top of page
Search
  • ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE

AI VETEM VRAU

Nga Leke Tasi


ENVER HOXHA ARKITEKT I PERÇARJES

Replikë me Esenë e Prof Kristo Frashërit


Eseja e historianit Kristo Frashëri në Gazeta Shqiptare mbi Enver Hoxhën na duket klasike për atë, që e paragjykon konkluzionin me disa të “dhëna” që i quan të sigurta pa i diskutuar. Fraza tekstuale të tij “Në rast se Enver Hoxha del para gjyqit të historisë , ai duhet dënuar për dhunën që përdori ndaj popullit të vet pas Luftës së Dytë Botërore, por jo për shërbimin që ai i bëri atdheut gjatë periudhës së parë si udhëheqës i Partisë Komuniste Shqiptare”, na nxjerr një arsyetim dukshëm antishkencor; përderisa ai ndodhet ende në zhvillimin e tezës tij, pra larg konkluzioneve, s`mund të shprehet me gjykime përfundimtare, ndaj duhej të thoshte “për veprimtarinë e tij gjatë Luftës së dytë Botërore” (dhe jo për shërbimin që i bëri atdheut etj.) Le ta quajmë svisto dhe vazhdojmë më tej.

Cilat fakte e bejnë historianin t`i ndajë kaq prerazi dy periudhat e aktivitetit të E.Hoxhës? Nuk është bindëse, dhe aspak e natyrshme, që një njeri që sfilit popullin e tij , të ketë qenë më parë tërësisht në shërbim të tij, aq sa të meritojë meritën i vetëm ai, si udhëheqës, kur më tepër dihen se si kanë përfunduar të gjithë udhëheqsit e tjerë pranë tij, ushtarakë të shquar, të akuzuar dhe të çuar prej tij para plotonit. Vështirë ta kuptosh një veçim të tillë mes dy periudhave. Por le t`i lëmë shokët e tij të përzier (të luftës dhe të paqes), dhe le t`i kthehemi thjesht periudhës së luftës.Janë të kohës së luftës vrasjet e gjithë krerëve historikë komunistë, po ashtu janë krime të kohës së luftës ato që në plenumin e Beratit ia quajtën terror mbi popullatën, dhe sa për monopolin që profesori i jep mbi dafinat e luftës Antifashiste si udhëheqës politik po indirekt edhe mbi veprimin ushtarak të LNCl, nuk kam kundërshtim se ishte ai që i dha fytyrën e tij asaj lufte, derisa edhe komandantët nuk i çmoi as si të tillë, as si miq, por thjesht i përdori, i vrau dhe pastaj i shau.

A nuk flet e sotmja për të djeshmen aq sa për të gjykuar personazhin? Dhe nuk dihet çfarë lloj dafinash janë ato, dhe si mund të quhet luftë çlirimtare një përpjekje ku armiku goditet në ballë dhe njëkohësisht shoku goditet nga mbrapa.

Si lider politik: a nuk ish në kohën e luftës, që nevojiteshin maksimumi i forcave, dmth pjesëmarrja tërësore pavarësisht ngjyrës politike, dhe E.Hoxhës si udhëheqës politik i binte detyra t`a siguronte? Por ky a nuk bëri të kundërtën duke siluruar aleancën e arritur në Mukje? Ishte personalisht ai që e denoncoi atë , dhe më vonë nga të katër firmatarët e krahut të tij, goditi prapa krahëve Abas Kupin sepse, duke u forcuar vetë, nuk i duhej më si mik por vetëm si armik, në konfliktin vllavrasës që po i gatuante këtij vendi, M. Pezën e detyroi të ndahej prej Bazit, dhe Y. Dishnicën e degradoi dhe e mënjanoi.

Atij i duhej vetëm miqësia e dyshes Dushan-Miladin, dhe për këtë pranoi të minohej edhe ngushtica e Korfuzit, që me çfarëdo gjëme që do të ndodhte aty, ai të tregonte zellin e tij të pakushtëzuar veçse Titos, zell që si kordon ombelikal e lidhte me ofiqin që pushteti Lindor do t`i jepte veç atij, ofiq sa më të egër mbi jetën dhe vdekjen e shtetasve të tij, siç ia donte zemra. Ja, kjo është edhe favori i pjesëmarrjes në Aleancën e Madhe Antifashiste: të vihej në krye të një shteti që Lufta e Ftohtë do ta mbronte, dhe sa më larg rreziqeve që do t`i vinin nga era e demokracisë që shpejt përfshiu tërë botën koloniale, por që atë do ta linte të sigurt në cepin e tij prej valiu të përhershëm të perandorsë.

Sa për sfidat që profesori numuron, me Jugosllavinë, me BS, e me Kinën, dy të parat i bëri duke pasur dorëzanë një fuqi tjetër që do t`ia garantonte limerin e tij prej të jashtligjshmi, kurse kur e braktisi Kina (dhe jo ai Kinën) ajo qe rradha e tij të provonte vetminë e tij të madhe, (ky ishte momenti, jo në 61) pra për `t`i lënë edhe fëmijt pa qumësht ndërsa dërgonte njerëz në Bruksel dhe atje i thonin shko në Vatikan, gjë që s`e kapërdinte dot.

Atëhere ç`mbetet? I dashur profesor ju thoni se nuk udhëhoqi si bollshevik por si nacionalist, vërtet ndaj dhe i thirri në Pezë të gjitha forcat. Atëhere pse e ndryshoi linjën mbas 10 muajve me denoncimin e Mukjes? Nacionalistët donin të luftonin bashkë, por ai vrau sakaq dy të rinjtë (Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo) tek po çonin lajmin e gëzuar të bashkimit në Jug? Pse? Se kishte merak mos merrte vrull era e bashkëpunimit gjithshqiptar dhe atëhere do të ishte vetëm pjestar i koalicionit, jo kryetar, e fillonin havazet për të, do të lejohej zbarkimi i britanikëve, për pasoje hapje, liri demokratike etj. mbas luftës, dhe kështu i shpëtonte nga dora komanda prej logotenti absolut mbi Shqipërinë, izolimi i plotë ku s`do të digjohej veçse zëri i tij, me gojët e gjith të tjerëve të mbyllura me dryn.

Rreziku për coptim nga propozimet e Caldarisit, nuk u shmang për meritë të Enverit, sepse një propozim për coptim u bë edhe më von pikërisht për shkak të tij. Të bësh vlerësime të tilla është jo e pjekur. E pjekur është të thuash që gjatë LDB forcat politike shqiptare duhet të ishin sa më të bashkuara dhe që qe Enver Hoxha arkitekti i vetëm i përçarjes së tyre. Kjo ësht gjëma e historisë moderne të Shqipërisë dhe gjithë viktimat e saj, që nga ata që i çoi në Jugosllavi për të vdekur për ustain e tij dhe ata që ustai i tij i kaloi nëpër Shqipëri për t`i pushkatuar në Tivar, që nga ata që u kthyen nga lufta për të shijuar frytet e saj dhe patën fatin e keq të zgjonin dyshimet e tij, ose që e thanë hapur mendimin e tyre, dhe të dy palët morën plumbin në gojë, të gjithë këta, ndihen të fyer në këtë muzg postkomunizmi, kur një akademi plakë, vetëm se e kaloi ngrohtë nën hijen e atij, e kujton akoma dhe gënjen veten se e ka shkruar historinë edhe me ca të vërteta, e jo vetëm me brohorima..

0 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page