë era. Dhe ja tani, papritmas, dilet me një variant tjetër, sipas të cilit do të fillojë shpërndarja e dëmshpërblimit nga ish të dënuarit e moshës mbi 85 vjeç, që ende jetojnë e që sipas drejtorit të Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, qenkan plot 400 vetë! Edhe për këta, fillimisht u tha se do t’u jepej njëherësh dëmshpërblimi, ndërsa tani po thuhet se do t’u ndahet në dy këste! Kush të rrojë, ta gëzojë! Por, kjo duket si një “lojë kungulleshkash”, që po luhet me ish të dënuarit politikë dhe me familjarët e tyre, vetëm për kalim kohe.

 

E mirëpresim zgjerimin e rrethit të përfituesve dhe -natyrisht- edhe shtyrjen e afatit të dorëzimit të dokumenteve përkatëse. Veçse, me “aksiomën” antiligjore se “pa mbaruar kësti i parë, nuk fillon i dyti”, ka shumë gjasa që edhe ky vit të kalojë me procedurat e dorëzimit e të kthimit mbrapsht të dokumenteve, në vazhdimësi të të parit dhe pa filluar fare i dyti. Sepse ligji për dëmshpërblimin mban datën 12.11.2007 dhe tani jemi në shkurt 2012. Normalisht duhej të kishte nisur kësti i katërt; por, nuk ka mbaruar ende shpërndarja e parave të këstit të parë! Pra, ka diçka që nuk shkon, për të mos thënë se ky ligj ka dështuar. Në një intervistë të para disa ditëve, dhënë një gazetari, Simon Miraka ka deklaruar se kësti i dytë do të fillojë në muajin mars të këtij viti. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, u ka premtuar krerëve të një shoqate të përndjekurish, se shpërndarja e parave të këstit të dytë do të fillojë në muajin prill të këtij viti. Mirëpo, ka një tjetër përfaqësues të Qeverisë, që i përgënjeshtron ata të dy dhe vetë Ligjin. Ky është i plotfuqishmi Lekë Hajdari, i dërguari i posaçëm i ministrit të Financave, Ridvan Bode, për t’u marrë me problemet e dëmshpërblimit të ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë. Në fillim dhe në fund të çdo interviste që u jep gazetarëve, apo të interesuarve të tjerë, ai përsërit vetëm citatin e mësuar përmendsh “Pa mbaruar i pari, nuk fillon i dyti!”. Mirëpo, të tjerë qeveritarë kanë deklaruar kohë pas kohe se është i depozituar dhe i paprekur fondi i dëmshpërblimit i caktuar nga buxheti i përvitshëm. Atëherë logjika e thjeshtë thotë se gjersa ky fond është, dhe përderisa ligji përcakton ndarjen e dëmshpërblimit brenda tetë vjetëve, përse të mos vazhdojë edhe dhënia e këstit të dytë paralelisht me të parin? Si duket hileja qëndron tek “pëlhura e Penelopës”, që nuk duhet të mbarojë së enduri, qoftë edhe duke shkelur me të dyja këmbët ligjin. Ende sot, pas pesë vjetësh nga hyrja në fuqi e ligjit, Këshilli i Ministrave nuk ka nxjerrë aktet nënligjore dhe nuk ka mundur të përcaktojë faturën financiare të këtij dëmshpërblimi, gjë që sipas Nenit 3 (Fondet për zbatimin e këtij ligji), duhej ta kishte bërë “brenda 15 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji”. Po ashtu, nuk i është propozuar Kuvendit “skema 8-vjeçare e shpërndarjes së fondeve”. Pra, është tepër e qartë se “shpërndarja e fondeve” sipas këtij ligji, duhet të bëhet në bazë të “skemës 8-vjeçare”, d.m.th. brenda tetë vjetëve. Por, qeveritari Lek Hajdari, i inkurajuar nga ministri Bode, nuk do ta njohë e ta zbatojë këtë kërkesë të ligjit. Nga ana tjetër, Kryeministri nuk ka kohë që të merret me këto “vogëlsira”, pavarësisht se mijëra jetë njerëzore po shuhen nga padrejtësia. Klithmat e tyre ngrihen çdo ditë në TV “Shijak”, në TV “News – 24” dhe në disa media të tjera të pavarura. Por ato nuk dëgjohen në majat e pushtetit. Dhe “pëlhura e Penelopës” vazhdon të endet e të çendet. Migjeni do të pyeste: “Deri ku kështu, ma?”

 

Në njëfarë mënyre, kjo shtresë e shoqërisë shqiptare vazhdon të jetë e përjashtuar, e persekutuar, e diskriminuar dhe krejtësisht e paintegruar; ndërkohë që ish të dënuarit politikë të vendeve ish-komuniste të Europës, nuk kanë më probleme të tilla jetike dhe kanë zënë vendin e merituar në shoqëritë përkatëse. Në këto kushte, neve nuk na mbetet tjetër, veçse të kërkojmë nga Këshilli i Europës, që për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, të shtohet edhe një kusht tjetër, i trembëdhjeti, që ka të bëjë me zbatimin e Konventave Europiane mbi Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, dhe që është:

 

Integrimi real në shoqëri, i ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga regjimi komunist; rivendosja e të drejtave të mohuara në të kaluarën dhe sot; kthimi i pasurive të grabitura e të sekuestruara çdo ish të dënuari për motive politike; dëmshpërblimi për dënimin pa faj; punësimi sipas aftësive; dhe pjesëmarrja aktive në të gjitha fushat e jetës shqiptare.

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page