Albanian-American Freedom House

Albanian-American Freedom House

News

RRETH INTERVISTES SE NJE ISH HETUESI TE MINISTRIS SE BRENDSHME

Posted by ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE on September 3, 2018 at 8:50 AM


Nga Lekë Tasi


EDHE MBAS GJYSEM SHEKULLI E FSHEHIN TE VERTETEN QE NA NDERON


Kohët e fundit nëpër gazeta po dalin materiale që ritregojnë ngjarje të periudhës komuniste me do elemente plus të panjohura deri dje. Në fushën e editorisë kjo frymë është edhe më e theksuar; kanë dalë plot libra seriozë që tregojnë të verteta që mbuloheshin ose shtrëmbëroheshin në versionet zyrtare. Kur shfletova gazeten TemA dhe pashë të flitej për Kolonel Haxhi Hajdar Manin, u bëra menjëherë kurioz, dhe u vura ta lexoj. Një zhgënjim i thellë qe rezultati. Intervista sipas meje dhe besoj edhe sipas shumë qytetarve që i njohin ngjarjen, mund të duket si një qerthull fjalësh që vjen rrotull dhe nuk prek fare thelbin e çështjes.Haxhi Hajdar Mani kishte miqësi me një malsor, emri i tij Nosh Kola, i cili i dërgoi fjalë se po rrezikohej nga Sigurimi. Mani u zhduk nga Shkodra për këtë arsye: që t`i vinte në ndihmë mikut. Kjo qarkulloi por nën zë, e mbaj mend mirë. Mundet që ta ketë biseduar edhe me Mehmet Shehun si një shkelje të legjislacionit, sepse tek disa karaktere është e vështirë të zbehet vizioni njerzor, burrnor i gjërave, dhe të zëvendësohet me një tjetër, që e quan të vdekur atë lloj raporti. Nëpërmjet njerzve të shtëpisë siç kam dëgjuar, ai e furnizoi me ushqime dhe ujë mikun e ngujuar në shpellë, ndofta edhe me municion. Pastaj, kur u shtrëngua edhe vet kur ra në sy duke blerë ushqime, shkoi te shpella, dhe aty forcat e shumta u ranë me top dhe i asgjësuan. Në kuptimin literal të fjalës. Duke mos e thënë këtë fakt të plotë hetuesi i intervistuar, 90-te vjeçari Shyqyri Çoku, ia fsheh edhe sot gjestin burrnor Haxhi Hajdar Manit, oficer madhor por edhe njeri i besës, gjest i rrallë, i flijimit për shokun. Me një fjalë reduktohet vetflijimi në një banalitet absurd, se si dikush që ishte mirë e bukur, i shkrepi papritmas të arratiset... Nuk na e merr mendja që të harrohen qoftë dhe në pleqëri të thellë gjëra të tilla, shkaku dhe motivi i ngjarjes... E kam konstatuar edhe në raste të tjera këtë negligjencë të qëllimshme të detajeve, si psh në tregimin e dalë disa herë në gazeta të shoqërimit plot rreziqe të infermiereve amerikane që ranë në tokën tonë aksidentalisht në 1943, dhe u përcollën nga partizanët gjer në bregdet për tu evaduar nga një nëndetse. Me klimën e gëzueshme që dominon sot si pjesëtarë të NATO-s që jemi, rrethanat e rrezikut dhe shpëtimit, sidhe fotografitë, tregohen gëzueshëm si një episod i aleancës (me demek e kemi miqësinë qysh në kohën e luftës) dhe lihet mënjanë pushkatimi i Kostaq Stefës pak më von, që u dyshua për agjenturë, pikërisht sepse, nuk e dyshoi fare rrezikun (e importuar dhe partiak që mund t`i kanosej), kur si anglishtfolës iu bind urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm t`i përcillte. Mora vesh në artikullin e djeshëm mbi arratisjen dhe asgjësimin e Haxhi Hajdar Manit vet i dytë, se është realizuar edhe një dokumentar nga Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, në kuadër të ciklit “Përballje me të kaluarën”, bashkëpunim i prezencës së OSBE dhe TV publik Shqiptarme drejtor Th. Gëllçi, nuk di se sa i plotsuar me të gjitha këto aspekte që përmenda, uroj që po. Kërkova në Internet, por më tepër se 1 minutë s`japin, sot një vit pasi është transmetuar, dhe në atë minutë nuk përmendet shkaku i vërtetë, pra gjesti vetmohues i kolonelit. Sidoqoftë, le të shërbejë ky shënim në shtyp që Zonja Claudia Wollmer e prezencës së OSBE, të vihet në dijeni të këtij aspekti të çështjes, për të patur njëherazi edhe një ide më të qartë edhe për predispozitën dhe besueshmërinë e organeve të informacionit drejt një transparence reale me të kaluarën.

Categories: None