Albanian-American Freedom House

Albanian-American Freedom House

News

XHELAL KOPRENCKA

Posted by ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE on June 28, 2019 at 1:00 PM


XHELAL KOPRENCKA


Nga Islam Spahiu


Ky ishte këndi i mbretërisë së Plutonit, kampi i Spaçit me numrin fatal 303. Këtu e njoha Xhelal Koprenckën, këtë hero që dua ta kujtoj këtu. Ishin ditët e para të vuajtjes në atë kamp. Ndërsa po bisedoja, nuk di sesi, veç mbaj mend që ishte fjala për Bonapartin. Aty më tërhoqi vëmendjen një zë kumbues, burrëror, i njërit që kisha aty pranë. Vërej: Ishte një moshatar i im, 46 vjeçar. Ajo që më ra menjëherë në sy ishte trupi i tij i shkurtër. "Një Napoleon", mendova sakaq. Pse, vallë, ky krahasim? Sepse aty ishte fjala? Ndoshta, nuk e di. "Përshtypja e parë është më natyralja" ka thënë një i mençur. E me të vërtetë, shprehësia e fytyrës të bënte të harroje vogëlsinë e trupit dhe të shihje atë madhështi, jo materiale, atë të shpirtit. Kjo shihej përmes syve të tij të larmë, rrezatues që spikatnin në sfondin e errët të fytyrës vezake. Rreth tij mblidheshin jo vetëm moshatarët por edhe të rinjtë, madje më të rinjtë. Shumë herë kur e shihja në mes atyre që e dëgjonin me admirim, i thoshja: “Je bërë si Sokrati me dishepujt e tij", dhe qeshnim. Ishte interesante një gjë: Shumë nga ata që ai kish afruar kishin bërë një jetë të shthurur më parë. Ishin nga ata që zakonisht quhen "gangsterë". Xhelali, për të cilin ishin të huaja vesi dhe imoraliteti, dinte ta zbulonte dhe ta nxirrte brumin e pastër, që mbulonte edukata e keqe, e gatuante atë dhe formonte karaktere të shëndoshë. Kështu ai me këta "harrakatë" kish mundur të formojë një gardë trimash të disiplinuar kundër degjenerimit moralo-politik të atyshëm. Kjo u bë një forcë nga e cila dridheshin sidomos spiunët. Kështu, nga një grusht burrash të vërtetë dominohej pjesa e korruptuar e kampit. Tradhtia ndëshkohej sapo nxirrte krye. Ish e njohur se Xhelali gëzonte një autoritet në kamp më shumë se komandanti i repartit. Këtë gjë e ndiqte me vërejtje operativi i sigurimit. Ky dukej e zhdukej si fantazmë, i thatë si skelet, me fytyrën e tij të verdhë si meit. Sa herë e ndjeja nevojën e ngushëllimit shpirtëror, shkoja e rrija me Xhelalin. Ai ishte i sëmurë, prandaj nuk punonte. E kishin lënë në "papunësi". Po nuk ish vetëm ky shkaku. Ky njeri duhej të qëndronte sa më larg të tjerëve. Kështu evitohej influenca e tij. Pra, ky rrinte zakonisht në qoshen ku kish shtratin, në dhomën prej 50 vetësh, të cilët rrinin shtrirë në raftet trekatësh. Aty bisedonin me zë të ulët. Flisnin për politikën, artin, shkencën dhe filozofinë. Aty nuk lejoheshin librat, prandaj i vetmi thesar bibliografik ishte kujtesa. Ato që lejoheshin ishin vetëm "veprat" e diktatorit të mistifikuar gjer në kultin e një Bude. Pra, ne kënaqeshim me ato që mbanim mend. Përmendnim citate nga njerëz të mëdhenj, analizonim vepra dhe kryevepra letrare, recitonim poezi etj. -Pa thuaje një herë atë këngën e Francesca da Rimminit ose të Conte Ugolinit!... Nganjëherë debatonim mbi korrektësinë e tekstit. Xhelalit i shkëlqenin sytë e zjarrtë. Ishin këngët që kishim mësuar në shkollën fillore. Kujtime të ëmbla fëmijërie kur sëbashku me qumështin e nënës, na ishte ushqyer dashuria për Atdhe. Dostojevski ka shkruar: "Një kujtim i shtrenjtë i fëmijërisë vlen më shumë se edukata e një jete të tërë". Retë e zeza të fatit tonë, sa vinin e po dendësoheshin. Në çdo çast priteshin rrufetë. Unë kisha arsye të kisha frikë më shumë për Xhelalin se sa për vete. Ai rrezikonte shumë. Një ditë më tha: -Kam përgatitur një letër për demonët e kuq. Nuk durohen më. Ata duhen sfiduar se mjaft po tallen me fatet e popullit tonë të mjerë. E di që unë do të humbas si person, por do t’u bëj mirë të tjerëve, që do të mbijetojnë. Efekti do të jetë i sigurtë. Dikush do ta bëjë këtë. Një shembull është kryengritja e kampit në vitin 1973. Mjaftoi kjo që të tronditej nga themeli Tirania e urryer. -Nuk duhet të rrezikosh kaq, vëlla, - i thashë, - Jeta jote nuk të përket vetëm ty. Për njerëz si ti ka nevojë kombi, atdheu. Të lutem kij kujdes! -Nuk mundem ndryshe, - më tha - e kam menduar shumë dhe kam vendosur. Letra i drejtohej personalisht diktatorit. Po çfarë ishte shkruar aty? Aty tërhiqej vëmendja mbi gjendjen e mjeruar ku e katandisi vendin tonë klika e kuqe. Për arsyet e lakmive të ulëta të dhespotit mesjetar, vendi ishte kredhur në një robëri të pashembullt në hapësirë dhe në kohë. Për tradhtinë, krimet dhe mizerjen, ai ose pasardhësit e tij do të jepnin llogari një ditë, etj. Dhe kështu u bë. Letra u dërgua dhe përgjigjja e saj do të vinte me një cinizëm djallëzor, me një rrebesh arrestimesh e raprezaljesh. Një spiun i deklaruar më tha një ditë me qesëndi: -Nesër do të arrestohet një shok i yti. -Kush është ai? -Pas një ngurrimi ai tha: -Xhelal Koprencka Qeshi dhe iku. Ç'të bëja? Ti thoja Xhelalit? A mos do të ndihmonte gjë kjo? Sidoqoftë e kërkova menjëherë dhe e gjeta. Më tregoi ai i pari, e kishte marrë vesh. Ishte një mëngjez pranvere, sapo kishte dalë dielli. Oborri i kampit ishte mbushur plot e përplot me katrorin e masës së të burgosurve të heshtur si gurët. Në të katër qoshet ishin vendosur policë. Përballë, mbi një mur që shërbente si podium, ishte rreshtuar komanda e kampit bashkë me zyrtarë të degës së Punëve të Brendshme dhe të prokurorisë së Rrëshenit. Një nga këta, ndonjë hetues besoj, një i ri fodull që mbante një çantë zyre në dorë, na shikonte i ngrysur duke tundur kërcënueshëm kokën e tij me kaçurrela të zes. Se si m’u kujtua britma e Karontit në Komedinë Hyjnore: "Mjerë ju për vete, o shpirtra të këqinj!". Pasi "u vendos" çdo gjë sipas rregullit, komisari i repartit shqiptoi formulën makabre të arrestimit: -Për vazhdim të veprimtarisë armiqësore, Xhelal Koprencka arrestohet në emër të popullit! Menjëherë pas kësaj kumboi zëri prej luani i Xhelalit: -Çfarë populli, more?!... Në emër të armiqve të popullit! -Fjalë arit! - u dëgjua një zë tjetër. Ishte djaloshi trim shkodran Ramiz Memçe. Mbretëroi një heshtje varri. Si me magji u ul për tokë ajo tribunë xhelatësh dhe në të njëjtën kohë u ngrit vigane figura heroike e Xhelal Koprenckës. Vura re që fytyra e komisarit u zbeh, u bë gëlqere dhe ai u shtang. Asnjë nuk gëzonte. Gjithë qiejt qenë copëtuar, jeta kish sfiduar vdekjen. Xhelali kaloi para kampit të rreshtuar me kokën lart, me duar të lidhura pas shpine, ato ishin të nxira nga shtrëngimi i hekurave. Gishtat karakteristikë ishin kthyer lart. Kjo ish hera e fundit që e shikoja këtë shok vuajtjesh dhe ideali. Ca kohë më vonë dëgjuam që e kishin dënuar përsëri për agjitacion dhe propagandë dhe kishte marrë maksimumin e dënimit sipas nenit përkatës, 10 vjet të tjera. Mirëpo kjo nuk e kënaqi inkuizicionin e kuq, u duk pak. Pra ai proces u anullua dhe "me urdhër nga lart", u akuzua për tradhti të lartë. Paskësh formuar qeveri në burg e me këtë kish rrezikuar "Pushtetin Popullor"!!! Pastaj u dënua me vdekje dhe u ekzekutua. Ne u njoftuam indirekt. Në kamp u shpërndanë ca fotografi me pamje nga ekzekutimi. Njëra paraqiste të dënuarin para ekzekutimit, pranë një grope të hapur. Tjetra e paraqiste atë të vrarë po aty. Të tilla ishin edhe fotografitë e Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos të ekzekutuar ne të njëjtën kohë. Varri nuk dihet. Së paku atëherë. Ç'mund të thuhet për atë hero, trupi i të cilit nuk gjindet? Mund të themi atë që tha Carducci për Sandër Petof-in: "Mori? No. Spari come un bel Dio della Grecia!" (Vdiq? Jo! U zhduk si një perëndi i bukur i Greqisë!). ISLAM SPAHIU, Kolbermoor, Gjermani, 19.03.1993

Categories: None