Albanian-American Freedom House

Albanian-American Freedom House

News

NJE DEBAT QE DUHET CUAR ME TEJ

Posted by ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE on August 27, 2016 at 5:55 PM



Nga Lekë Tasi


Debati që ka hapur Andrea Stefani vlen për të kuptuar momentin aktual, të cilin një media perëndimore e komentoi me një fjali të shkurtër : “me ndryshimet kushtetuese që po bëhen Shqipëria kalon nga Lindja në Perëndim” (kuptimi më në thellësi i kësaj fjalie ësht që ky kalim ka rëndësi historike dhe nuk ësht formal si në 1990). Pikërisht ky ndryshim themelor që pritet ka shkaktuar këtë“shtrëngim rradhësh” tek mendësia 45vjeçare që i reziston pronocimit të A. Stefanit. Ky gazetar, i njohur për komentet e tij energjike në dy dekada e gjysëm i qëndron vërtet pozicionit zyrtar se Lufta partizane ka qënë e drejtë, por i shton pohimin e padiskutueshëm për opinionin, se diktatori me shokët e tij i varrosi shpresat e dëshmorëve për demokraci e mirëqënie , dhe shtypi popullin dhe vet luftëtarët pranë tij me pushtetin e tij personal . Argumentimi i tij ësht logjik , konciz dhe pa asnjë ekuivok ku të kapet cilidoqoftë: Tezë- demonstrim me fakte të pakundërshtueshme- konkluzion. Përball kësaj qartësie artikujt e kundërshtarëve janë konfuzë sepse ,ndryshe nga Andrea me prejardhje komuniste, por që vendos si bazë të tijën pavarsinë nga çdo interes të argumentimit dhe vendos si vlerë mbi çdo tjetër të drejtat e njeriut , ata nisen me një paragjykim pro asaj të kaluare ku ndjeheshin mirë, dhe për ta mbrojtur zbatojn të mirënjohurin vesin e stigmatizuar qysh herët nga F.Konica - nuk merren me ato që autori thotë, dhe i përgjigjen për ato që ai nuk thotë. Duan që lavdia e vetshpallur të mbetet e paprekur edhe mbas përmbysjes që ndodhi tek mendja e popujve mbi komunizmin – kur ai doli një lloj fashizmi por me varfëri . Pik` e parë nuk pyesin për marksistët e vërtetë shqiptarë që si bartës iluzionesh por me sinqeritet , mbasi i dhanë emrin luftës , u eliminuan menjëherë nga klika gjuajtëse e pushtetit me anë terrori , bile s` mbajnë dot qëndrim as për të fundmin e tyre, që ndoqi fatin e tyre në Dhjetor të 1981, atë që e bëri luftën dhe ata e admiruan 30 vjet, por e harruan edhe kur pse iu torturua familja . Pa krijuar një pozicion vetë mbrojtësit e luftës dhe të asaj që pasoi dhe pa shpjeguar britmat makabre kur i vinin në dhe shokët e tyre, ç` lavdi u mbetet? Pjesa e opinionit që janë politikisht kundra diktaturës e jo vetëm sepse u goditën, do të shkonin më tutje në këtë debat për të vënë në pyetje vet luftën, a ishte e nevojshme apo e dëmshme në kushtet që u bë, se ajo u projektua siç doli, pra qe pjesë dhe shkak direkt i gjëmës që pasoi. Idealizimi i pjesëmarrjes në koalicionin antifashist që afishohet zakonisht si imperative, nuk qe as në nisje as në mbarim pjesëmarrje reale, por porosi së jashtmi e zbatuar me bindje servile ose të verbër ( këto janë dy kategoritrë) dhe me qëllim t`i mbetej fuqia të mandatuarit me atë porosi , dhe të ndiqej një politikë besnike vetëm Lindjes dhe luftës së ftohtë; këtë e di kushdo dhe vet ata që e përdorin argumentin e Koalicionit. E para pra ësht kush të futi në atë koalicion dhe e dyta ç`qëllime pati ajo mbeturinë koalicioni në Shqipëri. Mendimi politik i vërtetë nuk ka primar koalicionet, por pyetjen me cilin fiton vendi im . Dhe kjo ndrron sipas momentit që kalon shteti në konflikt ; interesi kombtar ngërthen në momente kruciale partitë politike, qeveritare e opozitare, në përgjegjësinë e përbashkët ndaj vendit . Veç kësaj ekzistojn edhe arsye të forta gjeostrategjike pse një vend e do Koalicionin Antifashist dhe pse një vend tjetër dëmtohet prej tij. Po të marrim shembull dy vende ballkanike me pozicion gjeografik më të disfavorshëm se i yni gjat LDB, por me eksperiencë shtetnore më të pasur, Bullgaria dhe Rumania, dhe do të silleshin sipas balancës së forcave që avanconin drejt tyre e i shkelnin. Ato shpallën neutralitetin për të shpëtuar nga konflikti, dhe më pas bënë aleanca me Boshtin dhe pastaj me Koalicionin , por në të tre rastet për shkaqe kombtare cilado qeveri që vinte - rivendikime tokash që u përkisnin më parë ose ruajtje të atyre që u takonin. Në fakt Rumania megjithse kishte peshën më të madhe se Hungaria përkrah Boshtit, ishte dëmtuar prej tij duke iu marrë Transilvania për t`iu akeksuar Hungaris , dhe Dobruxha Bullgaris, por për Antonescun rreziku më i madh i Rumanisë ishte Rusia siç u vërtetua në 1945. Mbreti Mihail me kthesën që bëri pro Koalicionit, i rifitoi ato toka por humbi Moldavinë sidhe fronin , dhe për forcë madhore vendi i tij fitoi dhe komunizmin. Bullgaria kishte ardhur deri në Ohër me avancimin Gjerman dhe në jug kishte dalë në Egje. I humbi këto toka në 1945, por mbreti Boris i kishte më të kufizuara zgjidhjet. Kishte shpallur neutralitetin, dhe kjo i kushtoi fronin dhe jetën. Tek të dya këto vende nuk regjistrohet një luftë partizane e mirëfilltë, se nuk qe e nevojshme, ngrenin kandar të tjerë faktorë, dhe të gjitha palët politike synonin me mënyrat e veta secila të kënaqnin interesa kombtare, le të kishte mes tyre përplasje të përgjakshme . Shqipëria me një pozicion më të favorshëm, po të kishte këtë lloj unitet dhe një rend kushtetues më të konsoliduar si ato , do mund të mbante neutralitetin më me sukses, dhe me manovrime brënda palëve . Si më afër trupave aleate mund të kalonte drejt e në okupim aleat, pra t`i shpëtonte komunizmit, që në fakt ishte thjesht infiltrim, asnjë interes historik e gjeostrategjik nuk e diktonte pjesëmarrjen me Lindjen . Çfarë do humbte populli ynë në se me ndërrim qeverish, gjysëm kushtetuehëm e gysëm grusht shteti do të imitonte këto dy shtete ballkanike? Me neutralitetin që shpalli qeveria në Shtator 1943 (që gjermanët e respektuan meqë s`kishim ushtri) dhe krahas tij me marrëveshjen BK-PK &Leg.(Gusht 1943), mund të koordinohej një administrim progjerman“kuisling” dhe paralelisht luftë ( por jo civile)në male, që me instruktorë perëndimorë do të na çonte në gji të aleatëve mjaft më herët , sepse nuk do të refuzohej zbarkimi tyre kur u kërkua. Veprimi jugosllav këtë eventualitet e shmangu urgjentisht. Pra skema e përhershme gjatë këtyre 100 vjetve e ndërhyrjes së faktorit të pagjumë nga jashtë , u realizua edhe këtë rradhë por me pasoja rrënimtare afatesh të gjata. Në këtë optikë duhet shqyrtuar periudha e luftës. Kur themi skema o skenarë të përhershme , nuk nënkuptojmë vetëm infiltrimin nga jashtë por edhe mosrezistencën ndaj tij brënda. Nuk duhet pra një shikim bardh e zi kaq i dalëboje që e përdorin ata që i mbijetuan si të parëndësishëm pastrimeve të Enverit dhe sot flasin nga siguria e tyre e vogël , por duhet të analizohet disuniteti ynë i trashguar që shfrytzohet çdo herë ndryshe dhe befas. Këtë rradhë kjo forcë infiltruese nacional -serbe (që mbijetoi si në mbretëri edhe në komunizëm e më tëhu), e përdori sistemin e ri të terrorit ekstrem bollshevik për ta imponuar sa më egër tek ne me qëllim zhbërjen e gjithshka ishte ndërtuar në 30 vjet pavarësi, dhe si garanci që rivendikimet tona për shqiptarët nën sundimin e saj të mos bëheshin të gjalla siç ndodhi, madje me deklarata shprehimisht servile në konferencën e paqes për mos ekzistencën e një çështjeje të tillë. Pra “pjesëmarrja në Koalicionin Antifashist” që tundin si kartë ata që hymnizojnë luftën, u provua si mospjesëmarrje e skajshme në frymën që kishte Koalicioni me Kartën e Atlantikut në ballë. Ne përfunduam në satelit i bindur pikërisht të armikut që folkori e shpallte prej shekujsh. Kush të pajton si shërbtor për t`i mbaruar punën, don dhe të të mbajë lidhur boterisht. Kjo skllavëri pasoi qysh ditët e para si ndarje e hapur nga fuqitë perëndimore aleate ,me minat e kanalit të Korfuzit , me dbimin e misioneve anglo-amerikane menjëherë mbas, me refuzimin e planit Marshall, me gjyqet dhe ekzekutimin e të zgjedhurve në kuvend deri tek vrasja e kujtdo me akuza për bashkëpunim me misionet e deri me eliminime brënda udhëheqjes për poliagjenturë , veprime që e kanë fillimin qysh në luftë, kjo duhet theksuar, pikërisht tek qëllimi i projektuesve të saj. Që aty dhe prej asaj lufte të importuar nisi izolimi, vrasja e marxistëve idealistë prej sigurimsave personalë të diktatorit. (“Zef Malën ta dekoroni me një plumb në kokë”. Por sot dalin edhe fjalë të tjera nga goja e tyre, që Enveri e pranoi si faj të vetin që e goditi M .Bajraktarin, që Mehmeti ishte goxha kryeministër , të shohim sa do të digjojmë të tjera, psh që e ngarkoi me hartimin e një plani ndërhyrjeje ushtarake në Kosovë, dhe pastaj i hodhi tej edhe planin edhe hartuesin.. .) Prej asaj lufte vjen në distancë edhe mosdalja në qënie e një të djathte reale kur ra diktatura , por e një tjetre,ish funksionare që shtiret si e djathtë dhe menjëherë fut në qorrsokak ekonominë e tregut duke bllokuar njohjen e pronës (!) , që nuk debaton për zhvillim harmonik, por grindet vetëm për pushtet dhe për plaçkë. Për ta konstatuar këtë lloj lidhje atëhere – tashti, mjafton të shfletosh historinë e përditësuar tanimë. Terrori i viteve 1943- 44 nëpër fshatra , e ka vazhdimin logjik tek të gjitha veprimet qeveritare me karakter ekstrem kolektivist që varfëroi fshatin , përdhosi personalitetin në masë me krijimin e tiranëve të vegjël kudo, dhe tek refuzimi i vazhdueshëm i çdo zbutjeje të llojit revizjonist deri edhe kur kriza çoi në rrezik vet mbijetesën e regjimit, pra një projekt vartësie i ndjekur me përpikmëri qysh në krye dhe gjatë fazave të mëvonshme, pavarsisht nga armiqësia aparente për ata që na krijuan partinë sot e75 vjet më pare. Nuk mund të kishim pra edhe demokraci sot, me një brumë që nuk njohu asnjë ferment liridashës në 50 vjet, përveç atij të shpërthimit që vjen si rezultat i marazmës nga helmet e urrejtjes për njeri-tjetrin deri brënda qelizës udhëheqse. Kjo klimë e mbyllur do të gjente zgjidhjen pastaj , dmth sot,te veprimi i paligjëshëm ( krimi në vend dhe nëpër botë). Shumë arritje i kemi prej atyre helmeve, ndërtesa kolosale, probleme që nuk zgjidhen , prioritete urgjente që nuk gjejn vend. Por falë Zotit i kemi edhe prej punës së qindra mijra njerëzve të thjeshtë që kërkojn kushte pune dhe përkrahje jashtë ngaqë pengohen në vend . Ky pengim këmbëngulës ësht edhe pika më nevralgjike sot: përligjja e atij brumi të gatuar keq, me prononcime gjoja mbrojtëse të sovranitetit e pro konsensusit (dmth ejani të gjejmë fjalën mes nesh neve të korruptuarit), dhe kundra “imponimit” të ndërkombëtarëve. Në fakt këta të fundit, nuk kërkojn tjetër veçse zbatimin korrekt të ligjit, mënjanimin e marrëveshjeve transversale që synojn vazhdimin e impunibilitetit me blerje akoma të drejtsis dhe mbrojtjen e të vjedhurave. Këtë veprim shpëtimtar ndërkombëtarët e kanë ndërmarrë sepse iu ësht bërë e qartë që opinioni, pakënaqësia, nuk kanë asnjë peshë mbas 70 vjet nënshtrimi. Dhe po te kjo frymë e vendosmëri korrigjuese gjejmë edhe pezmin e nostalgjikëve të diktaturës , njëkohësisht dhe brengën e tyre pse po lind demokracia dhe shteti i së drejtës, dhe kështu zbehen privilegjet e tyre mbi masën.

Categories: None