- ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE
4 DHE 26 SHKURTI

Nga Lekë Tasi
Mendojm se Rruga ”Ibrahim Rugova” duhet të mbesi me këtë emër, dhe emri “Dëshmorët e 4 Shkurtit” t`i jepet një rruge tjetër, por për të përfaqësuar ndjeshmërinë e tërë spektrit të opinonit publik, ajo të marrë emërtimin “Dëshmorët e 4 dhe 26 Shkurtit”. Në fakt janë vrarë qytetarë në të dyja këto ditë, të parët në vitin 1944 të dytët në 1951.
Le të bëjmë një vrojtim të shkurtër duke i marrë me rradhë rrethanat në të cilat u kryen ekzekutimet.
Sëpari, masakra e 4 Shkurtit u krye në kohë lufte. Eshtë e rëndësishme të shihet si duhen gjykuar këto rrethana. Lufta e Dytë Botërore, në Shqipëri ka marrë tiparet e një lufte civile. Për këtë cilsim nuk bien në godi historianët, dmth në shikimin e një pale ka qënë edhe luftë çlirimtare edhe luftë civile, në atë të palës tjetër ka qënë thjesht luftë për pushtet, pra luftë civile. Vetëm së fundi, sikur është rënë heshtazi në këtë formulë “, ajo ka pasë marrë edhe tiparet e një lufte civile”, megjithatë çështja mbetet në diskutim. Masakra e dytë, e 26 Shkurtit 1951 u krye në kushte paqeje. Nuk ka zë ta mohojë që u bë ngutazi dhe pa vendim gjyqësor. Madje kjo ngjarje kulminante e terrorit shtetnor, e bashkuar me vrasjet në fshat gjatë luftës dhe më intensivisht ditët e para hyrjes në Tiranë në Nëntor 1944 (flitet për 350 vetë në krahinën e Tiranës, dhe 22 brënda në qytet, në Hotel Bristol, gati ngjitur me Bashkinë} shqetson edhe historianët më të favorshëm për atë regjim, pavarësisht se edhe sot në pluralizëm, ata kanë qënë të inkurajuar të mos bëjnë ndryshime thelbësore në qëndrimet e tyre. Terrori ka qënë prezent në forma e shkallë të ndryshme, por një konstante e 45 viteve (nuk pati një rast të vetëm që dikush të arrestohej dhe të mos dënohej) por edhe klandestiniteti e moslejimi i transparencës e ka shoqëruar atë.
Së dyti, të vrarët e 4 Shkurtit, përveç disa emrave, nuk dihen sot e kësaj dite. Flitet për 84 viktima, por emrat e tyre nuk kanë dalë. Pjesa e përndjekur e redukton mjaft numurin, dhe me mjaft bazë, sepse zyrtarisht nuk ka dalë kurrë lista. Kurse të ekzekutuarit në Urën e Beshirit në 1951 janë të shpallur dhe mund të shihen në pllakën përkujtimore tek Ministria e Arsimit. Regjimi komunist kishte zakon që t`i nderonte dëshmorët e tij, me memoriale, pllaka mermeri, monumente. Atëhere pse dëshmorëve të 4 Shkurtit nuk u ka kushtuar një memorial ku të rreshtoheshin emrat e tyre? Mos ka një gjë të dyshimtë në këtë mes? Ka zëra të këqij që thonë p.sh. se po të bësh një hetim fare të thjeshtë në varrezat e dëshmorëve në rrethe, dhe të bësh një veprim mbledhjeje, shuma do të rezultonte jo më shumë se 4000 të rënë gjithsej. Atëhere si shpjegohen 28.000? Në qofshin me vend këto dyshime, dhe ka plot evidenca për të rrëzuar shifrat zyrtare për Luftën NCl, atëhere njollave që Z. Milo pranon se duhet t`i vihen Enver Hoxhës pranë meritave, duhet tu shtohet edhe ajo e falsifikimit. Por kjo hap një greminë të madhe në vet historiografinë zyrtare, që e kish detyre të hetonte të vërtetat e imta të asaj lufte, dhe jo ta pranonte rrumbullak çdo gjë që nxirrte nga goja partia. Sëpaku në këto 20 vjet ta bënte këtë. E para që do të rridhte prej këtij angazhimi shkencor, do të ishte kjo: a ka pasë apo jo vrasje civilësh si në luftë dhe në paqe? Ta thonin shkoqur dhe le ta cilsonin si të mundnin, si normë leniniste të Luftës së klasave, apo si imponim stalinist e të tjera si këto, dhe po të kishin kurajë dhe frymë shkencore, ta nxirrnin edhe kontradiktën se si u pajtoka “luftë çlirimtare” me vrasjen e popullit (jo vetëm xhandarë të thjeshtë e oficerë, por edhe njerëz pa prirje politike, posi një marrje gjaku këtu-atje, për t`i vënë drithmën masës në çdo anë se ja erdhëm!) pikërisht kur partia bënte thirrje për bashkim pa dallim feje, krahine dhe ideje? Si mund të kesh guxim pastaj të flasësh për terror të kundërshtarit, një pikë në oqean?
Këto gjëra të sjell në mend çështja e emrit të Rrugës “Ibrahim Rugova” – ish “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. Eshtë një hapje dosjeje e rrezikshme, se pyetjet dalin njera pas tjetrës zinxhir. Eshtë pikërisht ky efekt domino që synohet, prandaj del me vrap kërkesa për njohjen e meritave të E.Hoxhës, me një fjalë “ presidenca ka dekoruar “kuislingët”, por harroni që edhe Enveri ka merita, jo vetëm faje, pra edhe ne s`jemi fort jasht me historinë tonë pro tij...”. Mirëpo ajo hapje petësh nxjerr në shesh terrorin e pandërprerë të partis , për të cilin është tundur bota sot e 70 vjet, dhe historianët tanë s`kanë digjuar gjë. Si qytetarë më të ndieshëm, sepse më të ndërgjegjshëm për të vërtetat historike, historianët në çdo rrethanë (e jo vetëm në punën e Haxhi Qamilit) duhet ta kishin homologuar me kohë edhe masakrën e 26 Shkurtit, si eveniment të rëndësishëm të historisë, ta quanin e shpjegonin si të donin me botkuptimin e tyre, të pashmangshme, tragjike, të dhimbshme, por të hapnin gojën edhe për të, madje më me ton dhe herët, qysh me heqjen e kularit nga qafa, sepse ajo gjëmë ka ndodhur në kohë paqeje, tmerron edhe më të pandieshmin. Duhet ta kishin propozuar ata vetë, me autoritet, këtë binjakëzim të të rënëve, sepse të gjitha viktimat ishin shqiptarë dhe meritojn respekt nga të dy rreshtimet. Mos duhet tu vëmë përballë autoriteteve shembullin e fashistit Franko, i cili , menjëherë mbas luftës, i trajtoi në një plan të dy palët e të rënëve dhe i nderoi njëlloj? Ç` llogari o paragjykim i ka penguar historianët dhe politikanët tanë ta bënin tani një akt të tillë qytetar?