Albanian-American Freedom House

Albanian-American Freedom House

News

DEBATET E RINDEZURA RRETH PERIUDHES KOMUNISTE

Posted by ALBANIAN-AMERICAN FREEDOM HOUSE on November 2, 2016 at 12:10 AM


Nga Lekë Tasi


DEBATET E RIAKTIVIZUARA RRETH PERIUDHES KOMUNISTE


Replikat i këtyre javëve në shtyp vlejn për të kuptuar pohimin e një medie perëndimore : “me ndryshimet kushtetuese që po bëhen, Shqipëria kalon nga Lindja në Perëndim”. Fjalë të qarta që të bëjn të mendosh se kthesa do të jetë historike e jo si në 1990. Gjithshka përmblidhet tek kjo: drejtësia e blerë me para ka për tu bërë drejtësi efektive. Ngjan e pabesueshme, por fakti që zullumi i 25 vjetëve e mbushi kupën e durimit të fuqive perëndimore, jep shpresë që kjo kthesë të ndodhë vërtet. E sigurt që kjo të shkaktonte “shtrëngimin e rradhëve” të gjith atyre që mendësis 45vjeçare i bashkojnë gjynahe të natyrës ordinare, që i kapte gjyqi por që vazhdojn të jenë shend e verë, sepse ushtrimi i pushtetit ka pasë fuqinë magjike të përjashtonte nga kategoria e të ndëshkueshmve krejt spektrin politik. Mbrojtjen e kërkonin tek solidariteti që kishin dalë gati të gjithë nga palltoja e establishmentit të para 90-ës. Prandaj edhe vënia në dyshim e shënjtëris së LNCl nga gazetari A. Stefani ka sjellë reagim të zemëruar, ngaqë hedh tej atë gomë shpëtimi. Pa dyshim ka edhe ndjenjë në këtë reagim (kujtime të bukura rinore që nuk shlyhen lehtë, formim shkollor i zier tri herë), por kryesorja ësht shqetsim i natyrës praktike: ballafaqim me drejtësinë për shkelje të rënda të ligjit, vetanake ose transversalisht , ndërpartiake. Në këtë debat, që ish të përndjekurit e kanë nisur qyshkur kundër murit që s`digjon, elementi i ri ësht se kritika që i bëhet Luftës vjen nga një studiues prej rradhëve të tyre. Vërtet ai e pohon pozicionin zyrtar se Lufta partizane ka qënë e drejtë, por i shton që diktatori me shokët e tij ia kanë hequr asaj kuptimin pozitiv duke vendosur diktaturën personale, duke zhgënjyer tërësisht shpresat e dëshmorëve për liri dhe mirëqënie. Kjo nuk ësht thënë kurrë me zë të lartë (në fakt nuk i janë hequr titujt honorifikë shkaktarit).Përballë qartësis së Stefanit të pranuar botërisht prej kohësh ( dhe që solli në 1991 disfatën elektorale të R.Alisë kundrejt një kandidati gati anonim -Franko Krroqi) artikujt e kundërshtarëve janë konfuzë sepse , ndryshe nga Andrea me prejardhje të njejtë, por që vendos si bazë të tijën dy shtylla krejt të papërfillura deri sot: 1)pavarsinë e arsyetimit personal dhe 2)të drejtat e njeriut , ata mbrojnë në fakt privilegjet, dhe/ose verbërinë e mospendesën e të palënduarit nga diktatura, një formë e njohur psikologjike e vartësisë nga koha dhe jo nga arsya . Rindezja dhe vijimi i polemikës (“dekorimet: mirë apo keq? Dhe feja e klerikët- kolaboracionistë apo jo?”) ka në thelb brengën pse të mbarojë komoditeti mes palëve (=grindje haptaz dhe impunibilitet i nënkuptuar), dhe po afrohet koha të dalin kartërat sheshit për c`ka ndodhur, duke u kushtuar vëmendje të gjitha burimeve historike, që ndodhitë e kaluara të mos manipulohen më. Prapa të gjitha shqetsimeve pra ësht nevoja e ngutshme për ribashkim (consensus) mbi bazën e të fituarave, materiale, morale dhe të natyrës pushtetore, sic ësht e qartë tanimë për njeriun e rrugës. Të përndjekurit, pjesa politikisht kundra diktaturës, dhe jo vetëm emocionalisht pse janë prekur soje , janë më të avancuar në këtë debat , sepse vënë në pyetje vet luftën partizane , a ishte e nevojshme në kushtet që u bë, apo u projektua qysh në krye e tillë siç doli, pra qe pjesë dhe shkak direkt i gjëmës që pasoi. Pjesëmarrja në koalicionin antifashist që afishohet si imperativ i pakundërshtueshëm , megjithëse teorikisht i detyrueshëm për shkak të fitores të asaj pale, shihej nga krerët e përgjegjshëm shqiptarë (pikërisht ata që u ësht dhënë cilsimi “kuislingët”) si fati më i mbrapsht që mund të na takonte për shkak të infiltrimit lindor, siç dhe doli nga lidhja e E.Hoxhës me agjentët e rangut të ulët të PKJ ( të ulët që të mund të lante duart ajo vetë më von) .Prova e parë për këtë: zhdukja e tërë më të aftëve e të pavarurve në karakter ndër të afërtit e tij, nisur ky aksion qysh në luftë . Por mbrojtësit e sotëm të asaj lufte, ose shohin deri te hunda, ose ca më keq, nuk janë prekur ata vetë apo rrethi i tyre ngusht, dhe s`mendojn as për viktimat e rrethit të gjerë. Kriteri politik vërtet i përgjegjshëm ësht interesi kombëtar, dhe vetëm ai, i cili ndërron sipas momentit që kalon vendi, dhe vrojtohet me vëmendje emergjente nga qeveritë dhe opozitat e momentit sëtoku. Pork y kriter paska qënë luks i madh për ne... Kulti për aleancat e mëdha me emra të bukur janë vecse servilizëm mendor kur ato aleanca s`na bëjn punë, përkundrazi, na groposin. Po të marrim dy vende ballkanike me pozicion gjeografik më të disfavorshëm se i yni, por me përvojë më të pasur si shtete, Bullgaria dhe Rumania, shohim se fati i aleancave që bënë alternativisht me Boshtin dhe me Koalicionin Antifashist, u vinte si nevojë për rivendikme tokash që u përkisnin ose që i pretendonin, dhe u erdhi si forcë madhore prej balancës së forcave gjermane-sovjetike që avanconin drejt tyre e i shkelnin. Shqipëria me një pozicion pa krahasim më të favorshëm, nëse do të kishte unitet dhe një rend kushtetues më të konsoliduar , do mund të mbante neutralitetin më me sukses falë afërsis së trupave aleate. Mos të thotë kush që ia ndalonte Jalta. Po atëhere pse zbarkuan aleatët? Krahaso politikën gjermane me qeverinë tonë që shpalli neutralitetin, kundrejt neutralitetit që e deshi dhe e shpalli mbreti bullgar Boris, me pasojë helmimin e tij prej mjekut kurues gjerman , megjitse ishte gjerman si origjinë. Edhe pasonjësit e tij manovruan sipas momentit, por pa shthurjen totale të unitetit si tek ne . Manovrimin me mirëkuptim të detyrueshëm mbi bazë kombtare e shohim të realizuar tek ato dy vende, megjithse të shoqëruar me aspekte tragjike mes palëve; por tek ne ai, manovrimi, vetëm mund të përfytyrohej, jo të realizohej . Sepse disunitetin tonë të trashguar e shfrytzoi sic thamë PKJ (nacionalizmi tek ata mbijeton si në mbretëri edhe në komunizmë) jo vetëm për të mos patur një shtet të pavarur në shpinë (Shqipëri perëndimore – gjëja më e lehtë për tu arritur..), por edhe që të zhbënin gjithshka ishte ndërtuar aty në 30 vjet shtet, si garanci që rivendikimet tona për shqiptarët nën sundimin e saj do të mehnin, siç ndodhi, madje me deklarata shprehimisht në konferencën e paqes për mosekzistencën e një çështjeje të tillë . Me këto gjëra duhet të merren ata që hymnizojnë luftën, sepse e tërë vazhda e shkëputjes nga krahu perëndimor i koalicionit nisi qysh me goditjen tinëz gjatë luftës e oficerëve anglezë pranë A.Kupi, me minat e kanalit të Korfuzit menjëherë mbas saj, pushkatimin e deputetëve, me dbimin e misioneve aleate, dhe deri tek vrasja e elitës dhe refuzimi i Planit Marshall, që të gjitha gjëra që i siguronin regjimit mosnjohjen e gjatë dhe komode në izolim , pra mospjesëmarrjen në fakt tek Koaliconi, por rehatin diktatorit si besnik i emruesve të tij. Të gjitha e kanë shkakun direkt dhe koshjent tek ajo luftë. A nuk u vranë gjat saj prapa shpine kuadrot për simpati pro-perëndimore? Prej asaj lufte fillojn të gjitha, për disa indirekt, për ne direkt. Prej asaj vjen varfërimi ekonomik i masës dhe depersonalizimi i qytetarit; dhe në distancë doemos edhe mosdalja në qënie e një të djathte reale kur ra diktatura , por e njerës që bëri të djathtën pa njohur efektivisht pronën(!), me pasojë egërsimin e gjendjes , mungesën e debatit për ekonominë dhe në vend të tij grindjen për votën, po edhe bashkëpunimin për qëllime të jashtligjshme pa ngjyrë përkatësie Mjafton të shohësh vitet e luftës, terrori i viteve 1943- 44 nëpër fshatra pati vazhdim logjik një rradhë ngjarjesh të së njejtës natyrë, e kundërta e pritshmërisë antifashiste: terrori në Kuvend me varjet e pushkatimet e deputetëve të zgjedhur nga populli, ekzekutimet e inxhinjerëve, deri tek mbyllja e gojës së inteligjencës , tek përdhosja e intelektualëve dhe sulmet reciproke mes tyre .Një pikë delikate që nuk preket fare as sot ësht edhe grupi i marxistëve të mirëfilltë (që nga Z.Mala.A.Lulo, te N.Zisi etj, ose e deviacionistëve Z.Fundo e Dh. Fallo gjat luftës dhe deputetëve si Gj. Kokoshi, Sh.Beja, R. Dani etj.) që u eliminuan nga udhëheqja aventuroze e kooptuar nga dyshja e PKJ , e cila zhduku më von edhe ata pak komunistët e mbetur (T.Jakova, K. Tashko,Hulusi Spahiu, M.Shehu etj); pse nuk u jepet një vend sot këtyre figurave, apo këto tema i shtien në vështirësi? Këto ishin “fitoret” e partisë, dhe u kultivuan me kujdes duke mbytur që n`embrion çdo zbutjeje revizioniste, pra një objektiv i ndjekur me përpikmëri qysh në krye dhe gjatë fazave 45vjeçare. Nuk mund të kishim pra edhe demokraci sot, me një brumë që nuk njohu asnjë ferment gjatë 50 vjet, përveç atij të shpërthimit prej helmeve të thithura, që duke i gjetur rrugët e ligjshme të mbyllura, përfundon në krim dhe paligjësi. Çdo pengim e kemi prej këtij zinxhiri malinj dje-sot, që falë Zotit e gjeti zgjidhjen individualisht (emigracioni) dhe aspak organizativisht me nxitje të prodhimit brënda në rrugë të natyrshme , njohje e pronës-investim-taksa-formalizim-bursë-kompeticion. Jo. pronat në asnjë mënyrë pronarëve, por mega pronarëve! Dhe kështu të mos u hapej rruga për kthim emigrantëve të gatshëm për të investuar punën dhe parat e tyre në vend. Kjo ësht pika më nevralgjike sot: përligjja e atij brumi parasitar por shumë aktiv,(pasanikët e paligjshëm) me prononcime pro konsensus, tezë që e hanë lolot, ose të interesuarit direct, por që shumica e kupton si apel “ejani shokë të ruajmë fitimet kundra “imponimit” të ndërkombëtarëve”. Shkaktarët pra të një keq-qeverisjeje , ose përfituesit soje, guxojn të invokojë sovranitetin kombëtar kundra ambasadorëve për të shpëtuar korrupsionin e tyre galopant, duke u angazhuar të jenë përsëri ata protagonistët e pastërtisë… Në fakt ndërkombëtarët, nuk bëjn tjetër veç prurjen e normalitetit, ligjit, mënjanimin e marrëveshjeve transversale që synojn vazhdimin e impunibilitetit, me gjetje shtigjesh të reja për ta blerë sërish drejtsinë dhe mbrojtur milionat. Ndërkombëtarët angazhohen më vendosmërisht sot, sepse e shohin qartë tanimë , që fuqia e opinionit, pakënaqësia, nuk kanë asnjë peshë mbas 70 vjet nënshtrimi ; ata kanë përveshur mëngët vetë. Te ky rrezik që i kanoset kalbësirës së djeshme të ardhur në kulmin e saj, shohim edhe shkakun e mbrojtjes emergjente me sa munden të disa tipareve “pozitive” të diktaturës së djeshme por me arsyetime kontradiktore, dhe mobilizimin e fortë për të denigruar kritikat që i bëhen asaj duke nxirë kundërshtarët më të shquar si kolaboracionistë dhe duke mos përmendur rezultatet e tyre, kulturën, pastërtinë morale të tyre . E bëjnë këtë fushatë se mos nga rrëke, kritikat bëhen lumë dhe e përlajn çdo mbeturinë të asaj kohe të zesë, dje dhe sot.. Kjo perspektivë i brengos tepër . Sepse shohin që këtë rradhë Perëndimi e ka seriozisht. Janë arsye strategjike, konjuktura të tilla, që tejkalojnë Shqipërinë, prandaj Shqipëria duhet shpëtuar edhe përtej vullnetit të pjesës që tërheq mbrapa. Si përher , fati, jo ne, po punoka për këtë vend… Por në nivel koshjent, momenti vetë dhe panorama tërësore e tërheq qytetarin e përgjegjshëm t`i shohi jasht kontekstit familjar ose formimit rinor shkaqet që janë në zanafillë të së keqes 70vjeçare. Duhen hedhur poshtë manovrimet e motivuara nga politika e ditës, dhe të përballohen themelisht arsyet dhe pasojat. Prekja edhe të mëdhenjve që po ndodh, e Fishtës e Konicës psh, kërkon edhe një kriter që nuk ësht përmendur kurrkund, pikërisht kalibrin e personit, kulturën, volumin dhe nivelin e punës së tij, që përkthehen në rol historik të papërsëritshëm pro Shqipërisë. Indro Montanelli na mëson vec këtyre, edhe një kriter tjetër, thjeshtësinë, varfërinë, përkushtimin ,kur ai përshkruan më të kritikuarin e këtyre figurave të mëdha: M. Krujën. Mbas 70 vjet veprimi antikombëtar të përgjakshëm e mizor, dhe më pas, orvatjeve për ta minimizuar elitën tonë të vërtetë, rehabilitimi i figurave (bile i cdo krahu ) të bëhet me seriozitet, ai nacionalistëve gjatë luftës , meqë ësht momenti tani; ajo të nisi jo nga ushtarët e thjeshtë, për të cilët bëhet gjithë kjo zhurmë e kotë, por nga krerët, nga Alush Lleshanaku,Hamit Matjani, Preng Cali, Hysni Lepenica e plot të tjerëve që dhanë jetën për shpëtimin e Shqipërisë. Krijimi i një aparati drejtësie dinjitoz si shpresojmë, do ketë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm për administrimin e shkeljeve ekonomike, por edhe mbi cdo sektor të jetës publike dhe kombëtare. Do të ketë gjithkush ku të kërkojë arbitrazh edhe mbi cështje specifike me pjesëmarrje të specialistëve më të kulalifikuar nëpër botë.Prandaj po e presim me padurim reformën edhe për këto cështje, që kanë të bëjnë me nderin e figurave , të denigruara deri dje .

Categories: None