Albanian-American Freedom House

Albanian-American Freedom House

News

Denimi i krimeve te komunizmit...

Posted by ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE on July 24, 2011 at 10:15 PM


Leke Tasi

 

Dënimi i krimeve të komunizmit ... është ende i parealizuar

 

 Nga Ajet Nuro

 

Intervistë me z. Lekë Tasi, anëtar i bordit drejtues të organizatës “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amrikane” me qendër në Uashington, dhënë Tribunës Shqiptare.

 

TSh: Së pari zoti Tasi, do të desha t'i paraqiteni lexuesit tonë, pra kush është Lekë Tasi?

 

Z. Tasi: Jam një ish i përndjekur politik gjatë regjimit komunist. Familja ime i ka pasur gati të gjithë antarët të burgosur politikë. Vetë unë kam kaluar një internim 15 vjeçar me familjen time në një fshat të Lushnjes (1975-1990). Qysh atëherë jam aktivizuar sa kam mundur për njohjen e të drejtave dhe integrimin në shoqëri të shtresës që i përkas. Sidomos impenjimi im ka të bëjë me njohjen e së vërtetës historike në kohën e luftës II Botërore, të cilën e ka falsifikuar historiografia komuniste, me rezultat që edhe sot të jetë përhapur në shumë njerëz një ide e gabuar për atë që kush i ka shërbyer vendit dhe kush i ka shërbyer të huajve. Për të bërë të njohur realitetin shqiptar gjatë diktaturës, kam shkruar një libër (Grabjani rrëzë kodrave- 2009) ku trajtohet jo vetëm jeta në fshatrat e internimit por edhe gjendja e fshatarësisë në tërësi, burgu i grave, ku kaloi tre vjet ime motër dhe dëshmi të shumta të njerëze të vuajtur në atë ferr.

 

TSh: Zoti Tasi! Do të desha tani të na flisni për organizatën në të cilën Ju jeni njëri nga drejtuesit. Në këtë det organizmash jo qeveritare të krijuara pas vitit 1990, organizata Juaj duket e veçantë që nga emri, qëllimi por edhe aktivitetet. Çfarë e bën të veçantë “Shtëpia e Lirisë Shiptaro-Amerikane”?

 

Z. Tasi: Organizata jonë ka qëllim të tregojë të vërteta, (jo të bëjë propagandë të njëanshme) për të shkuarën dhe të sotmen dhe dënimin e praktikave anti demokratike. Kur del e vërteta, ndikohet natyrisht edhe sfera politike nëpërmjet sqarimit të opinionit publik, një ndikim për përmirësim dhe sidomos siç thashë për heqjen e njollës që komunizmi na ka ngjitur edhe mbasi ai ka perënduar. Nuk mjafton vetëm të dekorohen figurat vërtet demokratike që i qëndruan përballë komunistëve, duhet të jenë prezente në jetën e vendit me anë titullimit të institucioneve, rrugëve, shkollave. Figurat e ndritura patriotike duhet sidomos të hyjnë në histori ashtu siç e meritojnë. Profesionistët e shquar gjithashtu, që u varën fare pa faj për të terrorizuar popullin duhet të shpallen sipas rastit martirë ose heronj.

 

TSh: Si lindi ideja për të krijuar një organizatë si ajo, “Shtëpia e Lirisë Shiptaro-Amerikane”?

 

Z. Tasi: Prej kohësh kemi menduar që të organizohemi, por shtysë këtë radhë u bë z. Mustafa Xhepa që sëbashku me z. Petro Zheji më 7 gusht, 2010 të themelojmë organizatën, “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane”.

 

 

Mustafa Xhepa dhe Petro Zheji

TSh: Jeni frymëzuar nga organizmi i mirënjohur amerikan “Freedom House” që vëzhgon e ndihmon në përhapjen e demokracisë në botë.

 

Z. Tasi: Nuk jam fort në dijeni për “Freedom House” në Amerikë. Është një emër i bukur dhe shpresojmë që organizata jonë të meritojë këtë cilësim.

 

TSh: Zoti Tasi, na flisni për aktivitetet tuaja më të fundit në Amerikë.

 

Z. Tasi: Në Amerikë ndodhem prej fillimit të Prillit. Sëtoku me z. Mustafa Xhepa kemi takuar një funksionare të Departamentit të Shtetit (Seksioni Shqiptar) për të sensibilizuar këtë zyrë për problemet e shtresës sonë. Gjithashtu, së bashku me shqiptarë të diasporës dhe njëherazi ish të përndjekur ose antikomunistë të kohës së luftës takuam Zotin Joe DioGuardi, kryetar i “Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane”. Ai na foli për aktivitetin e saj dhe personal të tij në mbrojtjen e çeshtjës shqiptare, dhe ne i kërkuam t‘i kushtojë vëmendje një çështjeje madhore - denimi i krimeve të komunizmit. Patëm një takim shumë interesant në “Qendra per Lirinë e Kubës”, ku zoti Frank Calzon, drejtori ekzekutiv i saj na informoi për këtë regjim komunist në hemisferin perendimor, dhe për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet populli atje.

 

TSh: A është i ndërgjegjshëm dhe a ndiqet çfarë ngjet në Shqipëri në Amerikë, dua të them në qarqet politike me të cilët Ju keni patur kontakte së fundi.

 

Z. Tasi: Kemi përftuar përshtypjen edhe në takim që ShBA janë të interesuar gjithmonë për Shqipërinë, siç e ka treguar veprimi i tyre ushtarak dhe politik në favor të faktorit shqiptar. Shoqeria jonë, klasa politike jonë, shpresojmë të jetë duke shkuar drejt një pjekurie më të madhe, mbas kaq gabimeve, në mënyrë që hyrja në Europë të shpejtohet dhe kështu të kemi avantazhet e mirëpritura. Për ne ka rëndësi, edhe njohja e kërkesasve të ish të përndjekurve politikë në mënyrë që kjo të ndodhe siç duhet.

 

TSh: Zoti Tasi, dua t'iu pyes për diçka të veçantë që unë personalisht e kam ngritur së fundi në media. Bëhet fjalë për dënimin e krimeve komuniste dhe i diktaturës në përgjithësi. Si e shikoni Ju këtë çështje.

 

Z. Tasi: Pikërisht ketu e kam fjalën. Dënimi i krimeve të komunizmit nga parlameni ynë, me angazhim që kjo të pasqyrohet edhe në legjislacion dhe në jetën e përditshme, është ende i parealizuar, rekomandimi i PE i parealizuar. Kjo është e rëndë. Shohim madje në shtyp dhe kudo, një prirje për të paraqitur me ngjyra rozë figura të errëta të diktaturës (sikur paskan pasur edhe tipare të mira), ose duan të fitojnë publik dhe para me anë të nxitjes së kuriozitetit të vogël për ata që i kemi parë prapa xhamave të makinave ose në presidiume. Ky lloj shtypi dëften, përveç gjallërimit të frymës nostalgjike, edhe një rënie të nivelit intelektual të masave, për të cilën ka përgjegjësi direkte politika kulturore e shtetit, një mbeturinë e provincializmit që s’na ndahet.

 

TSh: Mesazhi Juaj për lexuesit e “Tribunës Shqiptare”.

 

Z. Tasi: “Tribunës Shqiptare” i uroj përhapje sa më të madhe në diasporë dhe atdhe, si dhe kontribute sa më me nivel të mbushin faqet e saj.

 

TSh: Faleminderit zoti Tasi dhe suksese në misionin Tuaj fisnik

Categories: None